Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kosova dhe vendet e BE-së që s'e kanë njohur atë
E diele, 07.08.2022, 07:59 PM
KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur
pavarësinë e Kosovës. Midis tyre edhe Rumania dhe Sllovakia. Që të dyja, brenda
kufijve të tyre kanë nga një bashkësi etnike hungareze. Por,
midis hungarezëve në Rumani, përkatësisht në Sllovaki, në një anë dhe Kosovës,
në anën tjetër, nuk ka asnjë ngjashmëri apo analogji dhe s’mund të bëhet dot
kurrfarë krahasimi. Pavarësia e Kosovës është rezultante historike.
Kosova e ka fituar pavarësinë në bazë
argumenteve, si:
- Argumentit historik –
Shqiptarët në Kosovë, përkatësisht në Dardani janë popull autokton.
Me Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974, Kosova ka qenë pjesë konstitutive
e federatës jugosllave. Me shpërbërjen e kësaj federate, Kosova shkëputet prej
saj si shtet i pavarur, sikundër edhe njësitë e tjera të kësaj amalgame;
- Argumentit të bashkëkohësisë
– Shqiptarët në Kosovë përbëjnë mbi 92% të popullsisë së saj; dhe
- Argumentit hipotetik
– Midis konfliktit dhe paqes, shqiptarët në Kosovë janë përcaktuar për paqe.
Edhe bashkësia ndërkombëtare
pavarësinë e Kosovës e ka cilësuar si rast të veçantë. Në favor të pavarësisë
së Kosovës është prononcuar edhe organi gjyqësor i Kombeve të Bashkuara me seli
në Hagë - Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që ndryshe quhet Gjykatë
Botërore. Bazuar në sa më sipër, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë
vendet e BE-së është e pajustifikueshme.
* * *
HUNGAREZËT NË RUMANI
- Hungarezët në Rumani përbëjnë
pakicën etnike më të madhe të këtij vendi. Sipas regjistrimit të vitit 2011, në
Rumani jetojnë 1.227.623 hungarezë dhe përbëjnë 6.1 % të numrit të përgjithshëm
të popullsisë. Sipas regjistrimit të vitit të sipërthënë, Rumania ka pasur
20.121.641 banorë. Është shtet unitar.
Shumica e hungarezëve etnikë në
Rumani jetojnë në rajonet të cilat para Marrëveshjes së Trianonit të
vitit 1920, kanë qenë pjesë të Hungarisë. Bashkësia hungareze jeton në rajonin
që njihet si Transilvani. Zona më e njohur në të cilën hungarezët
përbëjnë shumicën e popullsisë është Székely Land (rumanisht: ?inutul
Secuiesc; hungarisht: Székelyföld). Transilvania përfshin edhe
rajonet historike, si: Banati, Crisana dhe Maramures. Rumania ka 41 rrethe. Me
numër të madh, hungarezët banojnë në rrethet Harghita (85,21%) dhe Kovasna
(Covasna) (73,74%), ndërsa në përqindje të madhe banojnë në Muresu (38,09%), Satu
Mare (34,65%), Bihoru (25,27%), Salaju (23,35%) dhe Kluj (Cluj) (15,93%).
Një bashkësi hungareze, e njohur si
Csángós, banon kryesisht në Moldavi. Këta jetojnë në rajonin e
quajtur Csángó Land të Moldavisë por edhe në pjesë të Transilvanisë, si në
fshatin Dobruzha Veriore, të njohur si Oituz.
Për vendosjen e hungarezëve në
Rumani, historianët hungarezë dhe ata rumunë, kanë mendime të ndryshme. Fise
hungareze në afërsi të Uralit paskan ardhur në shekullin IX nga
Etelköz ose Atelkuzu në territorin e Rumanisë së sotme. Fiset hungareze
i kanë kaluar Karpatet rreth vitit 895 të erës së re (Honfoglalás)
dhe e kanë marrë Basenin e Karpateve, duke përfshirë edhe
Transilvaninë e sotme. Kjo ka ndodhur pa ndonjë qëndresë të madhe të popullsisë
vendase. Data e saktë e pushtimit të Transilvanisë nuk dihet. Artefaktet
hungareze më të hershme të zbuluara në atë rajon datojnë nga gjysma e parë e
shekullit X.
Në vitin 1526, në betejën për
Mohaç-in, forcat e Perandorisë Osmane e shkatërrojnë ushtrinë hungareze, ndërsa
në vitin 1571, Transilvania është bërë shtet autonom, nën sovranitetin
osman. Principata e Transilvanisë është qeverisur prej princërve të vet dhe e
ka pasur edhe parlamentin e vet (Diet). Parlamenti (dieti) i Transilvanisë ka
qenë i përbërë prej tri shtresave sociale (Unio Trium Nationum): prej fisnikëve
hungarezë (kryesisht fisnikët dhe klerikët hungarezë); prej udhëheqësve të
saksonëve të Transilvanisë – vendasit gjermanë; dhe hungarezët e lirë të
Székely-t.
Pas humbjes së osmanlinjve në betejën
për Vjenën në vitin 1683, Monarkia Habsburge, Transilvanisë dikur autonome,
shkallë-shkallë filloi t’ia imponojë pushtetin e vet. Prej vitit 1711 e këndej,
pas përfundimit të luftës për pavarësi të feudalit hungarez, i cili prej vitit
1704 ishte dukë i Transilvanisë, Ferenc Rakoci II (Ferenc Rákóczi,
1676-1735), kontrolli i habsburgëve mbi Transilvaninë u përforcua, ndërsa
princat e saj u zëvendësuan me mëkëmbës perandorakë të habsburgëve. Në vitin
1765 u shpall Principata e Madhe e Transilvanisë. Me këtë u
konsolidua statusi i ndarë i veçantë i Transilvanisë brenda Perandorisë
Habsburge, i përcaktuar me Diploma Leopoldinum* të vitit 1691. Historiografia
hungareze këtë e sheh si një formalitet të thjeshtë. Brenda Perandorisë
Habsburge, në pikëpamje administrative, Transilvania ka qenë pjesë e
Hungarisë.
Shënim: Diploma Leopoldinum është miratuar në Vjenë më
16 tetor 1690/91 nga perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake Leopoldi i
Parë (Vjenë, 1640 – Vjenë 1705), i cili në vitet 1655/57-1705 ishte mbret i
Hungarisë. Me këtë dokument juridik u përcaktuan parimet themelore të qeverisë
së Principatës së Transilvanisë në kuadër të Perandorisë Habsburge. Diplomën e
përgatiti kancelari i Transilvanisë Miklosh Betlen (Miklós Bethlen,
1642-1716).
* * *
HUNGAREZËT NË SLLOVAKI
- Hungarezët në Sllovaki janë pakica
kombëtare më e madhe. Në vitin 2020 Sllovakia ka pasur 5.427.917 banorë. Sipas
regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, hungarezë janë
deklaruar 458.467 vetë, që përbën 8.5 % të popullsisë së përgjithshme të Sllovakisë.
Duhet shtuar se 508.714 vetë apo 9.4 % e popullsisë kanë deklaruar se gjuhë
amtare e kanë hungarishten. Hungarezët në Sllovaki janë të përqendruar
kryesisht në pjesën jugore të vendit, në afërsi të kufirit me Hungarinë.
Shumica ndodhet në dy qarqe – në Komarno dhe në Dunajska Streda. Janë katolikë
dhe kalvinistë*.
Pas humbjes së Fuqive qendrore*
në frontin perëndimor në vitin 1918, ndërmjet fuqive aleate ngadhënjyese, në
një anë dhe Hungarisë, në anën tjetër, në konferencën e paqes në Paris të mbajtur
në vitin 1920, u nënshkrua Marrëveshja e Trianonit. Me
marrëveshjen e sipërthënë, territori i Mbretërisë së Hungarisë u zvogëlua me të
madhe. Hungaria e Epërme në të cilën sllovakët përbëjnë strukturën
etnike mbizotëruese, iu bashkëngjit Çekosllovakisë.
Hungarezët në Sllovaki përsëri hyrën
në kuadër të Budapestit pas Konferencës së Vjenës të vitit 1938,
me ç’rast Sllovakia jugore iu bashkëngjit Hungarisë. Sllovakët e konsideruan
këtë si pushtim, ndërsa hungarezët si bashkim në një shtet
kombëtar të përbashkët.
Sipas regjistrimit të popullsisë të
mbajtur në dhjetor të vitit 1938, 67.502 hungarezë mbetën në pjesën e
Sllovakisë e cila nuk iu bashkëngjit Hungarisë. Në fund të Luftës së Dytë
Botërore në vitin 1945, Çekosllovakia u rivendos përsëri. Në kuadër të saj u
përfshi edhe Sllovakia jugore e aneksuar. Qëllimi strategjik i qeverisë
çekosllovake ishte pakësimi i dukshëm numrit të pakicës gjermane dhe
hungareze, gjë që përfshinte edhe këmbimin e popullsisë.
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, rreth 30.000 hungarezë e
lanë territorin e Sllovakisë jugore. Këmbimi i popullsisë vazhdoi me
marrëveshjen me të cilën 55.487, 74.407, 76.604 ose 89.660 hungarezë nga
Sllovakia u këmbyen me 60.000, 71.787 ose 73.200 sllovakë nga Hungaria. Numri i
saktë varet nga burimi i të dhënave. Sllovakët e lanë Hungarinë vullnetarisht,
por jo edhe hungarezët Çekosllovakinë. Shumë hungarezë u deportuan
në Çeki, posaçërisht në Sudete që mbetën të zbrazëta pas shkuarjes së
gjermanëve.
Sipas regjistrimit të popullsisë të
vitit 1950, numri i hungarezëve në Sllovaki, në krahasim me vitin 1930, u
pakësua për 240.000. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1961, numri i
popullsisë hungareze u shtua për 164.244 banorë dhe arriti në 518.776 banorë.
Numri i vogël i popullsisë hungareze të regjistrimit të vitit 1950, pa dyshim
ka të bëjë me sllovakizimin e hungarezëve.
Sot në Sllovaki, 585 shkolla dhe
kopshte fëmijësh, si gjuhë kryesore e shfrytëzojë hungarishten. Pothuajse 200
shkolla e përdorin edhe sllovakishten edhe hungarishten. Në vitin 2004 u
themelua Universiteti Selve János të cilin tërësisht e financon
shteti.
Shënim:
Kalvinizmi është një prej religjioneve protestante.
Është degë kryesore e protestantizmit. Ndjek traditën teologjike dhe format e
praktikës së krishterë, të përcaktuar prej
teologut, pastorit dhe reformatorit francez në Gjenevë gjatë kohës së
reformacionit të protestantizmit. Zhan Kalvini (Jean Calvin, 1509-1564).
Thekson sovranitetin e Zotit dhe autoritetin e Biblës. Kalvinistët u ndanë nga
Kisha Katolike e Romës në shekullin XVI.
Fuqi qendrore ishin Perandoria Gjermane, Austro-Hungaria, Perandoria
Osmane dhe Bullgaria të cilat gjatë Luftës I Botërore luftuan kundër fuqive të Antantës
– Britanisë së Madhe, Perandorisë Ruse dhe Francës. Në vitin 1915,
Antantës iu bashkua edhe Mbretëria e Italisë dhe ShBA-ja.
* * *
Shënim: Hungarezët në
Vojvodinë - Sipas regjistrimit të vitit 2002, në
Vojvodinë jetojnë 290.207 hungarezë të cilët përbënin 14,28% të popullsisë së
saj. Sipas regjistrimit të vitit 2011, aty jetojnë 251.136 hungarezë, të cilët
përbëjnë 13,00% të popullsisë së saj. Për nga numri, janë popull i dytë në
Vojvodinë. Për feja, kryesisht janë katolikë, por një pjesë e
vogël janë edhe kalvinistë. Hungarishtja është një prej gjashtë
gjuhëve zyrtare në Vojvodinë. Kah fundi i viteve ’80 të shekullit XX, në Serbi
vijnë në pushtet forcat hegjemoniste serbomadhe në krye me
Sllobodan Millosheviqin. Për bashkësitë katolike në Vojvodinë, në radhë të parë
për kroatët dhe për hungarezët, vijnë kohë të këqija. U morën masa të caktuara
për ndryshimin e pasqyrës demografike të Vojvodinës. Vojvodina u shkatërrua
ekonomikisht. Si pasojë, shumë banorë u larguan prej saj. Pas vitit 1987
serbomëdhenjtë e dirigjuar nga Beogradi kryen në Vojvodinë jogurt revolucionin*
(revolucionin e kosit). Pasoi dezinstitucionalizimi i Vojvodinës. Me
fjalë të tjera, u suprimua autonomia e saj e sanksionuar me Kushtetutën e
Jugosllavisë të vitit 1974. Tani e tutje, mjetet financiare të fondeve të
Vojvodinës u derdhën pa kthim në fondet e Serbisë. Filloi edhe migracioni
ekonomik. Shumë pjesëtarë të të gjitha bashkësive etnike emigruan
jashtë. Në Vojvodinë jetojnë 26 bashkësi etnike apo minoritete. Pushtetet
serbomadhe i mobilizonin hungarezët e Vojvodinës për ekspeditat
pushtuese në Kroaci. Kjo ishte një prej arsyeve më të mëdha të ikjes së
hungarezëve nga Vojvodina. Në Kroaci, mu afër kufirit me Vojvodinën, kriminelët
serbomëdhenj kryen spastrim etnik. Shumë civilë hungarezë dhe
kroatë u eliminuan fizikisht. Shumë të tjerë i lanë vatrat e veta dhe ikën
gjetkë. Në shtëpitë e tyre, autoritetet serbe strehuan refugjatë dhe emigrantë
nga viset e tjera të Jugosllavisë. Kjo rezultoi me ndryshimin e
përnjëhershëm të strukturës etnike të Vojvodinës. Sipas regjistrimit të
vitit 1991 në Vojvodinë jetonin 340.946 hungarezë, të cilët përbënin 16,9% të
popullsisë së saj. Në vitin 2002 ky numër ra në 290.207 banorë hungarezë apo në
14,28%. Vetëm brenda 11 vjetëve, numri i hungarezëve u zvogëlua për 50.000
vetë. Trysnitë ndaj pakicave, e sidomos ndaj kroatëve dhe hungarezëve në
Vojvodinë vazhduan edhe pas rënies së pushtetit të Millosheviqit. Pas
regjistrimit të vitit 2002, numri i hungarezëve në Vojvodinë u zvogëlua. Në
vitin 2002 në Serbi jetonin 293.299 hungarezë, ndërsa në vitin 2011 ky numër
bie në 253.899. Sot në Vojvodinë jetojnë 251.136 hungarezë të cilët përbëjnë 13% të popullsisë
së saj.
Shënim: Në vitin 1987 e më pas, revolucionarët serë kanë kryer
dy revolucione të mëdha: jogurt revolucionin në Serbi dhe në Vojvodinë
dhe ballvan revolucionin në Kroaci. U quajt jogurt revolucion
(revolucion i kosit) për arsye se pjesëmarrësve nëpër mitingjet serbe që
mbaheshin anembanë Serbisë dhe Vojvodinës, e që udhëhiqeshin nga Sllobodan
Millosheviqi, nga Vojisllav Shesheli dhe nga dishepujt e tij Aleksandar
Vuçiqi e Tomisllav Nikoliqi, u jepeshin falas nga një gjevrek dhe një gotë
plastike me jogurt (kos).
Balvan revolucioni (revolucioni i trungjeve, i trarëve) shpërtheu në
rrethinën e Kninit në Kroaci, më 17 gusht 1990. Shënon fillimin e rebelimit
serbomadh në Kroaci. Aktorë ishin policia kroate përballë serbëve të rebeluar
të Kroacisë dhe paramilicive serbe. Rebelimi u nxit nga Beogradi
dhe nga qarqet serbomadhe në të ashtuquajturën Armatë Popullore Jugosllave, që
ishte vënë nën kontrollin e ushtarakëve serbë. E mori emrin nga barrikadat
me trungje drurësh, të ngritura në disa rrugë të rrethit të Kninit
(Kroaci), për të parandaluar qarkullimin e policisë kroate. Qëllimi i Serbisë
ishte të krijojnë në Kroaci një parashtet serb. Me të ashtuquajturin asociacion
komunash me shumicë serbe, Beogradi synon të krijojë në Kosovë parashtet.
Shënim: Pas luftës austriako-turke të viteve
1737-1739 në Kosovë, rreth 1.600 pjesëtarë të fisit Kelmendi (Klement) të
besimit katolik, duke mos iu bindur sundimit osman, u shpërngulën nga trojet
veriore shqiptare dhe u vendosën në fshatrat Hërtkovci (Hrtkovci) dhe Nikinci
të Sremit, në Vojvodinë, 52 km larg Novi-Sadit. Sipas regjistrimit të
popullsisë të vitit 1981, në Hërtkovci kanë jetuar 2.855 banorë – 42.3% kroatë
me prejardhje shqiptare, 19.4% hungarezë dhe vetëm 17.2% serbë. Në vitin 1992,
Hërtkovcit iu sulën grupet paramilitare të radikalit serbomadh Vojisllav
Sheshel. Prej 26 deri më 30 shtator 1992, bandat kriminale serbe kryen në
Hërtkovci spastrim etnik. U dëbuan 1200 vetë, kryesisht kroatë,
një pjesë e tyre me prejardhje shqiptare. Pas konfliktit në ish-Jugosllavi,
shumë kroatë të Hërtkovcit dhe të Nikincit (një pjesë e të cilëve me prejardhje
shqiptare), migruan drejt Kroacisë, ndërsa aty u vendosën refugjatët serbë nga
Kroacia. Kjo bëri që struktura etnike e popullsisë të ndryshohet në mënyrë
drastike. Sipas regjistrimit të popullsisë të viti 2002, në Hërtkovci jetojnë
3428 banorë. Prej tyre, 69.8% serbë, 9.0% hungarezë dhe 7.4% kroatë, një pjesë
e të cilëve me prejardhje shqiptare.