Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Spanja anashkalon Kosovën
E diele, 31.07.2022, 07:59 PM
SPANJA ANASHKALON KOSOVËN
Vizita
e kryeministrit të Spanjës në pesë vende të Ballkanit Perëndimor
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Më 29 korrik 2022 erdhi në Beograd për një vizitë dyditëshe kryeministri spanjoll Pedro Sançez (Pedro Sánchez, 1972-). Ky është i pari kryeministër i Spanjës që e viziton Serbinë. Vizita e tij në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor do të zgjatë katër ditë, prej 29 korrikut deri më 1 gusht të vitit në vazhdim. Me këtë rast ai viziton Beogradin, Sarajevën dhe Mostarin (Bosnjë e Hercegovinë), Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën.
Sikundër shihet, kryeministri Sançez nuk e viziton
Kosovën. Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme. Si e lejon Brukseli një gjë të
tillë?!
Me rastin e vizitës në Beograd, kryeministri Sançez dha
disa deklarata të turpshme dhe të papranueshme për kombin shqiptar: “Spanja
është gjithmonë me Serbinë. Ne e respektojmë tërësinë tuaj tokësore. Spanjën
dhe Serbinë e lidh nevoja për ta respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe
tërësinë tokësore të Serbisë. Ne e mbështesim Serbinë lidhur me Kosovën.
Spanja gjithmonë ka qenë dhe do të jetë me Serbinë, në mbrojtje të parimeve që
i ceka më lartë dhe gjithmonë do të jetë për dialogun e të dyja palëve”.
Sipas kryeministrit spanjoll Sançez, Kosova dhe Serbia
duhet të arrijnë një “marrëveshje me të cilën të dyja palët do të jenë të
kënaqura”. Ky qëndrim i Sançezit përputhet qind për qind me qëndrim
e Vuçiqit.
Sipas Sançezit, në Kosovë u dashka të krijohet një
asociacion komunash me shumicë serbe, që ndryshe quhet zajednicë ose dodik
repubkë, e cila pastaj do të shkëputej nga Kosova dhe do t’i bashkëngjitej
Serbisë proruse, të udhëhequr nga kryekrimineli i Ballkanit – Vuçiq.
Diskursi i kryeministrit spanjoll Sançez se “Spanjën
dhe Serbinë e lidh nevoja për ta respektuar të drejtën ndërkombëtare” është
në kundërshti të plotë pikërisht me të drejtën ndërkombëtare.
Pyetjes së Asamblesë
së Përgjithshme të OKB-së nëse deklarata e pavarësisë e shpallur më 17 shkurt
2008 nga institucionet e Kosovës, është në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (International Court
of Justice), në pasditen e datës 22 korrik 2010, i përgjigjet kësisoj: “Deklarata
e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, as rendin
juridik ndërkombëtar në Kosovë”. Qëndrimin e sipërthënë të GjND-së e
bëri publik për botën kryetari i saj - juristi, diplomati dhe profesori japonez
Hisashi Ovada (Hisashi Owada, 1932-) .
* * *
Më 7 tetor 2021 u
mbajt në Bërdo afër Kranjit (Brdo kod Kranja), Slloveni, samiti i BE-së dhe
vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe
kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe ai i Spanjës Pedro Sançez.
Më 24 qershor 2022,
Këshilli i Evropës në Bruksel mbajti një takim me udhëheqësit e vendeve të
Ballkanit Perëndimor. Në fund të takimit, kryeministri spanjoll Pedro Sançez
mbajti një konferencë për shtyp. Me këtë rast ai deklaroi se vendi i tij është
i gatshëm të pranojë që BE-ja t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.
Deklaratat e Sançezit në Beograd janë në kundërshti të plotë me prononcimet e
tij në Bruksel.
Shënim: Në maj të viti 2016 Komisioni
Evropian propozoi që në listën e vendeve të cilave duhet hequr viza, të
përfshihet Kosova, me arsyetimin se ajo i ka plotësuar kërkesat.
*
* *
Qëndrimin e vet për pavarësinë e Kosovës, Spanja e
ndërlidh me problemin që ka me separatistët katalonas apo me çështjen
baske të para do viteve. Pavarësia e Kosovës përballë një Serbie të
vogël dhe historikisht antidemokratike dhe proruse, nuk mund të krahasohet në
asnjë pikëpamje me një Spanjë, që dikur ka qenë sundimtare e deteve. Është turp
për Spanjën ta ulë veten në nivelin e Serbisë, të përbërë prej pallankave.
*
* *
Më 1 gusht të viti në vazhdim, kryeministri spanjoll
Pedro Sançez do të mbërrijë në Tiranë. Shqiptarët janë njerëz të mirë dhe do ta
presin. Të ishte ndonjë shtet tjetër, nuk do ta priste. Do t’i thoshte: “Nuk
shkon në Kosovë, mos as këtu”.
Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia janë pesë
shtete të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndaj tyre, shqiptarët
duhet të sillen si komb i bashkuar.
Gjatë takimit me të huajt, fjala e parë e çdo politikani,
e çdo ministri dhe e çdo deputeti shqiptar duhet të jetë Kosova. Fjala Kosovë
duhet të përmendet qysh në korridoret e kancelarive të botës, ende pa mbërritur
në sallën e bisedimeve.
Më 24 tetor 2009 Spanja e nderoi Ismail Kadarenë (1936-)
me çmimin “Princi Astorias për Letërsi” (Prince of Asturias Award for Letters). Kadareja
shquhet për urti. Ka pasur raste në botë kur personi i nderuar, në shenjë
proteste, e ka refuzuar çmimin.
*
* *
Vuçiqit nuk iu lejua të vizitojë
Jasenovacin në Kroaci - Më 17 korrik 2022,
kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte planifikuar të bënte një vizitë
private në Jasenovac dhe në Pakrac të Kroacisë. Vendimin për ta ndaluar ardhjen
e Vuçiqit, qeveria kroate e mori për dy arsye:
- E para, për ardhjen e Vuçiqit, autoritetet kroate nuk
ishin njoftuar zyrtarisht, gjë që është e papranueshme dhe në kundërshti me
praktikën ndërkombëtare;
- E dyta, vizita e një përfaqësuesi të lartë të një
shteti të huaj, në rajonin përkujtimor Jasenovac, nuk mund të jetë me karakter
privat. Vuçiqi synonte ta kalojë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Zotëri, Ju nuk shkoni në det... Politika kroate është për uljen e tensioneve... Përfaqësuesit e
pakicës serbe janë të përfshirë në Qeveri...”
Shënim: Jasenovci
ka qenë kamp përqendrimi në Kroaci, në qytetin me të njëjtin emër.
Pjesa më e madhe e kampit ndodhej në vendin Jasenovac, rreth 100 km në
juglindje të Zagrebit. Është formuar në gusht të vitit 1941, ndërsa është
mbyllur në prill të viti 1945. Numri i viktimave kurrë nuk është përcaktuar
saktësisht. Në raportin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare në Nyrnberg,
Komisioni shtetëror i “Kroacisë” apo më sakë – i Jugosllavisë / serbosllavisë –
ka konstatuar se numri i viktimave arrin ndërmjet 500.000 dhe 600.000. Sipas
burimeve serbe, viktimat kanë qenë serbë, hebrenj dhe romë. Kampi ka qenë nën
administrimin e ustashëve kroatë. Historiografia kroate e sotme
flet për shifra të tjera. Gjatë historisë politike të kohës më të re (1877 e
këndej), Serbia gjithmonë ka qenë e prirë që numrin e viktimave serbe ta
shumëfishojë.
* * *
Pas ndalimit për të
hyrë në Kroaci, Vuçiqi pësoi një grusht të fortë. Me Kroacinë lojë nuk ka. Për
ta tejkaluar diskreditimin dhe komprometimin, më 20 korrik 2022 atij i vjen në
vizitë kryetari i Egjiptit Abdel Fatah el Sisi (Abdel Fattah el-Sissi,
1954-). Edhe ky qëndroi në Beograd dy ditë.
Në ditët e fundit të
pushtetit të ish-kryetarit të Egjiptit Mohamed Morsi (Mohamed Mohamed
Morsi Eissa al-Ayat, 1951-2019), më 26 qershor 2013 Kajroja e njohu pavarësinë
e Kosovës - gojarisht. Por ky shtet, prej vitit 2015 e këndej nuk voton për
anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Duke mos votuar për
anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, njohjen e saj nga Egjipti
i kohës së Mohamed Morsit, Beogradi e konsideron “të ngrirë”.
Shumë vende arabe,
përkatësisht vende me popullsi islamike, përfshi Iranin, Rexhep Taip
Erdoganin - e çojnë mirë me Serbinë dhe e mbështesin Vuçiqin, përkundër
faktit se serbët në Srebrenicë të BH-së, duke ekzekutuar mbi 8.000 vetë, kanë
kryer gjenocid ndaj myslimanëve (boshnjakëve). Çfarë paradoksi?! Në përplasjet
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vendet e sipërthëna e mbështesin Beogradin.
Pas El-Sisit, ia
behu kryeministri spanjoll Sançez. Vuçiqit i duhen vizita për të dalën nga
izolimi.
* * *
Serbia
është ndër shtetet e rralla në Evropë, në mos i vetëm që s’i ka vënë sanksione
Rusisë. Përkundër kësaj, kryeministri spanjoll Pedro Sançez e viziton Beogradin
dhe i shtrëngon duart me Vuçiqin. aq më tepër, e anashkalon Kosovën. E
tmerrshme!! Mund të kuptohet vizata e Abdel Fatah el-Sisit të Egjiptit, por kjo
e Sançezit, s’ka sesi kuptohet.
Kosova
është vendi më demokratik, më paqedashës, më paqeruajtës dhe më i konsoliduar i
rajonit. Të drejtat e pakicave në Kosovë respektohen si në asnjë vend të
Bashkimit Evropian.
Prej
vitit 2008 e këndej, Berlini dhe Parisi nuk e bënë as më të voglën përpjekje
për të Madridin, Athinën, Nikozinë, Bukureshtin dhe Bratislavën që ta njohin
pavarësinë e Kosovës. Kjo është për të ardhur keq. A thua vallë ka qenë gjumë
edhe diplomacia kombëtare shqiptare?!
Deklaratat
e kryeministrit spanjoll Pedro Sançez në Beograd, janë në kundërshti të plotë
me parimet themelore të Bashkimit Evropian. Është në interes të Unionit që t’i
ndryshojë disa rregulla të funksionimit të vet. Kosova duhet të bëhet anëtare e
Këshillit të Evropës dhe e Bashkimit Evropian me procedurë të ngutshme. Për
këtë duhet të vendosin Berlini dhe Parisi. Sa për integrimin në NATO, për këtë
shpejt do të vendosë Uashingtoni – miku i përjetshëm i kombit shqiptar.