Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Anashkalimi i Kadaresë nga juria e Komitetit të 'Nobelit' - akt absurd
E merkure, 12.10.2022, 08:00 PM
ANASHKALIMI I KADARESË NGA JURIA E KOMITETIT TË “NOBELIT” – AKT ABSURD
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Çmimi “Nobel” për letërsi nuk i bën nder vetëm laureatit.
I bën nder edhe letërsisë së cilës i përket ai, gjuhës në të cilën shkruan ai,
popullit të cilit i përket ai dhe shtetit të cilit i takon ai. I bën nder
kombit të laureatit. Vlerësimi i Ismail Kadaresë me çmimi “Nobel” do t’i bënte
nder Shqipërisë dhe shqiptarisë. Po qe se me çmimin “Nobel” për letërsi nuk
vlerësohet një Kadare, i përkthyer në mbi 47 gjuhë të botës, atëherë kur do të
lindë ndër shqiptarë, një tjetër Kadare?!
Akademia Mbretërore e Suedisë me siguri e di dhe është i
njoftuar se Kadareja është vlerësuar me çmime ndërkombëtare më prestigjioze për
letërsi. Anashkalimi i Kadaresë nga juria e Komitetit të “Nobelit” pranë
Akademisë Mbretërore të Suedisë, paraqet njëherazi shpërfillje dhe injorim të
çmimeve letrare me të cilat është vlerësuar Kadareja, ky gjigant i artit të
fjalës. Autori i “Pallatit të ëndrrave”, vepër kjo që e godit
arkitekturën totalitare mu në zemër, u vlerësua dhe u shpërblye dy herë në
Francë, disa herë në Itali, Austri, Rumani, Britani të Madhe, Spanjë, Izrael,
ShBA, Korenë e Jugut etj.
Është nderuar edhe me titullin prestigjioz Komandant i
Legjionit të Nderit.
Presidenti i Francës Emanyel Makron (Emanuel
Macron) ia dha titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit.
Kadare është dekoruar nga presidenti i Shqipërisë me
Urdhrin “Nderi i Kombit”.
*
* *
Është e palejueshme dhe e pafalshme për Komitetin e
“Nobelit” që t’i nëpërkëmbë çmimet dhe titujt e poshtëshënuar, me të cilët
është vlerësuar kolosi letrar – Kadare. Rrallë shkrimtarë në botë e kanë
luftuar sistemin totalitar me mjete artistike, si autori i romanit “Koncert
në fund të dimrit”.
Akademia Mbretërore e Suedisë nuk ka të drejtë ta
shpërfillë faktin se Kadareja është përkthyer në mbi 47 gjuhë të rruzullit.
Anashkalimi i Kadaresë paraqet padrejtësi edhe për tërë një komb. Ata që
tentojnë ta diskreditojnë personalitetin e princit të kombit, nuk
e përfaqësojnë as artin letrar, as shqiptarinë. Numri i tyre është sa gishtat
në njërën dorë.
Nuk do të ishte mirë të mendohet se ndonjëri prej
anëtarëve të jurisë së Komitetit të “Nobelit” për letërsi, ose është
tendencioz, ose nuk është kompetent për të çmuar nivelin artistik të një vepre
letrare.
Komiteti i “Nobelit për letërsi a e ka parasysh faktin se
kur në Britani të Madhe, në vitin 2005 iu dha
Kadaresë çmimi “Man Brooker
International Prize”, pretendentë ishin edhe tre nobelistë: gjermani Gynter
Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), kolumbiani i famshëm Gabriel
Garsia Markez (Marquez, 1927-2014) dhe japonezi Kenzaburo Oe (1935-).
A thua vallë juria e komitetit të lartpërmendur ka
njohuri për esenë e autorit të “Gjeneralit
...” – “Eskili, ky humbës i madh”.
Juria e Komitetit të “Nobelit” pranë Akademisë Mbretërore
të Suedisë a e ka parasysh faktin se vepra kadareane ia zbulon Perëndimit:
- mitet dhe legjendat e lashta ballkanike;
- një botë të re, deri atëherë të panjohur për Evropën –
atë të Lindjse, atë të Perandorisë Osmane, me të gjitha format e ndërtimit dhe
mekanizmat e funksionimit të saj;
- mekanizmat e funksionimit të sistemeve totalitare,
tiranike, despotike, autoritare, autokratike, diktatoriale, bolshevike dhe
staliniste.
Një demaskim dhe stigmatizim deri në mohim, të
totalitarizmit, përpos Aleksandër Solzhenjicinit, nuk e ka bërë asnjë
artist në kohën moderne. Shumë shkrimtarë të botës, nga opusi i tyre kanë vetëm
një apo dy kryevepra, ndërsa kolosi i letërsisë – Kadareja, ka diku rreth
shtatë apo tetë kryevepra. Me fjalë të tjera, pjesa më e madhe e veprave të
këtij mjeshtri të fjalës, janë kryevepra.
Asnjë krijues i letërsisë botërore nuk ia ka dalë ta
dënojë luftën, siç e ka bërë një gjë të tillë ky kolos i letrave.
Porosia e disa veprave të tij është:
Çdo pushtues që ndërmerr ekspedita
ushtarake për të pushtuar toka të huaja dhe për të nënshtruar popuj sovranë, do
të përfundojë me mbledhjen e kockave dhe të eshtrave të ushtarëve të vet të
vrarë, në shpatet e rrëpirëta të maleve të egra, ku vazhdimisht bën mot i keq.
Mos vallë gjeniut të letrave ia mbajnë për të madhe se e
do mëmëdheun e vet, atdheun e vet, Shqipërinë, se i mbrojti synimet historike -
çlirimtare dhe liridashëse - të popullit të Kosovës. Juria e Komitetit të
“Nobelit” për letërsi duhet ta dijë se Kadareja është humanist shqiptar i
kohës moderne, është rilindësi shqiptar i fundit, është filozof
racional dhe demokrat.
Shpërfilljen e krijimtarisë madhështore të gjeniut
poetik, një komb i tërë e përjeton rëndë. Sidoqoftë, ai vazhdon të lexohet, në
botën shqiptare dhe jashtë saj, ai vazhdon të përkthehet në gjuhët e botës,
vazhdon të botohet anembanë rruzullit tokësor. Ai vazhdon të vlerësohet dhe të
çmohet lartë, nga lexues të rëndomtë dhe nga kritikët letrarë më eminentë të
planetit. Vepra e tij është lektyrë shkollore në shumë shkolla të rruzullit,
është lëndë studimi dhe analize në shumë qendra universitare të botës.
Vepra kadareane ka vlera universale. Ajo
rrëzëllen dashuri ndaj njeriut, ndaj njerëzimit. Dhënia e çmimit
“Nobel” Kadaresë, do t’i bënte nder edhe Akademisë Mbretërore të Suedisë.
Injorimi i kësaj vepre e mbulon turp jurinë e Komitetit të “Nobelit” dhe e vë
para një përgjegjësie morale.
*
* *
Disa prej çmimeve
dhe të titujve ndërkombëtarë me të cilët është nderuar dhe është vlerësuar
autori i “Kështjellës”:
- Prix Mondial
Cino Del Duca, Francë 1992;
- Në vitin 1996 Kadareja u shpall anëtar për jetë i Akademisë
së Shkencave Morale dhe Politike të Francës;
- Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me Urdhrin “Nderi
i Kombit”;
- Çmimi Bokacio, Itali 1997;
- Herder Prize, Austri 1998;
- Ovid Prize, Rumani 2003;
- Man Brooker International Prize, Britani e
Madhe, 2005; kandidatë për këtë çmim ishin edhe nobelisti gjerman Gynter
Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), nobelisti kolumbian, i famshmi Gabriel
Garsia Markez (Marquez, 1927-2014), nobelisti japonez Kenzaburo Oe (1935-)
i lauruar me Çmimin Nobel më 1994.
- Çmimi Princ of Asturias Awards për artet,
Spanjë 2009; ishin 31 kandidatë nga 25 vende të botës;
- Çmimi Lerici Pea, Itali 2010;
- Çmimi i Jerusalemit që në qarqet letrare
botërore njihet si pararendës i Nobelit për letërsi, Izrael, 2015;
- Në vitin 2017 u nderua me titullin prestigjioz Komandant
i Legjionit të Nderit, titull ky që e rendit Kadarenë në mesin e 250
personaliteteve më të shquara të botës;
- Çmimi “Nomino” në qytetin Udino të Italisë,
2018;
- Çmimi ndërkombëtar për letërsi Neustadt, i
njohur si Nobeli amerikan, Oklahoma, ShBA, 16 tetor 2019;
- Më 31.12.2019 Presidenti i Francës Emanyel Makron ia
jep titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit;
- Çmimi Pak Kyongui, Korea e Jugut, 2019 (në mesin e 350 anëtarëve); etj.