Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shkolla dhe shamia
E hene, 22.08.2022, 05:59 PM
SHKOLLA DHE SHAMIA
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Çështja shqiptare
në Ballkan është çështje kombëtare dhe jo çështje fetare. Ata që ka sunduar mbi
shqiptarët gjatë shekullit XX, kurrë s’ua kanë ndaluar shqiptarëve të drejtat
apo liritë fetare islame. Shqiptarët kanë qenë të lirë të quhen myslimanë dhe
të ndërtojnë objekte fetare të fesë islame. Madje kanë qenë të nxitur dhe të
motivuar të ndërtojnë sa më shumë xhami. Përse?! Duke qenë se nëpër xhami
lutjet fetare janë realizuar në gjuhën arabe, pushtuesit dhe kolonialistët
serbë, prej tyre nuk kanë parë kurrfarë rreziku. Në Mbretërinë e Serbëve,
Kroatëve dhe Sllovenëve (1918-1929), e cila më vonë u quajt Mbretëria
Jugosllave (1929 - nëntor 1945), në të
cilën sundonte oligarkia serbomadhe në krye me dinastinë serbe të karagjorgjeviqëve,
shqiptarët as që kishin të drejtë të quhen si të tillë. Ata përfshiheshin në
grupin e bashkësive myslimane. Nuk kishin të drejtë të shkolloheshin në gjuhën
amtare, d.m.th. në gjuhën shqipe. Kjo nuk ishte politikë asimiluese por strategji
asimiluese dhe shkombëtarizuese shtetërore. Kjo strategji antishqiptare
asimiluese ishte përpunuar prej akademikëve serbomëdhenj. Një prej tyre është
edhe akademiku Vlladan Gjorgjeviq (Vladan ?or?vi? / ?????? ????????, 1844-1930). Ishte
kirurg, kurse në vitet 1897-1900 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë
së Serbisë. Me librin e vet “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i
Veilke sile, Beograd, 1913, 188 faqe) flet zi e më zi për shqiptarët,
saqë bën edhe dehumanizimin e tyre. Ky ua çeli rrugën akademikëve të tjerë
serbomëdhenj që të hartojnë projekte antishqiptare. Një prej tyre është edhe
akademiku Vaso apo Vasa Çubrilloviq (Vaso ?ubrilovi?, 1897-1990),
autor i elaboratit famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta)
që e lexoi më 7 mars 1937 në Klubin Kulturor Serb në Beograd. Në këtë elaborat,
midis tjerash thotë se shqiptarëve duhet t’u lejojmë sa më shumë xhami,
por asnjë shkollë.
Me këto projekte,
serbët synonin:
- t’i asimilojnë
shqiptarët;
- t’i dëbojnë prej
trojeve etnike:
- të kryejnë
pastrimin etnik të trojeve shqiptare; dhe
- të dalin në det,
në Adriatik.
Në vitin 1924 u
çel në Shkup “Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandri I” (Velika Medresa
Kralja Aleksandra I). Ishte shkollë e mesme fetare. Ata që e kryenin,
merrnin titullin e klerikut mysliman. Më 1940 u promovua në shkollë të mesme
shtetërore në të cilën mësoheshin lëndë të caktuara gjimnazi dhe mësimi fetar
islamik, gjuha arabe dhe ajo turke.
Sikundër shihet,
shqiptarët s’kishin dot të drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Duhet shtuar se
në trojet shqiptare në Jugosllavinë e karagjorgjeviqëve kishte edhe popullsi
shqiptare katolike dhe ortodokse. Sikundër ka dhe sot.
* * *
Ideologjia serbomadhe e shfarosjes së shqiptarëve nëpërmjet pastrimit etnik u konkretizua me Rregulloren sekrete për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll, të hartuar në Beograd më 28.XI.1933 ndërmjet Mbretërisë Jugosllave, në një anë dhe Republikës së Turqisë, në anën tjetër. Kjo marrëveshje famëkeqe imitonte Marrëveshjen e Lozanës të viti 1923, sipas të cilës Greqia dëboi për në Turqi çdo familje myslimane, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë.
Diplomatët dhe
politikanët serbë shkonin nëpër kancelaritë e Evropës dhe thoshin: “Në
Jugosllavi s’ka shqiptarë, ka myslimanë”.
Politikë
shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve, duke i paraqitur dhe duke i regjistruar si
myslimanë dhe jo si shqiptarë, kanë ndjekur edhe malazeztë, sllavo-maqedonasit
dhe grekët. Një politikë e tillë – shkombëtarizuese, në zonat ku
shqiptarët nuk kanë qenë shumicë, është ndjekur edhe në Jugosllavinë e Titos.
Si mysliman, nuk ke paraqitur rrezik për shtetin, si shqiptar – po.
* * *
Nëpër shkollat shqiptare nuk ka përse të përdoren shamitë. Shqiptarët janë popull evropian,
properëndimor dhe proamerikan. Më proamerikani në botë. S’janë as turq, as
arabë dhe as persianë. Ka politikanë të Turqisë që thonë se shqiptarët dhe
turqit na qenkëshin vëllezër. Kjo s’është e vërtetë dhe s’mund të jetë e
vërtetë. In ultima linea, shqiptarët s’mund të jenë vëllezër me
turqit, përpos tjerash edhe për faktin se u përkasin tri feve – katolike,
ortodokse dhe islame. Duke qenë popull evropian, shqiptarët s’mund të jenë edhe
popull aziatik.
Gjuhëtari gjerman,
albanolog, themeluesi i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor
në Universitetin e Berlinit Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867), që në
vitin 1843 dëshmoi karakterin indoevropian të shqipes. Në studimin “Mbi
gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj” (Uber das Albanesische in seinen
verwandtschaftlichen Beziehungen) vërtetoi në mënyrë përfundimtare se
shqipja bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një
vend të veçantë si gjuhë më vete. Gjuha turke ndërkaq i takon familjes
së gjuhëve uralo-altaike.
Si një popull
evropian, shqiptarët funksionojnë me sistem evropian vlerash. Shamia, e
këtillë siç kërkohet, nuk i përket sistemit evropian të vlerave. Shamia, e
këtillë siç kërkohet, i përket Turqisë, botës arabe, Iranit. Shqiptarët s’janë
as turq, as arabë dhe as iranianë. Shamia, e këtillë sikundër kërkohet, ka
ardhur ndër shqiptarë nëpërmjet Turqisë, gjatë sundimit turk. Me fjalë të
tjera, atë ua kanë sjellë shqiptarëve sundimtarët e tyre.
Shqiptarët nuk do
të mundë të integrohen në gjirin e Evropës me sistem joevropian vlerash.
Shqiptarët janë
popull me tri fe. Kërkesat për të mbajtur shami në shkollë, në shoqërinë
shqiptare mund të shkaktojnë përçarje. Kjo do të ishte tragjike dhe fatale për
kombin. Përçarjet në botën shqiptare mund të shpijnë në prishjen e harmonisë
fetare, ndërsa disharmonia fetare do të çonte në konflikte mbi baza fetare. Si
rrjedhojë, do kishim bosnizimin e kombit shqiptar.
Arsimi në botën
shqiptare është shekullar. Por, hapësirat shqiptare ka edhe
shkolla fetare, katolike, ortodokse dhe myslimane. Këtë ua mundëson ligji dhe
kushtetuta.
Askush nuk i ka
ndaluar nxënëset dhe studentet shqiptare të fesë islame të mbajnë shami nëpër
medrese dhe në fakultetet teologjike islame. Shami mbajnë edhe vajza të moshës
së mitur që ndjekin mësimin fetar nëpër mektebe. Askush nuk i ka ndaluar
femrat shqiptare të fesë islame të mbajnë shami – ato që duan – në jetën
private. Në një klasë shqiptare mund të mësojnë nxënës shqiptarë të të tri feve
– katolike, ortodokse dhe myslimane. Si do të përjetohej shamia apo mbulesa te
nxënësit shqiptarë që nuk i përkasin fesë islame?!
Propaganduesit e
islamit politik një ditë do të kërkojnë që vajzat dhe djemtë shqiptarë
të mësojnë nëpër shkolla të veçanta, si në Iran. Shqiptarët nuk jetojnë, as në
Azi, as në botën arabe, as në Afrikë. Jetojnë në Evropë. Në shumë shkolla të
vendeve me popullsi feje islame vajzat shkojnë në shkollë pa mbulesa apo shami.
Shqiptarët s’ka përse të bëhemi më katolikë se papa.
Nëpër shkollat
shqiptare, publike apo private, parashikohet me ligj mbajtja e uniformave.
Ka nxënës, si djem ashtu edhe vajza, shkojnë në shkollë në kundërshti me normat
etike apo me kodin etik. Ndaj tyre nuk merret kurrfarë mase, as pedagogjike, as
administrative. Ndaj tyre nuk reagon as shkolla, as prindërit, as shoqëria. Shkolla
nuk është disko klub. Është institucion edukativ dhe arsimor. Në
kundërshti me normat etike apo me kodin etik, i ndjekin studimet edhe një numër
i caktuar i studentëve. Nga kjo del uniforma nuk respektohet sa duhet, për të
mos thënë fare, si në shkollat fillore dhe të mesme, ashtu edhe në arsimin
universitar. Mbajtja e uniformës vlen – me akt normativ – edhe për mësuesit,
për arsimtarët, për profesorët dhe për ligjëruesit universitarë. Në shumë raste
kjo nuk respektohet gjithaq, në mos hiç. Po qe se mësuesi nuk e respekton kodin
etik të profesionit të vet, atëherë mos prit më shumë prej nxënësit të tij apo
të saj. Ka nxënëse që shkojnë në shkollë me grim. Madje edhe nxënëse të shkollës
fillore. Ç’pret prej asaj shkolle dhe prej asaj shoqërie?!
* * *
Në një shkollë me
rreth 1.000 nxënës, mbi 550 mund të jenë vajza. Prej tyre, shami në klasë
mbajnë jo më shumë se 10 deri 15 sosh. Me fjalë të tjera, edhe pse shkolla nuk
e ndalon mbajtjen e shamisë në klasë, numri i vajzave që e mbajnë atë është
minimal. Vajza shqiptare nuk është e interesuar për shami. Përpos kësaj, shumë
të rinj dhe të reja, sapo e kryejnë shkollën, ikin për në Perëndim, kryesisht
në Gjermani nga ku nuk kthehen dot. E në Gjermani s’ka pse shkohet me mbulesë
apo me shami – mendojnë ato.
* * *
Sot e kësaj dite
diplomacia serbe, greke dhe ruse shkojnë nëpër kancelaritë evropiane dhe thonë:
“Mos i mbështetni shqiptarët, ngase ata janë përçues të interesit turk, arab
dhe iranian në Evropën e krishterë. Mos e mbështetni Kosovën për arsye
se shqiptarët funksionojnë me sistem oriental, pra joevropian të vlerave. Duke
mbështetur Kosovën ju krijoni një shtet islamik në Evropë”.
Me kërkesat për
mbajtjen e shamisë nëpër shkolla, shqiptarët me vetëdije apo pa të, e çojnë
ujin në mullirin e Serbisë, të Greqisë dhe të Rusisë. Këta që kërkojnë mbajtjen
e shamisë nëpër shkolla duhet ta dinë se shumë vende me popullsi myslimane, jo
vetëm që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por kanë lidhje të ngushta me
Serbinë. Vendet e tilla votojnë edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në
institucionet ndërkombëtare.
Kosova sot ka
probleme serioze me Beogradin. Para pak ditësh, në hapësirën ajrore afër
kufirit të Kosovës, Vuçiqi i solli aeroplanët luftarakë. Të mos ishte Amerika,
një Zot e di se ç’do të ndodhte. Kosova nuk përplaset vetëm me Serbinë, por
edhe me Rusinë.
Parësore për
shqiptarët duhet të jetë kombi, d.m.th. interesi kombëtar. Në Kongresin e
Berlinit (1878) shqiptarët u shpërfillën. Të vonuar, s’i bëri kush
llogari. Nuk duhet lejuar përsëritjen e historisë.