Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Nobelistët që anuan nga Serbia e zjarrvënësit të Ballkanit
E enjte, 20.10.2022, 08:00 PM
NOBELISTËT QË ANUAN NGA SERBIA E ZJARRVËNËSIT TË BALLKANIT
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Në vitin 1999, rreth
një milion shqiptarë në Kosovë, u detyruan të largohen prej vatrave
stërgjyshore. Për ta parandaluar një katastrofë humanitare përmasash biblike,
spastrimin etnik dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, më 24 mars të
vitit 1999, aleanca veri-atlantike NATO ndërhyri ushtarakisht kundër forcave ushtarake,
policore dhe paramilitare serbo-çetnike* të piromanit të Ballkanit,
Sllobodan Millosheviqit.
Gjatë luftës në
Bosnjë dhe Hercegovinë (06.04.1992 – 14.12.1995), Serbia ka kryer gjenocid ndaj
popullsisë myslimane (boshnjake).
Më 11 – 19 korrik 1995,
serbët vranë në Srebrenicë mbi 8.000 myslimanë (boshnjakë) civilë. Kjo është
ngjarja më e tmerrshme në historinë bashkëkohore të Evropës.
Masakra u krye:
- nga Ushtria e
Republikës Serbe, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, tanimë të dënuar nga
Gjykata e Hagës me dënim të përjetshëm; si dhe
- nga formacioni
paramilitar “Shkorpioni” (Skorpionët – Akrepat), bashkë me disa
qindra vullnetarë grekë dhe rusë.
Në vitet 1998 –
1999, Serbia e kasapit të Ballkanit – Millosheviqit, kreu krime dhe gjenocid
edhe në Kosovë.
* * *
Përkundër krimeve
makabre serbo-fashiste në Kosovë, katër laureatë të çmimit “Nobel” për letërsi
u prononcuan kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj makinerisë vrastare
serbe.
Këta nobelistë janë:
- laureati i vitit
1970, prozatori rus Aleksandar Solzhenjicin (1918-2008);
- laureati i vitit
1997, dramaturgu italian Dario Fo (1926-2016);
- laureati i vitit
1998, romancieri portugez Zhuze Saramagu (José Saramago, 1922-2010);
- laureati i vitit
2005, dramaturgu anglez, nga babai çifut, Harold Pinter,
pseudonimi David Baron (1930-2008); dhe
- laureati i vitit 2019, prozatori, dramaturgu dhe poeti austriak me prejardhje edhe sllovene, Peter Handke (1942- ).
Tre të parët, Aleksandar
Solzhenjicini, Dario Fo dhe Zhuze Saramagu (José Saramago) ishin
laureuar para ndërhyrjes së NATO-s, ndërsa dramaturgu anglez, nga babi çifut, Harold
Pinter si dhe prozatori, dramaturgu dhe poeti austriak me prejardhje edhe
sllovene, Peter Handke, u laureuan gjashtë vjet, përkatësisht
njëzet vjet pas ndërhyrjes së NATO-s.
* * *
Laureati i vitit
1999, dramaturgu dhe poeti gjerman Gynter Gras (Günter Grass,
1927-2015), e ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër
forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Por, sipas burimeve
serbe të datës 14.10.2019, në një intervistë dhënë javores “Vreme” të
Beogradit, ky paska deklaruar se qenkësh penduar: “...sot do të isha
përpjekur kundër bombardimeve...”.
*
* *
Është për t’u habitur se si nobelistët e sipërthënë të
letërsisë – Dario Fo, Zhuze Saramagu (José Saramago) dhe Harold
Pinter nuk u prononcuan kurrë lidhur me krimet e kryera serbe në Bosnjë e
Hercegovinë dhe në Kosovë. Me fjalë të tjera, nuk e dënuan me asnjë fjalë gjenocidin
serb ndaj myslimanëve (boshnjakëve) dhe ndaj shqiptarëve. Laureatët e
lartpërmendur nuk e çelën gojën dhe nuk shkruan as edhe një rresht të vetëm
lidhur me ekzekutimin barbar të mbi 8.000 civilëve në Srebrenicë.
*
* *
Prononcimi i disidentit rus Aleksandar Solzhenjicin
lidhur me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër makinerisë vrastare serbe është
dhënë kur ai i kishte mbushur 90 vjeç, ndaj vetëm një Zot e di në është
deklarata e tij autentike, apo është pjellë e propagandës gebelsiane
serbe. Dy-tre muaj pas “prononcimit” të tij, ai vdiq.
Sa i përket shkrimtarit austriak, i cili ka edhe
prejardhje sllovene, Peter Handke, nuk duhet të habitet kush. Ky, jo
vetëm që ka dalë kundër ndërhyrjes së NATO-s, por edhe e ka mbrojtur dhe
vazhdon ta mbrojë politikën fashiste serbe të kohës së Millosheviqit dhe të
Vojisllav Sheshelit si dhe të pasardhësve të tyre - Aleksandar Vuçiqit me
shokë.
Politikën serbe të krimit dhe të gjenocidit në Kosovë nuk
e kanë dënuar, përkatësisht e kanë mbrojtur vetëm forcat më të errëta
të rruzullit tokësor, si kryetari i Rusisë Vladimir Putin, ministri
rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov, kryetari i
Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko, kryetari i Koresë së Veriut Kim
Jong-un. Në mesin e tyre bën pjesë edhe shkrimtari nobelist Peter
Handke. Vlerësimi i tij me këtë çmim
prestigjioz, s’i bën dot nder komitetit të “Nobelit” të Akademisë Mbretërore të
Suedisë.
*
* *
Shënim: Me
shprehjen çetnik-ë nënkuptohen pjesëtarët e lëvizjes nacionaliste
dhe shoviniste të ideologjisë serbomadhe. Gjatë historisë, fjala “çetnik” e ka
ndryshuar domethënien. Është përdorur në shekullin XIX dhe në fillim të
shekullit XX - në Serbi dhe në Maqedoni, por edhe në Dalmaci dhe në Bosnjë dhe
Hercegovinë. Fjala “çetnik” sot ka kuptimin: “Anëtar i organizatës
ushtarake serbe me synim nacionalist dhe shovinist, skajshëm serbomadh”.