Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Dhjetë vjet nga Marrëveshja e Parë e Brukselit
E premte, 21.04.2023, 07:57 PM
DHJETË VJET NGA MARRËVESHJA E PARË E BRUKSELIT
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Më 19 prill të viti
2013, d.m.th. para dhjetë vjetëve, u nënshkrua në Bruksel ajo që u quajt Marrëveshje
e parë mbi parimet e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,
e njohur edhe si Marrëveshje e Brukselit, e arritur nën mbikëqyrjen e BE-së.
Dialogu u udhëhoq
nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe nga
kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e
shefes së diplomacisë evropiane, politikanes britanike Ketrin Eshton (Catherine
Margarte Ashton, Baroness Ashton, 1956- ).
Marrëveshja me të
cilën filloi normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmban
15 paragrafë (pika). Gjashtë të parët kanë të bëjnë me themelimin, me
fushëveprimin dhe me funksionet e bashkësisë së komunave serbe. Tre paragrafët
vijues kanë të bëjnë me policinë dhe me sigurinë, ku parashikohet një forcë e
vetme policore për tërë Kosovën, duke përfshirë veriun e Kosovës. Kjo forcë do
të quhet Policia e Republikës së Kosovës.
Në paragrafin 11
parashikohet që zgjedhjet komunale të mbahen në tërë territorin e Kosovës sipas
ligjit të Kosovës.
Me paragrafin 12
parashikohet hartimi i planit të implementimit dhe saktësohet data deri kur
duhet të mbyllet plani.
Me paragrafin 13
parashikohet detyrimi i intensifikimit të dialogut për energjetikën dhe për
telekomunikimet.
Sipas paragrafit 14
palët kanë rënë dakord që asnjëra prej tyre të mos e bllokojë dhe të mos i
nxitë të tjerët ta bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugën e saj drejt
BE-së.
Me paragrafin 15
parashikohet krijimi i komitetit të implementimit, me ndihmën e BE-së.
Marrëveshja e
Brukselit përmban edhe një dokument që ka të bëjë me integrimin e komunave me
shumicë serbe në veri të Kosovës, në sistemin juridik të Kosovës, me dy
garanci:
- Të gjitha çështjet
gjyqësore rregullohen sipas ligjit të Kosovës, por në këshilla gjyqësore të
caktuara, serbët e Kosovës duhet të jenë shumicë. Këshilli (Gjykata e qarkut në
Mitrovicë) seancën duhet ta mbajë në veri të Mitrovicës.
- Krejt punën e
policisë duhet ta ushtrojë Policia e Kosovës, por komandanti rajonal i policisë
në rajonet me shumicë të popullsisë serbe duhet të jetë serb i Kosovës, i
zgjedhur nga lista që e dorëzojnë komunat e serbëve të Kosovës.
* * *
Deri më sot, Kosova
është njohur prej 115 shteteve të botës. Ndërkohë priten edhe njohje të reja.
Deklaratat e pushtetarëve të Beogradit se në 15 vjetët e fundit, 27 shtete e
kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, janë të pavërteta.
Dialogu ndërmjet
Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, filloi në mars të vitit 2011.
Marrëveshja e parë e Brukselit është nënshkruar më 19 prill të vitit 2013.
* * *
Dy vjet më vonë,
d.m.th. më 25 gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje
për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, me të cilën
harmonizoheshin parimet e përgjithshme.
Marrëveshja e viti
2015 përbëhet prej 22 pikave, me të cilat saktësohen korniza ligjore,
objektivat, struktura organizative, marrëdhënia me pushtet qendrore, buxheti
dhe mbështetja.
Në përputhje me
Marrëveshjen e parë të Brukselit, bashkësia e komunave me shumicë serbe do të
duhej të formohej në bazë të Statutit, një version të të cilit e ka hartuar në
vitin 2018 Ekipi drejtues, me miratimin e BE-së, në bazë të marrëveshjes së
vitit 2015. Ky version kurrë nuk i është shfaqur publikut, apo është publikuar
shumë vonë.
* * *
MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI E VITI 2015
Më 25 gusht të vitit
2015, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministri i
Serbisë Aleksandar Vuçiq arritën në Bruksel marrëveshje për energjetikën, për telekomin, për krijimin e
asociacionit, përkatësisht të bashkësisë së komunave me shumicë serbe si dhe
për qarkullimin e lirë në urën e Ibrit në Mitrovicë.
Lajmin e bëri publik
përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, politikania
italiane Federika Mogerini (Federica Mogherini, 1973- ), e cila në atë
kohë ishte ndërmjetësuese e dialogut.
Me këtë rast, shefja
e diplomacisë evropiane deklaroi: “Marrëveshja e kryeministrave të Serbisë
dhe të Kosovës paraqet kthesë në dialog. Ata u morën vesh për parimet e
përgjithshme dhe për elementet kryesore të asociacionit / bashkësisë së
komunave serbe, gjë që e hap rrugën për formimin e saj. Po ashtu, ata u morën
vesh për zbatimin e mëtejmë të marrëveshjes për energjinë dhe për Planin
aksional për Telekomin, gjë që do ta lehtësojë funksionimin e sistemit
telekomunikimit në Kosovë. Dy kryeministrat u morën vesh edhe për
lirinë e qarkullimit në urën e Ibrit në Mitrovicë”.
* * *
Në deklaratën për
Radiotelevizionin e Serbisë, në atë kohë Vuçiqi deklaron se bashkësia e
komunave serbe do të ketë autorizime të gjera: “Bashkësia do ta ketë
kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin e vet. Ajo do
të vendosë për të katër çështjet e Marrëveshjes së Brukselit – që nga
shëndetësia, arsimi, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik, deri
te financimi nga Serbia. Prerazi thuhet se Serbia ka të drejtë ta financojë pa
tatime dhe pa taksa”.
Me këtë rast ai ka
përmendur të dhjetë komunat që do ta përbëkan bashkësinë e ardhshme të komunave
serbe: “katër komunat në veri - Mitrovica, Zveçani, Zubin Potoku dhe
Leposaviqi, si dhe komunat Graçanicë, Shtërpc, Novo Bërdo, Ranilug, Pasjanë,
Partesh dhe Kllokot”.
Në vijim ai shton: “Për
energjetikën u nënshkrua marrëveshje, por pa arritur pajtim rreth sistemit
operativ-shpërndarës si dhe rreth pronës”.
Sipas tij, në lëmin
e telekomunikimeve, nuk ndryshon asgjë: “Serbët e Kosovës, kur i thirrin
serbët në Serbinë qendrore, edhe më tej rrotullojnë vetëm 011 dhe anasjelltas.
Kur ne e thërrasim Mitrovicën, rrotullojmë vetëm 028, pa kurrfarë numri
referues”.
Ai foli edhe për
urën e Ibrit në Mitrovicë: “...qytetarët në Mitrovicën veriore nuk duhet të
brengosen...”
* * *
Marrëveshjen e viti
2015 për formimin e Asociacionit të komunave serbe, kryeministri i atëhershëm i
Kosovës, Isa Mustafa, e interpreton ndryshe. Sipas tij, asociacioni
është pa autorizime ekzekutive. Ai deklaron: “Ne konsiderojmë se
marrëveshjet e arritura janë të suksesshme, sidomos për shkak të shtrirjes së
sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e vendit. Të gjitha marrëveshjet
janë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Asociacioni i
komunave serbe do ta ketë mbështetjen dhe do të bashkëpunojë me Qeverinë e
Serbisë, nuk do të ketë kurrfarë autorizimesh burimore, por funksionimi i
këtyre komunave do të jetë në funksion të zhvillimit të tyre”.
Kur është fjala për
energjetikën, përkitazi me pronësinë, dikur ka pasur mosmarrëveshje. Sipas Isa
Mustafës, pozicioni i Kosovës është fare i qartë: “Sipas Kushtetutës, kemi
të bëjmë me një pronë të Kosovës, madje kjo është në përputhje edhe me
Rezolutën 1244. Dihet, pala serbe çështjen e sheh ndryshe, por kjo do të
zbatohet në territorin e Kosovës, ndaj këtu do të vlejnë ligji dhe kushtetuta e
Kosovës. Kësisoj do t’i zgjidhim të gjitha problemet e deritashme në
rrjet. Do të ketë vetëm një shpërndarës, por atë do ta administrojë
rrjeti energjetik i Kosovës”.
* * *
Shefi i diplomacisë
së Kosovës i asaj kohe, Hashim Thaçi deklaron: “Pala serbe ngulte
këmbë që asociacioni të ketë autorizime ekzekutive, por në fund u arrit një
marrëveshje e tillë saqë ai i ngjan një organizate joqeveritare. Delegacioni
serb ishte tejet nervoz, por në fund e nënshkroi marrëveshjen”.
*
* *
Dialogët e deritashëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të
zhvilluar në Bruksel, nuk kanë qenë aq transparentë. Për marrëveshjet e
arritura, publiku njoftohet vonë dhe në mënyrë jo të plotë, d.m.th. në mënyrë
të pjesshme. Marrëveshjet e arritura, palët e dialogut i interpretojnë ndryshe
nga njëra-tjetra. Kujt si i përgjigjet.
Marrëveshjet që synohen të arrihen në dialog, duhet të
shtrohen në Kuvendin e Kosovës. Askush nuk mund të ketë mandat të nënshkruajë
në dëm të sovranitetit të shtetit dhe të integritetit tokësor të tij. Qoftë ky
kryetar shteti apo kryeministër i tij. Kjo është dhe duhet të jetë vetëm në
kompetencë të Kuvendit të shtetit.