Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Tragjedia e Ballkanit
E diele, 30.07.2023, 07:59 PM
TRAGJEDIA E BALLKANIT
- ideologjia serbomadhe –
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Ideologët
serbomëdhenj, idenë e krijimit të Serbisë së Madhe e bazonin në kriteret, si:
- Në kriterin e
shenjtë historik;
- Në kriterin e
gjuhës;
- Në kriterin fetar;
- Në kriterin “e
superioritetit” të kombit serb apo në shkallën qytetëruese “më të lartë” të
serbëve përballë popujve të caktuar të Ballkanit.
Sipas etërve të
idesë së Serbisë së Madhe, serbët na qenkan popull historik.
Sipas ideologëve
serbomëdhenj:
- E kujt gjuha,
i atij territori;
- E kujt feja,
i atij territori.
Bazuar në kriteret e
sipërthëna, malazezët janë serbë, për arsye se gjuha
që flasin është serbishtja, ndërsa besimi i tyre është feja ortodokse.
Boshnjakët e Bosnjës dhe Hercegovinës janë serbë të fesë islame. Gjuha
që flasin ata është serbishtja. Kroatët janë serbë të fesë
katolike. Gjuha që flasin ata është dialekti shtokav i
serbishtes. Maqedonasit janë serbë ngase në mesjetë, Maqedonia ka
qenë në përbërje të perandorisë së Dushanit.
Me të mohuar
kombësinë malazeze, boshnjake, kroate dhe maqedonase, serbomëdhenjtë mohojnë
ekzistimin e shteteve kombëtare të tyre – Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën,
Kroacinë dhe Maqedoninë.
Pretendimeve
ekspansioniste të serbëve ndaj Kroacisë dhe Ballkanit, inteligjencia kroate u
ka bërë ballë gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, që nga fillimi
i shekullit XIX deri më sot. Midis këtyre dy popujve mbizotëron një armiqësi
historike.
Sipas serbëve,
krijimin e Serbisë së Madhe e kanë penguar, dikur dhe sot: Berlini, Vjena,
Vatikani, CIA dhe agjenti i Vjenës dhe i Vatikanit – Josip Broz Tito.
* * *
Shënim: Pas
fitores së Lidhjes Ballkanike (Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi)
kundër Turqisë në Luftën I Ballkanike (1912), midis tyre filloi konflikti për
Maqedoninë. Serbia dhe Greqia u bashkuan kundër Bullgarisë. Lufta midis tyre
filloi në qershor të vitit 1913. Aleatët (Serbia dhe Greqia), të cilëve iu
bashkuan edhe Rumania dhe Turqia, shpejt e mundën Bullgarinë. Maqedonia nuk u
bë e pavarur, por u nda sipas dispozitave të Paqes së Bukureshtit
(!913). Më tepër se gjysma e vendit i takoi Greqisë (Maqedonia e Egjeut).
Pjesën më të madhe të asaj që mbeti, e mori Serbia (Maqedonia e Vardarit).
Bullgarisë iu la diç më shumë se një e dhjeta (Maqedonia e Pirinit). Bullgaria
e humbi edhe Dobruzhën jugore e cila i takoi Rumanisë, por asaj iu lejua ta
mbajë një pjesë të Trakisë, duke fituar kësisoj dalje në Detin Egje.
* * *
Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e parë (1918-1941) - Krijimi i Mbretërisë
së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (MSKS) – Pas mbarimit të Luftës së
Parë Botërore, Serbia realizoi maksimumin e programit kombëtar. Mbretërisë së
Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve - të sapokrijuar, ia bashkëngjiti Malin
e Zi dhe rajonet e Austro-Hungarisë, përfshi edhe Bosnjën – me
mbizotërimin e serbëve. Me krijimin e Mbretërisë së SKS, populli
serb për herëte parënë historinë e tij moderne, u fut në një shtet të vetëm. Me
fjalë të tjera, të gjithë serbët në një shtet. Politikanët serb, mbretërinë e
sapoformuar e shihnin si një Serbi të zgjeruar. Serbët konsideroheshin popull
shtetformues dhe krijues kryesorë të Jugosllavisë, ndërsa “qëndrimi
i tyre prej nikoqiri ndaj shtetit” u glorifikua apo u zmadhua. Zbatimi i
politikës serbomadhe nënkuptonte një qeveri të fortë të centralizuar për
tërë kombin.
Duke përdorur
taktikën e frikësimit policor dhe të kurdisjes së zgjedhjeve, Nikolla
Pashiqi* (Nikola Pashi?, 1845-1926) e zvogëloi rëndësinë e opozitës në
kuvend. Kjo i mundësonte që pushtetin ta centralizojë apo ta qendërzojë në
duart e serbëve. Rregullimi i Mbretërisë së SKS-së si një shtet unitar
dhe centralist me dominim serb, kishte shumë
kundërshtarë, si: “zelenashët”, ithtarë të mbretit të shembur Nikolla
Petroviç të Malit të Zi; Partia Fshatare Kroate, e cila kërkonte autonomi për
Kroacinë; Organizata Revolucionare Maqedonase e Brendshme (VMRO), e cila
luftonte për pavarësinë e Maqedonisë; Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”*,
e cila luftonte për shkëputjen e trojeve shqiptare (Kosovës, Maqedonisë
perëndimore dhe të pjesëve të caktuara të Sanxhakut); Partia Komuniste e
Jugosllavisë, e cila luftonte kundër hegjemonisë serbomadhe dhe
për rregullimin e Jugosllavisë mbi baza republikash në kuadër të një federate
të përbashkët.
Shënim: Bashkimi i Serbisë dhe Malit të Zi
nuk kaloi lehtë. Mbreti i dëbuar Nikolla I Petroviq Njegosh (Nikola I
Petrovi? Njegoš, 1841-1921) u çua kundër këtij vendimi. Vdiq në emigrim. U
varros në kishën ruse në Sanremo (San Remo) të Italisë. Në Mal të Zi kishte të
tillë të cilët bashkimin e konsideronin si akt jolegjitim. Këta quheshin
“zelenashë” (green). Sipas disa studiuesve, këta ishin nacionalistë
malazezë dhe luftonin kundër agresionit serbomadh ndaj Malit të Zi.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1
maj 1918. Më 7 nëntor 1918 u vendos në Shkodër. Udhëhiqej nga
atdhetarët, si: Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan
Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj
organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar,
demokratizimi i tij, çlirimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare në
Jugosllavi, që ishin shkëputur padrejtësisht në vitin 1913 dhe bashkimi i tyre
me Shqipërinë.
Kritika komuniste e hegjemonisë serbomadhe – Krijimin e Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe
të Sllovenëve, Internacionalja Komuniste e cilësoi vetëm si zgjerim
territorial të Serbisë pas luftës imperialiste, ndërsa vetë Mbretërinë
– si “ perandori të vogël” serbe. Komunistët jugosllavë
konsideronin se Mbretëria e SKS-së është shtet në të cilin klasa sunduese e një
kombi i shtyp kombet e tjera. Politikën hegjemoniste të borgjezisë serbomadhe,
ata e konsideronin shtyllë të kundërrevolucionit ballkanik dhe pengesë kryesore
për krijimin e federatës ballkanike. Partia Komuniste e Jugosllavisë
konsideronte se shkaku kryesor i kundërthënieve kombëtare në Jugosllavi është
trashëgimia koloniale e politikës së borgjezisë serbe nga luftërat ballkanike
në Maqedoni dhe kundër Shqipërisë si dhe politika hegjemoniste e saj në shtetin
e ri. Partia Komuniste e Jugosllavisë, detyrën e vet e shihte në luftën e
vendosur kundër shtypjes kombëtare dhe për vetëvendosjen e popujve.
Në Rezolutën e
PKJ-së të datës 25 nëntor 1924 thuhet: “Është detyrë e Partisë që me
organizatat e masave punonjëse të kombeve të shtypura të zhvillojë luftëra të
përbashkëta për të drejtën e shkëputjes, përkatësisht t’u ndihmojë lëvizjeve të
kombeve të shtypura për t’i formuar shtetet e pavarura, si të Kroacisë,
Sllovenisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, ashtu edhe për çlirimin e shqiptarëve”.
PKJ thotë: “E
vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes kombëtare në Ballkan është krijimi i
Republikës Federative Ballkanike. Por, kah mesi i viteve ’30 të shekullit
XX, PKJ thotë: “Jugosllavia mund të ekzistojë, me kusht që të rregullohet
mbi baza federative”.
* * *
Atentati në Kuvendin Popullor të Mbretërisë së Jugosllavisë në Beograd – Më 20 qershor 1928, në sallën e Kuvendit Popullor
në Beograd, ndodhi një masakër. Deputeti serb nga Mali i Zi, i radhëve të
Partisë Popullore Radikale, Punisha Raçiq (Puniša Ra?i?, 1886 – 16 gusht
1944) nxori prej xhepit revolen e tipit „parabellum“ dhe qiti mbi
deputetët kroatë. U vranë vend Gjuro Basariçek (?uro
Basari?ek, 1884 – 20 qershor 1928) dhe Pavlle Radiq (Pavle Radi?,
1880 – 20 qershor 1928). Kryetari i Partisë Fshatare Kroate, Stjepan Radiq (Stjepan
Radi?, 1871 – 8 gusht 1928) - u plagos. Pas një muaj e gjysmë, vdiq prej
plagëve të marra. U plagosën Ivan Grangja (Ivan Gran?a, 1879 – 31 mars
1953) dhe juristi, Dr. Ivan Pernar (1889 – 2 prill 1967).
Atentatori Punisha Rçiq u arrestua dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie.
Në vitin 1944, me të hyrë partizanët në Beograd – e pushkatuan.
* * *
Koncepti i Klubit Kulturor Serb – Ka qenë organizatë politike serbomadhe. Është
themeluar në vitin 1937 në Mbretërinë e Jugosllavisë. Gjatë Luftës II Botërore,
ideologjia e Klubit paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës,
d.m.th. të çetnikëve. Kryetar i Klubit ishte Sllobodan
Jovanoviqi (Slobodan Jovanovi?, Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Ky ka
studiuar drejtësinë në Gjenevë të Zvicrës. Në vitin 1891, studimet i vazhdoi në
Paris. Profesor në Universitetin e Beogradit. Në vitet 1942-1943 ka qenë
kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë – në Londër.
Shteti i përbashkët
jugosllav ishte jofunksional. Kjo solli ringjalljen shkallëzore të idesë
serbomadhe. Ndër politikanët serbë u forcua bindja se me idenë e bashkimin -
kanë gabuar, ndaj duhet krijuar Serbinë e Madhe. Për ta zgjidhur çështjen
kombëtare serbe, shpesh është propozuar “amputimi i Kroacisë”, në
kufij të reduktuar, të cilës do t’i merreshin “viset serbe”. Në
mars të vitit 1928, deputeti i radikalëve Punisha Raçiq (Puniša Ra?i?,
1886-1944), atentatori famëkeq ndaj Stjepan Radiqit (Stjepan Radi?,
1871-1928), në seancën e Kuvendit Popullor kërkoi që shteti të rregullohet
ndryshe, të riemërohet dhe të quhet Serbi e Madhe.
Klubi Kulturor Serb
thotë: “Gabimet e bëra pas bashkimit, duhet t’i përmirësojmë”.
Sipas
serbomëdhenjve, “çështja kombëtare serbe” në Mbretërinë e Jugosllavisë
ka mbetur e pazgjidhur. Për këtë arsye një grup intelektualësh serbë formojnë
Klubin Kulturor Serb. Synimi i tij është të riafirmojë idenë serbomadhe”.
Krahinën e Bosnjës (Bosanska Krajina), Klubi Kulturor Serb e quante “pararojë
e Beogradit”. Rajoni i Bosnjës dhe Hercegovinës duhet i tëri të hyjë në njësinë
territoriale serbe të ardhshme. Klubi Kulturor Serb punonte me përkushtim
për shkëputjen e Sremit nga përbërja e Banovinës (Guvernës) Kroate (rrethet
Dal, Vinkovci dhe Vukovar), duke shtuar se Dalmacia nuk është kroate. Është
potencuar karakteri serb i Maqedonisë dhe i Kosovës. Të gjitha këto rajone apo
troje i konsideronte toka serbe dhe në to zhvillonte veprime
propagandistike të gjera.
Në vitin 1937,
sekretari i Klubit Kulturor Serb në Beograd, docent i Fakultetit Filozofik në
Beograd, Vasa Çubrilloviq (Vasa ?ubrilovi?, 1897-1990), u dërgoi
organeve shtetërore dokument sekret me titull “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje
Arnauta). Dokumenti ka të bëjë me “zgjidhjen e çështjes shqiptare”,
përkatësisht me “dëbimin e paramenduar, sistematik dhe energjik”
të shqiptarëve nga Jugosllavia dhe me asimilimin e atyre që do
të mbesin. Për shpërnguljen sa më masive të popullatës shqiptare,
Çubrilloviqi propozon metoda të trysnisë shtetërore: largime nga
puna, burgosje, dhunë, frikësime, korruptime,
dërgim të njësive paraushtarake dhe djegie të vendbanimeve.
Shënim: Vasa
Çubrilloviq (Vasa ?ubrilovi?, 1897-1990) ishte historian, anëtar i
Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, profesor ordinar në Universitetin e
Beogradit.
* * *
Ideologjia serbomadhe në Luftën II Botërore – Ideologjia serbomadhe mor hov gjatë Luftës II
Botërore. Sipas historiografisë serbe, eliminimi i serbëve në Shtetin e Pavarur
Kroat (të krijuar gjatë luftës), ka qenë pjesë e politikës shtetërore zyrtare.
Sipas serbëve, ky eliminim i ka pasur të gjitha elementet e gjenocidit.
Rrjedhimisht, ekzistimi i serbëve në një shtet shumëkombësh, është i pamundur.
Në vend të rimëkëmbjes së Jugosllavisë, rezultati i luftës duhet të jetë shteti serbomadh.
Idetë e këtilla u paraqitën në mënyrë më eksplicite në memorandumin apo
elaboratin “Serbia homogjene” të ideologut të çetnikëve, Stevan
Moleviq* (Stevan Moljevi?, 1887-1959). Në artikull janë përcaktuar kufijtë
e ardhshëm të Serbisë së Madhe. Në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit XX, këta
kufij do të njihen si “Vija e Sheshelit”.
Moleviqi shkruan: “Gabimi
kryesor në rregullimin tonë shtetëror ka qenë se në vitin 1918 nuk u përcaktuan
kufijtë e Serbisë. Ky gabim duhet të përmirësohet, o sot o kurrë. Këta kufij
duhet të përcaktohen sot dhe ata duhet ta përfshijnë tërë rajonin etnik ku
jetojnë serbët, me dalje të lira në det, për të gjitha zonat që ndodhen pranë
detit”.
Memorandumi i
sipërthënë i Moleviqit u botua më 30 qershor 1941. Aty mbron krijimin e Serbisë
së Madhe dhe pastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë. Ai ngulte këmbë që
të shënohen qartas të gjitha tokat serbe dhe ato, në pikëpamje etnike, të bëhen
homogjene.
Lëvizja çetnike (emërtimi zyrtar: Ushtria Jugosllave në Atdhe)
udhëhiqej nga ideologjia serbomadhe. Ajo synonte krijimin e Serbisë së Madhe në
Jugosllavinë e Madhe. Homogjenia e dëshiruar e Serbisë çetnike arrihej me mjete
të pastrimit etnik dhe me gjenocid.
Komandanti i
çetnikëve, gjenerali Drazha Mihajlloviq* (Draža Mihailovi?, ), më 20
dhjetor 1941, shkruan dhe bën thirrje: “Të krijohet Jugosllavia e madhe dhe
në të Serbia e madhe, etnikisht e pastër, në kufijtë e Serbisë-Malit të
Zi-Bosnjës e Hercegovinës-Sremit-Banatit dhe Baçkës. Të luftohet që të
përfshihen në jetën tonë shtetërore të gjitha territoret që ende ndodhen nën
italianë dhe gjermanë (Trieste-Gorica-Istra dhe Korushka) si dhe Bullgaria,
Shqipëria veriore me Shkodrën. Territore shtetëror të pastrohet nga të gjitha
pakicat kombëtare dhe nga elementet jokombëtare. Të krijohen kufij të
përbashkët midis Serbisë dhe malit të Zi, si dhe Serbisë e Sllovenisë, duke
pastruar Sanxhakun nga popullata myslimane, ndërsa Bosnjën – nga popullata
myslimane dhe katolike... Në viset e pastruara prej pakicave kombëtare dhe prej
elementeve jokombëtare, të vendosen malazeztë (vijnë parasysh familjet e
varfra...). Në janar dhe në shkurt 1943, ushtria çetnike (Ushtria
Jugosllave në Atdhe) ndërmori operacione të gjera gjenocidi dhe pastrimi
etnik në Bosnjën lindore dhe në Sanxhak, me ç’rast janë vrarë mijëra
civilë myslimanë, gra, pleq dhe fëmijë.
Në Kongresin e Shën
Savës të mbajtur në vitin 1944, çetnikët vendosën që Jugosllavia e pasluftës të
jetë monarki me tri njësi federale: sllovene, kroate dhe serbomadhe. Në kuadër
të Serbisë do të përfshiheshin Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe
një pjesë e madhe e Kroacisë. Me fitoren e partizanëve, planet e çetnikëve
dështuan. Fitoi koncepti i Jugosllavisë federative.
Shënim: Stevan Moleviq (1887-1959)
ka qenë jurist serb. Drejtësinë e ka kryer në Zagreb. Një prej ideologëve me
peshë të ideologjisë serbomadhe dhe të lëvizjes së çetnikëve. Kryeredaktor i
revistës çetnike “Ravna Gora”; gjatë Luftës II Botërore, anëtar i
Komandës supreme çetnike dhe këshilltar politik i Drazha Mihailloviqit. Në
shator të viti 1945, në ”Procesin e Beogradit” kundër Drazha
Mihailloviqit, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Vdiq më 15 nëntor 1959 në burgun
e Sremska Mitrovicës (Mitrovicë e Sremit). Në memorandumin dhe elaboratin “Serbia
homogjene” mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të saj
prej popujve të tjerë.
Dragolub Mihajlloviq - Drazha (1993-1946) – gjeneral i Mbretërisë së Serbisë dhe i
Mbretërisë së Jugosllavisë, udhëheqës i çetnikëve serbë. Gjatë luftërave
ballkanike dhe Luftës I Botërore, oficer i ushtrisë serbe në Mbretërinë e
Serbisë. Në vitin 1945, në “Procesin e Beogradit”*, pushteti
komunist e dënoi me vdekje për tradhti të lartë dhe për krime lufte. U
pushkatua dhe u varros në lokacion sekret. Më 14 maj 2015, Gjykata e Lartë në
Beograd mori vendim për rehabilitimin gjyqësor të tij. Me këtë e anuloi
aktgjykimin e nxjerrë më 15 korrik 1946. Vendimi i Gjykatës u përshëndet nga Vojisllav
Shesheli (Vojislav Šešelj, 1954- ) dhe të tjerë. Në Kroaci,
rehabilitimi i tij u dënua ashpër. Është dekoruar në Serbi (në kohën e
Mbretërisë së Serbisë), por edhe prej shteteve të tjera. Është mbajtës i “Përkujtimores
Shqiptare” (Albanska spomenica).
“Procesi i Beogradit” – Emërtimi zyrtar i procesit është: “Gjykimi i
Dragolub-Drazha Mihailloviqit dhe i kolaboracionistëve të tjerë për tradhti dhe
krime lufte të kryera në hapësirën e Jugosllavisë gjatë luftës (1941-1945).
Procesi u mbajt në Beograd prej datës 10 qershor deri më 15 korrik 1946. Të
akuzuar ishin 24 vetë, shumica pjesëtarë të ushtrisë çetnike serbe. Dhjetë prej
tyre u gjykuan në mungesë. Të pranishëm ishin 60 gazetarë të huaj. Procesi i
ngjante “Procesit të Nyrnbergut” (nëntor 1945 – 1 tetor 1946).
* *
*
Serbia e Madhe e Millan Nediqit – Ky projekt nënkupton rikonstruktimin e “Serbisë së Plotë” (SveSrbije) në
hartën e Jugosllavisë së pushtuar gjatë Luftës II Botërore. Kryetari i Qeverisë
së Serbisë, të pushtuar, gjenerali Millan Nediq (Milan Nedi?, 1877 –
Beograd, 4 shkurt 1946) propozoi krijimin e Serbisë së Madhe të cilën e quajti “Krejt
Serbia / Serbi e Plotë” (SveSrbija). Projekti parashikonte bashkimin e
Serbisë dhe të Malit të Zi në kufijtë e tyre të atëhershme të luftës, si dhe
bashkëngjitjen e pjesëve të caktuara të Shtetit të Pavarur Kroat të banuara me
serbë. Në vitin 1943, Nediqi ia ka paraqitur projektin Adolf Hitlerit (1889-1945),
por ky e ka refuzuar. Sipas studiuesve kroatë, ky politikan serb ishte “bashkëpunëtor
i pushtuesve fashistë; udhëhoqi qeveri marionete dhe ishte kolaboracionist”.
Sipas komunikatës zyrtare të pushtetit komunist, “më 4 shkurt 1946, Nediqi
bëri vetëvrasje gjatë procesit hetimor”.
* * *
Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e dytë – Me fitoren e partizanëve në Luftën II Botërore,
në përputhje me vendimet e Mbledhjes së dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ – Këshilli
Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë) të mbajtur më 29 nëntor 1943
në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, u ripërtëri shteti i Jugosllavisë mbi
parime republikash dhe mbi parime federative. U parashikua që popujt sllavë të
jugut (serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit dhe malazeztë) të jetojnë në
republikat kushtetuese me të drejta të barabarta. Malazezëve, maqedonasve, më
vonë edhe myslimanëve (të BH-së), iu njoh e drejta për kombe të
veta. Me Kushtetutën e RSF të Jugosllavisë të vitit 1974, Kosova dhe Vojvodina
u bënë pjesë konstitutive të federatës. Për
ideologjinë serbomadhe s’kishte vend. Për këtë arsye, ajo u zhvillua jashtë
Jugosllavisë, kryesisht ndër çetnikët në emigracion.
Në Jugosllavinë e
parë, Serbia i kishte në kuadër të vet: Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë,
Malin e Zi, Kosovën dhe Vojvodinën. Me vendimet e AVNOJ-it (KAÇKJ-së),
përkatësisht me Kushtetutën e vitit 1974, ato u bënë republika më vete,
përkatësisht njësi federative.
Shënim: Pas Luftës II
Botërore, pater patriae (babai i kombit), akademiku Dobrica
Qosiq (Dobrica ?osi?, 1921-2014) deklaron: „Atë që serbët e fitojnë me
luftë, e humbin në paqe”.
* * *
Marrëveshja Pavelliq – Stojadinoviq e viti 1954 – Ishte një
marrëveshje e pasluftës në emigracion midis udhëheqësit të
ustashëve dhe ish-kreut të Shtetit të Pavarur Kroat – Ante
Pavelliq (Ante Paveli?, 1889 – Madrid, 1959) dhe politikanit
serb Millan Stojadiniviq (Milan Stojadinovi?, 1888 – Buenos-Aires,
1961). Marrëveshja u nënshkrua kah fundi i vitit 1954 në Buenos-Aires. Ajo
parashikonte shkatërrimin e RPF të Jugosllavisë (RPFJ) dhe krijimin e tre
shteteve të pavarura: Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë. Emigracioni serb dhe ai
kroat nuk e njihnin legjitimitetin e regjimit të Titos në Jugosllavi. Kjo
marrëveshje serbo-kroate duhej të zëvendësonte Marrëveshjen e vjetruar Cvetkoviq-Maçek*
të viti 1939, me të cilën e formua Banovina (Guverna) e Kroacisë.
Marrëveshja
Pavelliq-Stojadinoviq parashikonte ndarjen e Bosnjës. Bosanska Kraina do t’i
takonte Kroacisë, ndërsa pjesa më e madhe e Bosnjës qendrore me Bosnjën
lindore, Hercegovina lindore dhe Dalmacia jugore – do t’i takonin Serbisë.
Kundër kësaj marrëveshjeje reaguan
ashpër: emigracioni kroat, emigracioni serb si dhe regjimi i Titos në
Jugosllavi. Pavelliqi dhe Stojadinoviqi, prej qarqeve politike serbe dhe kroate
në emigracion, u shpallën tradhtarë kombi. Regjimi jugosllav ndërkaq, e injoroi
rëndësinë e marrëveshjes si një “llogari pa hanxhiun”, duke shtuar se
Pavelliqi dhe Stojadinoviqi tanimë nuk e përfaqësojnë askënd.
Disa studiues, këtë
marrëveshje e konsiderojnë si bazë për të cilën Sllobodan Millosheviqi* dhe
Franjo Tugjmani* do të bisedojnë pas 35 vjetëve në Karagjorgjevë.
Shënim:
Millan Stojadinoviqi studioi drejtësinë në Beograd. I vazhdoi studimet në
Munih (München) dhe në Berlin. Doktoroi në Beograd. Profesor universiteti.
Ishte i Partisë Popullore Radikale. Në vitet 1935-1939, kryeministër i
Mbretërisë së Jugosllavisë.
Dragisha Cvetkoviq (Dragiša Cvetkoviq, 1893 – Paris, 1969) – politikan
serb; u shkollua në Beograd; është i Partisë Popullore Radikale; kryeministër i
Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1939-1941.
Vlladko Maçek (Vladko Ma?ek, 1879 – Uashington, 1964) – jurist dhe politikan kroat.
Sllobodan Millosheviq (Slobodan Miloševi?, 1941 – 2006) – kryetar i Serbisë në
vitet 1989-1997; kryetar i RF të Jugosllavisë në vitet 1997-2000. Nga Gjykata
Ndërkombëtare, u fajësua për krime kundër njerëzimit. Vdiq në burgun
Sheveningen të Hagës.
Franjo Tugjman (Franjo Tu?man, 1922-1999) – historian kroat, anëtar i Akademisë Kroate të
Shkencave dhe të Arteve; më 1960 e mori gradën e gjeneralmajorit. Më 1961, me kërkesën
e vet, e la shërbimin në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Më 1967
përjashtohet nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. E pensionojnë. Më 1972,
i cilësuar si nacionalist kroat, u dënua me dy vjet heqje lirie. Pas nëntë
muajve u lirua. Më 1981 përsëri u dënua. Tani me tre vjet heqje lirie, por më
1983 u lirua “për shkaqe shëndetësore”. Më 1984 e rikthyen në burg, por
sërish e liruan “për përkeqësim të gjendjes shëndetësore”. Në vitet
1990-1999, kryetar i parë i Republikës së Kroacisë - sovrane dhe të pavarur.