Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Albanofobia serbe
E marte, 05.09.2023, 08:28 PM
ALBANOFOBIA SERBE
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Albanofobia,
përkatësisht ndjenjat antishqiptare, në Serbi janë tejet të përhapura. Urrejtja ndaj shqiptarëve më së shpeshti
ndërlidhte me konfliktin serbo-shqiptar. Albanofobia manifestohet në stereotipat
dhe në paragjykimet negative ndaj popullit shqiptar si dhe në
diskriminimin e shqiptarëve. Po qe se ndërlidhet me bindjen se shqiptarët
janë një lloj race inferiore, atëherë albanofobia merr edhe formë racizmi.
Ndjenjat antishqiptare manifestohen edhe në përdorimin e emrit “shiptar -
shiptari” (šiptar - šiptari), formë e sllavizuar e etnonimit shqiptar, që
për shkak të konotacionit negativ në gjuhën serbe, konsiderohet ofenduese.
Gjatë historisë,
shumë intelektualë serbë kanë propozuar projekte antishqiptare të ndryshme. Midis
tyre janë: Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1930), Jovan Cvijiqi (1865-1927),
Vasa Çubrilloviqi (1897-1990), Ivo Andriqi (1892-1975) e të
tjerë.
* * *
Shkrimtari dhe
analisti serb Mirko Gjorgjeviq* (1939-2014) vjen në përfundim: “Janë
bërë qindra memorandume, plane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kur t’i
shfletoni këto zgjidhje, qofshin ato komuniste, shtetërore apo kishtare, lehtë
do të vëreni se të gjitha planet kanë qenë – çështja e Kosovës të zgjidhet në
atë mënyrë që atje të mos ketë shqiptarë”.
Shënim: Profesori i
letërsisë Mirko Gjorgjeviq kritikoi lidhjet e Kishës Ortodokse Serbe me
nacionalizmin serb.
* * *
Albanofobia në Principatë e Serbisë - Fillimet e
propagandës antishqiptare datojnë kah fundi i shekullit XIX. Kjo propagandë
ndërlidhet me pretendimet e shtetit serb ndaj territoreve të Perandorisë Osmane
të banuara prej shqiptarëve ose më saktë – ndaj territoreve të shqiptarëve që
kanë qenë nën sundimin osman. Pas luftës ruso-turke dhe zgjerimeve
territoriale të Principatës së Serbisë në vitin 1878, pasojnë: dëbimi masiv i
dhunshëm i shqiptarëve nga territoret e aneksuara, nga qarku i Toplicës,
dikur të banuar prej shqiptarëve; si dhe djegia e fshatrave shqiptare dhe e
lagjeve urbane të banuara me shqiptarë. Disa autorë këtë e kanë quajtur: Dëbim
i muhaxhirëve nga Serbia. Sipas disa të dhënave, ka pasur serbë prominentë që kanë qenë kundër dëbimit apo
internimit të popullsisë shqiptare. Por, lidhur me këtë, kryetari i qeverisë
serbe Millan Piroqanac (1837-1897) deklaron: “Po t’i lëmë shqiptarët
këtu, do të na shkaktojnë kokëçarje”.
Shënim: Millan Piroqanac
ishte shkolluar në Universitetin e Hajdelbergut (Heidelberg), në Universitetin
e Parisit dhe në Beograd.
* * *
Shtimi i mëtejmë i
ndjenjave antishqiptare ndërlidhet me pretendimet në politikën e jashtme të
Principatës së Serbisë, të përvijuara në “Naçertanien” (1844) e Ilija
Garashaninit (1812-1874), që kanë të bëjnë me rajonin e Kosovës, të
Maqedonisë perëndimore dhe të Shqipërisë veriore, të banuara me popullsi
shqiptare apo kryesisht me popullsi shqiptare. Autorët serbë i paraqesin
shqiptarët si dhunues dhe si uzurpues, duke i potencuar “krimet e tyre ndaj
serbëve gjatë periudhës osmane”. Popullsinë shqiptare në Sanxhakun e
Pazarit të Ri (më vonë: Novi Pazar), në Kosovë dhe në Maqedoni ata e paraqesin
si një lumë vërshues që ka dalë nga shtrati i vet, të cilin Serbia do ta
kthejë në kufijtë e “Shqipërisë së vërtetë” (prave Arbanije).
Albanofobia në kohën e Mbretërisë së Serbisë – Akademiku serb Jovan Cvijiq mbronte
qëndrimin e daljes së Mbretërisë së Serbisë në det nëpër territorin e
Shqipërisë, që ndodhej nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Në fillim të
shekullit XX, albanofobia në serbi filloi të shtrihet me të madhe. Ajo ishte e
ndërlidhur ngushtësisht me politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë që
synonte daljen në detin Adriatik, d.m.th. nëpërmjet viseve shqiptare, në portin
e Durrësit. Në atë kohë, “argumente” për daljen e Serbisë në det nëpër
Shqipëri paraqitnin shumë politikanë dhe intelektualë serbë. Gjeografi i njohur
serbomadh Jovan Cvijiq mbronte të drejtën e Serbisë ndaj Shqipërisë
veriore, përkundër faktit se në ato vise s’kishte serbë fare. Ai thotë:
“Për shkak të pavarësisë ekonomike të vet, Serbia patjetër të ketë dalje në
detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar: qoftë me marrje
territoresh, qoftë duke fituar në atë rajon të drejta ekonomike dhe të drejta
qarkullimi. Këtu kemi të bëjmë me marrjen e një rajoni që në pikëpamje
etnografike vërtet është e huaj, por ky rajon medoemos të merret për shkak të
interesave ekonomikë tejet të rëndësishëm, pikërisht për shkak të nevojës
jetësore”.
Shqiptarët e Kosovës
dhe të veriut të Shqipërisë Cvijiqi i përshkruan si përzierje, serbë
të shqiptarizuar, përkatësisht serbë të kamufluar, të cilët vetëm me
mimikri i imitojnë shqiptarët e vërtetë. Me këtë, ai e ka relativizuar
përparësinë etnike të shqiptarëve dhe i ka mbështetur pretendimet e shtetit
serb për rajonet e tyre. Në periudhën e viteve 1906-1918 ai krijoi një seri
hartash me të cilat i arsyetonte pretendimet serbe në rritje ndaj rajoneve
jugore. Hartat etnografike të Cvijiqit, këtij antishqiptari të përbetuar,
të botuara në vitet 1906, 1909 dhe 1913 dallohen ndër vete dhe i kanë përcjellë
nevojat e politikës së jashtme të shtetit serb. Në hartën e viti 1909, në
krahasim me atë të botuar në vitin 1906, dukshëm është pakësuar prania e
shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore. Në hartën e viti 1913,
prania e shqiptarëve është reduktuar në mënyrë dramatike, madje edhe në
Shqipërinë veriore.
Propaganda serbe i
ka dehumanizuar shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme. I ka paraqitur si të
paaftë për ta qeverisur veten. I ka paraqitur si element i egër të cilin
duhet çrrënjosur.
Në përhapjen e
paragjykimeve ndaj shqiptarëve printe kryetari i atëhershëm i qeverisë serbe Dr.
Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1930). Në librin e tij “Shqiptarët
dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913),
ky i konsideron shqiptarët racë inferiore. Shqiptarët i paraqet si “njerëz
të egër të cilët nuk kanë histori, lëkurëkuq evropianë që flenë nëpër dru me
bishtat të lidhur për degë”. I propozon Evropës që mos ta humbë rastin “për
t’i ndarë këta njerëz të padisiplinuar midis Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi”.
Qeveria e Mbretërisë
së Serbisë mbronte pikëpamjen se shqiptarët “nuk janë kurrfarë populli; ata
janë fise të ndara dhe në gjak midis tyre, pa gjuhë, pa alfabet dhe pa fe të
përbashkët”. Ideologët dhe politikanët serbomëdhenj konsideronin se “vetëm
me ndikime kolonizuese, përkatësisht duke i përfshirë shqiptarët dhe territoret
e tyre në shtetin serb, do të bëhej e mundur përfshirja e tyre në jetën e
qytetëruar”. Shtypi serb përhapte stereotipa për shqiptarët si për “njerëz
të egër, të paaftë për jetë shtetërore të pavarur”. Shumë dijetarë serbë,
para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, tentonin ta dëshmojnë
paaftësinë e shqiptarëve për ta krijuar shtetin e vet, duke thënë se “fiset
shqiptare nuk kanë nevojë për shtet, as kanë zotësi të konstituohen në komb,
ndaj atyre u nevojitet tutori”.
Socialdemokrati serb
Dimitrije Tucoviq (1881-1914), në librin e vet “Serbia dhe Shqipëria”
(Srbija i Arbanija, 1914), pikëpamjen e këtillë të politikanëve
serbë e sulmon në mënyrë kritike:
“Balkanicus-i (Stojan Protiqi – Xh. Z.) dhe Dr. Vlladani (Vlladan
Gjorgjeviqi – Xh. Z.) kanë shkruar nga një libër me synimin e qartë për ta
dërmuar të mjerin popull shqiptar dhe për ta dëshmuar paaftësinë e tij për jetë
të kulturuar dhe kombëtare. Për të dëshmuar se ky popull si racë nuk ka kuptim
për jetë të kulturuar dhe të pavarur, këta dy, çdo gjë primitive te ky popull,
e paraqesin jo si shprehje e shkallës historike në të cilën ndodhet ai dhe
nëpër të cilën kanë kaluar të gjithë popujt e tjerë, por si shprehje e
papërshtatshmërisë racore të tij për një zhvillim kulturor në përgjithësi... Pasioni i Balkanicus-it (Stojan Protiqit – Xh.
Z.) në nënçmimin e popullit shqiptar si racë shkon deri aty saqë rolin historik
të Skënderbeut ia vesh prejardhjes së tij nga Voisava e cila paskësh qenë gjoja
serbe”.
Shënim: Stojan Protiqi
(1857-1923) ka qenë një prej themeluesve të Partisë Radikale Serbe; është
përpjekur për krijimin e Serbisë së Madhe. Është i pari kryeministër i Mbretërisë
së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Historiani britanik Noel Malcolm (1956-
) u referohet kujtimeve të skulptorit kroat Ivan Meshtroviq (Vërpole,
Kroaci, 1883 – South Bend, Indiana, ShBA, 1962) sipas të cilit Protiqi, si
ministër në qeverinë serbe, në vitin 1917 kinse paska propozuar që problemi i
myslimanëve të Bosnjës “të zgjidhet” me anë të një programi të kryqëzimit apo
të kthimit në fenë e krishterë si dhe duke kryer masakër. Në kujtimet e veta
Meshtroviqi e citon Protiqin: “Pasi ushtria jonë ta kalojë Drinin, do t’u
japë turqve një afat prej 24 apo 48 orësh që të kthehen në gjirin e fesë të të
parave të tyre. Ai që do ta refuzojë një gjë të tillë, do të masakrohet asisoj
siç kemi bërë dikur në Serbi”.
* * *
Në vigjilje të Luftës
së Parë Ballkanike, mbreti i Mbretërisë së SKS, Petar I Karagjorgjeviq
(1844-1921), më 1912 ka nxjerrë një komunikatë në të cilën thotë se ushtria e
tij do t’u sjellë “liri, vëllazëri dhe barazi jo vetëm serbëve por edhe
shqiptarëve”. Pas kësaj, ushtria serbe është nisur për ta pushtuar
Shqipërinë, duke kryer ndaj popullsisë shqiptare krime të rënda.
Dimitrije Tucoviqi
thotë se shtypi shovinist në Serbi “muaj dhe vite të tëra ka përhapur për
popullin shqiptar mendime tendencioze, duke mbjellë te populli serb urrejtje
ndaj ‘arnautëve të egër’ dhe duke i fshehur si gjarpri këmbët, mizoritë që i ka
kryer ndaj tyre ushtria serbe”.
Pas pushtimit të
Kosovës nga Mbretëria e Serbisë, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera
jashtë Shqipërisë, u ballafaquan me politikën e serbizimit të dhunshëm. U
ndalua përdorimi i gjuhës shqipe, u ndërmor kolonizimi i trojeve shqiptare dhe
pastrimi etnik i tyre.
* * *
Shqiptarët nën Mbretërinë e Jugosllavisë; Serbizimi, kolonizimi i Kosovës dhe dëbimi i
shqiptarëve – Gjatë periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë, diskriminimi i
shqiptarëve ka qenë politikë zyrtare e shtetit. Qeveria e Beogradit me masa të
ndryshme u përpoq ta ndryshojë strukturën etnike të Kosovës. Mijëra familje
shqiptare u deportuan me dhunë për në Turqi. Njëherazi, qeveria e Beogradit
zbatoi një program të gjerë të kolonizimit të Kosovës, duke sjellë aty serbë
dhe malazezë, sidomos ish-ushtarë ose pjesëtarë të aradheve çetnike.
Akademiku dhe
politikani serb Vasa Çubrilloviq, propozoi dëbimin masiv të shqiptarëve.
Vendbanimet e shqiptarëve i përshkruan në mënyrë të figurshme si “pykë e
ngulur thellë në tokat tona”. Në vitin 1937 shkroi një memorandum për
qeverinë e Millan Stojadinoviqit (Çaçak, Serbi, 1888 – Buenos-Aires,
1961) me të cilin propozon që “problemi shqiptar” të zgjidhet me
pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve. Çubrilloviqi thotë: “Është detyrë imperative e
shtetit që të mos lejojë që tokën e tij me rëndësi strategjike ta mbajë në dorë
një element i huaj që për ne është armiqësor”. Ai e kritikon
kolonizimin serb joefektiv të deritashëm të Kosovës dhe propozon metoda më
efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare. Ky gjakpirës thotë se “gabimi
themelor i faktorëve përgjegjës për zgjidhjen e problemeve etnike ka qenë fakti
se në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm, kanë tentuar të zbatojnë metoda
perëndimore”. Në vend të kësaj, ai thotë se problemi duhet zgjidhur
në mënyrë ballkanike: “Është e pamundur që arnautët të luftohen vetëm me
kolonizim të shkallëshkallshëm. E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca
brutale e pushtetit të një shteti të organizuar, ku ne gjithmonë kemi qenë
përmbi ta”.
Çubrilloviqi niset
nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efikase e zgjidhjes së “çështjes shqiptare”
është “shpërngulja masive e arnautëve”. Për ta realizuar dëbimin
masiv të shqiptarëve, ai propozon një sërë mjetesh trysnie. Së pari, të
krijohet psikoza. Për këtë duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për
shpërnguljen. Po ashtu, “duhet bërë për vete klerin shqiptar si dhe njerëzit
me ndikim, qoftë me para, qoftë me kanosje”. Mjet tjetër është trysnia e
aparatit shtetëror i cili, “për ta bërë sa më të vështirë jetesën e
arnautëve te ne, duhet t’i shfrytëzojë deri në skajshmëri ligjet”. Për këtë
qëllim, Çubrilloviqi i propozon qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë: “gjoba,
arrestime, zbatim të pamëshirshëm të të gjitha dispozitave policore, ndëshkim
të kontrabandës, ndëshkim për prerjen e pyjeve, për lëshimin e qenve, angazhim
në punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që mund t’i shkojë ndër mend një
policie praktike”. Krahas trysnive policore, Çubrilloviqi propozon edhe presione
ekonomike: “mosnjohje të tapive të vjetra, pezullim të punës në
kadastër, mbledhje të pamëshirshme të tatimeve dhe të të gjitha borxheve publike
dhe private, marrja e kullotave shtetërore, e kullotave komunale, suprimimi i
koncesioneve, i lejeve të punës për kafenetë, për tregtitë, për zanatet,
konfiskimi i lejeve monopoliste, dëbimi nga shërbimi apo puna shtetërore,
private dhe vetadministruese”, etj. Propozon edhe masa sanitare, si:
“zbatim të dhunshëm të të gjitha dispozitave nëpër shtëpi, prishje të mureve
dhe të rrethojave të larta përreth shtëpive, zbatim rigoroz të masave
veterinere me të cilat do të parandalohej nxjerrja e bagëtisë në tregje”, etj.
Dr. Çubrilloviqi propozon edhe trysni fetare në formë “të prishjes së
varrezave, ndalimit të poligamisë dhe zbatimit rigoroz të ligjit që
vajzat detyrimisht të ndjekin shkollën”.
Përpos trysnisë
shtetërore, Çubrilloviqi propozon edhe forma të tjera presioni dhe thotë: “Edhe
nisma private mund të bëjë shumë. Kolonëve duhet t’u jepet armë dhe në
Kosovë të fillojë aksioni i çetnikëve. Midis malazezëve dhe shqiptarëve
duhet të shkaktohen dhe të inskenohen konflikte dhe rebelim lokal të cilat, me mjete
sa më efektive, do të shuheshin në gjak”.
Përpos mjeteve të
sipërthëna të trysnisë mbi popullatën, Çubrilloviqi propozon edhe një mjet
tjetër: “djegien e fshehtë të fshatrave dhe të lagjeve të arnautëve nëpër
qytete; këtë formë trysnie Serbia e ka përdorur në mënyrë tejet praktike, pas
vitit 1878”.
* * *
Shkrimtari serb Ivo
Andriq (Travnik, BH, 1892 – Beograd, 1975) ka qenë ambasador i Mbretërisë
së Jugosllavisë në Gjermaninë naziste. Në janar të vitit 1939, me kërkesë të
kryeministrit Millan Stojadinoviq hartoi një projekt për ndarjen e Shqipërisë
midis Jugosllavisë dhe Italisë. Sipas këtij projekti, Serbia do të duhej ta
merrte Shqipërinë veriore dhe portin e Durrësit. Elaborati i Andriqit mban
datën 30.I.1939. U hartua si “doracak përkujtues” për çështjen shqiptare për
përdorim të brendshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në projektin e
Andriqit thuhet:
“Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën
shqiptare në Kosovë, e cila, në rrethana atë reja, do të asimilohej më lehtë.
Eventualisht, neve do të na shtoheshin edhe 200.000 – 300.000 shqiptarë, por
shumica e tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë
kurrë s’kanë qenë të mira. Çështja e dëbimit të shqiptarëve myslimanë për në Turqi
po ashtu do të realizohej në rrethana të reja, për arsye se nuk do të kishte
kurrfarë rezistence të fortë që të parandalohet një gjë e tillë”.
Në të njëjtën kohë
me projektin e Andriqit, më 3 shkurt të viti 1939 u shfaq edhe një projekt për
pushtimin dhe për ndarjen e Shqipërisë. Edhe ky memorandum iu dorëzua
qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë
të kryeministrit Millan Stojadinoviq. Autor i këtij projekti ka qenë zyrtari i
lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme Ivan Vukotiq. Sipas tij,
Jugosllavia dhe Italia do ta ndanin Shqipërinë nëpër vijën
Strugë-Librazhd-Elbasan-Durrës. Me këtë, Serbia do të fitonte mbi 300 km të
bregdetit shqiptar të Adriatikut. Në fund të referatit të vet, Vukotiqi thotë: “Më
mirë të kemi një dritare italiane në Ballkan sesa një shtëpi shqiptare”.
* * *
Urrejtja serbe ndaj shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore – Gjatë
periudhës së luftës, urrejtja midis serbëve dhe shqiptarëve arrin kulmin. Në
raportin e Komandës së Korpusit II të Çetnikëve dërguar komandantit të ushtrisë
çetnike, gjeneral Dragolub (Drazha) Mihajlloviqit (1893-1946),
çetnikët deklarojnë: “Do të luftojmë kundër turqve (boshnjakëve – Xh. Z.)
dhe shqiptarëve deri në shfarosjen e tyre. Urrejtja ndaj shqiptarëve dhe turqve
i tërheq madje edhe ithtarët e komunizmit”.
Shumë çetnikë, pas
amnistisë në gusht të vitit 1944, iu bashkuan njësive partizane, duke ruajtur
ndaj shqiptarëve qëndrimin armiqësor.
Menjëherë pas
çlirimit të Beogradit, më 3 nëntor 1944 Çubrilloviqi ua paraqiti pushtetarëve komunistë
projektin e vet të ri me titullin “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”.
Këtë herë ai propozon shpërnguljen apo dëbimin nga Jugosllavia të të gjitha
pakicave josllave. Kreut ushtarak dhe shtetëror më të lartë, Çubrilloviqi i
propozon ekspatriimin (çatdhesimin) e miliona njerëzve. Sipas tij, kjo
do ta kishte zgjidhur problemin e pakicave në Jugosllavi. Ai thotë se “Jugosllavia
Federative Demokratike mund të ketë paqe dhe prosperitet vetëm kur të bëhet
etnikisht e pastër dhe po qe se me zgjidhjen e çështjes së pakicave, njëherë e
përgjithmonë i eliminon shkaqet e fërkimeve midis vetes dhe shteteve fqinje”.
Çubrilloviqi thotë se “grupet minoritare në Jugosllavi siç janë gjermanët,
hungarezët, shqiptarët, italianët, rumunët vetë kanë hequr dorë nga të drejtat
e tyre qytetare, duke dalë haptas me qëndrim armiqësor ndaj shtetit në të cilin
jetojnë. Për këtë arsye, ata duhet të dëbohen nga shteti ynë, ngase një
gjë të tillë edhe e kanë merituar”.
“Me rastin e zgjidhjes së problemit të pakicave, ne duhet me çdo kusht ta
pushtojmë etnikisht Baçkën dhe Kosovën e Metohinë, duke flakur me këtë rast nga
vendi ynë qindra mijë hungarezë dhe arnautë”.
Çubrilloviqi thotë: “Këto
luftëra janë çasti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve. Për ta
zgjidhur këtë çështje në kohë paqeje, nevojiten dekada dhe shekuj, ndërsa në
kohë luftërash, çështja zgjidhet brenda ca muajve apo brenda ca vitesh”.
Prandaj ai propozon: “Ushtria, qysh gjatë operacioneve luftarake, t’i pastrojë
këto vise nga pakicat kombëtare, me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme. Pas
kësaj, në këto rajone do të vendosej elementi kombëtar yni”.
Sipas Çubrilloviqit,
aleatët, me t’u bindur se pakicat janë fajtorë për miliona viktima jugosllavë
gjatë Luftës II Botërore, do të pajtoheshin me këtë aksion.
Po qe se shpërngulja
apo dëbimi i plotë nuk realizohet me sukses, Çubrilloviqi para shikon masa
plotësuese, siç janë: “suprimimi i të gjitha të drejtave, çelja e kampeve të
grumbullimit, konfiskimi i pasurive të tyre, shpartallimi i inteligjencies dhe
i klasave të larta”.
Çubrilloviqi është i
vetëdijshëm se për këtë projekt nevojiten mjete financiare dhe njerëz të
besueshëm, por edhe organizim në shkallë institucionale. Për këtë arsye, ai
propozon edhe themelimin e një ministrie të posaçme apo të paktën të një
komisariati pranë Ministrisë së Bujqësisë.
Shënim: Në vitin 1987, në
90-vjetorin e lindjes, Vasa Çubrilloviqi u dekorua nga Kryesia e RSFJ-së me
shpërblimin “7 Korriku”. Në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së RSFJ-së,
shpërblimin e nënshkroi Sinan Hasani (Pozharan, Kosovë, 1922 - Beograd,
2010).
* * *
Albanofobia në Jugosllavinë komuniste - Pas rezolutës së Informbirosë të viti 1948,
shqiptarët në Jugosllavi u trajtuan si element armiqësor dhe si spiunë të
Shqipërisë së Enver Hoxhës (1908-1985). Qëndrim brutal ndaj shqiptarëve
ka pasur sidomos Aleksandar Rankoviqi (1909-1983), i cili ishte shef i
Drejtorisë Shtetërore të Sigurisë (Uprava državne bezbednosti
– UDB-a).
Pas demonstratave të
shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, në Serbi fillon një propagandë e
organizuar për gjoja gjenocidin ndaj serbëve në Kosovë. Fabrikohen raporte për
përdhunimin e serbeve, për shpërnguljen e serbëve etj. Shpërnguljen e serbëve
nga Kosova, nacionalistët serbë e paraqesin si pasojë trysnie. Këtë e
shfrytëzojnë si dëshmi se shqiptarët, serbëve që janë në shtetin e vet, u
shkaktojnë padrejtësi të madhe. Kah mesi i viteve 1980, diskursi i urrejtjes në
mediumet serbe, përqendrohet ndaj shqiptarëve. Kah mesi i viteve 1980, pranë
emrit shqiptar përdoren fjalët: “gjenocid”, “zullum”, “grabitje”,
“përdhunim”. Përmendja e shqiptarëve edhe në diskursin privat mori një
konotacion negativ.
Shënim: Duhet shtuar se
asnjë serb i kohës së lartpërmendur nuk është shpërngulur nga Kosova për shkak
të ndonjë trysnie të kryer prej shqiptarëve. Ka pasur ndonjë serb që ka shkuar
nga Kosova për t’u vendosur në Beograd apo në Vojvodinë, pra aty ku standardi
jetesës ka qenë më i lartë. E shfrytëzuar
nga Serbia që nga viti 1912 e këndej, Kosova kishte mbetur rajoni më i
pazhvilluar i Jugosllavisë. Si e tillë, kishte serbë që në një Kosovë të
ngecur, nuk shihnin perspektivë, ndaj shkonin atje ku pandehnin se është më
mirë.
* * *
Në vitin 1985 u
botua vepra “Libër për Kosovën” (Knjiga o Kosovu). Autor i këtij libri
është historiani serb Dimitrije Bogadanoviq (1930-1986). Teza themelore
e këtij libri është “Shqiptarët zbatojnë ndaj serbëve gjenocid të
planifikuar”. Në libër flitet për të kaluarën dhe për gjendjen politike në
Kosovë. Libri ka një qëndrim tejet kritik ndaj politikës zyrtare të
Jugosllavisë që nga fundi i viteve 1960. Në të vërtetë, autori akuzon autoritet
e Kosovës – të mbizotëruar prej shqiptarëve – “për separatizëm
shqiptaromadh dhe për politikën e ndjekur në dëm të popullatës serbe, e cila si
pasojë po shpërngulet në Serbinë qendrore”. Libri vjen pas demonstratave të
vitit 1981 në Kosovë. Konflikti serbo-shqiptar pas këtyre demonstratave, ka
qenë çështje politike kryesore në Jugosllavinë e asaj kohe. Libri i këtij
pseudohistoriani është konsideruar si një prej veprave të para që i ka
formuluar tezat “për pozitën e pabarabartë të serbëve në Jugosllavinë e
atëhershme”. Tezat e tilla do të përpunohen në mënyrë më të hollësishme një
vit pas botimit të librit të Bogdanoviqit. Ka autorë që thonë se libri i
Bogdanoviqit, për shkak të stereotipave antishqiptare, qenkësh bërë objekt
kritike.
Në vitin 1986 u
botua anonim “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të
Arteve. Ky memorandum, demonstratat e Kosovës të vitit 1981 i quan “agresion
neofashist”.
Pseudoakademikët
serbomëdhenj, autorë të Memorandumit famëkeq, thonë: “Ndaj popullsisë serbe
në Kosovë zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor”. Në këtë
farë memorandumi, shqiptarët paraqiten si “zjarrvënës apo intrigantë,
vrasës, përdhunues dhe nekrofilë”. Pas disa viteve, një komision
ekspertësh i Kombeve të Bashkuara, këtë memorandum e vlerësoi si mjet i
përhapjes së ndjenjave antishqiptare”.
Shënim: Demonstratat e
viti 1981 në Kosovë janë një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së
kombit shqiptar. Ndërkaq, sa u përket autorëve serbomëdhenj që thonë se pas
vitit 1966, ndaj serbëve në Kosovë qenkësh bërë padrejtësi, trysni deri në
gjenocid, kjo s’është veçse gënjeshtër e kulluar. Është pjesë e propagandës
gebelsiane serbomadhe. Më 13 korrik 1966, Josip Broz Tito, në një plenum të
mbajtur në ishullin Brioni, e shkarkoi nga të gjitha detyrat antishqiptarin e
përbetuar Aleksandar Rankoviqin. Serbomëdhenjtë kanë dashur që rankoviqizmi
të sundojë në Kosovë, me metodat çubrilloviqiane, deri në pafundësi.
Serbët, barazinë e të tjerëve, e konsiderojnë pabarazi për veten.
* * *
Në vitet ’80 të
shekullit XX, mediumet shtetërore, e sidomos Radiotelevizioni i Serbisë,
qëllimisht përhapnin dezinformata apo informata të rrejshme për gjoja dëmet
ndaj serbëve në Kosovë, duke përfshirë edhe përdhunimet e serbeve. Për të
përhapur pasqyrë negative për shqiptarët, këto farë mediume nuk reshtën së
zhvilluari fushatë antishqiptare.
Albanofobia në periudhën bashkëkohore – Prej viteve ’90 të qindvjeçarit XX, në saje të
propagandës së regjimit të S. Millosheviqit (1941-2006), shqiptarët bëhen “armiq”
më të mëdhenj të serbëve. Për përhapjen e ndjenjave antishqiptare, ka dhënë një
kontribut të madh edhe Kisha Ortodokse – fashiste – Serbe. Kjo farë
kishe, shqiptarët i quan, jo “albanci”, por “shiptari” (šiptari).
Kur shkruajnë për shqiptarët, autorët kishtarë kryesisht i theksojnë anët e
këqija të tyre, duke i përshkruar si përdhunues dhe keqbërës.
Gjatë viteve 1998
dhe 1999, pushtetarët serbë zbatuan fushatën e pastrimit etnik të shqiptarëve
nga Kosova, të njohur si operacioni “Patkua”.
Në aktakuzën kundër
udhëheqësve serbë për krime lufte në Kosovë, thuhet: “Policët, ushtarët dhe
eprorët ushtarakë, vazhdimisht i kanë fyer shqiptarët, i kanë ofenduar si racë,
i kanë nënçmuar, kanë përdorur masa fizike dhe forma të tjera të përbuzjes, të
bazuara në përkatësinë racore, fetare dhe politike të tyre”.
Profesoresha e
historisë në Fakultetin Filozofik të Beogradit Olivera Millosavleviq (1951-2015)
thotë: “Intelektualët bashkëkohorë serbë për shqiptarët shkruajnë
kryesisht në kuadër të stereotipave për urrejtjen ‘e lindur’ të tyre ndaj
serbëve, që qenkësh produkt ‘i vetive’, ‘i primitivizmit’ dhe ‘i hajdutërisë’
së tyre”.
* * *
Shkrimtari dhe
akademiku serb, kryetar i RFJ-së në vitet 1992-1993, Dobrica Qosiq (1921-2014)
është konsideruar pater patrieae. Nuk figuron si një prej hartuesve të
Memorandumit të ASShA-së të viti 1986. Megjithëkëtë, ai është ati shpirtëror i
këtij projekti. Ka të kryer shkollë të mesme bujqësore si dhe kurs për komisar
në Shkollën politike “Gjuro Gjakoviq”. Në vitin 1966 iu kundërvu shkarkimit të
Aleksandar Rankoviqit nga Titoja. Pushtetit të Titos iu kundërvu kah fundi i
majit të vitit 1968, kur në seancën e Komitetit Qendror të Lidhjes së
Komunistëve të Jugosllavisë deklaroi: “Ndaj serbëve në Kosovë ushtrohet
terror dhe dhunë. Këtë e bëjnë shqiptarët që marrin pjesë në pushtetin e
Kosovës”. Pohimet e tij u dënuan prej Komitetit Qendror. Ai u largua vetë
nga LKJ-ja dhe hiqej si disident kundër Titos.
Sidomos pas
Kushtetutës së vitit 1974 të RSFJ-së, ky dhe akademikët e tjerë serbë filluan
të vajtojnë “për fatin e rëndë të serbëve në Jugosllavi”. Qosiqi tha: “Atë
që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe”.
Për shqiptarët
Qosiqi ka thënë: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit
barbar tribal, e merr për aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër
popullit më demokratik, më të qytetëruar, më të arsimuar të Ballkanit –
popullit serb”.
* * *
Pas hulumtimit të
kryer “Pasqyrë e raportimit për Kosovën në mediumet e Serbisë”, Nisma e të rinjve për të drejtat
e njeriut deklaron: “Për gjendjen në Kosovë, mediumet e shkruara
raportojnë njëanshëm dhe në mënyrë jo të plotë. Me diskursin e urrejtjes, paragjykimet ndaj shqiptarëve, edhe ashtu të
mëdha, i forcojnë akoma më shumë”.
Sipas hulumtimit të
Strategjik marketing të viti 2009 për diskriminimin dhe distancën sociale në
Serbi, shqiptarët, në krahasim me grupet e tjera etnike, në mënyrë
konsekuente ndodhen në fund të listës.
Në Serbi,
gjeneratorë të urrejtjes ndaj shqiptarëve janë edhe shoqata të ndryshme të
skajshme apo ekstremiste si dhe grupet e tifozëve. Urrejtje e skajshme ndaj
shqiptarëve manifestohet haptas nëpër tribunat e stadiumeve të futbollit si dhe
në tubimet e organizatave profashiste, siç është Lëvizja Atdhetare Fytyra /
Nderi (Otaçastveni pokret Obraz) që dalin me parullat: “Vra, ther
që shqiptari të mos ekzistojë”, “Serbia serbëve, shqiptarëve sëpata”, “Vraje
shqiptarin”, “Vraje kroatin që shqiptari të mos ketë vëlla” (Ubij Hrvata da
Šiptar nema brata).
* * *
Kah fundi i viteve
’80 të qindvjeçarit XX e më pas, rrugës së serbomëdhenjve të sipërthënë ecën Sllobodan
Millosheviqi dhe Voisllav Shesheli. Rrugën e tyre po e ndjek
me përpikëri pinjolli i tyre Aleksandar Vuçiqi. Politika destruktive e
tyre është mbështetur fuqimisht nga Vlladimir Putini dhe Sergej
Llavrovi. Ka bar për marrëzinë serbe – veçimi apo izolimi i plotë nga bota
perëndimore. Edhe ashtu, Beogradi i ka sytë kah vendet e BRIKS-it.