Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shpallja e Pavarësisë - Akt me rëndësi historike
E hene, 27.11.2023, 10:00 PM
111-vjetori i shpalljes së pavarësisë
SHPALLJA E PAVARËSISË - AKT ME RËNDËSI HISTORIKE
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Fitoret e shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha
të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së
në Ballkan, në të mirë të aleatëve ballkanikë. Patriotët shqiptarë që
ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik,
krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim”. Duhej të mblidhej një kuvend
kombëtar që do të parandalonte copëtimin e Shqipërisë dhe do të ruante tërësinë
tokësore të saj. Nismën për këtë veprim e morën Ismail Qemali dhe Luigj
Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes
Trepalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor
1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të
themelohej një “komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë vendi;
të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara
qeverive të Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. dhe një
komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të
tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mbledhja e Bukureshtit nuk përcaktoi qartë
në do të kërkohej autonomi a pavarësi. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë
shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin Leopold Berhtold (Leopold
Berchtold, 1863-1942) si dhe me ambasadorin italian.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri që do t’u
paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur
përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se
se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Por, autonomia në
kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në
Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze dhe
greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes
shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Më 19 nëntor 1913 Ismail Qemali
deklaroi në Trieste se “...sapo të mbërrinte në Shqipëri do të shpallej
pavarësia dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme...”. Në Vlorë tanimë
ishte formuar komisioni për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar.
Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij arritën në Durrës më 21 nëntor 1912.
Bashkë me atdhetarët durrsakë vendosi t ngrinte në qytetet flamurin kombëtar.
Kundër këtij veprimi reaguan autoritetet osmane të ndihmuar nga armiku i
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhespot Jakovi.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të
Tiranës dhe të Krujës Ismail Qemali me shokët u nisën për në Kavajë. Që andej
kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës. Më 25 nëntor arritën në
Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha
lindur ... “ shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij.
Më 26 nëntor 1912 ai ngriti një komision organizues dhe u
dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me të cilën porositeshin t’i
mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin në gatishmëri. Ndërkohë
ushtria serbe i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Më 25 nëntor
Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi dhe
Tirana, ndërsa më 27 nëntor – Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Në mbrëmjen e 27
nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën të mblidhnin të nesërmen
kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi
Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u
shtuan gjatë ditëve që pasuan, duke arritur në 63 vetë, që përfaqësonin të
gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës dhe veprimtarë
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Delegatët të Kuvendit
ishin: nga Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim
Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora; nga Shkodra: Luigj Gurakuqi; nga Berati:
Sami Vrioni, Ilias Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara; nga Skrapari:
Xhelal Koprenca, Hajredini Cakrani; nga Lushnja: Qemal Mullai, Ferit Vokopola,
Nebi Sefa; nga Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu; nga Mati: Ahmet Zogu,
Riza Zogolli, Kurt Agë Kadiu; nga Ohri dhe Struga: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai,
Nuri Soilliu, Hamdi Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima; nga Durrësi: Abaz
Celkupa, Mustafa Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri; nga Tirana: Abdi
Toptani, Murat Toptani; nga Shijaku: Xhelal (apo Xhemal) Deliallisi, Ymer
Deliallisi, Ibrahim Efendiu; nga Kruja: Mustafa Merlika-Kruja; nga Elbasani:
Lef Nosi, Shefqet Daiu, Qemal Karaosmani, Dervish Biçaku; nga Peqini: Mahmud
Kaziu; nga Gramshi-Tomorrica: Ismail Qemali Gramshi; nga Gjirokastra: Azis
Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Libohova, Petro Poga, Jani
Papadhopulli; nga Përmeti: Veli Këlcyra, Syrja Vlora; Tepelenë: Feim
Mezhgorani; nga Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci; nga Çamëria: Veli Gërra,
Jakup Veseli, Rexhep Demi, Aziz Tahir Ajdonati; nga Delvina: Avni Delvina; nga
Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo; nga Pogradeci: Hajdar Blloshmi;
nga Kosova, Gjakova dhe Plava-Gucia: Rexhep Mitrovica, Bedri Pojani, Salih Gjuka,
Mid’hat Frashëri, Mehmet pashë Derralla (i Tetovës), Isa Boletini, Riza
Gjakova, Hajdin Draga, Dervish Ipeku, Zenel Begolli, Qerim Begolli; nga kolonia
shqiptare e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja Emanuel, Dhimitër
Berati, Dhimitër Ilo.
Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor. Për shkak të rrethanave
të luftës nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz
Seferi, Sait Hoxha etj. që ndodheshin në burgun e Beogradit, si dhe Bajram
Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet
e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë
serbe, malazeze dhe greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare
mbarëshqiptare. Kjo ishte shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për
t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të
gjitha viset shqiptare.
KUVENDI KOMBËTAR I VLORËS -
Kuvendi i zhvilloi punimet e tij nga 28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912. Kuvendi
mori vendime që ndërlidheshin me hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe me
njohjen ndërkombëtare të tij. Duhej të zgjidheshin qeveria dhe Pleqësia.
Duhej caktuar një përfaqësues që do të shkonte në Evropë, për të mbrojtur
çështjen shqiptare. Detyrë parësore ishte njohja e pavarësisë.
Kryetar të qeverisë Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin,
ndërsa nënkryetar dom Nikollë Kaçorin. Ismail Qemali vuri në dukje se në
rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja
e Shqipërisë nga Turqia. Propozimi i tij u miratua njëzëri nga delegatët, të
cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “Shqipëria
me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Pas kësaj u ngrit madhërisht
flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë
selisë së Kuvendit. Oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj.
me fjalime të zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
*
* *
Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë
nga të gjitha trevat shqiptare.
Deklarata e Pavarësisë u nënshkrua nga 40 delegatë. Pas
shpalljes së pavarësisë, Kuvendi i Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë
së pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
Pjesën në gjuhën shqipe të deklaratës e hartoi Luigj
Gurakuqi. Deklaratën e shkroi Shefqet Dajiu. Deklarata është e shkurtër dhe
është shkruar me dorë. Deklarata e Pavarësisë ka këtë përmbajtje:
“Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së
Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z. Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat
tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët
me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”.
Nënshkrues të Deklaratës së
Pavarësisë kanë qenë:
Ismail Qemal Vlora (1844-1919)
- Ngriti flamurin në Vlorë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, ministër i
Jashtëm, diplomat, guvernator. Më 28 nëntor, ngriti flamurin shqiptar në Vlorë.
Shpalli në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Nënshkroi i pari Deklaratën e
Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. U zgjodh kryeministër
Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në
kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Më 22 janar 1914 jep
dorëheqjen dhe pushtetin ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.
Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta më 24
janar 1919.
Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)
- Klerik i lartë, atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mori pjesë në
lëvizjen politike, kulturore dhe kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit të
viteve 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane
që të shmangte gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe
në Kongresin e Elbasanit (1909). Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin
Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Deklaratën
e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Kaçorri“.
Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)
- Klerik i lartë, veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Në vitin 1909 mori
pjesë në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të
Kongresit të Manastirit. Më 28 nëntor 1912, në krye të delegatëve të Dibrës,
mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka
luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913
kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1920 mbështeti përpjekjet për
rimëkëmbjen dhe demokratizimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Jorgji Karbunara (Bab
Dud Karbunara) (1842-1917) - Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes
Kombëtare. Punoi për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Në Kuvendin Kombëtar
të Vlorës ishte përfaqësues i Beratit. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën ”J. Karbunara“. Në këtë Kuvend, u zgjodh anëtar i Pleqësisë.
Elmas Boçe (1850-1925)
- Në vitin 1880 mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes së Prizrenit në
Gjirokastër. Ndihmoi në hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Liria”.
Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës.
Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën ”Elmas Boce”
Qazim Kokoshi (1882-1945)
- Veprimtar për përhapjen e gjuhës shqipe, atdhetar, njeri me pikëpamje
demokrate. Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Në
nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën ”Qazim Kokoshi”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet i qarkut të Vlorës në
Këshillin Kombëtar. Regjimi komunist e arreston dhe burgos. I izoluar në
hetuesinë e Vlorës, vdes nga torturat.
Jani Minga (1872-1947)
- Veprimtar i shkollës shqipe, i Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike
të viteve 1920-1924. Ishte ndër nismëtarët e hapjes së klubit patriotik
”Labëria” dhe i shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit
1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”J. Minga”.
Rexhep Mitrovica (1888-1967)
- Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektual, deputet, ministër, kryeministër.
Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës mori pjesë si delegat i Pejës. Ishte një nga
nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë
Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. U zgjodh
senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjës.
Dhimitër Tutulani (1875-1937)
- Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i
Beratit në Kuvendin historik të Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën “Dh. Tout.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit. Në
vitin 1920 - delegat në Kongresin e Lushnjës. Në vitin 1925 ushtroi detyrën e
kryetarit të Bashkisë së Beratit.
Abas Dilaver (Çelkupa) (1850
– 1926) - Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në vitet 1905-1907 u lidh dhe
bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të asaj kohe si Dom Nikollë Kaçorri etj.
Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin
atë, mori pjesë – si delegat i Durrësit - në mbledhjen e parë të Kuvendit të
Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Abas Dilaver”.
Shefqet Dajiu (1882-1946)
- Veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të
vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës.
Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet
1920-1923 ishte deputet i Elbasanit në parlamentin shqiptar. Në vitin 1945
arrestohet. Vdes në burg në vitin 1946.
Xhelal Koprencka (1876-1919)
- Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar, veprimtar i
lëvizjes kombëtare për pavarësi. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e
Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet
anëtar i Pleqësisë.
Hajredin Cakrani (1860-1940)
- Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare ”Labëria” të
Vlorës dhe të Filatit. Delegat i Mallakastrës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën
“Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.
Iljaz Vrioni (1882-1932)
- Nënkryetarit i Lidhjes së Prizrenit, deputet, ministër, kryeministër. Delegat
i Beratit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën
“Iljas Vrijon”. Në vitin 1920 zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit
të Lushnjës. Katër herë kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si ministër i
Jashtëm, ministër i Plotfuqishëm i Shqipërisë në Paris.
Murad Toptani (1867-1918)
– Poet dhe publicist. Delegat i Tiranës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me
siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, kushëriri i tij, Esat
pashë Toptani, ia dogji shtëpinë dhe gjërat që ndodheshin brenda si: librat,
korrespondencën, antikuarë.
Luigj Gurakuqi (1879-1925)
- Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist.
Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar Komisioni
për njësimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të
Mbishkodrës. Bashkë me Ismail Qemalin
hartoi Memorandumin e Greçës ose “Librin e Kuq” (1911).
Memorandumi i hartuar shqip dhe frëngjisht, përmbante 12 kërkesa për vendosjen
e një vilajeti shqiptar autonom brenda Perandorisë Osmane. Më 1912 ishte ndër
organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Përfaqësues i Shkodrës në
Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Luz
Gurakuqi“. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i
delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin
Kombëtar. Përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër
i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari të Italisë më 2 mars 1925.
Spiridon Ilo (1876-1950)
- Atdhetar. Shoqëroi Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë.
Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914,
përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve
grekë.
Thanas Floqi (1884-1945)
- Jurist, veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues,
kompozitor, përkthyes. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Thanas V.
Floqi“. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.
Lef Nosi (1873-1946)
- Veprimtar i lëvizjes kombëtare, albanolog, studiues, deputet, ministër.
Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi
me siglën ”Lef Nosi“. Në qeverinë e Ismail Qemalit, caktohet në detyrën e
ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris.
Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me vdekje. U pushkatua në vitin 1946.
Nuri Sojliu (1870-1940)
- Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë të Manastirit, ku mbështeti alfabetin
latin të gjuhës shqipe. Delegat i Strugës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Nuri“. Mbështeti lëvizjet politike me frymë
demokratike të viteve `20.
Ferit Vokopola (1887-1967)
- Teolog, ekonomist, poet, publicist, ministër, deputet. Delegat i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës.
Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën ”M. Ferit Vokopola“. Në vitet
1923-1939 përfaqësues i Beratit në Kuvendin e Shqipërisë. Ministër i Bujqësisë
në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).
Ymer Deliallisi (1873-1944)
- Delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën ”Ymer“. Në
vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut në Kongresin e Lushnjës, ku
edhe zgjidhet senator.
Xhemal Deliallisi (1880-1941)
- Delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi
me siglën ”Xhemmalyyddin bej“. Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të
Vlorës dhe më pas në administratën e Princ Vidit (Wilhelm Friedrich
Heinrich Princ zu Wied, 1876-1945).
Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)
- Deputet, ministër, kryeministër, albanolog.
Delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Aktin e Pavarësisë e
nënshkroi me siglën “Mustafa Asim Kruja”. U zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U
caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit.
Më 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Ishte deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Me
ardhjen e komunizmit u detyrua të arratisej. Vdiq në ShBA më 27 dhjetor 1958.
Abdi Toptani (1864-1942)
- Ministër. Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të
Shëngjergjit dhe të Shupalit kundër dhunës së administratës osmane. Aktin e
Pavarësisë e firmosi me siglën “Abdi”. Ministër i Financave në Qeverinë e parë
shqiptare.
Veli Harxhi (1850-1914)
- Intelektual i formuar. Veprimtar i klubit patriotik të qytetit. Në Kuvendin e Vlorës përfaqësoi Gjirokastrën.
Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Veli Harçi”.
Nebi Sefa (1861-1942)
- Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912.
Delegat i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej
forcave të Fan Nolit.
Mid’hat Frashëri (1880-1949)
- Intelektual, deputet, atdhetar, ministër. Mori pjesë në Kongresin e
Manastirit (1908) ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit
të hartimit të alfabetit. Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Aktin e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail
Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në periudhën janar 1923 –
dhjetor 1925, ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë. Më 1941 është një nga
themeluesit e organizatës nacionaliste – Balli Kombëtar. Në nëntor 1944 u
detyrua të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Komunistët e
detyruan të birin e Abdyl Frashërit (1839-1892), të ikte nga Shqipëria.
Vdiq në Nju-Jork, më 3 tetor 1949.
Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)
- Atdhetar, ministër. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911.
Në Kuvendin e Vlorës, delegat i Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e
Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, u bë pjesë e Ballit
Kombëtar, përkrah Mid’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgos,
derisa vdiq, më 1957.
Qemal Karaosmani (1875-1949)
- Atdhetar, deputet. Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. U caktua të
shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Aktin e Pavarësisë
kombëtare e nënshkroi me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga
Kongresi i Lushnjës dhe për disa vite ishte asamblist. U persekutua nga regjimi
komunist.
Sali Gjuka (1876-1925)
- Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Në
Kuvendin e Vlorës mori pjesë si përfaqësues nga Kosova dhe si delegat i Pejës,
i Gjakovës, i Plavës e Gucisë. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën
“Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si
drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.
Dhimitër Berati (1888-1970)
- Diplomat, ministër. Në Kuvendin e Vlorës mori pjesë si delegat i kolonisë
shqiptare të Bukureshtit. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “D.
Beratti”. U emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë. U
caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës. Më 1919 ishte delegat
i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes në Paris.
Dhimitër Mborja Emanuel (1884-1945)
– Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës në emër të kolonisë së Bukureshtit. Aktin e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dh Emmanuel”. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar
pranë shoqërisë “Komuniteti ortodoks shqiptar i Bukureshtit”. Më 1924 mbështeti
qeverinë e Nolit. Ishte kundër regjimit komunist.
Dimitër Zografi (1878-1945)
- Atdhetar. Delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit në Kuvendin e Vlorës.
Vendimin e Pavarësisë e firmosi me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i
Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz
të popullit shqiptar dhe nënshkroi protestat drejtuar kryesisë së saj në
qershor 1919.
Pandeli Cale (1879-1923)
- Atdhetar, ministër, deputet. Në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910 –
1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Mori pjese në mbledhjen e Bukureshtit të
mbajtur më 5 nëntor 1912. Shoqëroi Ismail Qemalin për në Shqipëri. Delegat i
Korçës në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën
"Pandeli Cale". Zgjidhet anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Mori
pjesë në lëvizjen patriotike që çoi ne Kongresin e Lushnjës më 1920. Po atë vit
ishte prefekt i Korçës, ndërsa në shkurt 1921, deputet në të parin parlament të
Shqipërisë.
Qemal Mullaj (1881-1966)
- Atdhetar, deputet. Delegat i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës. Aktin e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së
Vlorës dhe me nisjen e Luftës I Botërore, u largua nga Shqipëria. U kthye në
atdhe më 1920, për t’u rimarrë me politikë. Deputet në parlamentin e parë të
Shqipërisë.
Bedri Pejani (1885-1946)
- Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të
Kosovës (1918-1924). Përfaqësues i Plavës, i Gucisë, i Gjakovës dhe i Pejës në
mbledhjen e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Bedri Pejan”. Në
vitin 1943 ishte nga nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”
dhe deri në vitin 1944 - kryetar i saj. Pas luftës u arrestua në Shqipëri. Vdiq
në vitin 1946, sapo doli nga burgu.
Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)
- Mjek, atdhetar. Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri
Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit dhe të Strugës për në Kuvendin e Vlorës.
Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si
përfaqësues i Ohrit dhe i Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më
1920.
Aristidh Ruci (1875-1950)
- Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Delegat i Vlorës
në Kuvendin që shpalli pavarësinë. Aktin e pavarësisë e nënshkroi me siglën “A.
Ruci”. Më 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare.
Zyhdi Ohri (1872-1938)
- Atdhetar, senator. Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes
Shqiptare të Pejës. Delegat i Ohrit në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e
nënshkroi me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e
Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.
*
* *
QEVERIA E PËRKOHSHME E VLORËS - Pasi
u zgjodh në detyrë të re, I. Qemali dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të
Kuvendit. Në vend të tij u zgjodh myftiu i Dibrës, Vehbi Agolli, ndërsa
nënkryetar Lef Nosi. Nga Kuvendi i Vlorës, më 4 dhjetor 1912 doli edhe qeveria
e përkohshme. Anëtarë të qeverisë u zgjodhën Luigj Gurakuqi –
ministër i Arsimit, Myfit Libohova – ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet
pashë Derralla – ministër i Luftës, Abdi Toptani – ministër i
Financave, Mithat Frashëri – ministër i Punëve Botore, Petro Poga –
ministër i Drejtësisë, Pandeli Cale – ministër i Bujqësisë dhe Lef
Nosi – ministër i Postë-Telegrafëve. I. Qemali mbajti edhe portofolin e
ministrit të Punëve të Jashtme.
Pas kësaj Kuvendi zgjodhi Pleqësinë e cila do të
kishte 18 anëtarë. Kryetar u zgjodh Vehbi Agolli.
Për shpalljen e Pavarësisë, Ismail Qemali i njoftoi
Fuqitë e Mëdha, shtetet ndërluftuese ballkanike dhe qeverinë e Rumanisë. Ai
kërkoi largimin e ushtrive të shteteve të Aleancës Ballkanike nga trojet
shqiptare. U deklarua qëndrimi asnjanës i shtetit shqiptar në Luftën
Ballkanike.
*
* *
Shpallja e pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për
popullin shqiptar. Ajo mbylli një epokë luftërash e përpjekjesh shekullore për
t’u liruar nga zgjedha e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut
dhe për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar synimet e
rilindësve. Hapi edhe një epokë luftërash dhe përpjekjesh të tjera për ta
mbrojtur pavarësinë e fituar nga fqinjët grabitqarë, për ta siguruar bashkimin
kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren
e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri
deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim deri
në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e
të Kumanovës, në lindje, për të vazhduar në Ulqin, në Tivar, në Tuz, në Plavë e
Guci, në Hot e Grudë, deri në Malësi.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të
gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave që i dërguan përfaqësuesit e tyre në
të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Qeveria shqiptare e Ismail
Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullit
shqiptar dhe e të gjitha trojeve shqiptare.
Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta
historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavarur në
trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo e drejtë
buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin
dhe me historinë e vet. Këtë të drejtë populli shqiptar e kishte fituar me
sakrifica të mëdha në llogoret e luftës. Ishte një e drejtë që i takonte për
ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit (1878)
dhe ajo e pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat
themelore të zinxhirit të ngjarjeve të lëvizjes kombëtare. Shqipëria ishte
vendi që u çlirua i fundit nga sundimi osman. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë
ekonomikë, shoqërorë dhe politikë të brendshëm dhe të jashtëm, që vepruan
ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke determinuar ritmet e
zhvillimit të saj. Ngecja ekonomike dhe shoqërore e Shqipërisë ishte një faktor
që e vonoi shtrirjen e forcave organizuese dhe drejtuese të lëvizjes kombëtare
që si pasojë e vështirësoi dhe vonoi shpalljen e pavarësisë. Fuqitë e Mëdha
gjatë shekullit XIX përkrahën popujt e krishterë të Ballkanit – serbët, grekët,
rumunët dhe bullgarët për t’i formuar shtetet e tyre të pavarura, ndërsa ndaj
çështjes shqiptare mbajtën një qëndrim mospërfillës.
Shqiptarët janë popull me tri fe, me shumicë myslimane.
Por i bashkon një ndërgjegje e vetme kombëtare. Ndarja në tri fe, me shumicë
myslimane ndikoi që Evropa e krishterë t’i shohë si një popull i huaj për të
dhe i afërt me turqit myslimanë. Këtë fakt e shfrytëzonte sidomos Rusia para
kancelarive perëndimore.
Shqiptarët mund ta arrinin qëllimin duke u bazuar në
forcat e veta dhe kur të krijohej një koniunkturë ndërkombëtare e favorshme për
ta. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike u ndeshën interesat e kundërt të
Fuqive të Mëdha. Atdhetarët shqiptarë, nga platforma politike për autonomi
kaluan në atë të pavarësisë. Kjo u realizua kur Turqia po dëbohej nga Ballkani,
kur Fuqitë e Mëdha hoqën dorë nga ruajtja e status quo-së në gadishull
dhe kur planet e fqinjëve grabitqarë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura
edhe nga fuqitë Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Trepalëshe.
Vendimi historik i shpalljes së pavarësisë drejtohej jo
vetëm kundër politikës së fuqive të Antantës (Anglisë, Francës, Rusisë) dhe
grabitqarëve ballkanikë, por edhe planeve të caktuara të fuqive të Lidhjes
Trepalëshe (Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë). Austro-Hungaria dhe Italia,
në atë kohë ishin për autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit.
Pavarësinë e saj e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes
shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet. Ata e shihnin popullin
shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të
Shqipërisë, drejt Adriatikut dhe si mbështetje për depërtimin dhe
shtrirjen e tyre në Ballkan.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, siç u pa nga
vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) të gjashtë
Fuqive të Mëdha, nuk arriti të bashkonte në një shtetet të vetëm të gjitha
territore etnike dhe historike shqiptare dhe popullsinë shqiptare.
Megjithëkëtë, shpallja e pavarësisë pas pesë shekujsh robërie nën sundimin
osman, përbën ngjarjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar gjatë
shekullit XX.
Sundimi pesëshekullor osman në
Shqipëri, kishte për pasojë:
- copëtimin e trojeve shqiptare në
Konferencën e Ambasadorëve (1913);
- ngecjen ekonomike të Shqipërisë
gjatë gjithë shekullit XX;
- lindjen e regjimeve
antidemokratike dhe diktatoriale;
- shtypjen e shqiptarëve të mbetur
jashtë Shqipërisë – në Greqi, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, përfshi
edhe gjenocidin dhe pastrimin etnik të trojeve shqiptare.
Me formimin e shtetit të pavarur shqiptar u krijuan
premisat dhe baza shtetërore dhe politike për ta mbajtur gjallë çështjen e
çlirimit dhe të bashkimit të trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare
të kauzës shqiptare në Ballkan.
*
* *
Konferenca e Ambasadorëve (17
dhjetor 1912 – maj 1913) - Me fillimin e konfliktit ballkanik çështja shqiptare
u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Austro-Hungaria
dhe Italia ishin për një Shqipëri autonome ose të pavarur dhe me kufij sa më të
gjerë, por nën ndikimin e tyre. Për Austro-Hungarinë Shqipëria do të ishte një
gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në gadishull dhe si një urë për
të dalë në Selanik. Për Italinë, Shqipëria do të ishte si një bazë për depërtimin
drejt Lindjes. Në anën tjetër, Rusia përpiqej për shtrirjen e ndikimit të vet
në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të
ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.
Të shqetësuara për “paqen evropiane”,
Fuqitë e Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e
pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme.
Më 17 dhjetor 1912, përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të
Mëdha – Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë u
mblodhën në Londër për të shqyrtuar problemet e shtruara nga Lufta Ballkanike
(1912). Konferenca u drejtua nga ministri i Jashtëm anglez Eduard Grej (Edward
Grey). Që në ditën e parë, konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare: e
ardhmja politike e Shqipërisë dhe caktimi i kufijve.
*
* *
Grabitqarët ballkanikë (Serbia,
Greqia, Mali i Zi) - Që në fund të dhjetorit dhe
në fillim të janarit, shtetet aleate të Ballkanit i paraqitën Konferencës
pikëpamjet e tyre për ndryshime territoriale, që duhej të bëheshin në gadishull
pas lufte. Përveç krahinave greke të Thesalisë, Greqia kërkonte edhe
vise të Shqipërisë së Jugut (të vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi
shqiptare, kompaktësia e së cilës nuk cenohej nga grupet e vogla grekofone të
rretheve të Delvinës dhe të Dropullit, edhe këto të përziera me popullsi
vendase. Qeveria serbe përfshinte në listën e kërkesave të saj
edhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në
Maqedoni. Mali i Zi ngulte këmbë për aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe
kërkonte që si kufij të tij me Shqipërinë të caktohej lumi Mat, ose të paktën
Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik.
Konferencës së Londrës i paraqiti një memorandum edhe
Qeveria e Vlorës. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë
e atëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse,
Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën,
Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën dhe Janinën. Në jug do të mbaheshin
kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë. Memorandumi hedhtë poshtë tezën
e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë,
trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial” për
aleatët që fituan në luftë. Theksohej edhe fakti se kryengritjet shqiptare
kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm në çështjen e përbashkët
të popujve të Ballkanit. Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit
turk në Ballkan.
Lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua ndërmjet
Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Monarkia e dyfishtë doli në mbrojtje të të
drejtave të shqiptarëve. Ajo synonte ta përdorte shtetin shqiptar si faktor të
ekuilibrit të ri në Ballkan. Duhet theksuar se në raste të caktuara, për
kompromise në dëm të shqiptarëve ishte edhe Vjena. Ajo i paraqiti Konferencës
një projekt-hartë të Shqipërisë.
Një projekt-hartë e dytë iu paraqit Konferencës edhe nga
Rusia, e cila parashikonte një cungim edhe më të madh të tokave të Shqipërisë.
Sipas këtij projekti, jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbeteshin Shkodra dhe
e gjithë treva veriore e Shqipërisë deri në kufirin me Malin e Zi. Mbeteshin
jashtë edhe të gjitha qytetet dhe tokat me popullsi shqiptare të vilajetit të
Kosovës dhe të Manastirit deri në liqenin e Ohrit. Në jug mbeteshin jashtë
Shqipërisë Korça, Delvina, Saranda dhe gjithë Çamëria.
Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi
në kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca dhe nga Anglia.
Në shenjë proteste, Vjena i njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej nga
Konferenca. Tani Italia u rreshtua në anën e Vjenës.
Shënim: Në
vitin 2014, busti i kontit Leopold Berhtold u vendos pranë
bashkisë së Shkodrës.
*
* *
Konferenca e Ambasadorëve nuk e pranoi si bazë për
zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik. Ajo
vendosi të mos përfillte asgjë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për
organizimin e shtetit shqiptar me forcat e vendit. Nuk i përfilli aspiratat dhe
interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si
monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të
kënaqur pretendimet hegjemoniste dhe ekspansioniste të shteteve ballkanike. Me
kufijtë që u caktuan në Londër, jashtë Shqipërisë mbeti më tepër se gjysma e
trojeve dhe e popullsisë shqiptare. Nga trungu i saj u shkëputën krahina të
tëra: Kosova në veri, Çamëria në jug, të cilat jo vetëm përfaqësonin trevat
bujqësore më pjellore me nëntokë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të
rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe kishin dhënë kontribut të madh në luftën
me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane.
Më 12 gusht 1913 Eduard Grej deklaroi: “... kjo
zgjidhje do të japë shkas për kritika të mëdha... kufijtë e Shqipërisë u
caktuan kësisoj në të mirë të paqes në Evropë”. Me fjalë të tjera,
Konferenca e Ambasadorëve në Londër flijoi Shqipërinë dhe shqiptarët “për
hir të paqes në Evropë”. Hipokrizi dhe qyqari e paparë në historinë e
botës. Pas një viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Ç’u bë me paqen në
Evropë?! Ku mbeti, zoti Grej, paqja në Evropë?!
*
* *
ÇËSHTJA SHQIPTARE SOT - Sot
shqiptarët ballafaqohen me çështjen e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Për
ta zgjidhur drejtë këtë çështje, duhet të marrin mësim nga e kaluara. Duhet
t’ia bëjnë me dije Perëndimit se janë popull perëndimor, madje jo me fjalë por
me vepër. Duhet të funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave. Sot e kësaj
dite Beogradi, Athina dhe Moska u thonë kancelarive perëndimore: “Mos i
mbështetni shqiptarët. Ata janë përçues të interesit turk, arab dhe iranian në
Ballkan dhe Evropë”. Vlera kombëtare shqiptare me përmasa botërore janë Gjergj
Kastrioti, Nënë Tereza, Ismail Kadareja.
Aleate e përjetshme e bijve të Ilirisë dhe të Arbërisë
është Amerika. Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Çlirimi i
Kosovës nga UÇK-ja, me ndihmën e Amerikës, është rast që ndodh në
mbarë rruzullin tokësor, një herë në dy mijë vjet. Kosova është zemra e
shqiptarizmit dhe dhimbja e shqiptarizmit. Kosova është tokë e shtrenjtë dhe e
shenjtë e kombit shqiptar. Ajo s’ka për t’u shtruar kurrë para hordhive të egra
barbare serbe, të mbështetura nga Rusia. Kosova, sa më parë duhet të bëhet
anëtare e NATO-s. Në Kosovë duhet të vendoset sa më parë një bazë
ushtarake e fuqishme dhe e përhershme e ShBA-së. Gjatë gjithë historisë
politike të kohës më të re (1850-2021), Rusia vepron kundër interesave jetikë
të kombit shqiptar.
Shqiptarët duhet të dëshmojnë para ShBA-së se posedojnë
aftësi për të ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik. Dielli shqiptar lind në
Perëndim.