Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Deklarata e Balfurit
E enjte, 09.11.2023, 08:55 PM
DEKLARATA E BALFURIT
Nga Xhelal
Zejneli
Deklarata e Balfurit (Balfour Declaration) është deklaratë të cilën më 2 nëntor të vitit
1917, ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë Artur Xhejmz Balfur (Arthur
James Balfour, 1848-1930) ia dërgoi udhëheqësit të bashkësisë hebraike në
Angli, bankarit, politikanit, zoologut - lordit Uolltër Rotshilld
(Lionel Walter Rothschild, 2nd Baron Rothschild, 1868-1937) që ky t’ia
përcjellë Federatës së Sionistëve të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës.
Me këtë deklaratë
qeveria britanike e mbështet propozimin e krijimit të shtetit hebraik në Palestinë,
me kusht që ky akt të mos ndikojë negativisht mbi popullsinë arabe që
tanimë banojnë në Palestinë. Në atë kohë Palestina ende ka qenë pjesë e
Perandorisë Osmane, por pas Luftës së Parë Botërore është bërë protektorat
britanik.
Dy udhëheqës sionistë
me ndikim janë përpjekur ta bindin qeverinë britanike të marrë vendim që
Palestina të jetë atdhe vetëm i hebrenjve, por britanikët nuk kanë dashur të
shkojnë aq larg.
Qeveria britanike
ndërkaq, ka vendosur mos ta përdorë fjalën “state” (‘shtet’). Në vend të
kësaj e ka përdorur shprehjen “national home [for the Jewish people]” (vendbanim
kombëtar [për popullin hebre]) dhe me dekada e kanë përsëritur se ka ekzistuar
qëllimi për krijimin e shtetit, madje edhe sikur ndonjë politikan britanik në
krye të vet është deklaruar për një shtet të tillë.
Që të mos krijohej
përshtypja se mendohet për krejt Palestinën, nuk shkruhej “Palestina”,
siç ishte përmendur në burimin e parë, por “në Palestinë”.
Ka studiues që thonë
se është e diskutueshme se cilat kanë qenë motivet e vërteta të politikës së
Rotshilldit. Në aspektin gjeostrategjik, me krijimin e një “vendbanimi” të
tillë, do të fitohej një zonë doganore për arsye se të gjitha mallrat prej
Afrike, me transportin tokësor, duhej të kalonin nëpër Palestinë.
* * *
Letra e Artur Balfurit dërguar Rotshilldit
Ministria e Punëve
të Jashtme
2 nëntor 1917
I nderuar lord
Rotshilld
Kam kënaqësinë t'ju
përcjell në emër të Qeverisë së Madhërisë së Tij deklaratën e mëposhtme të
simpatisë ndaj aspiratave hebraike sioniste, të paraqitur dhe të miratuar nga
Kabineti:
“Qeveria e Madhërisë
së Tij mbështet krijimin e një Shtëpie Kombëtare për popullin hebre në
Palestinë dhe do të bëjë përpjekje maksimale për ta lehtësuar arritjen e këtij
objektivi, duke e ditur qartë se nuk do të bëhet asgjë që do të cenonte të
drejtat civile dhe fetare të bashkësive ekzistuese jo-hebraike në Palestinë,
ose të drejtat dhe statusin politik që gëzojnë hebrenjtë në çfarëdo vendi
tjetër”.
Do t’ju isha
mirënjohës po qe se për këtë deklaratë do ta njoftonit federatën sioniste.
Me respekt
Arthur James Balfour
* * *
Nocioni
“Shtëpi kombëtare për popullin hebraik në Palestinë” (Palestine of a
national home for the Jewish people) - Ky nocion është
përfshirë në ligjin ndërkombëtar në vitin 1917 me Deklaratën e
Balfurit. Sipas disa studiuesve, ky nocion ka mbetur i paqartë dhe vështirë
kuptohet. Në vitin 1947, në Dhomën e Poshtme të Parlamentit (House of
Commons of the United Kingdom) është mbajtur seancë për çështjen
palestineze. Gjatë debatit, ministrit britanik të Punëve të Jashtme Ernest
Bevin (1881-1951) i është kërkuar ta përkufizojë apo ta sqarojë domethënien
e nocionit “Shtëpi kombëtare për popullin hebraik”. Ai e ka pranuar se
nocionin e sipërthënë nuk mund ta përkufizojë saktë.
* * *
SIONIZMI – Është lëvizje
çifute për themelimin e shtetit të çifutëve në Palestinë. Çifutët kanë
bërë disa përpjekje të tilla. Janë shfaqur kryesisht si reagim i inteligjencies
çifute kundër lëvizjeve antisemite në vise të ndryshme të botës.
Bazat e sionizmit modern i ka vendosur gazetari çifut Theodor Herzl
(1860-1904) i lindur në Budapest të Hungarisë. Pjesën më të madhe të jetës,
Herzli e kaloi në Vjenë. Ndonëse ishte një çifut i asimiluar, duke i njohur
rrethanat në të cilat jetonin çifutët në vende të ndryshme, Herzli erdhi në
përfundim se çështja çifute nuk mund të zgjidhet ndryshe, përpos me
themelimin e shtetit të veçantë të çifutëve. Në fillim nuk u përcaktua për
Palestinën, por kur ra në kontakt me studentët dhe me intelektualët çifutë të
Evropës Qendrore dhe Lindore, erdhi në përfundim se nga të gjitha vendet e
tjera, Palestina ka numër më të madh ithtarësh. Organizatën sioniste Herzli e
themeloi në vitin 1895. Kongresi i parë botëror i sionistëve u mbajt në Bazel
në vitin 1897. Idenë e Herzlit e hidhnin poshtë çifutët e asimiluar të cilët
konsideronin se në vendet në të cilat jetojnë janë plotësisht të sigurt.
Sionizmi i Herzlit ishte një lëvizje kryekëput politike. Ai
konsideronte se në radhë të parë duhet siguruar mbështetje politike, mundësisht
mbështetje politike ndërkombëtare.
Për idenë e vet, më
kot përpiqej ta fitonte mbështetjen e Turqisë dhe të Fuqive të Mëdha, sidomos
të Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë. Britania e ofroi Ugandën në
vend të Palestinës, por Kongresi i sionistëve i vitit 1905 e refuzoi këtë
ofertë.
Një grup çifutësh që
u pajtua me ofertën britanike që shteti çifut të krijohet në Ugandë, u largua
nga organizata sioniste dhe themeloi lëvizjen “Territorialistët” e cila për
shtet të çifutëve ishte e gatshme të pranojë çdo territor dhe jo vetëm
Palestinën. Këtë lëvizje e udhëhiqte shkrimtari çifut që jetonte në Angli Israel
Zangwill (Londër, 1864 – Midhurst, Mbretëri e Bashkuar, 1926). Kjo lëvizje
shpejt u zhduk.
Herzli vdiq në vitin
1904 në moshën 44-vjeçare. Idenë e vet nuk e realizoi, por la pas vetes një
organizatë çifute ndërkombëtare të fuqishme. Pas vdekjes së tij, kjo organizatë
e siguroi mbështetjen aktive të
qeverisë britanike e cila edhe e zbatoi idenë e tij, pra e krijoi
shtetin e pavarur - Izraelin.
Gjatë Luftës së Parë
Botërore, qeveria britanike duke synuar t’ia sigurojë vetes mbështetjen e çifutëve,
në vitin 1917 e shpalli Deklaratën e Balfurit (Balfour Declaration)
në të cilën premtohet mbështetja e Britanisë së Madhe për arritjen e qëllimeve
të lëvizjes sioniste. Pas luftës, Palestina ra nën administrimin britanik. Atëherë
filloi kolonizimi i çifutëve në Palestinë. Deri në fillim të Luftës së
Dytë Botërore popullsia çifute në Palestinë u shtua në rreth 480.000. Para
Luftës II Botërore, ndër çifutët e mbarë botës, Organizata Sioniste kishte
1.250.000 anëtarë. Kryetar i Organizatës Sioniste dhe i Agjencisë Çifute
(Jewish Agency) ishte biokimisti Dr. Haim Vajcman (Chaim Azriel
Weizmann, Motal, Rusi, 1874 - Rehovot, Izrael, 1952).
Në atë periudhë,
sionistët ishin të ndarë kryesisht në: sionistë demokratë, të udhëhequr
nga Vajcmani (Weizmann) dhe matematikani ruso-anglez Selig Brodetsky
(Pervomais’k, Ukrainë, 1888 – Londër, 1954); krahu i punëtorëve, i
udhëhequr nga David Ben-Gurion (Plonsk, Poloni, 1886 – Sheba, Izrael,
1973), Berl Locker (1887-1972) dhe Berl Katznelson
(1887-1944); dhe krahu fetar, i udhëhequr nga Rabbi Meier.
Një grup i
nacionalistëve çifutë i njohur me emrin revizionistë sionistë të
udhëhequr nga Vladimir Jabotinsky (Odesë, Ukrainë, 1880 – Hunter,
Nju-Jork, 1940) u larguan nga Organizata Sioniste dhe në vitin 1934 themeluan
Organizatën e Re Sioniste. Kjo organizatë e kritikonte Organizatën Sioniste
duke i thënë se është tepër e moderuar (e butë) dhe qysh në atë kohë kërkonte
që Palestina, nga të dyja anët e Jordanisë sa më parë të shpallet shtet i
çifutëve.
Më vonë, për
shembull në vitet ’60 të shekullit XX, shumica e çifutëve në mbarë botën e
mbështet lëvizjen sioniste. Edhe pse me krijimin e Izraelit si shtetit u arrit
qëllimi themelor i lëvizjes sioniste, sionizmi vazhdoi të ekzistojë si lëvizje
ndërkombëtare që i ka ndihmuar Izraelit, për ta shtuar edhe ndikimin e tij si
shtet.
* * *
Veprimtarët e
sipërthënë të çështjes çifute nuk janë gjallë për ta parë tragjedinë e
përmasave kolosale në Gazë.