Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Fridrih Niçe
E shtune, 28.10.2023, 06:00 PM
Me rastin e 179-vjetorit të lindjes së nihilistit
FRIDRIH
NIÇE
Jeta
ka kuptim vetëm si dukuri estetike – Niçe
Filozofia
ime sjell ide ngadhënjyese nga e cila shembet njëherë e mirë çdo mënyrë tjetër
e të menduarit - Niçe
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Fridrih Vilhelm Niçe
(Friedrich Wilhelm Nietzsche)
ka lindur më 15 tetor 1844, ndërsa ka vdekur më 25 gusht 1900. Është filozof
dhe poet gjerman radikal, një prej mendimtarëve modern më të mëdhenj dhe një
prej kritikëve më të ashpër të kulturës perëndimore dhe të krishterimit.
Ka qenë filolog, filozof dhe poet. Studioi filologjinë klasike dhe një kohë të
shkurtër punoi si profesor në Bazel. Për shkak të sëmundjes, u tërhoq.
Mbi Niçen më së shumti kanë ndikuar
filozofi gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860),
kompozitori Rihard Vagner* (Richard Wagner) si dhe filozofët e periudhës
parasokratiane sidomos filozofi grek, kundërshtar i
demokracisë, Herakliti (544 – rreth 480 para e. r.).
Shënim: Rihard Vagneri (Wilhelm Richard Wagner, 1813-1883) – kompozitor,
dirigjent, teoricien i muzikës dhe eseist. Ia doli t’i përkthente të 12 librat
e “Iliadës” së Homerit (shekulli VIII para e. r.)
* * *.
Të pranuara dhe të përpunuara nga
filozofi grek Platoni (emri i vërtetë Aristokle, 427-347 para e. r.) deri
në një sistem gjithëpërfshirës idesh, tezat e filozofit grek Sokratit (470-399
para e. r.) ndikuan dukshëm në mbarë zhvillimin historik të mendimit filozofik
në Evropë. Sidomos u glorifikuan në kohën e iluminizmit. Iluministët
e konsideronin Sokratin “paraardhës të Krishtit” dhe shpirt moral
dhe filozofik më të madh të lashtësisë.
Përkundër këtyre interpretimeve,
Sokratin dhe sundimin absolut të nocioneve, Niçeja u përpoq ta shpallte
si më të madhen lajthitje në historinë e kulturës njerëzore, që e
ka sakatosur, e ka moralizuar dhe e ka varfëruar kulturën e pasur dhe të
zhvilluar të antikës, e që më vonë e ka mbuluar me errësirë pasqyrën e mendimit
parësor, të freskët dhe burimor dionizian grek.
* * *
Niçe i përket shkollës dhe traditës së filozofisë
kontinentale si dhe klasicizmit të Vajmarit. Shpeshherë, bashkë me
filozofin danez Sëren Kierkegar (Sören Kierkegaard, 1813-1855), e kanë
konsideruar si njërin prej paraardhësve të ekzistencializmit. E
kanë marrë edhe për paraardhës të postmodernizmit, të poststrukturalizmit
dhe të psikanalizës. Ka treguar interesim për estetikë,
epistemiologji, etikë dhe filologji. Ide të njohura të
tij janë: dualizmi, Apoloni-Dionisi, Kthimi i përhershëm, nihilizmi,
vdekja e Perëndisë.
Është autor i veprave të
jashtëzakonshme me ndikim tejet të gjerë. Është një prej themeluesve kryesorë “të
filozofisë së jetës” (Lebens-philosophiae) e cila përjeton
ringjallje dhe rilindje në frymën e epokës sonë.
* * *
Niçeja lindi në qytetin Rëken (Röcken), në një familje protestante.
Prindër të Niçes ishin – nëna Franziska Oehler dhe babai Carl Ludwig
Nietzsche. I ati Ludvig dhe gjyshi ishin pastorë (priftërinj protestantë).
I ati i vdiq kur Niçe ishte 4-vjeç. Niçeja u shkollua në Pfort. Ishte një
shkollë me disiplinë të ashpër. Aty i mori njohuritë themelore të gjuhëve
klasike dhe të të letërsisë klasike. Duhej të ndiqte teologjinë. Studioi
filologjinë klasike në Bon dhe në Lajpcig (Leipzig). Në saje të profesor Riçelit
(Friedrich Wilhelm Ritschl, 1806-1876), në moshën 24-vjeçare, pa e mbrojtur
tezën, u bë doktor shkence. Profesor Riçeli pa tek ai talentin e madh për filologji.
Në vitin 1868 Niçeja u njoh me
kompozitorin e famshëm Rihard Vagnerin. Midis tyre u krijua një
raport sikur ndërmjet babait dhe birit. Ndaj Vagnerit, Niçe manifestonte një
devotshmëri të jashtëzakonshme dhe ishte i entuziazmuar prej tij.
Në vitin 1870 u bë profesor ordinar
në Bazel (Basel). Kah fundi i vitit 1870, për shkak të sëmundjes, pensionohet.
I dhënë pas veprimtarisë letrare dhe filozofisë, jeton në Zvicër dhe në Itali.
Nën mbresat e filozofisë së Shopenhauerit
dhe të muzikës së Vagnerit, lindi vepra “Lindja e tragjedisë nga
fryma e muzikës” (Die Geburt der Tragödie aus dem Geiste der Musik, 1872).
Është libri i parë filozofik i Niçes. Doli në vitet 1871-1872. Pothuajse gjatë
tërë librit, haset ndikimi i madh i ideve vagneriane, të cilat,
sikurse idetë e Niçes, ishin nën ndikimin e filozofisë së Shopenhauerit.
Ndonëse vepra ka vlerë filozofike të pakontestueshme, nuk është gabim të thuhet
se ajo paraqet mbrojtje dhe glorifikim të muzikës dhe të estetikës së
Vagnerit.
Në të shkruar të librit të dytë prej
katër pjesësh “Shqyrtime jobashkëkohore” (Unzeitgemäße Betrachtungen,
1873-1876), në aspektin filozofik Niçeja bëhet i pavarur dhe i
prish raportet me Vgnerin.
Në vitin 1889 Niçeja pëson tronditje
nervore. Në dhjetë vitet e fundit të jetës, i shfaqen simptomat
gjithnjë më të rënda të paralizës progresive. Pas paralizës, 11 vitet e fundit
të jetës i kalon me vetëdije plotësisht të errësuar. Për filozofin e famshëm,
të ngritur në mit, tashmë kujdesen e ëma dhe motra. Vdiq me mendje
të errësuar.
* * *
Vepra më të njohura të këtij gjeniu
janë: “Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës”; poema filozofike “Kështu
fliste Zaratustra” e cila duhej të ishte quajtur “Vullneti për pushtet,
përpjekje për rivlerësimin e të gjitha vlerave”; shkrimi moralizues dhe
paraloja e filozofisë të së ardhmes “Në anën tjetër të së mirës dhe të
keqes”; “Gjenealogjia e moralit”; “Antikrishti”; eseja
autobiografike “Ecce homo” dhe përmbledhja e vinjetave filozofike “Vullneti
për pushtet”.
I pamohueshëm është ndikimi i Niçes
mbi filozofët e jetës, mbi mendimtarët e mëvonshëm të ekzistencës, mbi
psikanalistët, si dhe mbi disa shkrimtarë dhe filozofë siç janë: shkrimtari
suedez August Strindberg (1849-1912); dramaturgu irlandez,
laureat i çmimit “Nobel” (1925) Xhorxh Bernard Sho (George Bernard Shaw,
1856-1950), romancieri, eseisti, dramaturgu dhe poeti francez, laureat i
çmimit “Nobel” (1947) Andre Zhid (André Gide, 1869-1951); romancieri, dramaturgu dhe eseisti
francez, laureat i çmimit “Nobel” (1915) Romen Rolan (Romain Rolland,
1866-1944); romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert
Camus, 1913-1960), shkrimtari, dramaturgu, poeti, eseisti dhe
enciklopedisti kroat Mirosllav Kërllezha (Miroslav Krleža, 1893-1981);
filozofi ekzistencialist gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger,
1889-1976), etj.
* * *
Niçen e përshkruan edhe tregimtari
austriak me prejardhje hebraike Stefan Cvaik (Stefan Zweig,
1881-1942): “Me kokën të ngritur lartë si një hero, ballin të rrudhosur nga
mendimet e errëta,, shikim skifteri, i tëri i mbërthyer nga vullneti, shëndeti
dhe forca...”
* * *
Nihilizmi – Nihilizmi nënkupton lëvizjen historike të Evropës nëpër
shekujt paraprakë e cila e përcaktoi edhe shekullin e tashëm. Është koha në të
cilën tanimë dy mijë vjet mbizotëron në horizont interpretimi onto-teologjik
i botës, i religjionit krishterë dhe i moralit.
Niçeja dallon dy lloj nihilizmi: pasiv dhe aktiv.
Nihilizmi pasiv është shprehje e gjendjes në të cilën vlerat ekzistuese nuk i
kënaqin nevojat jetësore. Si i tillë, ai nuk paraqet asgjë. Por ai është
bazënisje për nihilizmin aktiv, për flakjen dhe për shkatërrimin e
vetëdijshëm të vlerave ekzistuese, në mënyrë që të krijohen kushte për
ribashkimin e kulturës dhe të jetës.
Është e vetëkuptueshme se nihilizmin
nuk e ka sajuar Niçeja, as që e ka përgatitur ardhjen e tij, as ia ka çelur
rrugën mbizotërimit të tij në kohën tonë. Merita e tij qëndron vetëm në faktin
se ai është i pari i cili qartas e zbuloi fytyrën nihiliste të botës
bashkëkohore. Është i pari që foli për shkretëtirën në rritje të sigurisë
moderne, i pari i cili zëshëm konstatoi se Perëndimi e ka humbur besimin
në kuptimin më të lartë të jetës. Niçeja erdhi në situatë për ta
kuptuar nihilizmin si një gjendje kalimtare, të përkohshme. Aq më tepër, i
shkoi për dore ta zbulojë rastin e mbuluar që ia ofron nihilizmi njeriut të
sotëm, ta kuptojë këtë ngjarje historike si një sinjal të mirë, si një shenjë e
rimëkëmbjes së jetës, si aluzion i parë apo parandjenjë e kalimit në kushte
të reja të ekzistimit. Niçeja pohon shprehimisht: “Nihilizmi njëherazi
është gjendje plot ethe e krizës me parashenjë pozitive dhe jo vetëm negative.
Nihilizmi premton pjekurinë e jetës së ardhshme, ndaj çdo pengesë që e ndal
epërsinë e tij, është e paarsyeshme, çdo veprim kundër tij është i kotë”.
Shënim:
Nihilizëm-i – mohim i plotë i të gjitha parimeve, i traditave
dhe i pikëpamjeve të ngulitura.
Pesimizëm-i - pikëpamje filozofike, e përcjellë me zymtësi, me
dëshpërim, me mosbesim për të ardhmen.
* * *
Mbinjeriu – Mbinjeriu është formë e vullnetit për pushtet që
e përcakton kuptimin e ekzistencës në botë. Qëllimi nuk është njerëzimi, por
më shumë se njeriu. Qëllimi i tij është rritja e vazhdueshme e
vullnetit për pushtet nga ku rezulton se nuk e qëllimin t’i nënshtrohet botës
mbinatyrore. Pohimi i vetvetes dhe jo nënshtrimi të mbinatyrshmes,
është thelbi i preokupimit të Niçes me mbinjeriun. Përndryshe,
njeriu mbetet të jetojë si një mikroborgjez në kënaqësitë e tij shtazore si
në një mjedis surrealist. Mbinjeriu është pasqyrë e vullnetit dionizian
që e do vetëm veten. Është pohim i përjetshëm i çdo gjëje që ekziston. Të bësh
mbinjeriun zot të botës do të thotë ta çnjerëzosh njeriun ekzistues, ta
zhveshësh atë nga vlerat e deritashme. Duke shkatërruar vlerat ekzistuese, gjë
që mundësohet nga mësimi për kthimin e përjetshëm të të njëjtës, mbinjeriu
shfaqet si natyrë, animalizëm, sundim i të pavetëdijshmes.
Me këtë, Niçe e
ndryshon apo e tjetërson njeriun nga njeriu i huaj, i krishterë, në njeri të
natyrës, në njeri të dehumanizuar apo të çnjerëzuar, me vlera të reja. Me fjalë të tjera, thelbin e njeriut Niçeja e përcakton
si një ekzistencë reaktive. Në këtë mënyrë, njeriu me vlera ekzistuese
duhet ta dëshirojë shkatërrimin e vet, rënien e vet, në mënyrë që ta tejkalojë
veten: Perënditë kanë perënduar, tani duam mbinjeriun – le të jetë kjo
në një mesdite të madhe, dëshira jonë e fundit.
Në historinë e
deritashme, njeriu nuk ka qenë i aftë ta zotërojë botën, për arsye se gjithmonë
ka qenë i orientuar kundër saj. Për këtë arsye, njeriu duhet të ngrihet mbi
vetveten, ta tejkalojë veten. Në këtë pikëpamje, mbinjeriu nuk është fryt i një
fantazie të shfrenuar të kotë. Në anën tjetër, ne nuk mund ta zbulojmë natyrën
e mbinjeriut brenda kornizës së historisë tradicionale të krishterë, por është
e nevojshme të shkëputemi prej saj. Pikërisht kjo shkëputje mund ta përcaktojë fatin dhe të ardhmen e
gjithë botës.
Niçeja thotë: “Kur ta shohësh
njeriun duke u mbytur, mos ia shtrij dorën për ta shpëtuar. Bjeri edhe një
shqelm, që të mbytet sa më parë”. Njëherazi shton: “A je
skllav, ti nuk mund të jesh mik, a je tiran, ti nuk mund të kesh miq”.
* * *
Ndërmjet filozofisë së Niçes dhe
jetës ekziston një lidhje e brendshme e ngushtë, shumë më e ngushtë se ajo e
filozofëve të tjerë. Niçeja ka shkruar shumë letra. Motivi i
vetmisë përbën thelbin e letrave të tij. Për vetminë e vet Niçeja ka folur
për herë të parë në letrat që ia dërguar
shokut të klasës, E. Rode. I ka shkruar gjatë shërbimit ushtarak. Në
njërën prej tyre thotë se është disi i vetmuar, për arsye se në rrethin ku
ndodhet nuk ka as mik as filolog. Niçeja i ri vetminë e kuptonte si një pengesë
të jashtme.
Vepra “Mbi gjërat njerëzore dhe
tejet njerëzore” nuk kishte shkaktuar ndonjë jehonë të madhe te miqtë e
tij, ndaj në vitin 1878 ai i shkruan kompozitorit gjerman Johan Hajnrih
Këzelic (Johann Heinrich Köselitz, 1854-1918). Vëren se problemet e
brendshme të njerëzve disi janë më të rëndësishme se ato të jashtmet.
Rrjedhimisht, e pranon se ndjehet i vetmuar jo pse fizikisht ndodhet larg tyre,
por ngase e ka humbur besimin tek ata. Vjen në përfundim se s’ka asgjë të
përbashkët me ta.
Thellimit të ndjenjës së vetmisë i
kontribuon edhe ndarja e dhimbshme me Lu Salomen dhe me studiuesin e
fizikanin gjerman, Paul Rej (Paul
Ludwig Carl Heinrich Rée,
1849-1901). U ndanë pas një miqësie të shkurtër por intensive. Për martesën,
Paul Rej thotë: “Shikuar në aspektin filozofik, martesa nuk është veçse
një akt joracional”.
Me filozofin nihilist njihej edhe
shkrimtarja gjermane Malvida fon Meysenbug (Malwida von Meisenbach, 1816
– Romë, 1903). Kjo ishte mike e gjeneralit, atdhetarit, revolucionarit dhe
republikanit italian Xhuzepe Garibaldi (Guiseppe Maria Garibaldi,
1807-1882). Ajo njihej edhe me Rihard Vagnerin.
Vitet e fundit, para se të rrënohej
në pikëpamje shëndetësore, Niçeja e humbi besimin ndaj miqve dhe miqësisë. Për
këtë dëshmon letra mbresëlënëse dërguar motrës së vet: “Që i vogël e deri më
sot, s’kam hasur askënd me të cilin ta kem pasur në zemër dhe në ndërgjegje të
njëjtën dhimbje. Të gjitha lidhjet njerëzore të mia kanë lindur nga sulmi i
ndjenjës së vetmisë. Oberveku mu si Ree, Malvida mu si Këzelici – isha mjaft i
lumtur kur me ndonjërin prej tyre gjeja apo besoja se kisha gjetur të paktën
diçka të përbashkët”.
Në letrën tjetër shkruan: “Me
përjashtim të Vagnerit, askush deri më sot, as me të njëmijtën pjesë të
pasionit, nuk tregoi mirëkuptim për të më kuptuar. Qysh i vogël, kam qenë vetë.
I tillë jam edhe sot, në moshën 44-vjeçare”.
* * *
Femra për të cilën
Niçeja ka qarë - Lu Salome - Me jetëshkrimin e Niçes ndërlidhet edhe figura e Lou
Andreas-Salome (Shën-Pjetërburg, Rusi, 1861 – Göttingen, Gjermani, 1937).
Ajo lindi në Rusi në një familje gjermane. Autore librash dhe psikanaliste. Ka
qenë e njohur në qarqet e elitës intelektuale të Evropës. Me filozofin gjenial
u njoh në vitin 1882. Ajo njihej me krijues letrarë artistikë të kohës, me
poetë, me romancierë, me dijetarë, me filozofë, midis tyre me kompozitorin e
famshëm – Rihard Vagner (Richard Wagner, 1813-1883), me
neurologun austriak të prejardhjes hebraike, themelues i
psikanalizës - Zigmund Frojd (Sigmund Freud, 1856-1939),
me psikiatrin dhe psikanalistin zviceran Karl Gustav Jung (Carl
Gustav Jung, 1875-1961), me psikanalisten britanike,
çifute e Austrisë, bijë e Zigmund Frojdit - Ana Frojd (Anna Freud,
Vjenë, 1895 – Londër, 1982) etj.
Lu ishte muza e Niçes. Por, ishte muzë edhe
e poetit austriak, të lindur në Pragë, Rainer Maria Rilke (1875-1926).
Jetën dhe veprën e filozofit mitik e
kanë hulumtuar dhe e kanë studiuar shumë biografë të kontinentit të vjetër dhe
më gjerë. Ka që thonë se nihilisti legjendar i paska ofruar Lu-së
martesë, por ajo nuk paska pranuar. Vjen një çast kur Niçe dhe Lu i prishin
raportet. Në veprën “Kështu fliste Zaratustra”, Niçeja thotë: “A
shkon te gruaja – mos e harro kamxhikun”. Për këtë arsye, disa studiues
e kanë quajtur Niçen mizogam. Në vitin 1894, Lu Salome boton veprën “Fridrih Niçe në
pasqyrën e krijimtarisë së tij”.
Motra e Niçes – Elizabeta
(Therese Elisabeth Alexandra Förster – Nietzsche, 1846-1935) nuk kishte raporte
të mira me Lu-në. Ishte kundër çfarëdo lidhjeje të Niçes me Lu-në.
* * *
Stili narrativ i të
shkruarit - Karakteristike për Niçen është stili i
tij. Stili është i tillë sikundër është njeriu. Bigoni thotë: “Stili
është njeriu dhe anasjelltas”. Veprat e tij më shumë i ngjajnë prozës
poetike sesa veprave filozofike. Nuk e ka pasur qetësinë e një shpirti të
baraspeshuar. Ka qenë emocional dhe me intuitë, i pasionuar dhe patetik. Gjuha
e heroit kryesor të “Zaratustrës” është gjuhë e ditirambit
dhe jo e një analize filozofike subtile (e hollësishme).
Niçeja pohon në mënyrë eksplicite: “Filozofia
ime sjell ide ngadhënjyese nga e cila shembet njëherë e mirë çdo mënyrë tjetër
e të menduarit”. Ai shkruan me frymëzim dhe me asociacione prek tema
filozofike, më tepër sugjeron sesa argumenton. Filozofinë e vet e quan eksperimentale
për arsye se eksperimenton me ide.
Për këtë arsye, ka studiues që thonë:
“Niçeja është infektues, helmues i rinisë”. Ai thotë: “E
mira më e madhe është pjellë e së keqes më të madhe”.
* * *
Dialogu ka dialektikë subjektive, e
ndrydh monologun. Për këtë arsye, Niçeja i merr në shënjestër “dialektikët”
Sokratin dhe Platonin. Idetë e veta, Niçeja i lanson furishëm.
Filozofon fuqishëm, ngase - siç thotë vetë – “Unë s’ jam njeri, jam
dinamit”.
Ka pasur të tillë që e kanë
konsideruar Niçen të marrë. Por ka pasur edhe studiues të cilët
kanë thënë: “Niçeja marrëzisht ka qenë i bindur për vërtetësinë e
pikëpamjeve të veta”. Vërtet Niçeja kishte dëshirë të barazohej me Dionisin
dhe me Zaratustrën dhe haptazi të shfaqet si profet.
E para dashuri intelektuale e Niçes
ka qenë Artur Shopenhaueri, nën krahun e të cilit u rrit edhe një gjeni
tjetër i pazakontë Zigmund Frojdi. Por, përballë pesimizmit të “mësuesit”, Niçeja zhvillon optimizëm
jetësor heroik. Ai çmon parasokratianët dhe spartanët.
Shkruan sipas shëmbëlltyrës së aforizmave të Heraklitit. Në
veprën e vet “Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës”, Niçeja dallon
elementin dionizian dhe apolonik të shpirtit dhe të frymës greke,
duke e interpretuar tragjedinë njësoj si filozofi grek - Aristoteli (384-322
para e. r.), si fisnikërim apolonik të synimeve dioniziane.
Niçeja e përcakton Apolonin* si parim të arteve
të figurative, kurse Dionisin* si parim të muzikës. Kjo
ndarje e Niçes e dionizianes dhe e apolonikes te njeriu, e
cila i ngjan dallimit që bën Frojdi midis Erosit* dhe Tanatosit*,
përputhet me dallimin e “idesë” te Hegeli* dhe “vullnetit” te Shopenhaueri.
Shënim:
Apoloni –
Hyjnia (Perëndia) antike greke e diellit, e poezisë dhe e muzikës; mbrojtës i
artit;
Dionisi – Perëndia
e verës;
Dionizian-e -
që i përket kultit të perëndisë së verës Dionisit; i lëshuar pas epsheve, i
shfrenuar, i dehur nga gëzimi; i shthurur;
Erosi –
në mitologjinë antike greke, Perëndi e dashurisë; eros – dashuri,
dëshirë e zjarrtë dashurie; pasion;
Tanatos –
sipas mitologjisë antike greke, Perëndi e vdekjes;
Hegeli
(Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-18310 – filozof gjerman, me prejardhje nga
një familje protestante. E kanë quajtur “Aristoteli i kohës së re”.
*
* *
Edhe për Niçen, shfaqja e Sokratit paraqet kthesë
në zhvillimin e kulturës greko-evropiane, por në kuptimin negativ.
Për Niçen, ai është dekadenti i parë, për arsye se me intelektualizmin
iluminist të tij i ka çrregulluar raportet ndërmjet elementit dionizian
dhe apolonik të kulturës, në favor të apolonikes. Sipas
Niçes, “prej Sokratit kultura vazhdimisht retardon (ngec), është
tepër racionaliste, me këtë edhe armiqësore ndaj jetës, e cila s’është gjë
tjetër pos ‘kthim i përhershëm i të njëjtës’, thelbi i së cilës është ‘vullneti
për pushtet’ “.
Veprat
- “Lindja e tragjedisë” (Die Geburt der Tragödie aus dem Geiste der Musik, 1872);
- “David Strauss: rrëfimtar dhe
shkrimtar” (David Strauss: der Bekenner und der Schriftsteller,
1873);
- “Mbi dobinë dhe dëmin e historisë
për jetën” (Vom Nutzen und Nachtheil der Historie für das Leben, 1874);
- “Shopenhaueri si
mësues” (Schopenhauer als Erzieher, 1874);
- “Rihard Vagneri në
Bajrojt” (Richard Wagner in Bayreuth, 1876);
- “Mbi gjërat
njerëzore dhe tejet njerëzore” (Menschliches,
Allzumenschliches, Ein Buch für freie Geister, 1878);
- “Mëngjesi” (Morgenröte.
Gedanken über die moralischen Vorurteile, 1881);
- “Shkenca e
hareshme” (Die fröhliche Wissenschaft, 1882);
- “Kështu fliste
Zaratustra, Libër për
çdokënd dhe për askënd” (Also Sprach Zarathustra, Ein - Buch für Alle
und Keinen, 1885) – rapsodi në prozë;
- “Në anën tjetër të
së mirës dhe të keqes” (Jenseits von Gut und Böse. Vorspiel einer Philosophie
der Zukunft, 1886);
- “Mbi prejardhjen e
moralit” (Zur Genealogie der Moral,
Eine Streitschrift, 1887);
- “Rasti Vagner” (Der Fall Wagner, Ein Musikanten-Problem, 1888);
- “Perëndimi i idhujve” (Götzen-Dämmerung,
oder Wie man mit dem Hammer philosophiert, 1888);
- “Antikrishti, Prejardhja e
krishterimit” (Der Antichrist. Fluch auf das Christentum, 1888);
- “Ja njeriu, si të bëhet njeriu
ai që është” (Ecce Homo, Wie man wird, was man ist, 1888);
- “Niçeja kundër Vagnerit” (Nietzsche
contra Wagner, Aktenstücke eines Psychologen, 1888);
- “Vullneti për
pushtet”, pas vdekjes