Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Liri, të kërkuam ndër shekuj
E premte, 23.02.2024, 09:00 PM
LIRI, TË KËRKUAM NDËR SHEKUJ
16-vjetori
i pavarësisë së Kosovës
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Sundimi i të huajve, sidomos sundimi
serbomadh, i ka shkaktuar plagë të madhe popullit shqiptar. Për të mbijetuar në
këto kodra të Ballkanit, nga gjiri i popullit lindën Micë Sokola. Duke u
përballur ndër shekuj me stuhi dhe furtuna, Kosova martire u shndërrua në
metaforë të qëndresës. Duke qenë vendës, shqiptarët lëshuan rrënjë të thella në
tokën dardane. U kalitën ndër luftëra dhe beteja dhe u bënë të fortë sa guri, u
shndërruan në shkëmb të pathyer. Lokja nënë i rriti bijtë në rrafsh dhe në
kodra, mu si shqiponja në maje të maleve të thepisura të Bjeshkëve të Nemuna.
Kosova, kjo dhimbje e kombit, diga e shqiptarisë përballë hordhive të egra
barbare, grabitqarëve dhe hienave gjakpirëse të gadishullit. Kosova, në ballë
të frontit për të mbrojtur folenë mijëvjeçare të shqipes.
Ti Kosovë u përballe me elaboratet e
ideologëve serbomëdhenj. Nuk u dorëzove para “Naçertanies” së Ilija Garashaninit. Nuk u theve as para
elaborateve të Vasa Çubrilloviqit dhe të Ivo Andriqit. U sulën mbi ty Kosovë,
akademikët sllavë. Deshën të të dëbojnë në tokë të huaj, në Anadolli. Tentuan
të të syrgjynosin, por ti Kosovë, me gjoksin të fortë si shkëmbi, u bëre ballë
erërave të furishme të historisë.
Luftërat dhe betejat e shqiptarëve të
Dardanisë janë vazhdim i qëndresës historike të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit (1405-1468), i cili
çerek shekulli e mbrojti qytetërimin evropian nga inkursionet aziatike.
Ti Kosovë ke dhënë shumë trima, që
s’harrohen kurrë.
Kosovë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që kërkoi t’i japë fund sundimit
osman. Në kërkim të dritës së lirisë, njëri ndër udhëheqësit kryesorë të
Lidhjes, Abdyl Frashëri (1839-1892)
trokiti në dyert e kancelarive evropiane. I tha Evropës: “Sot e tutje, nuk duam të jetojmë nën terrin dhe errësirën mesjetare.
Jemi pjesë e kontinentit dhe duam të na
pranoni në gjirin tuaj”. Kosovë e Haxhi
Zekës (1832-1902), prijësit ushtarak, njërit ndër organizuesit e Lidhjes,
udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kosovë e veprimtarit aktiv të
Lidhjes, Ymer Prizrenit (1820-1887).
Je Kosovë e luftëtarit revolucionar Azem Bejtës të njohur si Azem Galica (1889-1924) dhe e “Heroinës së Popullit” Shote Galicës (1895-1927) të cilët për lirinë e kombit, u përplasën me xhandarët e pashiqëve dhe të karagjorgjeviqëve. Kosovë e atdhetarit dhe demokratit, e udhëheqësit të lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, Heroit të Popullit Bajram Currit (1862-1925).
Je tokë e njërit prej ideologëve kryesorë të çlirimit
dhe të bashkimit kombëtar, Hasan
Prishtinës (1873-1933). Dardani e Shaban Polluzhës (1871-1945), mbrojtësit të vendosur të popullit, i cili
ra heroikisht në luftimet e përgjakshme kundër pushtuesve serbo-malazezë. Je
kullë e Tahir Mehës (1943-1981) në
Prekaz, i cili më 13 maj 1981, në
një përleshje me forcat pushtuese serbo-sllave, para se të vritej nga gjakpirësit,
vrau nëntë policë pushtues dhe dy të tjerë i plagosi.
Pas rënies së Azem Bejtës, gjyshi i
Tahir Mehës Emin Lati, në vitin 1941
pushkën e Azemit ia dorëzoi të birit Nebiut
(babait të Tahir Mehës). Kjo pushkë në dorën e Nebihut shkëlqeu edhe në luftën
e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban
Polluzhës, por edhe në luftën e Tahir Mehës kundër
policëve serbo-sllavë.
O hero i kullës së Prekazit, je në
trojet ilire, rrënjës në këto anë. Hienat e gadishullit nuk ia dolën jo, të të
shkulin. E rëndë sa guri, e fortë sa shkëmbi, para ardhacakëve të Karpateve nuk
u shtrove, nuk u shtrive kurrë.
Pushtuesit i provuan të gjitha mjetet
dhe metodat e dhunës. Të vranë, të plagosën, të burgosën, të torturuan, të
dënuan me dënime drakonike, të mbyllën në zandanë, në kazamate, por ti Kosovë, ja
ku je, më e fortë se kurrë. Ta morën bukën e gojës, të lanë pa bukë, pa dritë,
pa ditë. Të lanë në terr, në errësirë, në ngricë, por ty Kosovë, ja ku të kemi,
më të ndriçuar dhe më të shndritshme se kurrë. Të përballën me xhandarë, me
policë, me ushtarë, me paramilitarë, me çetnikë, me hetues, me prokurorë, me
gjyqtarë, me gardianë, por ti Kosovë s’u theve dot, ja ku të kemi, më të fortë
se kurrë. Kosovë, ti dhimbje e shqiptarisë, në vijën e parë të frontit, përballë
armiqve bizantinë dhe bolshevikë. Kosovë, ti digë e Arbërisë, plagët tua s’do
të kullojnë gjak më, jo!
Për të ecur para rrugës së lirisë,
profesor Anton Çetta (1902-1995) u
tha bashkëkombësve: “T’i japim fund
gjakmarrjes”. Në vitin 1990 erdhi në krye të Këshillit Qendror të Lëvizjes kombëtare për pajtimin e gjaqeve.
Plaku i urtë ia doli të
pajtonte mijëra familje që ishin në hasmëri. Deri kah mesi i viteve ’90 dukuria
e gjakmarrjes u zhduk pothuajse krejtësisht.
Kosovë e Adem Demaçit (1936-2018),
Nelson Mandelës së Evropës, i cili para
kolonialistëve serbo-çetnikë qëndroi si shkëmb graniti. Bacë, nuk të thyen hienat
grabitqare. Një jetë të tërë ia kushtove idealit të bashkimit kombëtar. U bëre
ballë stuhive, Ti o simbol i qëndresës heroike.
Nga gjiri yt Kosovë, doli edhe Ibrahim Rugova (1944-2006). Ky u tha
pushtuesve sllavë: “Sot e tutje, në
Dardani s’ka për të pasur parti komuniste jugosllave. Do t’i çelim shtigjet
tona të dritës dhe të përparimit. Tani e tutje, miqtë tanë Kosovë, do t’i kërkojmë
dhe do t’i gjejmë në Perëndim - në Uashington, Berlin, Londër, Romë. Për ty
Kosovë, njësoj si për mbarë kombin, dielli shqiptar lind në Perëndim”.
Ti e linde Dardani Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilës iu bashkëngjitën bijtë dhe
bijat më të shtrenjtë të shqiptarisë.
Nga gjaku yt Kosovë, lindi kryetrimi i
Arbërisë, Adem Jashari. Për liri,
pavarësi, demokraci dhe bashkim kombëtar, u kacafyt me murrlanin, me stuhitë,
me furtunat. Me erërat u përplas, me vetëtimë i mpiu sytë. Qëndresa e tij është
luftë epike, e paparë në Evropën e shekullit njëzet. Prej kullës së qëndresës,
i priti me gjoks plumbat e armikut, artilerinë e rëndë të përbindëshit sllav.
Ai dhe pushka e tij, përballë tankeve, mortajave, granatave. Nuk shtrihet jo,
Iliria. Nuk thyhet jo, Arbëria. Nuk jepet jo, Dardania. Përballë përbindëshave,
si një mal hijerëndë, i patundur qëndroi.
Kryekomandant, krenaria jonë, nderi dhe
lavdia jonë. Na e solle lirinë dhe dritën, na dhe historinë, na bëre me nder.
Je i gjallë, jeton në zemrën e çdo shqiponje. Për brezat e sotëm, pasardhës të
ilirëve të moçëm, stërnipa dhe stërmbesa të Skënderbeut (1405-1468), bijë të Nënë Terezës (1910-1997), Ti o trim epik je burim i pashtershëm
frymëzimi. Prej Teje mësojmë se si ruhet
pragu i shtëpisë, si mbrohet toka e të parëve, si fitohet liria. Nga Ti mësojmë se gjaku është i shtrenjtë dhe i
shenjtë vetëm kur derdhet në luftë për liri dhe pavarësi - kundër armikut.
Flijimi yt është sakrificë sublime. Flijimi yt Bacë, e ka emrin Kosovë, e ka
emrin liri, pavarësi, demokraci. Je dinjiteti ynë. Ti Bacë u le një porosi të
rinjve, brezave. U sugjerove ta duan atdheun, të mësojnë ditë e natë. Ua tregove
fjalët e Naimit Frashërit (1844-1900):
“... dhe dritë e diturisë përpara do na
shpijë ... “, ua bëre me dije se një popull ecën para vetëm me punë të
ndershme. I këshillove ta luftojnë të keqen dhe padrejtësinë në radhët e tyre,
të mos shpërngulen nga mëmëdheu, të krijojnë familje, t’i respektojnë miqtë
perëndimorë, ta ruajnë miqësinë e përjetshme me Amerikën. U tregove brezave se
shqiptarët kanë vetëm një flamur, se flamuri i tyre është ai Gjergj Kastriotit,
se himni i tyre është ai që i bashkon “Rreth
flamurit...”, se hero kombëtar i tyre është Skënderbeu, loke e shenjtë e tyre është Nënë Tereza., ideal i çdo shqiptari është bashkimi kombëtar.
Na mësove kryekomandant se kryevlera
jonë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Na e bëre me dije se ushtria dardane doli nga gjiri i popullit, se në radhët e
saj u rreshtuan bijtë dhe bijat më të shtrenjtë të kombit.
Ti je gjallë Bacë, jeton në zemrat
tona. Në saje të epopesë së Jasharajve,
ne sot marrim frymë lirisht. Armiqtë janë flakur përtej kufirit të Dardanisë.
Na mësove se si ta duam paqen, të jetojmë në paqe me të gjithë popujt
paqedashës. Na mësove të punojmë dhe ta begatojmë jetën, të jemi solidarë, t’i
ndihmojmë njëri-tjetrit. Në saje të mësimeve Tua, çdo bir shqiponje në zemër e
ka Shqipërinë. Ti na e rikujtove se Shqipëri i thonë tokës, ku bukës i thonë
bukë dhe ujit ujë.
Monumenti i pavdekësisë Tënde është
shndërruar në vend pelegrinazhi dhe homazhi. Varrezat e dëshmorëve të kombit,
monumentet e Jasharajve i vizitojnë i madh e vogël. Mbi monumentet prej mermeri
të bardhë vënë lule të freskëta dhe përulen me pietet. Shumë prej tyre s’i
mbajnë dot lotët. Vijnë nxënës, studentë, zejtarë, bujq, blegtorë, njerëz të
biznesit, krijues artistikë, qytetarë të rëndomtë dhe intelektualë. Vijnë nga
të gjitha trojet shqiptare, vijnë bijt e shqipes nga diaspora, kalojnë dete dhe
oqeane. Para sakrificës Tënde përulen mijëra të huaj.
Presidenti i ShBA-së, Xhorxh W. Bush (George W. Bush, 1946- ),
me rastin e vizitës së tij në Tiranë më 10 qershor 2007, me bashkëshorten Laura Bush (1946- ), paralajmëroi
shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Orakulli i Dodonës dhe ai i Delfit
parathoshin ditë më të mira për shqiponjat.
Pas një kohe të caktuar, më 17 shkurt
2008, ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht
udhëheqësit politikë të shtetit, e shpallën mëvetësinë e Republikës së Kosovës.
Bacë, u krye.
Kjo ngjarje na përkujton vjeshtën e
tretë të vitit 1912 kur Ismail Qemali
(1844-1919) e shpalli në Vlorë mëvetësinë e Shqipërisë. Sundimi, shtypja dhe
pushtimi sllav mori fund njëherë e përgjithmonë. Kosova ecën para drejt
integrimit në familjen e botës së qytetëruar.
Ditën e shpalljes së pavarësisë, bënte
ftohtë. Megjithëkëtë, atë ditë qindra mijë shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve
të tjera etnike, i pushtuan dhe i mbërthyen sheshet e qyteteve të Dardanisë. Filloi
festa e cila zgjati deri në zbardhjen e ditës së re. Të rinj e pleq, vajza e
djem, gra e burra, me flamuj kombëtarë në duar luanin vallen e shqipes. Rapsodët
u këndonin dëshmorëve të kombit që ranë në altarin e lirisë. Kremtimin e kësaj
dite të shënuar e transmetuan të gjitha mediumet më prestigjioze të rruzullit.
Gjysma e kombit, pas një kalvari dhe golgote shekullore, të paparë në Evropë,
për herë të parë thithte ajrin e lirisë.
Valonin edhe flamuj amerikanë. Dikush mbante
në dorë portretin e presidentit amerikan Bill
Klinton (William Jefferson Clinton, 1964- ), dikush tjetër, atë të
sekretares amerikane të shtetit, çifutes
së lindur në Pragë, Medlin Ollbrajt
(Madeleine Albright, 1937-2022).
Për një kohë të shkurtër, pavarësinë e republikës
ës re e njohën 117 vende të botës. Gjatë periudhës së pavarësisë, Kosova
ndërtoi institucione demokratike, infrastrukturë, autostrada. U ndërtua edhe Rruga e Kombit. Qindra mijë shqiptarë
të Kosovës, çdo vit e vizitojnë Shqipërinë dhe i shijojnë rrezet e Adriatikut e
të Jonit.
Kosova gjithmonë do t’i përkujtojë dhe
do t’i nderojë dëshmorët e kombit të rënë për liri. Do të kujdeset për
familjarët e dëshmorë dhe për bijtë e tyre. Ajo kurrë s’ka për të hequr dorë
nga zbardhja e fatit të të pagjeturve.
Kosova sot është shteti më i
konsoliduar i rajonit. Ajo ndërtoi ligje sipas të cilave të drejtat e pakicave,
përfshi edhe të drejtat e minoritetit serb, respektohen si në asnjë vend tjetër
të Bashkimit Evropian. Për fat të keq, ora e Serbisë është ndalur dhe ka ngecur
në shekullin nëntëmbëdhjetë.
Cilido gjeneral ushtrie që do të shkelte
si pushtues në tokën arbërore, humbjen e ka të pashmangshme. Në mbarim të
luftës, s’do t’i mbetej tjetër, pos t’i mbledhë në thasë najloni, kockat apo
eshtrat e ushtarëve të shtrirë në fushëbetejë.
Kosovë, e vogël je, e pakë, e veshur me
shajakë, por përmbi supet e tu të njomë i mbajte të gjitha ëndrrat e shekullit
tonë. Ishte ëndrra zjarre, flaka e pushkës çlirimtare.
Në kërkim të lirisë ndër shekuj, tehut
të shpatës kemi ecur prore.