Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Teknika e përroit të ndërgjegjes në letërsi
E hene, 24.06.2024, 06:59 PM
TEKNIKA E PËRROIT TË NDËRGJEGJES NË LETËRSI
(anglisht: STREAM CONSCIOUSSNES)
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Romani “Uliksi” (Ulysses, 1922) i prozatorit dhe poetit irlandez Xhejmz Xhojs
(James Joyce, Dublin, 1882 –
Cyrih, 1941) konsiderohet sot si një prej shembujve më të mirë të zbatimit të
teknikës së përroit të ndërgjegjes në letërsi.
Në teorinë e letërsisë, përroi i ndërgjegjes ose rrjedha e ndërdijes është një teknikë
narrative apo mjet që ka të bëjë “me pasqyrimin e një mozaiku
asociacionesh të mendimeve, të ndjenjave dhe të përshtypjeve të personazheve në
tekstin letrar”. Për këtë teknikë narracioni përdoret edhe termi monologu i brendshëm. Termin e
krijoi filozofi dhe psikologu amerikan Uilliam
Xhejmz (William James) në veprën e tij “Parime të psikologjisë” (The
Principles of Psychology) të botuar në vitin 1890. Në kontekstin letrar, termin
e përdori për herë të parë në vitin 1918, shkrimtarja britanike Mej Sinkler (May Sinclair, pseudonim i
Mary Amelia St. Clair, 1863-1946) kur i analizonte veprat e prozatores angleze Doroti Riçërdson (Dorothy Richardson,
1873-1957).
Përkufizimi – Përroi i
ndërgjegjes është teknikë narrative që synon të pasqyrojë ekuivalentin e
shkruar të proceseve mendore të
personazheve, qoftë nëpërmjet monologut
të brendshëm jo aq të lidhur, qoftë lidhur me veprimin e tyre. Stili i të
shkruarit me përroin e ndërgjegjes
kryesisht konsiderohet formë e veçantë e
monologut të brendshëm. Ky stil i të
shkruarit karakterizohet nga kërcimet e asociacioneve, nga dekonstruksioni apo nga
shkelja e rregullave të sintaksës si dhe nga mungesa e plotë apo e pjesshme e
shenjave të pikësimit (interpunksionit).
Përroi i ndërgjegjes nuk është si monologu i dramës apo solilokvij,
ku folësi i drejtohet publikut apo një personi të tretë, që janë karakteristike
për poezisë dhe dramën. Te romani i përroit
të ndërgjegjes, proceset apo rrjedhat e mendimeve të personazhit paraqiten
kryesisht sikundër zhvillohen vetëm në
kokën e tij (apo i drejtohen vetë atij); aty kemi të bëjmë me teknikën e thurjes
(të ngatërresës, të ndërlikimit).
Termin e krijoi në vitin 1890 filozofi dhe psikologu
amerikan Uilliam Xhejmz (William James) në veprën epokale të tij The Principles of Psychology: “Ndërgjegjja (vetëdija) nuk i duket vetes e
ndarë në copa...ajo nuk është fare e lidhur; ajo rrjedh. ‘Përroi’ apo ‘rryma’
janë shprehje me të cilat ky proces përshkruhet në mënyrë më të natyrshme. Kur
të flasim për këtë në vijim, këtë do ta quajmë rrymë (rrjedhë) të mendimeve, të
ndërgjegjes apo jetë subjektive”.
Shënim: Në këtë roman të nobelistit amerikan Fokner flitet
për shkatërrimin e katër fëmijëve të familjes së vjetër Kompson, të përfshirë
në historinë e jugut të Amerikës. Njëherazi kemi të bëjmë me një roman
inovativ, eksperimental të përroit të
ndërgjegjes që mund të qëndrojë pranë “Uliksit”
të Xhejmz
Xhojsit.
* * *
Pjesë caktuara të romanit “Këlthitja dhe mllefi” (The Sound and the Fury, 1929) të shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner (William Faulkner,
1897-1962) ilustrojnë mënyra të ndryshme të përdorimit të teknikës së përroit të ndërgjegjes. Bëhet fjalë për një
segment në pjesën e dytë (2 qershor 1910) të pasqyruar nga perspektiva e Kentin
Kompsonit (Quentin Compson), e që pothuajse tërësisht është shkruar me teknikën
e përroit të ndërgjegjes.
Pjesë nga romani “Këlthitja
dhe mllefi”, e shkruar me teknikën e
përroit të ndërgjegjes:
Vetëm duke imagjinuar atë korije m'u duk se mund të dëgjoja pëshpëritjen
baticën e ulët vlimin e gjakut të nxehtë nën lëkurën e egër të pamaskuar të
shikoja nën kapakët e kuq derrat e zgjidhur në çifte që ia mësyjnë detit kurse
ai ne patjetër të rimë zgjuar një kohë të caktuar për të parë sesi bëhet e
keqja kjo s’është përgjithmonë ndërsa unë për një njeri të guximshëm kjo nuk
duhet të zgjasë aq shumë kurse ai a e konsideron këtë si guxim e unë po baba e
ti a nuk po e konsideron kurse ai çdo njeri është arbitër i shkathtësive të
veta a e konsideron ti të guximshëm apo jo më i rëndësishëm është se vetë akti
se cilido akt ndryshe nuk do të mund të mendonte seriozisht kurse unë ti nuk
beson se unë mendoj seriozisht kurse ai mendon se ti mendon tepër seriozisht
....
Uilliem Fokner, “Këlthitja dhe mllefi”
Monologu i brendshëm
E gjora Kentin (Quentin)
është mbështetur në shuplakat e duarve të shtrënguara
rreth gjunjëve
ti këtë kurrë s’e ke bërë apo jo
ç’është ajo që s’e kam bërë
atë që e kam bërë unë
po po e kam bërë shumë herë me shumë vajza
dhe atëherë kam qarë dhe dora e saj përsëri më preku
kurse qaja
i mbështetur në bluzën e saj të lagët dhe atëherë ajo
rinte shtrirë
me shpinë dhe shikonte mbi kokën time në qiell e pashë
qartë
skajin e bardhë nën brekët e larme të saj e hapa
thikën
a të kujtohet ajo ditë kur vdiq gjyshja kur rije në
ujë me brekë
po ia mbaja majën e thikës në fyt....
* * *
Ka burime apo studiues të cilët përroin e ndërgjegjes dhe monologun
e brendshëm i quajnë sinonime.
Oxford Dictionary of Literary Terms konsideron se këto dy nocione mund të dallohen, si në
pikëpamje psikologjike ashtu edhe në pikëpamje letrare. Në kuptimin
psikologjik, përroi i ndërgjegjes
është subjekt, ndërsa monologu i
brendshëm është mënyrë e prezantimit të subjektit. Në aspektin letrar, monologu i brendshëm vërtet gjithmonë i
prezanton mendimet e personazhit ‘drejtpërsëdrejti’, pa ndërhyrjen e ndonjë
narratori (tregimtari), të njëjtat mendime nuk i kombinon me domosdoshmëri me
mbresat (impresionet) dhe me perceptimet as që i shkel me domosdoshmëri rregullat gramatikore apo bazat e logjikës, ndërsa përroi i ndërgjegjes e bën njërën prej tyre madje edhe që të dyja.
Po ashtu edhe Encyclopædia Britannica Online, edhe pse e pranon se këto dy nocione
shpeshherë ndërthuren apo gërshetohen, thekson se monologu i brendshëm,
ndonëse vërtet mund t’i pasqyrojë të gjitha gjysmë-mendimet, mbresat
(impresionet) dhe asociacionet që ekzistojnë në vetëdijen (në ndërgjegjen) e
personazhit, ai mund të kufizohet edhe në prezantimin e organizuar të mendimeve
racionale të një personazhi.
Zhvillimi historik i teknikës së përroit të ndërgjegjes
Pionierët e përroit të
ndërgjegjes – Edhe pse përdorimi i
teknikës së përroit të ndërgjegjes
ndërlidhet kryesisht me romanin modern të gjysmës së parë të qindvjeçarit XX,
ekziston një seri e plotë e përdorimit të kësaj teknike edhe në periudha të
mëhershme, ndonëse jo në formë të pastër siç paraqitet në periudhën e pjekur.
Zhvillimi historik i teknikës
së përroit të ndërgjegjes mund të
vështrohet në tri periudha:
1. Përdorimi fillestar i
teknikës së përroit të ndërgjegjes
deri në vitin 1922
Ndër shembujt e parë të përdorimit të kësaj teknike
përmendet romancieri anglez Lorens Stern
(Laurence Stern, 1713-1768). Ka studiuar në Universitetin e Kembrixhit
(Cambridge). Është fenomen unik në letërsinë shekullit XVIII. Kemi të bëjmë me romanin psikologjik të tij, kryeveprën “Jeta dhe mendimet e Tristram Shendit,
xhentëlmenit” (The Life and Opinions of Tristram Shandy, Gentleman, 1-2,
1759, 3-4, 1760, 5-6, 1761, 7-8, 1765, 9, 1767). Ky roman, i mohuar nga
bashkëkohësit, aq sa edhe i vlerësuar lartë, përcaktoi në mënyrë vendimtare
zhvillimin e prozës moderne narrative
(tregimtare).
Kritikët kanë sugjeruar se teknikën e përroit
të ndërgjegjes e ka paralajmëruar tregimtari dhe poeti amerikan Edgar Alan Po (Edgar Allan Poe,
1809-1849) në tregimin e tij “Tregim i
zemrës “ (The Tell-Tale Heart, 1843).
Si një prej ndikuesve potencialë të drejtpërdrejta mbi
mjeshtrit e teknikës së përroit të
ndërgjegjes, Xhejmz Xhojsin dhe Virxhinia Ulfin* (Virginia Woolf)
përmendet shkrimtari francez Eduar
Dyzharden (?douard Dujardin, 1861-1949) me romanin e vet “Dafinat janë prerë” (Les lauriers sont coupés, 1887)*.
Për ta arritur subjektivizimin e skajshëm të prosedesë dhe të temës, autori e
zbaton në mënyrë konsekuente teknikën narrative (tregimtare) të
monologut të brendshëm, që është një prej prosedeve moderniste kyçe. Me
këtë vepër Dyzhardeni u radhit ndër paraardhësit e ripërkufizimit të zhanrit
romanesk, kulmi i të cilit do të arrihet në romanet e romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust,
1871-1922), të prozatorit dhe poetit irlandez Xhejmz Xhojs (James Joyce,
1882-1941) dhe të prozatores dhe
eseistes angleze Virxhinia Ulf (Adeline
Virginia Woolf, 1882-1941).
Shënim: Në romanin “Dafinat
janë prerë” të Dyzhardenit flitet për një ditë të një të riu të dashuruar.
Shënim: Virxhinia Ulf, ndonëse shumë e arsimuar, ka pasur arsimim joformal, d.m.th. nuk ka ndjekur
shkollim të rregullt. Në vitin 1912 u martua me teoricienin politik dhe shkrimtarin
britanik Leonard Ulf (Leonar Sidney
Woolf, 1880-1969). Eseja e saj “Një dhomë
më vete” (A Room of One’s Own, 1929)
është vepër themelore e feminizmit. E munduar prej sulmeve
të depresionit, bëri vetëvrasje duke u mbytur në lumin Ouse në afërsi të pronës
në Rodmell në Sussex.
* * *
Disa kritikë kanë thënë se fillimet e teknikës së
përroit të ndërgjegjes mund të hasen edhe te novelisti dhe dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehov (1860-1904), te
shkrimtari norvegjez Knut Hamsun* (1859-1952)
dhe te romancieri, novelisti dhe kritiku amerikan Henri Xhejmz (Henry James, 1843-1916).
Shënim: Romancieri, novelisti dhe kritiku amerikan Henri Xhejms është vëlla i filozofit
dhe psikologut të njohur Uilliam Xhejmz (Wiliam
James, 1842-1910).
Shënim: Shkrimtari Knut
Hamsun nuk ka pasur ndonjë arsimim formal të madh, d.m.th. nuk ka ndjekur
shkollim të duhur.
* * *
Ka kritikë që sugjerojnë se
teknikën e përroit të ndërgjegjes e
ka përdorur për herë të parë në mënyrë të plotë tregimtari dhe dramaturgu austriak,
me prejardhje hebraike Artur Shnicler (Arthur
Schnitzler, ) në novelën e tij “Togeri Gustl”
(Leutnant Gustl, 1900). Shnicleri
ishte mjek. Më pas u bë shkrimtar i lirë. Është një prej përfaqësuesve qendrorë
të modernes austriake.
Zhvillimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes mbërriti në avangardë. Një prej të parëve që i shfrytëzoi segmentet e tilla
është romancieri francez Marsel Prust (Marcel
Proust, 1871-1922) në ciklin e romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim të kohës së humbur” (À la recherche
du temps perdu,1913-1927).
Elemente të tilla, shkrimtarja britanike Mej
Sinkler (May Sinclair, pseudonim i
Mary Amelia St. Clair, 1863-1946), ka gjetur në veprën e prozatores
angleze Doroti Riçërdson (Dorothy
Richardson, 1873-1957).
Monologu i brendshëm është i pranishëm edhe në poemën “Kënga e dashurisë
e J. Alfred Prufrock” (The Love Song of J. Alfred Prufrock, 1915)
të poetit, kritikut dhe dramaturgut anglo-amerikan Tomës Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965).
Shënim: Tomës Stërnz Elliët u
shkollua në Harvard, Sorbonë dhe Oksford. Në vitin 1948 mori çmimin “Nobel”.
2. Përdorimi i teknikës së përroit të
ndërgjegjes
prej viti 1922 deri në shekulli XXI
Përdorimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes arriti kulmin në fillim të dhjetëvjeçarit të
tretë të shekullit XX. Kjo teknikë letrare filloi të përdoret mirëfilli në
vitin 1922 kur u botua romani epokal “Uliksi”
(Ulysses) i Xhejmz Xhojsit (James
Joyce).
Përdorimi i mëtejmë i kësaj teknike vërehet në romanin
“Ndërgjegjja e Zenit” (La coscienza di
Zeno, 1923) të prozatorit italian, nga nëna hebre, nga babai gjerman, Italo Svevo (Trieste, 1861 – Motta di Livenza/Treviso, 1928).
Romani i sipërthënë është kompleks. Aty relativizohet çështja e shëndetit dhe e
sëmundjes dhe polemizohet me metodën psikanalitike të rrëfimit, duke qenë i
shtrirë në kanape.
Shënim: Në vitin 1906
filloi miqësia e tij afatgjatë me Xhejmz
Xhojsin (James Joyce) i cili
një kohë punoi si arsimtar në Trieste.
Pasojnë romanet “Zonja
Dallovej” (Mrs. Dalloway, 1925)
dhe “Te fari” (To the Lighthouse, 1927) të prozatores dhe eseistes angleze Virxhinia Ulfit (Virginia Woolf). Në
romanin “Zonja Dallovej” autori flet
për jetën e heroinës, të pasqyruar brenda një dite.
Në vitin 1929 del romani “Këlthitja dhe mllefi” (The Sound and the Fury, 1929) i shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner (William Faulkner,
1897-1962).
Shënim: Në vitin 1949 Fokneri u vlerësua me çmimin “Nobel”.
* * *
Monologun e brendshëm në trilogjinë apo në romanet e veta “Moloj”
(Molloy, 1951), “Malone vdes” (Malone
meurt, 1952) dhe “I paemër” (L’Innommable) e përdor edhe
romancieri dhe dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes franceze, miku i
Xhojsit, Semjuel Beket (Samuel
Beckett, 1906-1989), ndonëse është pikëpyetje nëse në veprat e sipërthëna kemi
të bëjmë pastër me përroin e ndërgjegjes.
Shënim: Në vitin 1969 Semjuel Beketit iu dha çmimi Nobel”.
Kritikët kanë sugjeruar se teknika e përroit të ndërgjegjes shfaqet edhe në
ndonjë vepër të prozatorit anglez me prejardhje indiane Selman Rushdi (Salman Rushdie, Bombei, 1947- ).
Shfaqet edhe në romanin “Kambana e qelqtë” (The Bell
Jar, 1963) të poetes amerikane Silvia Pladh (Sylvia Plath, Boston,
1932 – Londër, 1963). Është romani i vetëm i saj.
Përroin e ndërgjegjes e hasim edhe në krijimet e shkrimtarit
skocez Irvin Velsh (Irvine Welsh,
1958- ).
Shënim: Poetja Silvia
Pladh (Sylvia Plath) ka tentuar të bëjë vetëvrasje. Këtë krizë dhe mjekimin
afatgjatë në klinikën për sëmundje shpirtërore e ka paraqitur në romanin e
njohur autobiografik “Kambana e
qelqtë” (The Bell Jar). Metafora
kryesore të vargjeve të saj janë tmerri dhe
vdekja. Studioi në Amerikë, më pas në
Kembrixh (Cambridge) në Angli. Atje u njoh me poetin anglez Ted Hjuz (Ted Hughes, 1930-1998), me të
cilin, në vitin 1956 u martua. Pas kësaj, dy vjet i kaluan në Amerikë duke
punuar si arsimtarë. Në vitin 1959 u kthyen në Angli. Martesa së shpejti u
rrënua, ndërsa poetja Pladh helmoi veten
me gaz, pa i mbushur të tridhjetat. Përmbledhja e saj “Ariel” e botuar në vitin 1966, d.m.th. pas vdekjes, ndikoi që
vdekja e saj të shndërrohet në legjendë, që vuajtja e saj të bëhet simbol i
dëshpërimit ekzistencial dhe i neurozave të një brezi të tërë, ndërsa poezitë e
saj të marrin përmasa mitike. Adhuruesit e Silvia Padh për vdekjen tragjike të
saj e konsideronin përgjegjës edhe ish-burrin e saj Ted Hjuz (Ted Hughes). Në
vitin 1999 ai botoi librin e kujtimeve për poeten “Letra ditëlindjeje” (The Birthday Letters). Edhe shumë dekada pas
vdekjes, nuk u shua interesimi i publikut për poeten tragjike.
3. Teknika e përroit të ndërgjegjes
Edhe pse në masë më të vogël, përroi i ndërgjegjes shfaqet edhe në letërsinë bashkëkohore. Shembuj
të rëndësishëm janë romani “Vepra
zemërthyese e gjeniut mahnitës“ (A Heartbreaking Work of Staggering Genius)
i shkrimtarit amerikan Dave Eggers (1970);
romani “Amuleto” i shkrimtarit kilian
Roberto Bolano (1953-2003) dhe romani “Everything Is Illuminated” i shkrimtarit amerikan Xhonatan Safran Foer (Jonathan Safran
Foer, 1977- ).