Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kush si votoi lidhur me Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë
E hene, 27.05.2024, 07:50 PM
KUSH SI VOTOI LIDHUR ME REZOLUTËN PËR GJENOCIDIN NË SREBRENICË
Serbi, të ka shkelur koha. Je e vogël për të
qenë e madhe!
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme
të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork u miratua propozimi që 11 korriku të
shpallet “Ditë ndërkombëtare e
përkujtimit dhe e shënimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”. Prej
gjithsej 193 shteteve, për aprovimin e Rezolutës votuan 84 shtete. Kundër ishin 19 shtete,
ndërsa abstenuan 68 sish. Në momentin e votimit, 22 shtete nuk ishin të
pranishëm në sallë.
* * *
Rezolutën e mbështetën shtetet: Afrika e Jugut, Andora, Arabia Saudite, Australia,
Austria, Bangladeshi, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Britania e Madhe,
Brunei, Bullgaria, Çadi, Çekia, Danimarka, Egjipti, Ekuadori, Estonia, Fixhi,
Finlanda, Franca, Gambia, Guajana, Guineja Bisao, Gjermania, Holanda, Indonezia,
Iraku, Irani, Irlanda, Islanda, Italia,
Ishujt e Gjelbër (Kabo Verde), Japonia, Jemeni, Jordania, Kanadaja, Katari,
Kili, Koreja e Jugut, Kolumbia, Kosta-Rika, Kroacia, Kuvajti, Letonia, Libia,
Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malajzia, Malavi, Mali i Zi, Malta,
Maqedonia e Veriut, Mauritania, Mianmari, Mikronezia, Moldavia, Nigeri,
Norvegjia, Pakistani, Pallau, Polonia, Portugalia, Rumania, Ruanda,
Salvadori, San-Marino, Senegali,
Sierra-Leone, Singapori, Sllovenia, Spanja, Suedia, ShBA-ja, Shqipëria,
Tanzania, Tunizia, Turqia, Ukraina, Uruguai, Xhibuti, Zambia, Zelanda e Re dhe
Zvicra.
Kundër rezolutës votuan shtetet: Antigua-Barbuda,
Bjellorusia, Dominika, Eritreja, Esuatini, Grenada, Hungaria, Ishujt Komore,
Kina, Koreja Veriore, Kuba, Mali, Nauru, Nikaragua, Republika Demokratike e
Kongos, Rusia, Sao-Tome-e-Principe, Serbia dhe Siria.
Abstenuan shtetet: Algjeri, Angola,
Argjentina, Armenia, Bregu i Fildishtë, Ishujt Bahama, Bahrejni, Barbadosi,
Benini, Butani, Bocuana, Brazili, Burundi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia,
Filipinet, Gaboni, Gana, Greqia, Guatemala, Guineja, Guineja Ekuatoriale,
Gjeorgjia, Haiti, Hondurasi, India, Kamboxhia, Kameruni, Kazakistani, Kenia,
Kiribati, Kongo, Laosi, Lesoto, Libani, Madagaskari, Maldivet, Meksika,
Mongolia, Mozambiku, Namibia, Nepali, Nigeria, Omani, Panamaja, Papua Guineja e
Re, Paraguai, Peru, Qiproja, Republika Dominikane, Seishelet, Sen-Kits, Sen-Lui
(në Afrikë), Sen-Vincent, Sllovakia, Ishujt Solomon, Sudani Jugor, Sri-Lanka,
Sudani, Surinami, Tajlanda, Taxhikistani, Togoja, Trnidad-e-Tobago, Tuvallu,
Uganda, Vietnami dhe Xhamajka,
Në momentin e votimit nuk ishin të pranishëm në sallë
22 shtete: Afganistani, Afrika Qendrore,
Azerbajxhani, Belize, Bolivia, Burkino Faso, Ishujt Marshall, Izraeli,
Kirgizia, Liberia, Mauriciusi, Monako, Maroku, Samoa, Somalia, Timor Lindor,
Tongo, Turkmenia, Uzbekistani, Vanuatu, Venezuela, Zimbabve.
*
* *
Rrjedha e seancës në Asamblenë e
Përgjithshme të KB-ve
Me dokumentin, 11 korriku shpallet Ditë
ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, dënohet mohimi i
gjenocidit si dhe glorifikimi i
krimeve të luftës. Propozues të dokumentit ishin Gjermania
dhe Ruanda, të mbështetura prej tridhjetë vendeve bashkë-sponsorë. Para
se të bëhej votimi, përfaqësuesja e Gjermanisë në KB, Antje Lendertse (1963-
) i ftoi shtet që ta mbështesin rezolutën, duke theksuar se ajo “nuk është e drejtuar kundër askujt, e
posaçërisht jo kundër Serbisë”.
Ajo theksoi se “rezoluta ka të bëjë
vetëm me kryerësit e gjenocidit”, duke
shtuar se “gjatë luftës kanë pësuar të
gjitha bashkësitë etnike “. Qëllimi është që “të njihen të gjitha viktimat”.
Beogradi zyrtar doli kundër aprovimit të
rezolutës, duke pohuar se në këtë mënyrë populli serb do të shpallej “popull
gjenocidal”. Në Sarajevë
ndërkaq, rezolutën e konsiderojnë si një rast që do të bënte të mundur vazhdimin e pajtimit.
Në korrik të viti 1995 pjesëtarët e
Ushtrisë së Republikës Serbe vranë Srebrenicë 8.372 vetë, midis tyre edhe fëmijë. Srebrenica ndodhet në
Republikën Serbe, e cila është një prej dy entiteteve të Bosnjës dhe
Hercegovinës.
Përkundër aktgjykimeve të Gjykatës
Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GjNPJ), të Gjykatës Ndërkombëtare të
Drejtësisë dhe të gjykatave të vendit, për gjenocidin në Srebrenicë, edhe pas
tri dekadave, ka dallime në pikëpamje.
* * *
Prej vendeve evropiane, kundër rezolutës
ishin Serbia, Rusia, Bjellorusia dhe Hungaria. Prej shteteve
të mëdha, kundër rezolutës votoi vetëm Kina.
Rezolutën e
mbështetën të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, të gjitha vendet e
ish-Jugosllavisë – Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe
Maqedonia e Veriut.
Prej vendeve evropiane, abstenuan vetëm
Gjeorgjia, Armenia, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
* * *
Me të filluar
seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u kumtua se
Vanuatu, një vend i vogël ishullor diku kah Australia, e ka tërhequr
bashkë-sponsorimin e rezolutës.
Si vend propozues i rezolutës, e para e
mori fjalën përfaqësuesja e Gjermanisë Antje
Lendertse. Ajo tha: “Nisma duhet t’u tregojë
respekt ndaj viktimave dhe t’u ofrojë mbështetje të mbijetuarve. Shënimi i 11 korrikut si Ditë
ndërkombëtare e përkujtimit të Srebrenicës duhet të bëjë të mundur shënimin
vjetor të ditës në KB dhe të përmbajë
gjuhën kundër mohimit të gjenocidit”. Ajo shtoi se kryerësit e
krimeve siç është gjenocidi, janë përgjigjur para gjykatave.
Për gjenocidin ndaj të paktën 8.372
boshnjakëve dhe për krime të tjera të luftës në rajonin e Srebrenicës, mbi 50
vetë janë dënuar me rreth 700 vjet burg.
Me dënim të përjetshëm, përpos tjerash
edhe për shkak të Srebrenicës, janë dënuar ish-komandanti i Ushtrisë së
Republikës Serbe, gjeneral Ratko Mladiqi
si dhe ish-kryetari i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiqi.
“Çfarë porosie do t’u dërgojmë brezave të ardhshëm po qe se nuk
tregojmë respekt për viktimat”,
pyeti diplomatja gjermane Antje Lendertse. Ajo shtoi se “rezoluta e ka mbështetje e vendeve të mbarë botës, përfshi edhe të
Ballkanit Perëndimor”.
Në mesin e tridhjetë bashkë-sponsorëve
janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina,
Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe
Maqedonia e Veriut.
* * *
Para votimit dhe pas tij, diplomatëve të
Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve, iu drejtuan përfaqësuesit e një numri
shtetesh. Ambasadori i Kinës pranë KB-ve, Fu Cong, midis tjerash tha se Kina do
të votojë kundër rezolutës. Anën e Serbisë e mbajti edhe përfaqësuesi i Rusisë
pranë KB-ve Vasili Nebenzja.
Beogradi
zyrtar dhe autoritet e Republikës Serbe të Milorad Dodikut edhe më tej mohojnë
se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Sipas tyre, kemi të bëjmë, jo me
gjenocid por me “krim të tmerrshëm”.
E mbështetur
edhe nga Rusia, Serbia në mënyrë aktive loboi kundër aprovimit të rezolutës në
Kombet e Bashkuara.
Vuçiqi vajti
në Nju-Jork me bekimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej dhe me
lutjen në tempullin e Shën Savës në Beograd, ku morën pjesë edhe krerët
politikë të Republikës Serbe.
Vuçiqi e
mori fjalën, si para votimit për rezolutën, ashtu edhe pas tij. Gjatë gjithë
kohës, nuk arrinte ta fshehë zemëratën. Në momente të caktuara, ishte edhe teatral. Harroi se nuk ndodhej në pallankat e Serbisë.
Para votimit për rezolutën, Dodiku tha: “Po qe se rezoluta miratohet, Republika Serbe do të ndërmarrë
procesin e ndarjes paqësore të Bosnjës dhe Hercegovinës. Fuqitë Perëndimore
deshën t’ua veshin serbëve gjenocidizmin
dhe t’ua imponojnë diskualifikimin moral”.
* * *
Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk
dëshirojnë ta pranojnë se epoka e Slobodan Milosheviqit ka mbaruar. Po kështu
do të perëndojë edhe epoka e Vladimir Putinit. Serbia ka ngecur në kohën e
Ilija Garashaninit, të Jovan Cvijiqit, të Vasa Çubriloviqit, të Nikola
Pashiqit, të Karagjorgjeviqëve, të Rankoviqit, të Dobrica Qosiqit, të
Milosheviqit, të Vojislav Sheshelit dhe të epigoneve, si Tomislav Nikoliqi,
Vulini.
Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve
dhe Lidhja e Shkritarëve e Serbisë – heshtin. Serbia ka mbetur pa
intelektualë, pa mendim kritik, pa mendim alternativ, pa shkrimtarë, pa
filozofë. Në Serbi mbizotëron diktatura, njëmendimi politik dhe ideologjik.
Serbia ndodhet në anën e kundërt të demokracisë. Ajo vepron në kundërshti me
tendencën historike. Atë e ka shkelur koha. Ajo është në konflikt me të gjithë,
me Kroacinë, me Bosnjën dhe Hercegovinën, me Malin e Zi, me Kosovën. Hiç më
mirë s’qëndron me Maqedoninë e Veriut, me Bullgarinë. Në konflikt me të gjithë
fqinjët. Serbia s’ka forcë t’i kthehet vetvetes, ta kërkojë fajin në vetvete.
Ideologjia serbomadhe, e ashtuquajtura Botë Serbe nuk është veçse
irracionalizëm. Ide ultranacionaliste, retrograde dhe anakronike në Evropën e
shekullit XXI! Politikanët serbë thonë: “Integrimi
i Serbisë në BE s’ka alternativë”. Po si do të integrohesh në familjen
evropiane kur në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve i gjithë kontinenti votoi
për rezolutën, për të mos thënë, kundër Serbisë. Miratimi i rezolutës për
gjenocidin në Srebrenicë paraqet grusht vdekjeprurës për Serbinë. Nokaut.
Udhëheqja e përtashme serbe që ndjek hap pas hapi politikën e zjarrvënësit të
gadishullit, Milosheviqit, e ka marrë në qafë Serbinë, i ka marrë në qafë të
rinjtë, brezat e rinj.
Nga shqetësimi i madh, miratimin e
rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, Vuçiqi u përpoq ta relativizojë dhe ta
minimizojë, duke thënë se numri i shteteve që votuan për të, nuk ishte i madh.
Serbi! Kundër rezolutës dolën jo më
shumë se 18 shtete. Bashkë me ty bëhen 19 sish. Mos u kruaj me Gjermaninë
Vuçiq, se po të mos ishin investimet gjermane që arrijnë rreth 10 miliardë
euro, Serbia sot do të kishte krizë buke. Në 15 vitet e fundit, Serbia arrin të
sigurojë bukën, jo me investimet ruso-kineze, por me ato perëndimore. Serbi, ti
je mosmirënjohëse. Je e vogël, për të qenë e madhe! Ambiciet i ke në
shpërpjesëtim me përmasat.
Lideri i partisë opozitare Partia e Lirisë
dhe e Drejtësisë, Dragan Gjilas,
miratimin e rezolutës në Nju-Jork e quajti “dështim
i ri i Vuçiqit”. “Pas kësaj, ai nuk mund të mbetet kryetar i Serbisë.
Serbisë
nuk i duhet një kryetar që
lufton, por një kryetar që fiton, ndërsa Vuçiqi vazhdimisht
humb dhe gjithmonë fajtorë janë të tjerët
- kurrë s’janë fajtorë, as ai, as
bashkëpunëtorët e tij . Serbia është e lodhur
prej dështimeve të vazhdueshme,
prandaj është koha që ‘prijësi i
madh’, i cili i ka humbur të gjitha betejat, më në fund të shkojë në histori”.
Le ta sheh bota se me çfarë Serbie gjenocidale
kanë pasur punë shqiptarët!