Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Gabriel Garsia Markez - Njëqind vjet vetmi
E marte, 11.06.2024, 07:58 PM
“NJËQIND VJET VETMI” – GABRIEL GARSIA MARKEZ
Nuk gjetëm shtigje që e lidh Makondon me
botën. Jemi të izoluar . Do të vazhdojmë t’i përlajmë gjelat!
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
“Njëqind vjet vetmi” (spanjisht - Cien años de soledad) është roman i shkrimtarit kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1927-2014), të
botuar në Spanjë në vitin 1967. Vepra korri sukses të jashtëzakonshëm dhe është
përkthyer në shumë gjuhë të botës. Kjo vepër paraqet zbulim më të madh të
stilit postmodern të të shkruarit. Kur u bë libër i dytë më i shitur në tërë
historinë e letërsisë spanjolle, vepra korri edhe sukses komercial, menjëherë
pas “Don Kishotit” të shkrimtarit spanjoll Miguel de Servantesit (Miguel de Cervantes, 1547-1616).
“Njëqind vjet vetmi” është
vlerësuar si më i miri roman i Evropës, i botuar nga një joevropian. Është
vlerësuar si roman i vështirë për t’u
kuptuar.
Lufta midis guerilëve
të Makondos, në një anë dhe kompanisë
së bananeve, në anën tjetër, zgjati njëzet vjet. Pas dy dekadave, midis
palëve ndërluftuese u arrit një marrëveshje paqeje. Guerilët luftën s’e humbën,
por edhe nuk e fituan. Historinë do ta shkruanin, jo guerilët, por
kundërshtarët e tyre.
Varrimi i njërit prej komandantëve të gueriles u bë me gjashtë vetë.
Ishte një ditë me shi. Arkivoli me trupin e komandantit ishte vendosur në
karrocë që tërhiqej prej katër kuajve. Rruga nëpër të cilën kalonte karroca
ishte mbuluar nga balta. Rrotat e karrocës ishin zhytur deri në gjysmë në
baltë. Me të mësuar për varrimin, Ursula i kërkoi mbesës së vet, Amarantës, ta
nxirrte te dera, për t’ia dhënë përshëndetjen e fundit prijësit të guerilëve.
Plaka ishte njëqindvjeçare. Kishte mbetur sa një kumbull. As shihte, as
dëgjonte. Komandanti ishte rritur në oborrin e saj. I kishte dhënë gji, njësoj
si djalit të vet. U ndal nën strehën e derës së oborrit. Shiu binte rrëke. Në
shenjë nderimi për nënën e guerilëve, Ursulën, gjashtë guerilët e ndalën
karrocën me kufomën e kryekomandantit. Ursula salutoi, duke ngritur grushtin
përpjetë.
Makonadasit nuk e dinin se atë ditë shkonte në amshim njeriu i cili
njëzet vjet kishte udhëhequr 200 mijë guerilë, në luftë kundër kompanisë së bananeve.
Histori për luftën e tyre s’kishte. Atë e shkruanin të tjerët.
* * *
Në këtë vepër Markezi punoi plot 15 muaj pandërprerë, duke u tjetërsuar
nga pjesa tjetër e botës, në dhomën e vet, bashkë me faqet e letrës që
gjithmonë i mungoni dhe cigareve.
Në pikëpamje kronologjike, romani përcjell familjen Buendia dhe
historinë e fshatit mitik Makondo. Titulli i veprës tregon se veprimi i romanit
zgjat njëqind vjet. Megjithëkëtë, veprimi nuk është i kufizuar në mënyrë
rigoroze në atë periudhë kohore. Shumë kritikë janë dakord se “një vjet”
është përdorur si metaforë. Kjo
papërcaktueshmëri e kohës ndikon në interpretimin e kohës sipas mënyrës që
është karakteristike për romanin, në të cilin ndërthuren mendimet dhe përshtypjet
se koha përsëritet, e ndërron shpejtësinë apo plotësisht ndalet të rrjedhë në
pjesë të ndryshme të rrëfimit. Duket sikur të gjitha ngjarjet ndodhin disi në
të njëjtën kohë.
Sikundër edhe shumë romane të tjera të Markezit, “Njëqind vjet
vetmi” i takon një zhanri karakteristik në të cilin janë kombinuar elemente
të romantikës, të historisë dhe të fantastikes. Vepra është e pasur me metafora dhe ironi dhe është ndërtuar në
mënyrë të përsosur mbi baza të realizmit
magjik.
* * *
Veprimi i romanit “Njëqind vjet vetmi” nuk është i caktuar me
kufijtë që i vendos realiteti. Ai
i kapërcen ato, duke i fshirë kufijtë e tij me një guxim të tillë, saqë vetë realiteti i shtrin rrënjët e veta në fantazi. Raporti midis realitetit dhe fantastikes është
harmonizuar në mënyrë të përsosur, në rrafshin e një objektiviteti të
jashtëzakonshëm. Kësisoj është krijuar efekti i një realiteti fiktiv që i shemb
të gjitha muret pengues që i vendos realiteti i ashpër, duke e privuar lexuesin
që ta përjetojë veprën plotësisht. Duke i përsëritur shkallë-shkallë temat e
njëjta nëpër roman, Markezi dëshmon në të vërtetë për natyrën ciklike të
historisë, të cilën gjithsesi nuk duhet harruar, ngase një harresë e tillë
sjell me vete të këqija të shumta.
Romani e përcjell
fatin e familjes Buendia në fshatin Makondo. Edhe Makondo është një prej fryteve
të imagjinatës së Merkezit. Makondo edhe pse krijohet në fillim të romanit dhe shkatërrohet në fund të tij, krijon
përshtypjen se është i përhershëm. Kjo ndodh mbase për shkak të faktit se ky
fshat mitik nuk shfaqet vetëm në këtë roman të Markezit.
Personazhet
Trungu familjar
Buendia
Brezi i parë
Hose Arkadio Buendia (José Arcadio Buendía)
Patriarku i familjes Buendi, Hose Arkadio Buendia është njeri me vullnet
të fuqishëm i cili, edhe fizikisht, edhe psiqikisht “tjetërsohet” prej familjes
së vet, në momentin kur udhëhiqet nga interesi për mister filozofik. Buendia e udhëhiqte
Makondon në vitet e hershme të fshatit.
Hose Arkadio Buendia tri herë ndërmori ekspedita për të gjetur rrugë që e
lidhin Makondon me botën. Rrugë nuk gjeti. I dëshpëruar, bashkë me ekspeditën,
u kthye në fshat. Bashkëfshatarëve që e pritnin me ankth, u tha:
“Rrugë
që na lidhin me botën, nuk gjetëm. Jemi të izoluar. Do të vazhdojmë t’i
përlajmë gjelat!”
Në luftën e gjelave, merrte pjesë me gjelin e vet edhe Hose Arkadio
Buendia. Gjatë një përleshjeje, gjeli i tij e mundi atë të një tjetri. Ai,
gjeli i të cilit kishte humbur, iu drejtua me zemërim:
“Dëgjo
ti Hose Arkadio Buendia, merre këtë gjelin tënd dhe çoja gruas tënde që t’ia
bëjë atë punë që s’je në gjendje t’ia bësh ti!”
“Kujt
ia thua ato fjalë, or ti horr i ligë?” – ia ktheu me të keq Hose
Arkadio Buendija.
E nxori revolen dhe e qëlloi makondasin me tre plumba në gjoks. U kthye
në shtëpi, e pa gruan e vet në oborr te zarzavatet, e zuri dhe e shtriu për
toke, ia grisi rrobat dhe ia bëri punën.
E shoqja mbeti pa mend. “Ç’je duke
më bërë kështu Hose?! Të paskan lënë mendtë!” – i tha ajo e habitur.
Prej çastit të vrasjes së bashkëfshatarit, Hose Arkadio Buendia nuk do të
jetë ai që kishte qenë dikur. Nisi të çmendet, prandaj u detyruan ta nxjerrin
në oborr dhe ta lidhin për gështenje.
* * *
Prania e tij në roman humbet kur ai fillon të çmendet, duke kërkuar gurin e magjistarit. Me kalimin e
kohës e humb arsyen dhe fillon të flasë në gjuhën latine. Që atëherë, e lanë të
lidhur për trungun e gështenjës. Para
se të vdiste, gruaja e tij, Ursula (Úrsula) e liron dhe çon në dhomën e tij.
Në prag të vdekjes, ai kthehet nën trungun e gështenjës ku edhe vdes.
Ursula
Iguaran (Úrsula Iguarán)
Gruaja e Hose Arkadia Buendias, Ursula, është një prej personazheve kryesore të romanit. Jeta
e saj shtrihet pothuajse nëpër të gjithë brezat e familjes. Ajo mbikëqyr
familjen, i kryen punët e shtëpisë dhe kujdeset për Hose Arkadia Buendian. Ajo
vdes në moshën midis 114 dhe 122 vjeçe. Kishte mbetur sa një kumbull dhe nuk
ishte më e madhe se një fetus.
Brezi i dytë
Hose Arkadio
(José Arcadio)
Hose Arkadio ishte djali i parë i Hose
Arkadio Buendias, nga i cili trashëgoi vetinë e të qenit këmbëngulës si dhe
sjelljen impulsive. Kishte për dashnore Pilar Ternerën, nga e cila u nda në
fillim të shtatzënisë së saj. U bashkëngjitet romëve dhe largohet nga familja. Në Makondo kthehet pas disa vitesh
si një i rritur. Thoshte se kishte lundruar nëpër detet e botës. Me të ardhur,
martohet me të motrën e adoptuar, Rebekën. Që të dy u dëbuan nga shtëpia familjare. Vdes nga plaga e shkaktuar nga një
plumb i panjohur, vetëm disa ditë pasi i kishte shpëtuar i vëllai nga dënimi me
vdekje.
Koloneli Aureliano Buendia
Aureliano Buendia ishte djali i dytë i Hose
Arkadio Buendias dhe personi i parë i lindur në Makondo. E pagëzuan me emrin e gjyshit.
Aureliano kishte qarë në barkun e së ëmës dhe kishte lindur me sy të hapur.
Shoku i tij i
fëmijërisë kishte bërë nja gabim. Si pasojë, kishin pësuar katër guerilë. Në
përputhje me ligjet e luftës guerile, koloneli Aureliano shokun e vet e kishte
dënuar me vdekje. Për rastin e rëndë kishte mësuar edhe e ëma, Ursula. Kërkoi
ta çonin tek i biri. Ende pa gdhirë, u nis për te koloneli, për të arritur para
muzgut. Rojet e shtabit të guerilëve mësuan se është nëna e kolonelit. E
njoftuan komandantin për ardhjen e saj. “Le
të hyjë”, u tha koloneli.
E paralajmëruan
nënën:
“Do të hysh brenda dhe do të
qëndrosh tre metra larg kolonelit. Mund të qëndrosh brenda, jo më shumë se tri
minuta.”
Nëna hyri në shtabin
e guerilëve. Me ta parë të ëmën, koloneli u ngrit në këmbë. Nëna bëri t’i
afrohet, por rojet e shtabit e rrokën për krahu dhe ndalën.
“Ju paralajmëruam zonjë. Mund t’i
drejtoheni kolonelit vetëm nga një distancë prej tre metrave. Qëndrimi Juaj
këtu nuk mund të zgjatë më shumë se tri minuta.”
Nëna nuk ia tha të
birit atë për të cilën kishte ardhur – ta tërheqë dënimin me vdekje ndaj shokut
të tij të fëmijërisë. Që të dy ishin rritur në oborrin e saj. Që të dyve u
kishte dhënë gji.
Në ato dy-tri minuta Ursula
ia tha të birit fjalët më të rënda. Koloneli heshti. Ende pa kaluar tri minuta,
rojet e shtabit të guerilëve iu afruan nënës, e rrokën për krahu dhe morën ta
nxjerrin jashtë. Ajo e ktheu kokën kah i biri dhe i tha: “Dënimin që e ia ke dhënë shokut tënd të fëmijërisë, ta tërheqësh sa më
parë. Ndryshe, për se jeta do ta kesh mallkimin tim.”
Koloneli Aureliano
vetëm tani e kuptoi përse e ëma e kishte marrë gjithë atë rrugë, nëpër shtigjet
e egra të fushëbetejave.
* * *
Koloneli Aureliano
nuk tregoi ndonjë aftësi të veçantë në dashuri. Besonte se zotëronte fuqi të mbinatyrshme për të parashikuar atë që do
të ndodhte. Ato që i kishte thënë deri atëherë, kishin dalë të sakta. Lufton në
anën e liberalëve, merr pjesë në 32
luftëra dhe disa herë ia ka dalë t’i shpëtojë vdekjes. Me të humbur interesin
për luftë, nënshkruan me kompaninë e
bananeve marrëveshjen e paqes dhe kthehet në shtëpi.
Aureliano s’ishte
vetëm luftëtar. Ishte edhe poet. Në
moshë të shtyrë, nisi ta humbë kujtesën dhe të bëhet i pandjeshëm për ndodhitë
rreth vetes. Kohën e kalon në punëtori duke punuar peshq të artë. I shkëmbente
për monedha të cilat i shkrinte dhe bënte prej tyre peshq të tjerë. Vdiq nën
trungun e gështenjës nën të cilin babai i tij ishte i lidhur me vite.
Remedios
Moskote (Remedios Moscote)
Remedia ishte vajza më e vogël e konservatorit
dhe drejtuesit, Don Apolinar Moskote. Ngjyra e bukur e lëkurës dhe sytë e
gjelbër smeraldi e bënin të jetë tërheqëse. Në moshën 12-vjeçare u martua me
kolonelin Aureliano. Ishte shumë e re kur koloneli u dashurua në të. U desh të
pritnin kurorëzimin derisa ajo të hynte në pubertet. Për befasinë e të
gjithëve, ajo u bë një bashkëshorte e mrekullueshme dhe simpatike. Si
rrjedhojë, e fitoi simpatinë e të gjithëve. Ishte i vetmi person që kujdesej
për Hose Arkadio Buendian, gjatë kohës kur ai ishte i sëmurë. Për fat të keq,
ajo vdes e re gjatë lindjes së fëmijës.
Amaranta
Amaranta ishte fëmija
i tretë i Hose Arkadio Buendias. U rrit bashkë me simotrën e saj, Rebekën.
Dashuria dhe delikatesa që shfaqte ndaj saj u shndërruan në xhelozi dhe smirë kur në jetën e tyre paraqitet Pietro Krespi (Pietro Crespi).
Që të dyja e dashuronin me zjarr. Madje Amaranta kishte deklaruar se do ta
vriste Rebekën po qe se martohet për Pietro Krespin. Por, pas vdekjes së
Remedias, Amaranta u pendua për atë që kishte thënë. Pas kësaj, përjeton krizë
emocionale.
Kur Rebeka martohet
me Hose Arkadian (Jose Arcadio) dhe jo me Pietron, Amaranta e refuzon secilin
që i vardiset, madje edhe Pietro Krespin. I dëshpëruar, ky e vret veten. Një
prej atyre që i vardiseshin ishte edhe shoku më i ngushtë i vëllait të saj
Aurelianos, koloneli Gerineldo Markez (Gerineldo Marquez), por ajo, pa ndonjë
arsye, e refuzon edhe dorën e tij. Ka pasur marrëdhënie joseksuale me nipat e saj, me Aureliano Hosen dhe me Hose Arkadian.
Një ditë do të
vdesim, i tha Amaranta vetes. Nisi të thurë mbulesën e saj të varrimit. Kur
mbaroi së thururi, vdiq si një e virgjër dhe si një vajzë e vetmuar e pamartuar.
Ishte disi e kënaqur ngase ishte pajtuar me fatin.
Rebeka
Rebeka është një
bonjake që e adopton familja Buendia. Supozojnë se ajo është vajzë e farefisit
të largët të Ursulës. Në fillim ajo ka qenë shumë e tërhequr, refuzonte të
fliste dhe kishte një shprehi të çuditshme: hante truall dhe gëlqere nga muret
e shtëpisë si dhe e thithte gishtin.
Sjell me vete thesin me eshtrat e prindërve të vet dhe bisedon vetëm me
shërbëtorët Visitacin dhe Kataurin (Cetaure). Paraqitet pasi që Hose Arkadio
shkon me romët. Edhe pse ishte rritur
në shtëpinë e familjes Buendia, e dëbojnë prej aty pasi u martua me Hose
Arkadian. Vdekja e mistershme e Hose Arakdit është e ndërlidhur në mënyrë të
pashpjegueshme me Rebekën. Pas kësaj, ajo jeton e izoluar nga bota.
Po ky personazh
paraqitet edhe në novelat e Markezit veprimi i të cilave po ashtu zhvillohet në
Makondo.
* * *
Në vepër ka një skenë
ku fjalosen vjehrra me dhëndrin. Vjehrra i thotë dhëndrit:
“O i mjerë! Ti nuk je i
vetëdijshëm se ke marrë për grua një vajzë e cila kur ishte dy vjeçe e bënte
nevojën në oturak prej floriri.”
Me t’i dëgjuar këto
fjalë të rënda, pa çelur gojë, dhëndri doli jashtë, ndërsa nusja e tij i theu
duart dhe mallëngjyeshëm reagoi ndaj fjalëve të së ëmës: “Si munde t’ia thuash ato fjalë nënë...A e ke parasysh se do m’i
prishësh raportet me burrin.”
*
* *
Artisti kolumbian
Garsia Markez është një ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX.