Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Arsimi shqiptar në Maqedoninë e Veriut - Reforma e mundshme
E premte, 30.08.2024, 07:00 PM
ARSIMI SHQIPTAR NË MAQEDONINË E VERIUT – REFORMA E MUNDSHME
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Arsimi fillor
Gjimnazeve dhe
shkollave të mesme profesionale u prin arsimi fillor. Matja ndërkombëtare
e njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare, e njohur si testim PISA, ka të
bëjë me plan-programet mësimore të arsimit fillor. Nga 80 vendet e testuara
Maqedonia e Veriut zë vendin e katërt në botë nga fundi. Ky është një
prej indikatorëve që tregon se cilësia e arsimit fillor në gjuhën shqipe në
Maqedoninë e Veriut ndodhet në nivel të ulët. Kjo cilësi e ulët manifestohet
dhe reflektohet edhe në arsimin e mesëm.
Pa fije dyshimi,
në gjimnazet dhe në shkollat e mesme të mjekësisë me mësim në gjuhën shqipe në
Maqedoninë e Veriut, ka nxënës të shkëlqyeshëm.
Që nga viti 1991
e këndej, në Maqedoni shpesh është folur për nevojën e reformave në arsim.
Reforma nuk janë bërë dhe kurrë s’kanë për t’u bërë. Përse?
Për dy arsye:
- E para, ata që
duhet t’i bëjnë reformat, nuk dinë ta bëjnë një gjë të tillë; dhe
- E dyta, kryerja
e reformave të mirëfillta është çështje komplekse dhe e dhimbshme.
Hallka të
zinxhirit të arsimit janë: Biroja për Zhvillimin e Arsimit, Inspektorati i
Arsimit, këshilltarët e arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve (merret me
maturën shtetërore), Ministria e Arsimit.
Drejtuesit e
këtyre institucioneve nuk kanë njohuri të duhura për arsimin, për problemet në
arsim, për arsimin bashkëkohor, për nevojat e ndryshimeve në arsimi, çfarë
ndryshimesh duhet të bëhen, në cilat segmente të arsimit duhet të bëhen
ndryshime apo reforma etj.
Njohuri të duhura
në lëmin e arsimit nuk kanë as këshilltarët apo bashkëpunëtorët e drejtuesve të
institucioneve të arsimit.
Për të pasur
njohuri për nevojat, për problemet, për kërkesat apo për reformat në
arsim, duhet të kesh punuar në shkollë
me nxënës. Kuptohet, ka edhe mësues, arsimtarë apo profesorë të cilët dalin në
pension pa e ditur se ku kanë qenë defektet në arsim.
Një prej
problemeve të theksuara të arsimit është politizimi dhe
partizimi i tij. Si çdo pore e shoqërisë, edhe sistemi i arsimit është
nën zotërimin e partisë në pushtet, d.m.th. nën pushtetin e pushtetarëve.
Pushtetarët, si të
nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror, punësimet në shkollë i bëjnë pa
konkurs. I ashtuquajturi konkurs hapet formalisht. Partia nuk çanë kokën ta
punësojë më të mirin. Ajo e punëson në shkollë personin që i takon asaj partie,
që ka qenë veprimtar (aktivist) i asaj partie, militant i asaj partie, i cili
ka vjedhur vota për atë parti, i cili ka thyer kutitë e partisë oponentë, i
cili në ditën “e zgjedhjeve” i ka mbushur kutitë e partisë vetanake etj.
Në rrethana të
tilla, personi i cili nuk i takon asnjë tabori, nuk mund të punësohet. Atij s’i
mbetet tjetër por të shpërngulet për në Gjermani.
Edhe emërimi i
drejtorëve bëhet në të njëjtën mënyrë. Në të shumtën e rasteve, për drejtor
shkolle, fillore apo të mesme, është emëruar dhe vazhdon të emërohet më i keqi
dhe më i dobëti i kuadrit të arsimtarëve apo të profesorëve. Edhe drejtorët
janë emëruar dhe do të vazhdojnë të emërohen nga nëna parti. Edhe
në këtë mes, pseudo-konkursi nuk luan kurrfarë roli. Për mënyrën e zgjedhjes së
drejtorit të shkollës ka edhe njëfarë ligji. Është ligj formal të cilin partia
në pushtet nuk e përfill fare.
Në rrethana të
sipërthëna, mos z habit se në vlerësimin ndërkombëtar të njohurive të nxënësve
15-vjeçar, nga 80 vendet e testuara, Maqedonia e Veriut zë vendin e katërt në
botë, nga fundi. Po t’i ndajmë rezultatet mbi baza etnike, rezultatet për
njërën bashkësi etnike do të ishin të trishtueshme.
Asnjëra hallkë e
zinxhirit që e përbën sistemin e arsimit, fillor apo të mesëm, nuk është në
krye të detyrës. Asnjë drejtues i institucionit, inspektor i arsimit apo
këshilltar i arsimit, për arritjet e ulëta në arsim, nuk ka mbajtur kurrfarë
përgjegjësie.
* * *
Arsimi cilësor
nënkupton përzgjedhje (seleksionim). Duhet të përzgjidhet drejtuesi i shkollës,
d.m.th. drejtori i shkollës, të përzgjidhte pedagogu i shkollës, psikologu i
shkollës, kuadri i mësuesve, kuadri i arsimtarëve dhe kuadri i profesorëve. Për
gjimnazet, duhet të përzgjidhen nxënësit.
S’ka arsim cilësor
pa rend, pa rregull dhe pa disiplinë.
Reformat e mundshme në arsim
Në hapësirat tona
ende mbizotëron arsimimi masiv i kohës së pasluftës, i kohës së
partizanëve. Arsimimit masiv sot duhet t’i vijë fundi. Shteti apo shoqëria nuk
kanë nevojë që çdo nxënës i cili e kryen shkollën e mesme, të ndjekë studimet
universitare, të kryejë fakultet dhe të marrë diplomë fakulteti.
Shtetit apo
shoqërisë nuk i duhen të rinj të diplomuar, me njohuri të kufizuara, të ulëta
dhe të reduktuara. Diplomat e tyre nuk janë veçse letra pa vlerë.
Shtetit apo shoqërisë nuk i duhen të rinj të diplomuar, për profilet e të
cilëve tregu i punës nuk ka nevojë. Si të tillë, ata nuk mund të gjejnë punë,
domethënë nuk mund të punësohen.
Ç’duhet bërë? E
para e punës, arsimi masiv duhet të zëvendësohet me arsimim të
përzgjedhur. Me fjalë të tjera, arsimi i mesëm duhet të ndahet:
- në gjimnaze, dhe
- në shkolla
profesionale.
Ndarja që ekziston
sot është formale. Si e tillë, ajo nuk ka ndonjë farë peshe.
Për të pasur
arsimim profesional të mirëfilltë, shteti duhet të ketë ekonomi dhe industri të
zhvilluar dhe të fortë. Shteti që nuk ka industri apo ekonomi të fortë nuk mund
të arsimim profesional të njëmendët. Në një shtet të pazhvilluar, arsimimi
profesional i mesëm figuron vetëm formalisht.
Në shtetin me
ekonomi të zhvilluar, arsimimi profesional është i mirëfilltë dhe nxënësit i
mundëson perspektivë dhe punësim. Në rrethana të tilla, nxënësi nuk ka nevojë
të ndjekë studimet universitare dhe të marrë një diplomë që s’është veçse letër
e pavlerë. Nxënësi i shtetit me ekonomi të zhvilluar, me të kryer shkollën e
mesme profesionale, punësohet dhe merr rrogë apo pagë mbi 1.000 euro. Në
Slloveni i merr 1500 euro.
Mirëpo, në shtetet
me ekonomi të pazhvilluar, nxënësi që e kryen shkollën profesionale, nuk mund
të gjejë punë. Edhe po të gjejë, merr 200 euro rrogë! Përse? Për arsye se në
një shtet të tillë, në vend të ekonomisë, i zhvilluar është korrupsioni.
Domethënë shtetin e vjedhin pushtetarët e nivelit qendror dhe ata të nivelit
vendor.
Ku ke parë ti,
nxënësi që ka pasur dymbëdhjetë nota të dobëta, e kryen shkollën e mesme,
regjistrohet në fakultet dhe merr diplomë universiteti. Ka pasur raste kur i
njëjti, nëpërmjet partisë zë edhe pozitë në shoqëri. Mos u habit po qe se
dëgjon se i njëjti, në saje të fuqisë materiale, merr edhe titull akademik.
Në shkollat e
mesme profesionale duhet të ketë rend, rregull dhe disiplinë. Në disa lloje
shkollash profesionale rendi, rregulli dhe disiplina janë në nivel të
mjerueshëm.
Reformimi i gjimnazeve
Regjistrimi në
gjimnaze duhet të bëhet me provim pranues. Provimi pranues duhet
të realizohet sikur matura shtetërore. Me fjalë të tjera, provimi mbahet nëpër
shkolla, ndërsa vlerësimi – shifra, kryhet në Qendrën Shtetërore të
Provimeve. Në gjimnaz regjistrohet sot nxënësi që posedon 60 pikë. Gjimnazet që
nuk kanë numër të mjaftueshëm nxënësish, pranojnë nxënës edhe me më pak se 60
pikë. Ndryshe, profesorët mund të mbeten pa punë, mund ta humbin vendin e
punës.
Këto farë 60 pikë
janë relative. Ka raste kur notimi nëpër shkollat fillore nuk është bërë si
duhet. Rrjedhimisht, nxënësit i grumbullohen 60 pikë dhe ai fiton të drejtën e
regjistrimit të gjimnaz.
Po qe se në një
gjimnaz, në vit të parë regjistrohen sot rreth 300 nxënës, do të shohim se me
provim pranues do të mund të regjistroheshin diku rreth 120 nxënës. Pjesa
tjetër, rreth 180 sish, do të orientoheshin nëpër shkolla profesionale. Kësaj i
thonë arsimim i përzgjedhur apo i seleksionuar. Mirëpo, ky provim pranues i lë
pa punë rreth 50 për qind të kuadrit të profesorëve. Kjo është e dhimbshme.
Këtë nuk mund t’ia lejojë vetes asnjë parti politike dhe asnjë qeveri. Si
pasojë, vazhdojmë me të vjetrën, me avazin e vjetër dhe reforma nuk ka. As që
do të ketë ndonjëherë.
Në gjimnaze dhe në
shkollat e mesme të mjekësisë duhet të punojnë profesorë të cilët janë njohës
të mirë të profesioneve të tyre, të cilët janë pedagogë të mirë dhe persona me
vlera etike. Kuptohet, kjo vlen edhe për profesorët e shkollave të tjera
profesionale.
* * *
Prej gjimnazeve
duhet të hiqen lëndë të caktuara, si: ekonomia, biznesi, menaxhmenti, hyrje
në drejtësi. Lëndët e sipërthëna ndodhen në plan-programet e shkollës së
mesme të ekonomisë, ndaj nuk ka nevojë të përfshihen edhe në plan-programet e
gjimnazeve. Heqja e Lëndëve të sipërthënë nuk është punë e lehtë. Po të ndodhte
një gjë e tillë, shumë profesorë do të mbeteshin pa punë. Këtë s’mund t’ia
lejojë vetes asnjë parti apo asnjë qeveri. Përndryshe, partia në pushtet mund
t’i humbë votat.
Vlerësimi i
nxënësve në lëndët si: arti muzikor, arti figurativ dhe edukatë fizike mund të
bëhet në mënyrë përshkruese, d.m.th. pa nota numerike.
* * *
Studimet
universitare duhet t’i ndjekin kryesisht nxënësit e gjimnazeve. Nxënësit e
gjimnazeve do të mund të regjistroheshin në të gjitha degët universitare.
Nxënësit e shkollave të mesme profesionale duhet të regjistrohen kryesisht në
degë apo në profile të caktuara. Nxënësit e shkollave të mesme profesionale do
të duhej të orientoheshin në universitete private. Regjistrimin
në universitet privat nuk mund t’ia ndalosh askujt, pra as nxënësit i cili në
shkollë të mesme ka pasur numër të madh notash të dobëta.
Ngelja e nxënësve apo përsëritja e vitit
shkollor
Nëpër shkolla të
mesme duhet të rikthehet përsëritja apo ngelja në klasë e
nxënësit. Ka kohë që nëpër shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk përsërit
pothuajse asnjë nxënës. Nxënësi që nuk meriton ta kalojë vitin, duhet të
përsërisë apo të ngelë në klasë. Nëse e humb vitin apo ngel në klasë, nuk bëhet
kiameti. Ngelja në klasë e nxënësit nuk duhet të merret si diçka tragjike.
Mungesat e nxënësve
Ndaj nxënësit që i
bën mbi 20 mungesa, duhet të ndërmerren masa. Nxënësi i tillë
duhet të përcillet në shkollë të njëjtë të qytetit tjetër. Nuk ka mungesa të
arsyeshme dhe të paarsyeshme. Mbi 90% e mungesave janë të paarsyeshme. Për
nxënësin, çdo mungesë është e arsyeshme. Ka nxënës që brenda 12 vjetëve nuk
bëjnë asnjë mungesë, as të arsyeshme, as të paarsyeshme. Ka nxënës që për
dy-tre muaj t’i bën mbi pesëdhjetë mungesa. Mbi 90% e vërtetimeve mjekësore
me të cilat nxënësi e arsyeton mungesën e vet në shkollë, janë të rrejshme.
Nxënësit të cilët krahas shkollimit punojnë edhe
diçka tjetër
Për t’i ndihmuar
buxhetit të familjes, një numër i caktuar i nxënësve të shkollave të mesme
punojnë diku. Ka që punojnë si çirakë në ndonjë zanat. Ka që punojnë në ndonjë
sallon dasme. Ka që punojnë nëpër furra buke etj. Punojnë edhe djemtë, edhe
vajzat. Kjo praktikë nuk është e mirë dhe nuk duhet të mbështetet. Nxënësve që
janë raste sociale apo që janë me të ardhura familjare të vogla, duhet
t’u ndihmojë shteti. Detyrë e nxënësit është të mësojë dhe jo të kryejë
apo të ushtrojë ndonjë punë shtesë.
Mungesa e nxënësve në fillim të vitit shkollor
dhe mbarim të tij
Ka raste kur një
numër i nxënësve, me lejen e drejtorit të shkollës, në fillim të vitit shkollor
nuk vijnë në shkollë një javë në mos dhe më tepër. Për shembull, shkolla fillon
më 1 shtator, ata vijnë në shkollë më 7 shtator apo edhe më 10 shtator. E
njëjta ndodh edhe në mbarim të vitit shkollor. Shkolla mbaron më 10 qershor,
ndërsa për një numër nxënësish mbaron një javë para. Ata arsyetohen duke thënë:
“Më duhet t’i bëjë letrat në Gjermani” ose në Kroaci.
Kjo praktikë nuk
duhet të tolerohet. Me shkollën lojë nuk ka dhe s’duhet të ketë. Shkolla nuk
është kazermë ushtarake që të ketë disiplinë rigoroze, por s’është as çerdhe
fëmijësh që të luash si të vjen mirë ty.
Shkollat fillore
dhe ato të mesme janë institucione edukativo-arsimore. Nxënësit
në shkollë, krahas marrjes së njohurive
dhe të diturive, pajisen edhe me edukim. Fëmijën e edukon familja,
shkolla, mjedisi dhe mbarë shoqëria. Kohët e fundit, fëmija është edhe nën
ndikimin e teknologjisë digjitale.
* * *
Shkollat kanë këshilla
shkolle si dhe këshilla prindërish. Këta farë organizmash
të shkollës s’kanë kurrfarë roli, nuk luajnë kurrfarë roli në shkollë. Po të
mos ekzistonin, shkollat nuk do të humbnin asgjë.
Trajnimi i mësuesve, i arsimtarëve apo i profesorëve
të shkollave të mesme
Po qe se mësuesit,
arsimtarët apo profesorët kanë kryer shkolla të mirëfillta, atëherë ata nuk
ka përse të trajnohen. Duhet të trajnohen vetëm ata mësues, arsimtarë
apo profesorë të cilët janë pajisur me diploma që nuk janë rezultat i diturisë.
Njeriu apo intelektuali trajnohet gjatë gjithë jetës së vet, duke lexuar dhe
duke studiuar në mënyrë permanente apo të vazhdueshme.
Eksperimentet në
arsim duhet të evitohen.
Mbajtja e kurseve
Ka profesorë të
cilët nxënësve të vet u mbajnë kurse me pagesë. Rëndom kurse
mbahen në lëndët, si: matematikë, fizikë, gjuhë angleze etj. Ka ndodhur të ketë
mbajtur kurs edhe ndonjë profesor i gjuhës maqedonase. Mbajtja e kursit
nxënësve të cilëve u jep mësim, ndalohet me ligj. Mbajtja e kursit
nënkupton shitjen e notës.
Sipas ligjit,
profesori është i detyruar të mbajë orë plotësuese dhe orë shtuese.
Orët e tilla nuk i mban pothuajse asnjë profesor. Madje shkolla s’ka as
hapësirë për t’i mbajtur orët e tilla.
Bashkimi i dy klasave
Kur mungon ndonjë
arsimtar apo ndonjë profesor, bëhet bashkimi i dy klasave. Bashkimi i dy
klasave nuk ka kurrfarë efekti. Kjo duhet të ndalohet në mënyrë të prerë.
Zëvendësimi i ditëve
Ka raste kur për
arsye të caktuara, mësimi nuk është mbajtur. Dita e humbur synohet të
kompensohet të shtunave. Ky kompensim nuk ka kurrfarë efekti. rrjedhimisht, nuk
duhet të praktikohet dhe duhet të ndalohet.
Të rënët e ziles së shkollës para kohe
Ka raste kur
nxënësi kujdestar i bile zile së shkollës 5, 10 apo edhe 15 minuta para kohe.
Më së shpeshti kjo ndodh në orët e fundit. Kjo praktikë nuk duhet të tolerohet
në asnjë mënyrë.
Notimi i nxënësve
Notimi i nxënësve
mund të bëhet edhe me gojë edhe me shkrim. Mënyrë e mirë e notimit është testi
me shkrim. Është mirë që profesorët e gjuhës amtare të realizojnë katër
hartime me shkrim apo katër ese. Në fund të vitit shkollor, në pjesën më të
madhe të lëndëve nxënësi duhet të ketë
nga katër nota. Në lëndë të caktuara, edhe nga gjashtë nota.
Fyerja e nxënësve dhe përdorimi i masave
ndëshkuese fizike
Fyerja e nxënësve
është në kundërshti edhe me ligjin, edhe me normat pedagogjike. Përdorimi i
masave ndëshkuese fizike, prerazi duhet të përjashtohet si mundësi.
Biseda të kota gjatë orës së mësimit
Ka shumë mësues,
arsimtarë dhe profesorë të cilët gjatë orës së mësimit çelin tema që s’kanë të
bëjnë as me njësinë mësimore, as me procesin edukativ. Këto farë bisedash, mund
të zgjasin dhjetë, pesëmbëdhjetë apo edhe njëzet minuta. Kjo është një praktikë
e dëmshme për nxënësit. Si e tillë, duhet të evitohet.
Në të njëjtën ditë më tepër se një test
Nuk duhet të
praktikohet që nxënësit në të njëjtën ditë të kenë test në dy apo në tri lëndë.
Me marrëveshje, njëri prej profesorëve duhet ta shtyjë testin për një ditë
tjetër.
Mësuesi, arsimtari
apo profesori duhet të vijnë në shkollë të përgatitur. Kuadri
arsimor përgatitjen për mësim e bën në shtëpi.
Shpëlarja e trurit të nxënësve nga mësuesi, nga arsimtari apo nga profesori
duhet ndalohet në mënyrë të prerë. Shpëlarja e trurit mund të bëhet mbi baza
ideologjike, politike, partiake, religjioze, nacionaliste, ksenofobike, racore,
gjinore etj. Nxënësve duhet mësuar vlerat njerëzore të përgjithshme, d.m.th.
vlerat humane. Gjatë qëndrimit katërvjeçar në shkollë të mesme nxënësi duhet ta
ketë formuar dhe duhet ta ketë ndërtuar personalitetin e vet.
Në procesin
mësimor duhet të përfshihen dhe të angazhohen sa më tepër nxënës dhe jo vetëm
dy a tre sish. Mësuesi i mirë punon me të gjithë nxënësit dhe jo vetëm me të
zgjeshurit.
Nxënësit duhet t’i
lejohet t’i shtrojë mësuesit pyetje nga lëmenj të ndryshëm.
Librat që u jepen nxënësve falas
Nxënësve nuk duhet
t’u jepen libra falas. Nxënësit vetë duhet t’i blejnë librat nëpër librari. Një
përqindje e mirë e nxënësve kanë mundësi financiare që librat t’i blejnë vetë
me mjetet e buxhetit familjar. Nxënësve që shfrytëzojnë ndihma sociale
si dhe atyre me të ardhura të ulëta, shteti duhet t’u derdhë në
xhirollogari një shumë mjetesh të destinuar për blerjen e teksteve shkollore.
Librat që marrin nxënësit falas shpeshherë qëllon të jenë të dëmtuar, të
grisur, me mungesë faqesh, të përlyer, të shkarravitur, deri edhe të
papërdorshëm.
Humbja e orëve
Humbja e orëve
nëpër shkolla duhet të evitohet krejtësisht. Po qe se rasti është i tillë saqë
humba e orëve bëhet e paevitueshme, atëherë drejtoria e shkollës duhet të
sigurojë zëvendësim të përkohshëm. Nxënësit nuk duhet të humbin as edhe një orë
të vetme. S’ka lojë me shkollën.
Mosmbajtja e orës së gjashtë apo e orës së
shtatë pasdite
Ndodh shpesh që
ora e fundit e ndërresës së pasdites, sidomos ora e shtatë, të mos mbahet. Me
këtë praktikë jo të mirë janë të kënaqur të gjitha “palët”: edhe
profesorët, edhe nxënësit, edhe prindërit. Kjo praktikë duhet të ndalohet prej
drejtuesve të shkollës.
Shkollat duhet të
jenë të pajisura me laboratorë bashkëkohorë dhe me kabinete bashkëkohore.
Shkollat fare pak janë të pajisura me laboratorë dhe me kabinete. Në këtë
shkallë të zhvillimit të teknologjisë, shkollat fillore dhe të mesmet duhet të
pajisen edhe me laboratorë apo kabinete digjitale apo elektronike, përfshi edhe
pajisjet audio-vizuale.
Regjistrimi në fakultetet që nxjerrin kuadër
arsimi
Në fakultetet që
nxjerrin kudër arsimi – mësues, arsimtarë apo profesorë shkollash të mesme,
duhet të regjistrohen kryesisht nxënësit e gjimnazeve të cilët kanë kaluar me
katër (shumë mirë) apo me pesë (shkëlqyeshëm). Këta nxënës duhet të jenë të
gjimnazeve të përzgjedhura, përkatësisht të seleksionuara. Këta
nxënës do të regjistrohen në Fakultetin e Matematikës dhe të Shkencave të
Natyrës, në Fakultetin Filozofik, në Fakultetin Filologjik, në degët
Psikologji, Pedagogji.
Për t’i ndjekur
nxënësit e dalluar degët e arsimit, duhet të motivohen materialisht apo me
paga, me rroga. Pagat apo rrogat e mësuesve, të arsimtarëve dhe të
profesorëve të shkollave të mesme duhet të jenë mbi 1.000 euro. A ka
para shteti? Ka, po qe se nuk vjedhin politikanët, ministrat, deputetët,
drejtorët e përgjithshëm, si dhe kryetarët e komunave (të bashkive).
Mënyra e regjistrimit në fakultetet që nxjerrin
kuadër arsimi
Në fakultetet e
sipërthëna duhet të konkurrojnë nxënësit e dalluar të gjimnazeve të
përzgjedhura (të seleksionuara). Regjistrimi duhet të bëhet me provim
pranues. Një masë si kjo është e dhimbshme për arsye se shumë pedagogë
të fakulteteve do të mbeteshin pa punë. Numri i studentëve do të ishte i vogël.
Si pasojë, një numër i konsiderueshëm i profesorëve universitarë do të
mbeteshin pa punë. Këtë nuk do t’ia lejonte vetes asnjë parti politike dhe
asnjë qeveri. Përse? Kështu sepse partive tona apo qeverive tona shumë pak u
intereson cilësia në arsim. Atyre u interesojnë votat, rrëmbimi i pushtetit dhe
kolltukët. Madje ka politikanë shqiptarë të cilët fëmijët e vet i shkollojnë
jashtë vendit.
Pothuajse të
gjithë nxënësit tanë e kalojnë maturën shtetërore dhe marrin diplomë
mature shtetërore. Diploma e maturës shtetërore e liron nxënësin nga
detyrimi i provimit pranues, me rastin e regjistrimit në fakultet. Mirëpo
interesimi për Fakultetin e Mjekësisë është tejet i madh, kështu që provimi
pranues, pavarësisht nga posedimi i diplomës së maturës shtetërore, është i
domosdoshëm.
Matura shtetërore
Në ditët e
mbajtjes së provimeve të maturës shtetërore, interneti nëpër shkolla
duhet të ndërpritet. Matura shtetërore o duhet të realizohet sipas
rregullave, o duhet të hiqet krejt. Në shtetin në të cilin në provimet e
maturës shtetërore nuk ngelin as edhe një për qind e nxënësve, matura
shtetërore realizohet vetëm sa për sy e faqe. Matura shtetërore u
nevojitet nxënësve për t’i ndjekur studimet jashtë vendit.
Testet e maturës
shtetërore për nxënësit e gjimnazeve duhet të dallohen nga testet e
nxënësve të shkollave profesionale. Me fjalë të tjera, provimet e
maturës shtetërore të nxënësve të gjimnazeve duhet të jenë më të rënda se ato
të shkollave profesionale. Kuptohet, provimet e maturës shtetërore duhet të
jenë të rënda edhe për nxënësit e shkollave të mesme të mjekësisë.
Sidomos provimet profesionale.
Shkëmbimi i nxënësve apo i studentëve
Ka raste kur
nxënësit apo studentët, në saje të projekteve të caktuara shkojnë dhe vizitojnë
vende të caktuara të botës. Ndodh të qëndrojnë aty një apo dy javë, por ka edhe
raste kur rijnë një vit e më tepër. T’i shohësh shkollat dhe universitetet e
vendeve të ndryshme të botës është gjë e mirë. Sheh përvoja, nxënës, studentë,
profesorë, ligjërues, pedagogë, metoda ligjërimi, tekste shkollore dhe
universitare, biblioteka, mjete mësimore bashkëkohore etj. Nga udhëtimet e
tilla fiton edhe përvoja të reja. Megjithëkëtë, para të çon vetëm një gjë –
libri, leximi, studimi me përkushtim. “Punë, punë natë e ditë, që të shohim
pakëz dritë” – ka thënë Naim Frashëri.
Studimi në universitetet prestigjioze
Përpos në
universitetet shqiptare të vendit, nxënësit e dalluar të gjimnazeve është mirë
të studiojnë edhe në universitetet prestigjioze jashtë vendit. Një universitet
i tillë është edhe ai i Zagrebit. Çdo vit, pesë deri në dhjetë
nxënës të dalluar të gjimnazeve, me mjetet financiare të shtetit, duhet t’i
ndjekin studimet në Universitetin e Zagrebit. Aty do të qëndronin pesë-gjashtë
vjet me bursat studentore të shtetit. Dërgimi i studentëve jashtë vendit me
bursat e shtetit duhet të zgjatë të paktën dhjetë vjet. Atje do t’i studionin
të gjitha drejtimet: gjuhësinë, letërsinë, matematikën, fizikën, kiminë, informatikën,
biologjinë, mjekësinë, stomatologjinë, farmacinë, ekonominë, drejtësinë,
filozofinë, sociologjinë, psikologjinë, pedagogjinë, akademinë e artit
dramatik, artin muzikor, artin figurativ, edukatën fizike etj.
Me t’u kthyer në
vend pas mbarimit të studimeve, ata do të viheshin në krye të proceseve
shoqërore, ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore etj. Ata do të krijonin
baza dhe parakushte për punë studimore dhe kërkimore-shkencore.
Rezultatet nga
ndryshimet apo nga reformat në arsim mund të pasojnë pas dhjetë apo njëzet
vjetëve. Me fjalë të tjera, ndryshimet i fillon sot, kurse
rezultatet i korr pas dhjetë deri njëzet vjetëve.
* * *
Ndryshimet apo
reformat e lartpërmendura kurrë nuk do të bëhen. Si pasojë, ne do të vazhdojmë
të kemi një arsimim të jocilësor. Do të vazhdojmë të jemi ndër të fundit në
matjen ndërkombëtare të njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare.
Universitetet tona do të vazhdojnë të mos figurojnë në listat botërore të
rangimit. Nxënësit tanë nuk do t’i kemi në gara ndërkombëtare në lëndët e
matematikës, të fizikës, të kimisë, të informatikës etj. Ne do të vazhdojmë të
mos dimë ta shkruajmë drejt gjuhën amtare. Si pasojë, do të vazhdojmë të jemi
ndër të fundit në rajon me shkallën e zhvillimit ekonomik. Do të vazhdojmë të
merremi me mikrovlera, me mikrosisteme dhe të veprojmë në mikroplan.
Madhësinë tonë do ta matim me vetveten dhe jo me të tjerët. Në arenat sportive
ndërkombëtare nuk do t’i kemi basketbollistët, hendbollistët, volejbollistët,
tenistët, vrapuesit, gjimnastët, vaterpolistët, ndonëse i kemi dy dete. Do të
vazhdojmë t’i harxhojmë energjitë tona për punë dytësore. Kësisoj vështirë do
të mund të dalim nga mendësia provinciale. Do të vazhdojmë të lexojmë fare pak,
në mos aspak. Do të vazhdojmë të joshemi nga programet televizive reality
show që përhapin imoralitet si dhe nga muzika pornografike.
Do të shquhemi për megalomani, për arrogancë, për mendjemadhësi, për narcizëm.
Do ta shpallim dhe do ta konsiderojmë veten si më të mençurit e botës.
Dituria është një
prej parakushteve themelore të zhvillimit të një shoqërie.