Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shembja e Murit të Berlinit
E shtune, 03.08.2024, 06:59 PM
35 vjet nga rënia e murit ndarës
SHEMBJA E MURIT TË BERLINIT
“GODITJE EPIKE TIRANISË” – Angela Merkel
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Muri i Berlinit (gjerm.: Die Berliner
Mauer) ka qenë një barrierë e
gjatë rreth 160 km e cila e ka ndarë Berlinin perëndimor nga ai lindor dhe nga
territori përreth i republikës Demokratike Gjermane. E ndërtoi pushteti i
Gjermanisë Lindore, propaganda e të cilit këtë objekt e quajti “Mur mbrojtës
antifashist” (gjerm.: Antifaschistischer
Schutzwall). Qëllimi i murit ishte
të pengojë ikjen e popullsisë nga Gjermania Lindore realsocialiste në Gjermaninë Perëndimore. Filloi të ndërtohet më 13
gusht 1961. Disa herë ka përjetuar ndërtime plotësuese. Për qarkullim rrugor të
papenguar është hapur më 9 nëntor 1989
dhe më pas u shemb. Ka qenë mishërim i luftës së ftohtë.
Rrethanat e ndërtimit – Kontakti i drejtpërdrejtë i
zonës shtetëror të Gjermanisë Lindore dhe të Gjermanisë Perëndimore në Berlin,
i krijonte mundësi popullatës të migrojë në Perëndim: prej vitit 1945 deri në
vitin 1961 e kanë braktisur Republikën Demokratike Gjermane gjithsej 3,5
milionë banorë – rreth 20% e popullatës së përgjithshme të atij shteti. Përveç
kësaj, mundësinë që në Berlin prej vendeve komuniste të ikin në Perëndim e kanë
shfrytëzuar një numër i konsiderueshëm i shtetasve të Polonisë dhe të
Çekosllovakisë – shtete fqinje të RFGj-së. Shtetet komuniste e kishin të
ndaluar emigrimin.
Ndërtimi, mirëmbajtja dhe vëzhgimi i murit dhe i “rripit të gjerë të vdekjes” rreth tij – objektit i cili në fazën
përfundimtare ka qenë e gjatë rreth 160 km – ka kushtuar shumë shtrenjtë dhe ka
qenë një barrë e madhe për ekonominë e Gjermanisë Lindore.
Në periudhën e viteve 1961-1989, rojet e kufirit të Gjermanisë Lindore
kanë vrarë të paktën 138 persona të cilët kishin tentuar të ikin përtej murit.
Përtej murit ia kanë dalë të ikin 5.075 persona. Prej tyre, 574 nga radhët e
ushtarëve të cilët kanë pasur për detyrë ta ruajnë murin e Berlinit, d.m.th. ta
parandalojnë ikjen përtej murit.
Shembja e murit të Berlinit – Në kontekstin e çintegrimit të
bllokut komunist të tubuar rreth Bashkimit Sovjetik, sundimtari efektiv
shumëvjeçar i Republikës Demokratike Gjermane Erih
Honeker (Erich Ernst Paul Honecker, Neunkirchen, Gjermani, 1912 – Santiago,
Kili, 1994), më 18 tetor 1989 dha dorëheqje. Honekeri ishte Sekretar i
Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Bashkimit Gjerman. Honekeri qysh në janar
të vitit 1989 kishte prognozuar se muri i Berlinit do të qëndrojë edhe 50 deri
100 vjet. Rrjedha e shpejtë e ngjarjeve që më vonë u njoh si revolucion i qetë
në Republikën demokratike Gjermane (RDGj) në vitin 1989, e përgënjeshtroi
parashikimin e tij. Në shtator të vitit 1989, në mbarë Gjermaninë Lindore
shpërthyen demonstrata. Që në krye të herës demonstruesit ishin kryesisht
njerëz të cilët kishin dashur të emigrojnë në Perëndim. Ata brohoritnin parullën
“Duam jashtë” (Wir wollen
raus!). Më
pas demonstruesit filluan të brohorisin "Wir bleiben hier!" (Këtu do të rimë!), duke dashur të thonë se duan që
Perëndimi të vijë në vatrën e tyre dhe jo ata ta braktisin vendlindjen.
Autoritetet komuniste nuk treguan vendosmëri të zbatojnë forcë kundër
demonstruesve. Demonstratat vazhduan dhe bëheshin gjithnjë më masive. Ato
arritën kulmin më 4 nëntor kur rreth gjysmë milion demonstrues u tubuan në Sheshin
Alekasandër (Alexanderplatz) në Berlini lindor.
Shënim: Demonstratat kanë qenë ilegale.
Në një vend komunist ke të drejtë vetëm t’i japësh mbështetje regjimit.
Kundërshtimi i politikës së pushtetit konsiderohet veprimtari kundërrevolucionare dhe dënohet ashpër.
Nën trysninë e
demonstratave dhe të situatës ndërkombëtare ku janë lëkundur të gjitha regjimet
në Evropën Lindore, Politbyroja e Partisë Socialiste të Bashkimit Gjerman (SED)
në krye me trashëgimtarin e Honekerit, Egon
Rudi Ernst Krenz (1937- ), më 9 nëntor 1989 vendosi të lejojë emigrimin në
Perëndim.
Shënim: Në vendet komuniste dhe në
vendet e tjera totalitare, vendimet më të rëndësishme nuk i marrin autoritetet
shtetërore por forumet qendrore të partisë në pushtet.
Në konferencën për
gazetarët, përfaqësuesi për publikun i Politbyrosë dhe shef i SED-së për
Berlinin lindor, Gynter Shabovski (Günter
Schabowski, 1929-2015) vazhdimisht paralajmëronte se vendimi “do të hyjë në fuqi menjëherë, pa shtyrje”
– qoftë edhe sikur Politbyroja të ketë caktuar që vendimi të hyjë në fuqi të
nesërmen, në mënyrë që rojet kufitare të Gjermanisë Lindore të mundë të
përgatiten për çeljen e vendkalimeve. Deklaratat e Shabovskit (Schabowski),
në orën 19:17 i transmetuan mediumet
elektronike të Gjermanisë Perëndimore, që mund të ndiqeshin edhe nga një pjesë
e madhe e popullsisë së Gjermanisë Lindore. Sakq, para gjashtë vendkalimeve,
nga Berlini lindor në atë perëndimor filluan të tubohen qytetarët e Republikës
Demokratike Gjermane (RDGj) të cilët menjëherë donin të shkojnë në Perëndim.
Rojet kufitare tejet
të hutuar – të cilët ende s’kishin marrë urdhra për të lëshuar dikë – u
ballafaquan me një masë të madhe njerëzish. Askush nuk ishte i gatshëm të
përdorte forcën për t’i ndalur njerëzit që donin të kalonin matanë kufirit. Në
orën 22:45 Harald Jager (Harald Jäger,
1943- ), urdhërdhënësi i drejtpërdrejtë i kalimit në Bornholmer
Straße, u dha urdhër rojeve
kufitare ta çelin vendkalimin dhe të lëshohen njerëzit për të shkuar në
Berlinin perëndimor. Në anën tjetër të murit i pritnin berlinasit perëndimorë
me lule dhe me shampanjë. Pamje përqafimi dhe vallëzimit të transmetuara nga
studiot televizive e tronditi emocionalisht mbarë Gjermaninë, populli i të
cilës po përjetonte fundin e ndarjes së imponuar.
Më 9
nëntor 1989, njerëzit me nismën e vet filluan të shkatërrojnë pjesë të
Murit, ndërsa më 13 nëntor ushtria e Gjermanisë Lindore ndërmori largimin e
organizuar të do pjesëve të tij. Shtetasve të Republikës Demokratike Gjermane
(RDGj), d.m.th. të Gjermanisë Lindore, menjëherë iu mundësua të kalojnë prej
Berlinit lindor në atë perëndimor. Mirëpo, shërbimi kufitar deri më 23 nëntor
1989 ende e kufizonte hyrjen e shtetasve të Gjermanisë Perëndimore (Republikës
Federale të Gjermanisë) në Berlinin lindor. Zyrtarisht, ribashkimi i Gjermanisë
u krye më 3 tetor 1990.
* * *
Shembja e murit të
Berlinit shënon fillimin e çlirimit nga ideologjia komuniste dhe nga strukturat
komuniste, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por edhe në shumë shtete socialiste
në Evropë. Njëherazi, shembja e murit shënon fillimin e bashkimit të
përshpejtuar të Gjermanisë.
Me rastin e
25-vjetorit të rrënimit të murit, kancelarja e Gjermanisë Federale, Angela Merkel (1954- ), shembjen e
murit e quajti “goditje epike tiranisë”.
* * *
Muri i Berlinit u
shemb më 9 nëntor 1989. Më 3 tetor 1990 Gjermania u ribashkua.
Pason shpërbërja e
perandorisë sovjetike, bolshevike, të kuqe. I vjen fundi tiranisë, autokracisë,
autoritarizmit, despotizmit, bolshevizmit, diktaturës, totalitarizmit,
stalinizmit. Nga Bashkimi Sovjetik i shpërbërë doli një Rusi e pakonsoliduar.
Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari si shtet sovran më 25 dhjetor të vitit
1991.
Shpërbëhet edhe
krijimi artificial, Jugosllavia e Titos apo e AVNOJ-it (KAÇKJ – Këshilli
Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë). Studiuesit nuk janë të
njëmendimi se kur u shpërbë Jugosllavia. S’janë të njëmendimi as për shkaqet e
shpërbërjes së saj. Formalisht, shkatërrimi i Jugosllavisë filloi më 25 qershor
1991 kur Kuvendi i Sllovenisë dhe Kuvendi i Kroacisë shpallën pavarësinë nga
RSFJ. Pas dy ditëve, d.m.th. më 27 qershor 1991, midis pjesëtarëve të mbrojtjes
territoriale të Sllovenisë, në një anë dhe forcave pushtuese serbosllave, në
anën tjetër, shpërthyen konfliktet e armatosura.
* * *
Ribashkimi i
Gjermanisë, shpërbërja e perandorisë sovjetike, dalja prej saj e një Rusie të
pakonsoliduar, shpërbërja e Jugosllavisë së AVNOJ-it, dominimi në planin global
i ShBA-së, janë momente historike që shkojnë në dobi të kombit shqiptar.
Zhvillimet historike
të sipërthëna bënë të mundur: hyrjen e ShBA-së në rajon; çlirimin e Kosovës
prej pushtuesve, kolonialistëve, hegjemonistëve dhe ekspansionistëve
serbomëdhenj; konsolidimin e Shqipërisë dhe hyrjen e saj në NATO.
Shqiptarët në Ballkan
janë të rrethuar prej hienave. Pa
Amerikën në rajon, shqiptarët janë të rrezikuar prej grabitqarëve. Shqiptarët i
përkasin zonës amerikane të interesit dhe sferës amerikane të ndikimit dhe janë
populli më proamerikan në botë.