Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: A paraqet Marrëveshja e Ohrit zgjidhje të drejtë për çështjen shqiptare në Maqedoni
E diele, 25.08.2024, 05:59 PM
A PARAQET MARRËVESHJA E OHRIT ZGJIDHJE TË DREJTË PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE NË MAQEDONI
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Marrëveshja e Ohrit
u nënshkrua në Ohër më 13 gusht të vitit 2001. Atë e kanë nënshkruar: kryetari
i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Arbën Xhaferi (1948-2012), kryetari i
Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Imer Imeri (1942-2008), kryetari i
VMRO-DPMNE-së, njëherazi edhe kryeministër, Lubço Georgievski (1966- ),
kryetari i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Branko Cërvenkovski
(1962- ) dhe kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski (1956-2004).
Si lehtësues
ndërkombëtarë të dialogut, dokumentin e kanë nënshkruar edhe politikani francez
Fransua Leotar (François Gérard Marie Léotard, 1942-2023) dhe
ish-negociatori amerikan në Ballkan, Xhejms Perdju (James William
Pardew, 1944-20121).
Marrëveshja ka tri
shtojca: Shtojca A – amendamentet kushtetuese, Shtojca B – ndryshimet në
legjislacion, Shtojca C – implementimi i marrëveshjes për të cilin do të
diskutohet në Kuvendin e Maqedonisë.
Në Marrëveshjen e
Ohrit, ndërmjet tjerash thuhet: “Sovraniteti dhe tërësia tokësore e
Maqedonisë si dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacenueshëm dhe duhet të
ruhen. Për çështjet etnike nuk ka zgjidhje territoriale”.
Fjalia e fundit e
parimit të sipërthënë ka këtë kuptim: “Çështja shqiptare në Maqedoni nuk
është çështje territoriale. Me fjalë të tjera, shqiptarët në Maqedoni nuk
kërkojnë territor, nuk luftojnë për territor”.
Në marrëveshje
thuhet: “Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë
shprehjen e vet në jetën publike”.
Sikundër shihet, në
marrëveshje nuk flitet për shtet dyetnik apo dykombësh (binacional). Në vend të
kësaj, flitet për “shoqëri maqedonase shumetnike”. Me fjalë të
tjera, shoqëria (dhe jo shteti) në Maqedoni na qenkësh shumetnike.
Marrëveshja e Ohrit
duhej të zbatohej brenda një periudhe katërvjeçare, përkatësisht në vitin 2004.
Ka shqiptarë që thonë se kjo marrëveshje sot e kësaj dite nuk është
implementuar
* * *
Shqiptarët në
Maqedoni sot e gjithë ditën nuk e kanë të qartë sa duhet se çfarë statusi
politik dhe juridik u siguron Marrëveshja e Ohrit.
Ç’janë shqiptarët
sipas Marrëveshjes së Ohrit:
- Popull
shtetformues; apo
- Pakicë me të
drejta të caktuara kombëtare, të garantuara me kushtetutë?
Situata rreth statusit të shqiptarëve mbetet nebuloze dhe
e mjegullt. E tillë mbetet për dy arsye:
- e para, nga mosdija, dhe
- e dyta, partia shqiptare në pushtet parapëlqen të
manipulojë dhe të thotë: ”jemi popull shtetformues”.
Me rastin e kremtimit të Ditës së alfabetit të gjuhës
shqipe në Manastir, qëllon të vijë edhe ndonjë ministre nga Shqipëria. Njëherë,
njëra sosh tha: “Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues”. Pas
pak, e njëjta shtoi: “Kemi ardhur këtu në Bitola...”. Kjo ministre nuk
ka njohuri të mjaftueshme për të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve në Maqedoni.
Ajo s’ka dot njohuri politike dhe juridike të mjaftueshme, për të mos thanë
fare s’ka njohuri se ç’kuptohet me “popull shtetformues”.
Ku është dallimi midis pakicës, në një anë
dhe popullit shtetformues, në anën tjetër. Çfarë atributesh
posedon një popull me status shtetformues? Këta terma apo këto koncepte mësohen
në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në atë të Shkencave Politike. Mediokri
apo pseudo-intelektuali i gjithëdijshëm i provincës pandeh se këto njohuri mund
të mësohen edhe në çajtoren, në ëmbëltoren dhe në byrektoren e qytezës.
*
* *
Çdo marrëveshje që vjen pas një lufte apo pas një
konflikti, paraqet kompromis midis palëve. Kur mbyllet një marrëveshje ndërmjet
palëve ndërluftuese, asnjëra prej tyre nuk është plotësisht fituese apo
plotësisht humbëse. Në një marrëveshje që arrihet pas një lufte apo konflikti
të armatosur, rëndom merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar influent.
A i plotëson Marrëveshja e Ohrit kërkesat e shqiptarëve?
A e ka zgjidhur Marrëveshja e Ohrit çështjen shqiptare në Maqedoni? A janë të
kënaqur shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit dhe sa janë të kënaqur? A është
vjetruar Marrëveshja e Ohrit? A është zbatuar Marrëveshja e Ohrit plotësisht?
Gjatë periudhës së zbatimit, a ka pësuar ndryshime dhe interpretime të
njëanshme?
*
* *
Ka qenë vështirë të arrish marrëveshje me
sllavo-maqedonasit. Këta kanë qenë dhe janë antishqiptarë të përbetuar. Që nga
viti 1912, sllavo-maqedonasit me ndihmën e Serbisë kanë ushtruar dhunë ndaj
shqiptarëve, dhunë dhe gjenocid. I kanë dëbuar për në Turqi. Kanë bërë pastrim
etnik.
Politika antishqiptare e sllavo-maqedonasve është
mbështetur fuqimisht nga Serbia. Kundër të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni
kanë qenë edhe Greqia edhe Bullgaria.
*
* *
Në kohën e pluralizmit Maqedonia ka qenë e mbrojtur nga
ShBA-ja. Tërësinë tokësore të saj s’kanë mundur ta vënë në dyshim as faktori i
brendshëm – shqiptar, as faktori rajonal – Bullgaria, Serbia dhe Greqia.
Në krye të
Marrëveshjes së Ohrit thuhet: “Sovraniteti dhe tërësia tokësore e
Maqedonisë si dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacenueshëm dhe duhet të
ruhen. Për çështjet etnike nuk ka zgjidhje territoriale”.
* *
*
Duke pasur në qeveri apo në pushtetin qendror pesë apo
gjashtë ministra shqiptarë, zëvendësministra, shefa kabinetesh, këshilltarë,
drejtorë të përgjithshëm, funksionarë prej eshalonit të parë deri në të
katërtin, duke qeverisur pushtetin vendor në mbi pesëmbëdhjetë bashki, krijohet
përshtypja se shqiptarët gëzojnë një sasi të madhe të drejtash.
Mirëpo në këtë mes nuk merret parasysh fakti se të
drejtat e shqiptarëve në Maqedoni burojnë nga:
- Argumenti historik, që do të thotë se shqiptarët në
Maqedoni janë popull autoktonë;
- Argumenti i bashkëkohësisë, që do të thotë se
shqiptarët në Maqedoni përbëjnë tridhjetë për qind të popullsisë së saj; dhe
- Argumenti hipotetik, që do të thotë se midis konfliktit
dhe paqes, shqiptarët në Maqedoni janë përcaktuar për paqe dhe janë faktorë
qëndrueshmërie në vend dhe në rajon.
Shqiptarët janë faktor demografik, intelektual, ekonomik,
prodhues, biologjik, krijues, kulturor, mbrojtës.
*
* *
Me Marrëveshjen e Ohrit:
- Nuk u krijua një Maqedoni federative;
- Nuk u krijua një Maqedoni dyetnike, dykombëshe apo
binacionale;
- Nuk u krijua një entitet shqiptar brenda
Maqedonisë, siç është Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë;
- Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në tërë territorin
e Maqedonisë;
- Nuk kemi një kuvend dydhomësh: Dhoma e Qytetarëve dhe
Dhoma e Bashkësive Etnike;
- Shqiptarët në Kuvend nuk e kanë të drejtën e vetos.
Parimi i Badinterit nuk është zëvendësim përkatës i vetos;
- Flamuri i shtetit është flamur i sllavo-maqedonasve.
S’ka shqiptar në botë që e respekton këtë flamur, përpos në raste ceremoniale
apo protokollare;
- Himni i shtetit është himn i sllavo-maqedonasve. S’ka
shqiptar në botë që e respekton këtë himn, përpos në raste ceremoniale apo
protokollare;
- Nxënësit sllavo-maqedonas nuk e mësojnë gjuhën shqipe
nëpër shkolla, madje as në komunat ku shqiptarët paraqesin shumicë absolute.
Nxënësit sllavo-maqedonas duhet ta mësojnë gjuhën shqipe që nga klasa e tretë
fillore, sikundër e mësojnë maqedonishten nxënësit shqiptarë;
- Lufta e vitit 2001 nuk hyri në tekstet e historisë të
Maqedonisë;
- Statusi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare
nuk u zgjidh me ligj;
- Statusi i invalidëve të luftës së 2001-shit, nuk u
zgjidh me ligj;
- Data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit duhej të
ishte ditë feste shtetërore në Maqedoni;
- Formimi i qeverisë duhej të ishte rregulluar me ligj. Qeveria
duhet të formohet nga fituesi i zgjedhjeve në bllokun shqiptar si dhe nga
fituesi i zgjedhjeve në taborin sllavo-maqedonas.
Nuk je popull shtetformues, jo, se
po të ishe, shqipja nuk do të figuronte si gjuhë që e flasin 20 % e popullatës.
Me këtë shpërngulje dhe dyndje të popullatës, mund të
ndodhë që shqiptarët të bien nën 20 %. A thua vallë, ç’do të ndodhte pas
kësaj?! A mund të rrezikohet e drejta e përdorimit të flamurit dhe të gjuhës amtare?!
Maqedonia është krijuar si shtet në trojet shqiptare. Ardhacakët ia kufizojnë
të drejta një populli që është ndër më të vjetrit e gadishullit.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
kanë kapacitetet shtetformues, por nuk e kanë me kushtetutë statusin politik
dhe juridik të popullit shtetformues.
Kjo ndodh për dy arsye:
- E para, nga mungesa e diturisë së duhur, dhe
- E dyta, nga korrupsioni. Nuk mund të zhytesh në
korrupsion dhe njëherazi të realizosh kërkesa kombëtare për popullin tënd. O
pasurim brenda nate të një grupi apo koniunkture, o realizim kërkesash në
interes të përgjithshëm. Armiku nuk t’i jep të dyja.
Sllavo-maqedonasit e kanë kompleksin e të dobëtit. Mbase
ata mendojnë kësisoj: “Po t’u japim shqiptarëve të drejta sa s’bën, atëherë
ekziston rreziku që ta gllabërojnë krejt shtetin”. Prandaj si zgjidhje e
shohin shtratin e Prokrustit. Nuk shkon edhe Marrëveshje e Ohrit
edhe shtrati i Prokrustit.
*
* *
Në Maqedoni nuk u zgjidh as statusi i ish-të burgosurve
dhe i të përndjekurve politikë shqiptarë të cilët u dënuan nga regjimi monist
me dënime drakonike.
*
* *
Marrëveshja e Ohrit duhej ta kishte parasysh edhe
çështjen e zhvillimit ekonomik të viseve me shumicë shqiptare, që nga Struga
deri në Likovë. Ekonomia e këtij vendi, sistemi bankar dhe ai financiar
kryekëput janë në duart e sllavo-maqedonasve. Investimet dhe grantet shkojnë në
pjesën lindore të këtij vendi, ndërsa viset me shumicë shqiptare janë
anashkaluar.
Marrëveshja e Ohrit duhej t’i kishte pasur parasysh edhe
shqiptarët në rajonet ku ata dhunshëm janë shndërruar pakicë, si: në Ohër, në
Manastir, në Krushevë, në Resnjë, në Prespë, në fshatrat e Velesit apo të
Prilepit, në Çashkë, Rostushë, Dollnen, në disa komuna të qytetit të Shkupit
etj.
Krejt punët s’ka se si të jenë objekt i Marrëveshja e
Ohrit. Maqedonia e Veriut është lidhur me autostrada me fqinjët e tjerë –
Serbinë, Greqinë dhe Bullgarinë, por jo edhe me Shqipërinë dhe Kosovën.
Por ka do punë që ndërlidhen me Marrëveshjen e Ohrit.
Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë shteti më i nacifikuar në
Evropë. Si është e mundur që në një qytet me shumicë absolute shqiptare, rrugët
dhe shumë shkolla të mesme, sot e kësaj dite mbajnë emërtime të figurave
sllavo-maqedonase. Po të ndërmarrësh diçka për t’i ndërruar emërtimet e
shkollave, nxënësit sllavo-maqedonas, të mbështetur nga partitë politike
antishqiptare, organizojnë protesta. Kjo s’është veçse dobësi e politikës
shqiptare. Ismail Kadareja kishte ardhur në Tetovë në Festivalin
ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit”. Drejtori i festivalit, Shaip
Emërllau më tha ta presë autorin e “Pallatit të ëndrrave” në gjimnaz. Me
të hyrë në oborrin e shkollës, e lexoi në ballë të ndërtesës emërtimin e
mësonjëtores. Ishte (dhe vazhdon të jetë) emërtim sllav. Shkrimtari i shoqëruar
nga Elena Kadare, më pyeti: “Ç’është ky emër kështu. Unë e dija se vij në
një shkollë shqipe...”. U stepa, nuk dija çka t’i them. Rreth 80 për qind e
nxënësve të gjimnazit, në mos më shumë, janë shqiptarë. Nxënësit
sllavo-maqedonas nuk mësojnë në atë ndërtesë. Ata ndjekin mësimin në objekt
tjetër. Megjithëkëtë, shkolla me nxënës dhe me kuadër arsimorë shqiptarë mban
një emër që fare s’ka të bëjë me historinë dhe kulturën shqiptare. Për më keq,
pothuajse të gjitha shkollat e mesme e kanë të njëjtin problem.
Shënim:
Kadareja me gruan e vet u pritën nga drejtoria e gjimnazit, nga të gjithë
profesorët si dhe nga qindra nxënës. Shkrimtari të gjithëve na mbajti një
ligjëratë që zgjati disa minuta. Ata qëndruan në shkollë rreth dy orë.
*
* *
Shqiptarët diskriminohen në shumë lëmenj. Spitalet e
qyteteve shqiptare në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut nuk krahasohen dot
me klinikën e Shkupit. Kjo klinikë ka krijuar monopol dhe pjesa më e madhe e
mjeteve financiare të buxhetit derdhen aty.
Duhet cekur se Maqedonia e Veriut është një shtet,
sistemit të drejtësisë të të cilit i besojnë vetëm dy për qind e qytetarëve të
tij. Duket e pabesueshme, por kjo shifër vjen nga nivelet më të larta të
politikës. E dhimbshme. Mjerë ky popull në çfarë shteti jeton. Kështu nuk
pranohesh dot në BE.
*
* *
Ta kesh ministrin shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes, në
Ministrinë e Financave apo në Ministrinë e Punëve të Jashtme, s’ka fije dyshimi
se është arritje që çmohet lartë nga qytetarët shqiptarë. Ta kesh shqiptar
kryetarin e Kuvendit të shtetit, s’ka fije dyshimi se është arritje që çmohet
prej shoqërisë shqiptare. Ta kesh shqiptar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut
është një arritje që duhet vlerësuar.
Mirëpo, nuk duhet harruar se ministrat shqiptarë, kryetari
shqiptar i Kuvendit të shtetit apo edhe kryeministri shqiptar, respektojnë dhe
zbatojnë ligjet e këtij shteti dhe kushtetutën e këtij shteti.
Duhet parë në ka ligje diskriminuese dhe restriktive ndaj
shqiptarëve.
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit ky shtet në
shumë raste ka ushtruar dhunë dhe opresion ndaj shqiptarëve.
Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk e kanë provuar dhe
nuk e kanë praktikuar veprimin jashtë-institucional. Ka raste kur nuk mund të
arrish një kërkesë kombëtare pa e kushtëzuar palën tjetër me veprim paqësor
jashtë institucioneve të pushtetit qendror. Faktori ndërkombëtar nuk mund të të
detyrojë të hyjsh në qeveri në emër të ruajtjes së paqes dhe të qëndrueshmërisë
në rajon. Kjo s’është veçse një klishe. Paqja dhe lufta në çdo pikë të
rruzullit dihet se në duart e kujt janë.
Në Maqedoni edhe sot ka kauzë shqiptare. Kauza shqiptare
nuk është mbyllur. Ajo duhet të zgjidhet me mjete politike, në rrugën
demokratike dhe institucionale. Një faktor politik i përçarë dhe që rend pas pushtetit,
kurrë nuk mund ta zgjidhë një çështje kombëtare. Këtë e dëshmon historia.
Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të reduktohet kryesisht në
punësimin e të rinjve. Punësimi është vetëm një dimension i çështjes. Kauza nuk
zgjidhet me nepotizëm dhe me mbingarkimin e zyrave apo të
administratës. Kjo nuk parqet zgjidhje. Zgjidhjet paliative apo gjysmake nuk
mundësojnë perspektivë. Rrugëdalje duhet kërkuar në investimet e huaja dhe në
zhvillimin e sektorit privat.
Marrëveshja e Ohrit sot nuk i
plotëson kërkesat e shqiptarëve. Por, asgjë në histori
nuk ka mundur të ndodhë ndryshe përpos siç ka ndodhur. Marrëveshja e
arritur midis dy popujve zgjat rreth një shekull. Marrëveshjet nuk
denoncohen dhe nuk arrihen kur t’i kujtohet dikujt dhe si t’i kujtohet dikujt.
Për një marrëveshje të re shqiptarët duhet të presin. Të presin momente
historike të reja, siç ishte rënia e murit të Berlinit, shpërbërja e
perandorisë sovjetike, shembja e Jugosllavisë së Josip Brozit.
Edhe lufta nuk bëhet kur t’i kujtohet dikujt. Putini hyri
në luftë por Rusia s’di si të dalë prej saj.