Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Vdes laureati i çmimit 'Nobel' Mario Vargas Losa
E marte, 15.04.2025, 06:56 PM
VDES LAUREATI I ÇMIMIT “NOBEL” MARIO VARGAS LOSA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Shkrimtari peruan, laureat i çmimit “Nobel” Mario
Vargas Losa ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Vdiq në mëmëdheun e vet, në
Peru. Ishte personalitet i jashtëzakonshëm i letërsisë dhe të kulturës së
Amerikës Latine, i cili rrallëherë përulej para kundërshtive.
La pas vetes mbi pesëdhjetë vepra. Shumë prej
tyre janë përkthyer në një numër të madh gjuhësh të huaja. Vargas Losa e ka marrë çmimin “Nobel” për
letërsi në vitin 2010. Me rastin e marrjes së çmimit, anëtarët jurisë e quajtën “tregimtar me dhunti hyjnore ”. Në veprat e veta e paraqiti
autoritarizmin, dhunën dhe maçizmin apo maskulizmin. Krijimet e tij shquhen për
gjuhën e pasur dhe figurative. Kjo ndikoi që Vargas Losa të konsiderohet yll i Bumit letrar të Amerikës Latine, lëvizje kjo e cila në përmasa
globale e tërhoqi vëmendjen e botës në këtë kontinent.
Në fillim të veprimtarisë së vet, Losa anonte kah
idetë majtiste. Më vonë u
dëshpërua prej lëvizjeve revolucionare të Amerikës Latine, ndaj në vitin 1990 u
kandidua për kryetra të Perusë, si përfaqësues i një partie të qendrës së
djathtë, por nuk pati sukses.
Vargas Losa lindi në Arekip (Arequipa), në jug të
Perusë, në vitin 1936. Është vit kur kanë lindur edhe Ismail Kadareja, Adem
Demaçi, Bekim Fehmiu, Rexhep Qosja.. Losa i përket një familjeje të klasës së
mesme. Prindërit iu shkurorëzuan qysh kur ishte foshnjë. Me stërgjyshin dhe me
stërgjyshen u shpërngul në Koçabambë në Bolivi. Kur i mbushi dhjetë vjet, u
kthye në Peru. Në moshën 16-vejeçare e shkroi dramën e parë “Ikja e inkëve”. Diplomoi në
Universitetin e Limës. Studioi edhe në Spanjë. Më vonë u vendos në Paris.
Romani i parë i tij “Kohë e heronjve” paraqet akuzë ndaj korrupsionit dhe keqtrajtimeve
në shkollën ushtarake të Perusë. E shkroi në kohën kur ushtria kishte në vend
ndikim të madh politik dhe shoqëror. Romani u botua në vitin 1962.
Imazhet e fuqishme dhe demaskuese në roman u
dënuan nga shumë gjeneralë të Perusë, saqë njëri prej tyre e fajësoi se ka “mendje të deformuar”.
Losa e shkroi romanin i frymëzuar në ditët kur
Losa ishte tinejxher në Akademinë Ushtarake në Leoncio Prado të cilën në vitin
1990 e përshkroi si një “përvojë tejet
traumatike”. Atje i kaloi dy vjet. Kjo e shtyri që Perunë ta shohë si një
vend me shoqëri të dhunshme, me plot trishtime, të përbërë prej fraksioneve
sociale, kulturore dhe racore kryekëput kundërthënëse”. Vargas Losa thotë se
shkolla ushtarake dogji në oborrin e vet 1.000 kopje të romanit të tij.
Ngjarja e romanit
të tij të dytë, eksperimental “Shtëpia e
gjelbër” (1966) është vendosur në një shkretëtirë dhe xhungël peruane. Aty autori flet për një lidhje rufjanësh, misionarësh
dhe ushtarësh të tubuar pranë një shtëpie publike.
Këto dy romane
ndihmuan në themelimin e Bumit letrar latinoamerikan gjatë
viteve 1960... dhe 1970. Kjo lëvizje karakterizohej nga vepra eksperimentale
dhe kryekëput politike të cilat e
pasqyronin kontinentin që përjetonte tronditje politike, sociale, ekonomike dhe
morale.
Shënim: Mbartës të bumit letrar latinoamerikan ishin
shkrimtari peruan Mario Vargas Losa,
shkrimtari kolumbian Gabriel Grasia
Markez, tregimtari dhe romancieri argjentinas Hulio Kortasar (Julio
Cortazar, 1914-1984) dhe prozatori meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1928 - 2012). Lëvizja lindi në gjysmën
e viteve ’70 të shekullit XX.
* * *
Autorë kryesorë të
asaj lëvizjeje ishin shkrimtari kolumbian, laureat i çmimit “Nobel”, Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márques, 1927-2014), i njohur për stilin e realizmit magjik.si dhe
Mario Varga Losa.. Herë-herë, midis
këtyre dyve shfaqej një rivalitet. Që të dy fituan famë botërore. Në një kinema
në Meksikë në vitin 1976, Mario Varga Losa i ra me grusht Gabriel Garsia
Markezit. Që atëherë ata nuk kanë folur me njëri-tjetrin. Për shkaqet e incidentit
ka versione të ndryshme. Shokët e Markezit thonë se ata janë zënë për shkak të
miqësisë së tij me gruan e atëhershme të Varga Losës – Patrisian, ndërsa në
vitin 2017 Varga Losa u ka thënë studentëve të universitetit në Madrid se ata
janë zënë për shkak të qëndrimeve të kundërta për Kubën dhe për udhëheqësin
komunist të saj, Fidel Kastron
(Fidel Alejandro Castro Ruz, 1926-2016) .
Në vitin 2007 u
pajtuan, kurse pas tre vjetëve, d.m.th. në vitin 2010, Varga Losa e fitoi
çmimin “Nobel”. Ishte i dyti shkrimtar i Amerikës së Jugut që e mori atë
shpërblim, pas Gabos (Markezit), i cili u vlerësua me këtë çmim në vitin 1982.
Pjesa më e madhe e
krijimtarisë së Varga Losës është e lidhur ngushtësisht me paqëndrueshmërinë
dhe dhunën në pjesë të caktuara të Amerikës Latine gjatë gjysmës së dytë të
shekullit XX, kur rajoni kalonte nëpër valët e revolucioneve dhe të regjimeve
ushtarake.
* * *
Emri i këtij krijuesi figuron edhe si
Mario Vargas LLosa. Ky është tregimtar dhe eseist. Pothuajse nuk ka episod nga
jeta e tij dhe nga mjedisi i tij i afërt që nuk e ka shfrytëzuar si bazë për
shumë romane të tij. U shkollua në Piur dhe në Limë. Ishte i vendosur në
internatin ushtarak. Përjetoi dashurinë që në moshë të mitur dhe pati një
martesë me një grua të shkurorëzuar. Studioi dhe mori pjesë në qerthuj
marksistësh, punoi në radio dhe në gazeta, udhëtoi në Amazoni, u martua me
mbesën (vajzën e motrës), Patrician. Pas procesit ndaj poetit kuban Heberto Juan Padilla (1932-2000), u
shkëput nga opsioni politik të Kubës. Prej fundit të viteve ’50 të shekullit XX
jeton në Evropë – në Madrid, në Paris dhe në Londër. Atje ligjëron, shkruan,
bashkëpunon në gazetat kryesore të botës dhe vlerësohet me mirënjohje letrare.
Kah fundi i viteve ’80 të shekullit XX aktivisht përfshihet në politikë. Pas
dështimit në zgjedhjet peruane për kryetar shteti të mbajtura në vitin 1990, u
tërhoq i dëshpëruar. Në vitin 1993 mori shtetësinë spanjolle. Ishte përfaqësues
“i
realizmit
të ri”. Ishte një prej nismëtarëve të boom-it hispanoamerikan
që e paralajmëroi në romanin “Qyteti dhe
kadetët” (La ciudad y los perros, 1963) të botuar në Barcelonë.
Karakteristika themelore të prozës së tij janë synimi për polifoni, aftësia e
thurjes dhe inovacioni. Çdo titull i tij pas përmbledhjes me tregime “Prijësit” (Los jefes, 1959) tregon se autori ndryshon vazhdimisht.
Në romanin “Qyteti dhe kadetët”
autori evokon qëndrimin e vet në internatin ushtarak. Njëherazi, është një
rrëfim për ndërgjegjen fëmijërore dhe ushtarake si dhe për pastërtinë morale.
Romani “Shtëpia e gjelbër” (La casa
verde, 1965) e shkatërron
fabulimin linear dhe me një teknikë filmike ndërthur disa fate të veçanta në
hapësira dhe në kohë të ndryshme. Vepra vëllimore “Bisedë në tavernë” (La Catedral, 1969) ose (Conversación en la
Catedral) është një pasqyrë komplekse
e degradimit të shoqërisë peruane gjatë periudhës së diktaturës së Manuele Apolinario Odría Amoretti. 1897-1974).
Kritika e konceptit ushtarak rigid, plot humor që në veprat e tij rrallë haset,
paraqitet në romanin “Pantaleoni dhe
batalioni i zbrazët” (Pantaleón y las visitadoras, 1973) ku “batalioni i zbrazët” është eufemizëm për prostitutat që i
paguan ushtria për garnizonet e largëta në pyjet e pashkelura. Pasqyrimi verist
i dashurisë është paraqitur në veprën “Halla
Julia dhe shkarravitësi” (La tia Julia y el escribidor, 1977). Për këtë vepër u ballafaqua edhe me
gjykatën. Episodi historik në Brazil kah fundi i shekullit XX, rebelimi i
fanatikëve fetarë kundër Republikë së re, të cilën ata e quajnë si vepër të
djallit, është orekstruar me mjeshtri në romanin-lumë
me titull “Lufta në fund të botës” (La
guerra del fin del mondo, 1981).
Vepra “Historia e Majtit” (Historia de
Mayta, 1984) flet për dështimin
politik të koncepteve trockiste në
rininë e autorit. Vepra “Kush e vrau
Palomino Moleron” (Quién mató a Palomino Molero?, 1986) i përket zhanrit kriminalistik. Vepra “Elozhe njerkës” (Elogio de la madrastra, 1988) i përket zhanrit të romaneve erotike.
Vazhdim i saj është vepra “Shënimet e Don
Rigobertos” (Los cuadernos de Don Rigoberto, 1997). Proza “Lituma në Ande”
(Lituma en los Andes, 1993), me
ndërthurjen e zhdërvjelltë të rrëfimit sentimental dhe të skenave mizore të
egërsisë guerile, ngjall atmosferën e Perusë në të cilën bën kërdi lëvizja Sendero
Luminoso.
Shënim: Sendero
Luminoso do të thotë Rruga e
shndritshme. Zyrtarisht: Partia Komuniste e Perusë. Ka qenë parti peruane
dhe lëvizje guerile e cila fuqishëm e tronditi Perunë dhe ekonominë e tij, në
vitet ’80 të shekullit XX. U themelua në vitin 1970. Ideologjia e saj ka qenë
marksizëm-leninizmi dhe maoizmi. Udhëheqës të lëvizjes kanë qenë Abimael Guzmán në vitet 1970-1992) dhe Óscar Ramirez në vitet
1992-1999.
* * *
Romanin “Festa e përçit” (La fiesta del chivo, 2000) autori ia kushtoi periudhës së përgjakshme të diktaturës të
sundimtarit dominikan Rafael Leónidas
Trujillo (1891-1961) i cili njihej me nofkën El Chivo (cjap, përç). Trujillo u vra në atentat.
Pikëpamjet për letërsinë në mënyrë më të
thuktë i ka paraqitur në studimet: “Garsia
Markezi: historia e një vendimi” (García Márques: historia de un
deicidio, 1971),
“Orgjia e përhershme” (Orgia perpetua – Flaubert y Madame Bovary, 1975), “Hose
Maria Arguedas dhe fiksionet e indigjenizmit” (José María Arguedas y las
ficciones del indigenismo, 1997).
Prej veprave teatrore dallohen: “Zonjusha
nga Tacna” (La senorita de Tacna,1981),
“Kati dhe hipopotami” (Kathie y el
hipopótamo, 1983), “La Chunga” (1986), “I marri i ballkonit” (El loco de los balcones, 1993) “Sytë
e bukur, fotografitë e këqija” (Ojos bonitos, cuadros feos, 1996).