Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Bota shqiptare dhe politikanët e fisit
E hene, 04.11.2024, 06:59 PM
BOTA SHQIPTARE DHE POLITIKANËT E FISIT
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Bota shqiptare nënkupton popullin
shqiptar në gadishull – në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë,
Bujanoc, Medvegjë), shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, çamët,
shqiptarët në Evropë dhe ata në ShBA. Në vitin 1991 bota shqiptare hyri në atë
që u quajt periudhë tranzicioni.
Askush nuk di të tregojë në ndodhet bota shqiptare ende në tranzicion apo ka dalë prej tij. Mbi
tridhjetë vjet tranzicion!! Gjatë kësaj periudhe kalimtare, në hapësirat
shqiptare në gadishull kanë ndodhur abuzime, keqpërdorime, shpërdorime, veprime
të paligjshme, të kundërligjshme, vjedhje, hajdutëri. Ka të tillë që nuk e dinë
kuptimin e fjalës abuzim. Në të
folmen popullore, abuzim do të thotë vjedhje. Në tridhjetë e tre vitet e
kaluara veprime të paligjshme apo vjedhje dhe hajdutëri ka pasur në të gjitha
poret, fushat, sferat dhe lëmenjtë e jetës. Vjedhje apo veprime të paligjshme
ka pasur si në nivelet vertikale, ashtu edhe në ato horizontale të shtetit apo
të qeverisë. Veprime të paligjshme ka pasur si në pushtetin qendror, ashtu edhe
në pushtetin vendor. Veprime të paligjshme apo vjedhje ka pasur në lëmin e
politikës, përkatësisht në qarqet apo në rrethet politike.
Ka ndodhur që veprime të kundërligjshme
apo vjedhje të kenë kryer: kryetari i shtetit, kryeministri, kryetari i
kuvendit. Në periudhën e viteve 1991-2024 kanë vjedhur edhe një numër i caktuar
i ministrave dhe i të zgjedhurve të popullit. Kanë vjedhur
sa kanë mundur edhe një numër i konsiderueshëm i kryetarëve të bashkive apo i
kryetarëve të komunave. Kanë zaptuar sa kanë dashur edhe zëvendësit e tyre. Në
një anë e vjedh shtetin e vet, kurse në anën tjetër veten e quan shtetar, qeveritar dhe burrë shteti.
Ka pasur kryetar shteti dhe pushtetar i
cili detyrën e vet e ka ushtruar sipas ligjit. Por, ky farë pushtetari i
ndershëm, para vjedhjeve dhe veprimeve të paligjshme të pushtetarëve të tjerë
që përbëjnë nomenklaturën e pushtetit dhe të qeverisjes – i ka mbyllur sytë. Brenda viteve 1991-2024, në shenjë proteste ndaj
vjedhjeve dhe veprimeve të paligjshme të drejtuesve të shtetit, askush në botën shqiptare nuk dha dorëheqje.
Nuk dha dorëheqje asnjë kryetar shteti, asnjë kryetar kuvendi, asnjë
kryeministër, asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë kryebashkiak, asnjë kryetar
komune.
Kanë vjedhur me dy duar edhe disa prej liderëve partiakë, përkatësisht kryetarë
partish. Nuk ka vjedhur vetëm ai që s’ka mundur. Gazetarë të pandërgjegjshëm
vjedhësit e sipërthënë i kanë quajtur elitë politike. Kjo farë elite
politike, para se të hynte në politikë, mezi e ka siguruar bukën e gojës. Shumë
prej këtyre pseudo-politikanëve i
kanë lënë opingat dhe kanë mbathur
këpucë, duke ngjeshur në gjoks edhe kollare. Këta sankilotë kanë vjedhur,
kanë rrëmbyer dhe kanë zaptuar pushtet, janë bërë pushtetarë. Brenda një kohe
të shkurtër janë pasuruar dhe kanë bërë miliona euro dhe dollarë. Vila, jo një
por më shumë sosh, mjete në llogaritë bankare, brenda dhe jashtë shtetit,
pasuri dhe prona në emër të vet apo në emra bijsh e bijash, dhëndurësh dhe
rejash. Ndërtesë apo kompleks ndërtesash, hotele në qendra qytetesh, hotele në
brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, hotele në plazhe dhe pranë plazheve. Zapto
sa të mundësh pronat dhe pasuritë e popullit. Blej atdhetarizëm dhe shit
patriotizëm. Hiqu para tyre i ndershëm dhe burrë i mirë. Dje sankilot,
sot me veturë të shtrenjtë që kushton mbi pesëdhjetë mijë euro. Fëmijët e
këtyre plaçkitësve të popullit i kalojnë pushimet nëpër vendet ezoterikë të
planetit, ndërsa një pjesë e bashkëkombësve të tyre mezi mbijetojnë dhe mezi e
sigurojnë ekzistencën lakuriqe. Fëmijët e këtyre zhvatësve të popullit “shkollohen” jashtë shtetit. Nëpër
shkolla dhe institucione arsimore private blejnë diploma dhe pajisen
me tituj akademikë.
Të ashtuquajturit liderë politikë,
shtetarë, burra shteti, politikanë, ministra, deputetë, kryebashkiakë, kryetarë komunash dhe
bashkëpunëtorët, ndihmësit apo këshilltarët e tyre e kanë ngulfatur demokracinë.
Këta janë shkaktarët kryesorë të prolongimit të periudhës së tranzicionit deri
në pambarim. Hajdutët e lartpërmendur kontrollojnë lirinë e fjalës. Ata kanë
vënë nën kontroll të egër një pjesë të mediumeve, gazeta, revista, radio,
studio televizive, mediume digjitale, portale. Këta pseudo-politikanë e kanë
vrarë shtypin e lirë, dhe shtypin e pavarur; ia kanë zënë frymën lirisë së
fjalës. I kanë blerë dhe i kanë vënë nën kontroll drejtuesit e mediumeve,
mediumet e shkruara, ato elektronike, redaktorët dhe kryeredaktorët, analistët
politikë, drejtuesit e debateve të studiove televizive, moderatorët e
TV-emisioneve. Në botën shqiptare mungon mendimi kritik, mungon mendimi politik, mungon kritika politike, mungon kritika
sociale. Një shtet ku mungon mendimi kritik nuk ecën para. Shteti i tillë
ngec. Në botën shqiptare mbizotëron mendimi
kritik i rrejshëm apo fiktiv. Aty kemi edhe shpëlarje truri. Shpëlarës të
trurit janë partitë politike dhe pushtetarët. Shpëlarje truri ka pasur në kohën
e bolshevikëve, në epokën e stalinizmit. Edhe sot në këtë farë kuazi-demokracie
kemi ndërtimin e kultit të individit.
Që nga viti 1991 deri më sot, niveli i demokracisë në partitë shqiptare ndodhet
në pikën zero. Në botën shqiptare lideri i partisë ka pushtet të pafund. Çdo
gjë është në duart e tij, për çdo gjë vendos ai. Ai është autoritar dhe
autokrat, i ka tiparet e një despoti. Me ideologji totalitare, tiranike dhe
diktatoriale ushqehej Josip Visarionoviç
Xhugashvili Stalini (1879-1953).
Hajdutët e lartpërmendur zbatojnë nepotizëm.
S’kanë lënë pa i punësuar anëtarët dhe pjesëtarët e familjeve të veta dhe të
fisit. Këta janë politikanë fisi dhe
shtetarë fisi. Në fund maten arritjet. Mbi një e katërta e popullsisë së
hapësirave shqiptare i kanë marrë në sy botën, rrugët e asimilimit dhe të
shkrirjes së identitetit. Shumë prej tyre në vendet e huaja kërkojnë azil. Një pjesë e tyre kërkojnë shtetësinë e vendit të huaj. Shpopullimi
i trojeve shqiptare e dobëson substancën e kombit. Megjithëkëtë, ka të tillë që
këtë dramë tragjike e quajnë tendencë apo trend global. Në trojet shqiptare ka fshat vetëm me një banor. Kur të vdes, kush do ta varrosë këtë vetmitar
të mjerë?! Kush do të mësojë për vdekjen e tij!? Në një shkollë të një fshati
të malësisë së Sharrit kishte mbetur vetëm
një nxënës. Lëvizjet demografike prej fshati në qytet, mbase janë të
pashmangshme. Por, migrimet e brendshme determinohen edhe nga mungesa e
investimeve në infrastrukturë. Vjedhacakët që e udhëheqin shtetin, në vend që
të investojnë në ndërtimin e udhëve të fshatit, i fusin paratë në xhepa. Në
rrethana të tilla, lënia e vatrave bëhet e pashmangshme. Në trojet arbërore të
zbrazura do të vijnë njerëz nga Bangladeshi dhe Nepali. Ata do të thonë: “Jemi pasardhës të ilirëve, stërnipa të
Skënderbeut”.
Shpopullimin e trojeve shqiptare e
kritikojnë edhe ata të cilët dikur vetë kanë qenë pushtetarë. Këta
ish-pushtetarë, në kohën kur kanë qeverisur nuk bërë asgjë për ta ndalur
dyndjen e rinisë shqiptare. Ku ke parë ti: Paga apo rroga e punëtorit është
200-300 euro, pensioni 200-250 euro, kurse vila jote kushton mbi një milion
euro, vetura jote kushton dhjetëra mijë euro, veshmbathja jote është prej më të
shtrenjtës. Prej ku paratë?! Një rrogë mujore le të ketë qenë 1.000 euro apo
1500 euro. O hajdut, vila milionëshe s’bëhet dot me paga mujore.
Para kësaj drame tragjike të gjithë i
mbyllin sytë. I kanë mbyllur sytë: Akademia e Shkencave, akademikët,
universitetet, profesorët universitarë, Lidhja e Shkrimtarëve, shkrimtarët,
sociologët, studentët, rinia etj.
“Rini, thueja kangës ma të
bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon
në gji.” - Migjeni
Në çdo vend të Evropës, shkrimtarët e
mëdhenj kanë qenë ndërgjegjja e kombit,
kanë qenë zëri kombit, siç ishte Gjergj Fishta (1871-1940) dikur. Sot shqiptarët, kanë ose jo, ndërgjegje të
kombit?! Shoqërinë shqiptare e ka kapluar oportunizmi, konformizmi,
poltronizmi, hipokrizia, dyfytyrësia, tartufizmi, demagogjia, ambiciet makbetiane, karrierizmi, materializmi i
egër, rendja pas parasë dhe pas të mirave materiale. Ka shumë të tillë të cilët
ndryshe mendojnë dhe ndryshe flasin. Kurrë s’e thonë publikisht atë që e
mendojnë dhe kurrë s’e mendojnë, atë që e thonë publikisht. Mashtrues,
xhambazë, shitblerës, pseudo-atdhetarë, snobë, snobistë.
Çdo ditë vrasje, madje vrasje në stilin
mafioz, breshëri plumbash, armë llojesh të ndryshme, një pjesë e popullatës
mban me vete armë, mban armë në shtëpi; kultivim, shitje dhe përdorim lëndësh
narkotike, vrasës me pagesë, vrasje për motive të dobëta, vrasje për parking,
vrasje për hakmarrje, vetëvrasje, vjedhje, vjedhje me dhunë, djali vret babanë,
fëmijët vrasin të atin, dhunë në familje, burri vret gruan, shkurorëzime
bashkëshortësh, ndarje familjesh apo divorce, jetimore të mbushura me fëmijë
prindërish të shkurorëzuar, lypës nëpër trotuare, nëpër rrugë, nëpër semaforë
udhëkryqesh, abuzimi i fëmijëve të mitur që i detyrojnë të lypin, aksidente
rrugore të shpeshta, më të shpeshta se në çdo vend tjetër të rajonit dhe të
kontinentit, ngasje automjeti pa leje drejtimi, drejtimi i automjetit nga
persona të moshës së mitur, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit,
drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, drejtimi i automjetit nën efektin e
lëndëve narkotike, trafikim lëndësh narkotike, armësh dhe qeniesh njerëzore,
burgje të stërmbushura, pedofili.
Nëna me fëmijët hidhet në ujërat e
rrëmbyeshme të lumit. Shoqëria hesht. Heshtin edhe ata që e konsiderojnë veten
shoqëri civile. Institucionet sociale të shtetit apo të shoqërisë kanë rënë në letargji,
në gjumë dimëror. Shpirti krijues është bërë indolent. Përballë kësaj
bote markeziane
të trishtueshme shfaqen reality
programet glamuroze mu si në skenat e San Remos. Kjo flet për mungesë të plotë
të kultivimit të qytetarisë. Muzika klasike dhe ajo popullore shqiptare është
zëvendësuar me muzikë pornografike.
Kudo sheh kiç dhe shund. E kanë fjalën snobët. Nuk
mungojnë as pseudo-poetët që s’i lexon kush. Quo vadis bota shqiptare?!
Si është e mundur të ketë probleme
ekonomike dhe sociale, të ketë emigrim përmasash të frikshme në një vend që ka
pasuri natyrore?!
“... anës detit i palarë, anës dritës i paparë, pranë sofrës
i pangrënë, pranë dijes i panxënë” - Noli
Politizimi dhe partizimi i skajshëm i
institucioneve publike, politizimi dhe partizimi i administratës publike,
politizimi dhe partizimi i institucioneve arsimore dhe i institucioneve
shëndetësore, paga të ulëta, pensione të vogla, administratë e ngarkuar e
pushtetit qendror, administratë e tej-ngarkuar e pushtetit vendor. Punësime të
reja në prag të zgjedhjeve, punësime pa vendim pune, punësime me kontratë në
vepër, punësime partiake, krijime i armatës votuese nëpërmjet punësimeve
partiake, futja në listën e pagave të veprimtarëve apo të militantëve partiakë.
A kështu shkohet në Evropë!?
Mitë, korrupsion dhe ryshfet në të
gjitha poret e shoqërisë, nëpër institucione publike, në institucionet e
nivelit qendror dhe në ato të nivelit vendor. Mitë, korrupsion dhe ryshfet në
sektorë të caktuar të bashkive apo të komunave, veprime të paligjshme në lëmin
e urbanizmit, mafia urbane, larje apo pastrim parash, ryshfet dhe veprime të
kundërligjshme në fushën e arsimit, në lëmin e shëndetësisë, në dogana, në
polici; shitje notash në universitet, shitblerje e diplomave universitare,
shitblerje e titujve akademikë, plagjiatura nga individë që marrin tituj
akademikë – magjistër apo doktor shkence.
Mitë, ryshfet dhe korrupsion ka kudo në
shoqëri, por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se të korruptuar janë të
gjithë mjekët, të gjithë kirurgët, të gjitha infermieret, të gjithë pedagogët e
universiteteve, të gjithë policët, të gjithë doganierët, të gjithë nëpunësit e
bashkive apo të komunave, të gjithë ministrat, të gjithë deputetët. Po të ishte
ashtu, shteti do të zhbëhej si flluskë sapuni.
Në matjen ndërkombëtare të njohuri të
nxënësve të moshës 15-vjeçare, të quajtur PISA, nxënësit shqiptarë të kësaj
moshe renditen në fund të listës prej 80 vendeve të botës. Në renditjen e
universiteteve të botës, universitetet shqiptare radhiten kah fundi i listës
apo nuk figurojnë fare. Nuk është parë në historinë e botës që personi me
titull akademik mos të dijë asnjë gjuhë të huaj. Në hapësirat shqiptare ka
pasur “dijetarë” të cilët të vetmen gjuhë të huaj që e kanë ditur ka qenë
serbishtja.
Skena si në romanet e romancierit
anglez Çarls Dikens (Charles
Dickens, 1812-1870), të romancierit
anglez Uilliam Thekeri (William
Makepeace Theckeray, Kalkutë, Indi,
1811 – Londër, 1863), të romancierit
francez Honore dë Balzak (Honore de Balzac, 1799-1850),
të poetit, romancierit dhe dramaturgut francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802- 1885), të romancierit francez
me prejardhje italiane, i cili pas rënies në maturë hoqi dorë nga shkollim i
mëtejmë, Emil Zola (?mile Zola, 1840-1902), të romancierit
dhe novelistit rus Fjodor Mihajloviç
Dostojevski (1821-1881). Skena migjeniane të viteve ’30 të
shekullit të kaluar. Dhe këto vende synojnë dhe pretendojnë anëtarësimin në
BE!! Me politikanë dhe shtetarë të korruptuar nuk hyhet në familjen e vendeve
të demokracisë parlamentare.
Shtetin apo kombin e çojnë para prijësit
idealistë dhe jo qeveritarët lakmitarë, të pangopur dhe të etshëm për
pushtet.
“se ç’e shempnë derbederët, mercenarët dhe bejlerët, se ç’e
shtypnë jabanxhinjtë, se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë, se ç’e pren’ e se ç’e
vranë; ç’e shkretuan anembanë, nënë thundrën e përdhunës, anës Vjosës, anës
Bunës” Noli
Në hapësirat shqiptare ka edhe ekonomi gri ose ekonomi informale. Ekonomia gri
ose informale (grey economiy, informal economy) është
pjesë e veprimtarisë ekonomike e cila nuk është e regjistruar në statistikën
zyrtare. Shteti që ka ekonomi gri nuk meriton të jetë anëtare e BE-së. Të tilla
janë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe disa shtete të
Evropës Lindore. Personat që kanë punuar në ndërmarrjet që kanë ushtruar
ekonomi gri, nuk kanë pasur sigurim social, sigurim shëndetësor, as sigurim
pensional. Këta punëtorë sot e kësaj dite shfrytëzohen si në Anglinë e
shekullit XIX. Për t’iu shmangur eksploatimit të egër, ata kërkojnë shpëtim
duke emigruar në Gjermani dhe gjetkë.
Në komunizmin e keq, në gadishull kishte rreth
shtatë milionë shqiptarë, ndërsa në demokracinë e mirë dhe të shumëpritur, ky
numër shënon rënie të frikshme. Problemet ekonomiko-sociale në hapësirat
shqiptare pasjellin edhe probleme
morale. Ç’është kjo përqindje kaq e madhe e shkurorëzimeve, e ndarjeve,
e divorceve. A mban kush përgjegjësi për fëmijët e prindërve të ndarë?! Shumë
të rinj dhe të reja, ndonëse i kanë bërë mbi 30 vjeç, nuk martohen dhe nuk
krijojnë familje. Kjo ndikon në uljen e lindshmërisë apo të natalitetit. Mund
të vijë një kohë kur lindshmëri apo nataliteti të jetë nën vdekshmërinë apo
mortalitetin. Demografët kësaj i thonë vdekje
e bardhë. Shumë banesa të ndërtesave janë të zbrazëta. Çmimet e tyre janë
të papërballueshme për të rinjtë me të ardhura të kufizuara.
Shumë të rinj shqiptarë vuajnë dënime me burg në shumë shtete të kontinentit. Ata janë të
fajësuar si trafikantë lëndësh narkotike, armësh dhe qeniesh njerëzore. Ka të
dënuar edhe për vrasje dhe ushtrim prostitucioni.
Në botën shqiptare ka edhe raste të keqtrajtimit të kafshëve të rrugës. Në një shtet ligjor
apo në një shoqëri të ngritur kafshët endacakë
trajtohen në mënyrë humane. Organizmat e
shoqërisë civile që veprojnë në hapësirat shqiptare nuk luajnë kurrfarë
roli. Edhe po të mos ekzistonin, shoqëria shqiptare nuk do të humbte gjë.
Veprojnë edhe do institute të
demokracisë. Pavarësisht nga fakti se kush i financon këto farë institute demokracie, ato
nuk kanë kontribuar fare për zhvillimin e demokracisë në botën shqiptare.
Shqiptarët ndodhen në dhjetëvjeçarin e katërt të shkëputjes nga sistemi monist.
Tridhjetë e tre vjet pluralizëm nuk janë pak, por shteti ligjor apo shteti
i së drejtës nuk duken gjëkundi.
Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Kosova i plotëson
kushtet për të qenë anëtare e BE-së. Aty ka rend dhe rregull, mbizotëron ligji,
luftohen korrupsioni dhe nepotizmi, minoritetet ndërkaq gëzojnë të drejta si në
asnjë vend të BE-së.
Shteti që nuk realizon zgjedhje
të lira nuk gëzon respekt nga Perëndimit. Shteti i tillë nuk ka për të
hyrë shpejt nën diellin e Evropës. Do të ishte në të mirë të shoqërisë që
politikanët e moshuar të botës shqiptare të largohen vullnetarisht nga skena
politike. Me të dalë nga skena politike, ata do të mundë të shkruanin kujtime apo memoare të cilat do t’i përkthenin edhe në gjuhën angleze. Dalja e
tyre nga skena do t’i ndihmonte demokracisë shqiptare dhe kauzës shqiptare.
Shqiptarët s’kanë kohë për të bërë hapa prapa. E vetmja forcë ndriçuese e hapësirave shqiptare është rinia.
Do të ishte në interes të demokracisë
që i njëjti subjekt politik mos ta qeverisë vendin më shumë se dy mandate
radhazi. Angela Merkeli (1954- )
vërtet ka qeverisur gjashtëmbëdhjetë vjet pa ndërprerë, por bota shqiptare
s’është Gjermani!
Zënkat brenda partive
politike shqiptare, kudo në botën shqiptare, shkojnë në dëm të forcimit të
shtetësisë së Kosovës.
Kosova duhet ta ndalojë me rreptësi kultivimin e kanabisit në hapësirat e
veta, ndryshe do t’u jepte pretekst armiqve të saj që ta cilësonin si Kolumbi
të rajonit.
* * *
Që nga viti 1991 deri më sot, në botën
shqiptare janë të pranishëm perëndimorët -
ShBA-ja dhe BE-ja. Përkundër pranisë së tyre, në shumë vise të botës
shqiptare vlojnë problemet. Tridhjetë e
tre vjet pa ndërprerë, të dërguarit e qendrave perëndimore kanë ardhur dhe kanë
ikur pa ndonjë efekt, për të mos thënë pa kurrfarë efekti. Sidoqoftë, BE-ja për shqiptarët është një zonë mundësish.
Shqiptarët duhet t’i drejtojë sytë nga miqësia e përjetshme me ShBA-në.
Alternativë nuk kanë. Pa Amerikën shqiptarët nuk mund të konsolidohen. Pa
Uashingtonin, shqiptarët e kanë vështirë të ndërtojnë shtet ligjor. Shqiptarët i jenë mirënjohës ShBA-së që ndihmon për
konsolidimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pa Amerikën, shqiptarët në gadishull
janë të rrezikuar prej hienave.
* * *
Në brigjet e deteve shqiptare, në alpet
dhe në bjeshkët arbërore vijnë turistë nga të gjitha vendet e botës, nga të
pesë kontinentet. Thonë se janë mbi dhjetë milionë turistë. Brenda
katër-pesë vjetëve, numri i turistëve mund të arrijë mbi pesëmbëdhjetë milionë.
Në këtë pikëpamje, Shqipëria matet me fuqitë turistike të kontinentit –
Italinë, Spanjën, Greqinë dhe Kroacinë. Të gjithë turistët, pa përjashtim
prononcohen: “Popull më fisnik dhe më
bujar se shqiptarët nuk kemi parë në asnjë vend të rruzullit tokësor. Këto
brigje dhe këto zabele e gërxhe përgjithmonë do t’i mbajmë në kujtesë”.
“... fusha të gjera me lule, bregore,
lumenj të kulluar,
çuka, kodra, brinja, gërxhe, pyje të
gjelbëruar ...” -
Naimi
Sa më e fortë Shqipëria, aq më e fortë
edhe bota shqiptare. Shqipëria do të bëhet!