Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Koncepti qytetar dhe shqiptarët e ndershëm
E merkure, 16.10.2024, 04:55 PM
KONCEPTI QYTETAR DHE SHQIPTARËT E NDERSHËM
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Në vitet 1985-1990
shtypi i Beogradit vuri në përdorim shprehjen shqiptar i ndershëm.
Sipas serbëve, i ndershëm quhej ai shqiptar i cili shante
Shqipërinë dhe lëvdonte Jugosllavinë.
Gjatë periudhës së
pluralizmit, d.m.th. prej viti 1991 e deri më sot, edhe pushtetarët
sllavo-maqedonas u përpoqën të rekrutojnë në radhët e veta, të afirmojnë dhe të
shpërblejnë atë soj shqiptari i cili do ta pranonte konceptin qytetar
të ndërtimit të Maqedonisë.
Ky farë shqiptari
i cili pandeh apo i cili punon dhe vepron për një Maqedoni – shtet
qytetar, nuk ka dallim thelbësor nga shqiptari i ndershëm
i shtypit të Beogradit.
Shqiptarët e
ndershëm:
- Janë vegla,
mjete, instrumente të sllavo-maqedonasve;
- Janë shërbëtorë
dhe argatë të sllavo-maqedonasve;
- Janë spiunë dhe
tradhtarë të kombit;
- Janë
antishqiptarë dhe antikombëtarë;
- Janë të mirë, të
përshtatshëm dhe të pranueshëm për sllavo-maqedonasit.
A ka edhe sot, si dikur, shqiptarë të ndershëm?
Në Maqedoni dhe në
Mal të Zi edhe sot ka shqiptarë të ndershëm, pikërisht si në serbosllavinë e
viteve ’80 të shekullit XX. Numri i tyre kurrë s’ka qenë i madh.
Ata numërohen në gishta. Por shtetet sllave të sipërthëna bëjnë të pamundurën
që të krijojnë dhe të kultivojnë shqiptarë të ndershëm për t’i paraqitur
pastaj si përfaqësues të popullit shqiptar.
Boshti antishqiptar i krimit Shkupi-Beogradi-Titogradi (Podgorica) i joshte shqiptarët e ndershëm me të
mira materiale, me pozita politike e shoqërore dhe me karrierë. Kjo strategji e
kohës së komunizmit të Josip Brozit vazhdoi edhe në periudhën e pluralizmit dhe
të demokracisë.
Për të mos
shkaktuar huti ndër lexues, sintagmën e lartpërmendur duhet shkruar në
thonjëza, pra “shqiptar i ndershëm”.
“Shqiptarët e ndershëm” i gjen aty ku nuk i gjen dot “shqiptarët e
pandershëm”. I gjen nëpër do komisione, borde, këshilla drejtues dhe
kabinete ku nuk mund të hyjnë “shqiptarët e pandershëm”.
“Shqiptari i ndershëm” s’ka ndjenja shqiptari. Ai shndërrohet në rrëqebull dhe
në mercenar. Është i shitur dhe i blerë për para dhe për njëfarë karriere.
Është kërmill që ngjitet në maje të
plepit për arsye se nuk ka kurriz. Është jokërbishtor, butak dhe poltron. Ideal
s’ka, ka synim. Objektiv i tij është arritja e interesit meskin. Ai s’është
formuar në frymën e shqiptarisë, të prejardhjes ilire, të autoktonisë, të
vjetërsisë së gjuhës, të lashtësisë së popullit, të pastërtisë së racës, të
luftërave të Gjergjit, të idealit të rilindësve, të humanizmit të
Nënë Terezës, të universalizmit të veprës së Kadaresë, të
qëndresës së Adem Demaçit, të vizionit
properëndimor të Ibrahim Rugovës, të qëndresës epike të Adem
Jasharit, të luftërave heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të
Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të Ushtrisë Çlirimtare të
Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Me konceptin
qytetar të shtetit, sllavo-maqedonasit nënkuptojnë: Të gjithë jemi të
barabartë, por shteti dhe pushteti, sot e mot, janë në duart tona. Në duart
tona janë: ushtria, policia, punët e jashtme, ekonomia, financat, kultura,
investimet, grandet, arsimi, shëndetësia, doganat, shërbimi sekret, diplomacia
... Gjuha shtetërore është jona. Tonat janë edhe flamuri e himni. Ju s’jeni veçse
lidhëse në rripin tonë. Ju mund të jeni vetëm dekor në qeveri.
Ndonjëherë flitet
edhe për shoqëri multietnike. Këtë farë shoqërie multietnike
shqiptarët e njihnin që nga koha e Josip Brozit. Për fjalën “multietnik” ai
e përdorte shprehjen vëllazërim-bashkim. Ishte një parullë e komunistëve
jugosllavë që porosiste: “Ruajeni vëllazërim-bashkimin si bebëzën e syrit”.
Vëllazërim-bashkimi i Josip Brozit ishte njëfarë sinonimi i bashkëjetesës
midis “kombeve dhe kombësive”.
Në fillim të
viteve ’90 të qindvjeçarit XX krijesa artificiale e quajtur Jugosllavi e
AVNOJ-it (KAÇKJ) u shpërbë në gjak. Vëllazërim-bashkimi s’e shpëtoi dot.
Me shpërbërjen e
Jugosllavisë së Titos në vitin 1991, nga amalgama e saj u shkëput edhe
Maqedonia. Sipas kryetarit të Maqedonisë, Kiro Gligorov dhe VMRO-së, trashëgues
të shtetësisë së Maqedonisë janë vetëm sllavo-maqedonasit. Siç shihet,
shqiptarët nuk u përfillën fare.
Qëndrimi i
VMRO-istëve është i qartë: mbartës të shtetësisë në Maqedoni janë
sllavo-maqedonasit. Të tjerët janë pakica të cilat duhet t’i nënshtrohen dhe
t’i binden popullit shtetformues, d.m.th. sllavo-maqedonasve.
LSDM-istët duket
sikur mendojnë pak më butë. Por edhe për ta shtetësia mbetet në duart e
sllavo-maqedonasve. Sipas tyre, çështja shqiptare në Maqedoni është e mbyllur,
ndaj tani është koha për ndërtimin e shtetit sipas konceptit qytetar.
Për ta sendërtuar
këtë farë koncepti qytetar, pushtetarët, qeveritarët dhe shërbimet e tyre i
kanë vënë nën kontroll edhe një pjesë të konsiderueshme të mediumeve – studiot
televizive, gazetat ditore, revistat dhe portalet.
Pjesë e kësaj
infrastrukture janë edhe të ashtuquajturit këshilltarë të kabineteve të
pushtetarëve si dhe një pjesë e analistëve politikë.
Kontrollimi i
këtillë i mediumeve dhe censura e pushtetarëve të sotëm të Maqedonisë ta
përkujton gjeneral Zhdanovin* në Bashkimin Sovjetik të kohës së Josip
Visarionoviç Xhugashvili Stalinit (1879-1953).
Ata të cilët e
kundërshtonin dhe e kundërshtojnë krijimin e një Maqedonie sipas konceptit
qytetar, cilësoheshin dhe vazhdojnë të cilësohen si nacionalistë apo si
individë me pikëpamje radikale dhe ekstremiste. Për këta thonë se janë kundër
bashkëjetesës me popullin sllavo-maqedonas. Por duhet thënë se
sllavo-maqedonasit me bashkëjetesën nënkuptojnë që i tërë pushteti të
jetë në duart e tyre, shqiptarët ndërkaq të jenë dekor në qeveri, pikërisht si
në vitin 1991.
Zgjedhjet e 21 prillit të vitit 2019 ia bënë me dije
kryeministrit Zoran Zaev, LSDM-së,
opinionit sllavo-maqedonas dhe faktorit ndërkombëtar se Maqedonia:
- s’është dhe
s’mund të jetë shtet qytetar; dhe
- kurrë s’ka për
të qenë shtet qytetar.
Zgjedhjet e
lartpërmendura dëshmuan se Maqedonia është shtet dyetnik, i përbërë prej dy
bashkësive etnike – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve. Vetëm barazia e plotë
midis tyre e stabilizon atë. Asnjë bashkësi etnike në botë që posedon kapacitet
shtetformues nuk cilësohet dhe nuk përkufizohet si 20 përqindësh.
* * *
Shënim: Andrej
Aleksandroviç Zhdanov (1896-1948) ka qenë politikan sovjetik. Stalini e
konsideronte si trashëgimtar të vet. Ideologjia e tij njihet si zhdanovizëm.
Promovonte realizmin socialist në letërsi. Në vitin 1949, i biri Jurij u
martua me të bijën e Stalinit - Svetllanën. Martesa e tyre zgjati deri në vitin
1960.
Më 2 maj 2019