Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Jakov Xoxa
E merkure, 18.12.2024, 06:59 PM
JAKOV XOXA
Drama
e fshatarësisë shqiptare në vitet ’30
në
romanin ‘Lumin e vdekur’ të Jakov Xoxës
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Jetëshkrimi i shkurtër i autorit
Jakov Xoxa lindi
në Fier më 15 prill 1923 në fushën dikur me këneta dhe mushkonja të Myzeqesë.
Vdiq në Budapest të Hungarisë më 28 prill 1979. Vitet e para të shkollimit i
ndoqi në qytetin e lindjes, për t'i vazhduar më pas në Vlorë, Kavajë, Korçë,
qytete ku shkonte për të punuar i ati i tij, Thanasi. si magazinier kripe.
Ndoqi Liceun Kombëtar francez të Korçës e më pas Normalen e Elbasanit që e
ndërpreu gjatë pushtimit italian dhe gjerman dhe e përfundoi në Tiranë, pas
çlirimit.
Që i ri mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste
Nacionalçlirimtare, si anëtar i njësitit gueril të Fierit, më pas partizan dhe
redaktor i gazetës antifashiste “Përpjekja
e Lirisë” (Vlorë). Të kësaj kohe janë edhe krijimet e tij të para letrare.
Siç u tha dhe më lartë, gjatë Luftës së Dytë Botërore Xoxa ka qenë partizan i
Frontit Nacionalçlirimtar, ndërsa pas lufte – gazetar dhe shkrimtar.
Pas Çlirimit të vendit përfundoi
shkollën e mesme në Tiranë. Në vitin 1951 kreu studimet e larta për letërsi franceze në Universitetin e Sofjes. Njëkohësisht bëri hapat e parë në
poezi dhe në prozë. E filloi punën në seksionin e gjuhës dhe të letërsisë në
Institutin e Shkencave. Më pas kaloi në gazetën “Zëri i rinisë”.
* * *
Jakov Xoxa veprat e veta letrare i
krijoi në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Prej vitit 1945 e këndej në
Shqipëri ishte në fuqi metoda e realizmit socialist.
Letërsia e realizmit
socialist - Drejtimin letrar të realizmit socialist e themeloi shkrimtari sovjetik (rus) Maksim Gorki (1868-1936). Sipas
parimeve të këtij drejtimi letrar, shkrimtari apo poeti duhej ta paraqiste
realitetin të lustruar apo të zbukuruar dhe jo ashtu siç ishte ai në të
vërtetë.
Në vitet e para të aleancës midis
Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, politika kulturore në Shqipëri u ndikua nga zhdanovizmi, doktrinë letrare e
formuluar nga Andrej Zhdanov
(1896-1948), që bëri kërdi në letërsinë sovjetike (ruse). Shkrimtarët merrnin
direktiva nga regjimet staliniste, arti dhe letërsia ndërkaq duhej të viheshin
në shërbim të politikës, pushtetit, partisë dhe të udhëheqësit partiak, i cili
ishte diktator dhe tiran.
Nën ndikimin e zhdanovizmit,
shkrimtarët shqiptarë të kësaj periudhe trajtuan temat, si: lufta partizane dhe
ndërtimi i socializmit. Ata u detyruan t’i shmangeshin ndikimeve letrare të
Perëndimit. Shkrimtarët detyroheshin të përçonin në veprat e tyre idetë
politike të regjimit si dhe ideologjinë marksiste.
Shkrimtarët e drejtimit të realizmit
socialist krijuan poezi, tregime dhe romane, shumica e të cilave ishin pa vlera
letrare. Ato ishin trakte me synime politike, edukative dhe didaktike.
Në këtë brez shkrimtarësh bëjnë pjesë: Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), Shefqet Musaraj (1914-1986), Sterjo Spasse (1912-1989), me
përjashtim të romanit Pse?! të botuar më 1935, Fatmir Gjata (1922-1989), Ali Abdihoxha (1923-2014).
Poet të këtij brezi të drejtimit të
realizmit socialist ishin: Aleks Çaçi (1916-1989),
Mark Gurakuqi (1922-1970), Luan Qafëzezi (1922-1995) dhe Llazar Siliqi (1924-2001).
Jakov Xoxa
(1922-1979) – edhe pse i takon brezit të shkrimtarëve të realizmit socialist,
romani i tij “Lumi i vdekur” (1965) është një nga veprat e rralla të kohës
me meritë
artistike.
Përpos romanit të sipërthënë, Xoxa
është autor edhe i dy romaneve të tjera: “Juga
e bardhë” (Tiranë, 1971) dhe “Lulja e
kripës” (1978). Xoxa i krijoi
tre romanet e veta duke qenë i vendosur në një fshat të Myzeqesë afër Fierit.
Romani i dytë i Jakov Xoxës “Juga e
bardhë” ka për model romanin “Tokat e
çara” (Podnjataja celina, Moskë 1932)
të shkrimtarit sovjetik Mihail
Aleksandroviç Shollohov (1905-1984). Ky roman i Xoxës merret me
kolektivizimin e bujqësisë në fushën e Myzeqesë pas luftës. Në vitin 1974
romani u përkthye në Tiranë edhe në frëngjisht.
* * *
Kthesë në letërsinë
shqiptare - Në vitin 1961, me krijimet poetike të
Fatos Arapit (1930-2018), të
Ismail Kadaresë (1936- ) dhe të Dritëro Agollit (1931-2017), në
letërsinë shqiptare kemi një kthesë.
Kthesa e parë në rrugën e zhvillimit të prozës dhe të poezisë shqiptare, pas
një çerek shekulli ngecjeje në vend, erdhi në vitin e stuhishëm 1961, i cili
nga një anë shënoi edhe shkëputjen politike përfundimtare nga Bashkimi
Sovjetik, pra edhe nga modelet letrare sovjetike dhe nga ana tjetër, dëshmoi
botimin e një numri vëllimesh që krijuan rrymë letrare, sidomos në poezi.
Panë dritën vëllimet poetike: “Shekulli
im” i Ismail Kadaresë, “Hapat e mia
në asfalt” i Dritëro Agollit dhe në vitin tjetër “Shtigje poetike” i Fatos Arapit.
Parimet e realizmit
socialist në letërsinë shqiptare nisin të thyhen.
* * *
Krijimtaria artistike dhe teorike e letrare
Në vitin 1949 Jakov Xoxa botoi veprën e
parë në prozë “Novela”. Krijimtarinë letrare në këtë
zhanër e vazhdoi edhe gjatë viteve '50 të shekullit XX. Kështu në
vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë titull “Novela”.
Ndërkohë botoi dhe dy drama “Buçet Osumi” dhe “Zemra”.
Që nga viti 1957 punoi profesor i
stilistikës dhe i teorisë së letërsisë në Institutin e Lartë Pedagogjik në
Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku
për shumë vite ligjëroi lëndën teoria
e letërsisë. Për nevojat e studentëve, në formën e
dispensës, hartoi vepra teorike të domosdoshme për kohën si “Hyrje
në letërsi”, “Teoria e letërsisë” dhe “Metrika”. Ndërkohë
punoi edhe për një vepër të plotë teorike letrare, “Bazat e teorisë së letërsisë”,
që ishte nga veprat më serioze të kohës (si degë e shkencës mbi letërsinë). Kjo
vepër u botua po ashtu në formë dispense më 1972.
Në këtë vepër Jakov Xoxa ofronte dije
dhe përvojë teorike letrare të gjerë por që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës. Për këtë arsye, kjo
vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare pati kritika të skajshme. Autori, pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte
gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete - u tërhoq në vetmi.
Pavarësisht kritikës zyrtare, vepra në
fjalë pati përkrahës të shumtë, sidomos në radhët e studiuesve, pedagogëve dhe
studentëve të letërsisë. Brenda atij viti, një pjesë e konsiderueshme e saj, e
ripunuar dhe e zgjeruar, bashkë me dy autorë të tjerë (N. Lezha, P. Kraja), u ribotua në katër vëllime, me të njëjtin
titull: “Bazat e teorisë së letërsisë”.
Nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX
Jakov Xoxa ishte shkrimtar në krijimtari të lirë. Pas disa sprovave në fushën e
dramaturgjisë (dramat “Buçet Osumi”, “Zemra”) dhe botimit të dy vëllimeve të
suksesshme “Novela” (1949) “Novela II” (1958), Jakov Xoxa nisi
krijimin e një pentalogjie romanësh
(cikël prej pesë romaneve), nëpërmjet së cilës jeta shqiptare do të pasqyrohej
artistikisht në tërësinë e saj, prej viteve ’30 të shekullit XX e këndej.
Sprova e parë dhe më e shquar e këtij
projekti, ndër tri që Jakov Xoxa mundi të realizojë është romani “Lumi i vdekur”. U botua në katër
vëllime në vitet 1961, 1965, 1967 dhe 1974. Vepra përjetoi një sukses të
menjëhershëm. Kritika e kohës e cilësoi si një ndër veprat më të mëdha të
letërsisë shqipe.
* * *
“
Lumi i vdekur”
Vepra më e njohur e Jakov Xoxës është
romani “Lumi i vdekur”. U botua në Tiranë në vitin 1964. Për
këtë krijim artistik mori çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. Nga
kritika letrare, vepra u brohorit si një kryevepër e narrativës socialiste.
Pikat kryesore që e ndërtojnë subjektin e “Lumit të vdekur”
- Në këtë roman autori dënon
shfrytëzimin e egër të fshatarësisë së varfër nga bejlerët.
- Romani ka një shtrirje të gjerë të
rrëfimit;
- Përdorimi i gjuhës shqipe, me tërë
pasurinë e saj, si kurrë deri atëherë;
- Autori ndriçon realitetin e botës
shqiptare;
- Ngjarja në roman zhvillohet në vitet
1938-1939;
- Autori pasqyron realitetin e hidhur
të fshatit shqiptar të kohës;
- Asnjë roman para tij, nuk e pasqyron
në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si “Lumi i vdekur”, apo periudhën gjatë
luftës, si romani “Lulja e kripës”.
- Rrëfimi në romanin “Lumin e vdekur” fillon me shpërnguljen
e dhunshme të familjes së Pilo Shpiragut
nga fshati Grizë i Fierit dhe mbyllet pas një viti, me shpërnguljen e kësaj
familjeje, tani nga fshati Trokth.
- Ngjarjet në roman zhvillohen në
mënyrë dramatike dhe me intensitet shkallëzues;
- Pilo Shpiragu vendoset në hanin e
Bishtanakut; aty punësohet në fermën e fshatit Trokth;
- Këtu u takua dhe u njoh me familjen kosovare të Sulejman Tafilit;
- Familja e Pilo Shpiragut përfundon në
fshatin Trokth;
- Këtu nuk pritet mirë nga fshatarët e Trokthit;
- Pilo Shpiragu i tëri lufton sesi të
sigurojë ekzistencën e familjes së vet, të mbetur në rrugë dhe nën qiell të
hapur;
- Në roman kemi tri familje: e Pilo
Shpiragut, të dëbuar nga beu i fshatit; e Sulejman Tafilit, të dëbuar nga
Kosova prej pushtuesit serb dhe e Koz Dynjasë, nga Trokthi;
- Që të tria familjet luftojnë për
bukën e gojës;
- Një ngjarje e çuditshme gjatë
rrugëtimit të Pilo Shpiragut është fëmija që lind gruaja e tij në karrocë,
gjatë shtegtimeve përplot peripeci;
- Krahas ngjarjeve që ndërlidhen me
jetën plot vuajtje e mundime të personazheve të sipërthëna, zhvillohet edhe lidhja
e dashurisë ndërmjet vashës së Shpiragajve, Vitës dhe djaloshit kosovar - Adilit;
- Dashuria midis dy të rinjve dhe
bashkimi i tyre simbolizon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë;
- I mbetur në udhëkryq dhe me
ekzistencë të rrezikuar, pa kulm mbi kokë, Pilo Shpiragu vendosi t’i bindet
përsëri beut i cili e kishte dëbuar nga fshati dhe i cili lakmonte Vitën;
- Por Vita dhe Adili arratisen në mal;
- Si njeri, Pilo Shpiragu është një
burrë me virtyte, por problemet e jetës që kanë rënë mbi të me tërë vrazhdësinë
e saj, në momente të caktuara e kanë shtrënguar të lakohet;
- Ai besonte se ekzistencën e familje
së vet do ta siguronte falë krahëve dhe djersës së vet, por kjo, u pa si një
iluzion;
- Familja e Shpiragajve dhe ajo
kosovare e Tafilajve të paraqitura nga Jakov Xoxa në romanin “Lumi
i vdekur” dëshmojnë për dramën tragjike të kombit shqiptar.
*
* *
Në romanin “Lumi i vdekur” Jakov Xoxa dënoi
shfrytëzimin e fshatarësisë së varfër nga bejlerët mizorë. Ky roman është
një nga veprat e rralla të kohës me meritë artistike. Rreth vitit 1972 u
përkthye në italisht.
Ngjarjet shtrihen brenda viteve
1938-1939 të shekullit XX. Rrëfimi i ngjarjes në romanin "Lumi i vdekur" fillon me shpërnguljen e dhunshme të
familjes së Pilo Shpiragut nga fshati Grizë dhe mbyllet pas një viti, me
shpërnguljen po të kësaj familjeje, tani nga fshati Trokth. Brenda këtij harku
kohor janë vendosur një varg ngjarjesh, kryesisht dramatike, me intensitet
shkallëzues. Qerrja e ngarkuar me plaçkat e shtëpisë nis rrugën pa ditur ku do
të arrijë. Sa për një natë Pilo Shpiragu vendos të strehohet te hani i
Bishtanakës ku rastësisht do të gjejë "shpëtim" te tregtarët e Fierit
të cilët do ta punësojnë në fermën e fshatit Trokth. Po në atë kohë njihet edhe
me familjen
kosovare të Sulejman Tafilajt. Ngazëllehet nga shija dhe ndjenja e
ardhacakut. Do të provojë t’u përshtatet kushteve të reja njësoj si familjet e
fshatit Trokth të cilët janë në luftë të përhershme për mbrojtje dhe për
sigurim ekzistence. Krahas këtyre rrjedhave dhe e ndërthurur me to, zhvillohet
edhe lidhja intime ndërmjet vashës së Shpiragajve - Vitës dhe djaloshit kosovar
- Adilit. Kjo linjë nga ana e vet ka shijen dhe domethënien e një simbolike.
Lidhja ndërmjet vashës
nga Myzeqeja dhe djaloshit kosovar simbolizon lidhjen shpirtërore ndërmjet
Shqipërisë dhe Kosovës.
Pakti ndërmjet Pilo Shpiragut dhe
tregtarëve të Fierit nuk arrin ta plotësojë as rrethin kohor të një viti.
Përmbytja simbolike e fshatit nga lumi i përçudnuar solli pasoja tragjike për
Shpiragajt. Atë që u mbeti nga gjëja e gjallë do t'ua rrëmbejnë tregtarët.
Familja Shpiragaj mbeti në mes të rrugës më e vetmuar se kurrë më parë. Mbeti
pa asgjë. Ballë për ballë me rrezikun për të mbetur pa ekzistencë, Pilo
Shpiragu vendos t'i bindet beut dhe të pranojë kërkesat e tij. Beu lakmonte
Vitën. Pilo Shpiragu vendos ta punësojë Vitën në oborrin e beut, por shpleksja
e narracionit të romanit fillon me arratisjen e Vitës dhe të Adilit në male.
Figura e Pilo Shpiragut dhe e familjes
Shpiragaj është strumbullar që i lidh të gjitha rrjedhat narrative të romanit.
Edhe pse kemi të bëjmë me një nga romanet më vëllimore të letërsisë shqiptare,
megjithëkëtë rrjedha e fabulës të tij lidhet nëpërmjet një kohezioni të
brendshëm të qëndrueshëm. Edhe kur rrëfehen ndodhi nga urtia dhe përvoja
jetësore e popullit që është karakteristikë e rrëfimit romanesk të Jakov Xoxës,
ato drejtpërsëdrejti apo tërthorazi lidhen dhe kanë të bëjnë me çështjen kryesore
të ngjarjes së rrëfyer.
Vëmendja e autorit është përqendruar në
figurën e Pilo Shpiragut. Ai na paraqitet si një njeri me integritet i cili e
ruan deri në fund pastërtinë morale, por barra e jetës ka rënë mbi të me tërë vrazhdësinë. Në çaste të caktuara e
kanë detyruar të lakohet. Megjithatë, Pilo Shpiragun e përjetojmë si figurë që
rrezaton domethënie përgjithësuese, si person që shpreh një pjesë të sfidave
dhe të dilemave të kohës. Autori synon që në tiparet e tij dhe të Koz Dynjajsë
të përqendrohen paragjykimet dhe morali i fshatarëve shqiptarë të kohës. Përmes
tyre ai arrin të realizojë tipizimin letrar për rrethanat e mjedisit shqiptar
të asaj kohe. Natyrë energjike dhe me iniciativë, Pilo Shpiragu, falë krahëve
dhe djersës së vet beson se do të arrijë pavarësinë ekonomike të familjes, pa
pasur nevojë për solidaritet. Por ky ishte një iluzion. Këtë nevojë Pilo
Shpiragu do ta ndjejë më vonë.
Edhe figura e familjes kosovare, ajo e
Sylejman Tafilajt, është bërthamë që ngërthen jehona të rëndësishme nga drama e
përgjithshme kombëtare. E dëbuar dhunshëm nga pushtuesi serb ajo nuk do
të rehatohet në moçalet malarike të Myzeqesë dhe nuk do ta gjejë ngrohtësinë e
mjedisit. Fati i familjes kosovare, të dëbuar dhe të arratisur, do të vazhdojë dhe në epokën e komunizmit
shqiptar. Jakov Xoxa i ka vërejtur me mprehtësinë e intuitës krijuese
raportet midis fshatarëve të Myzeqesë dhe të Kosovës që në fillim e kanë
përjetuar si kundërshtar njëri-tjetrin, si palë që do ta rrezikonte apo
vështirësonte ekzistencën e secilit.
Familja e Shpiragajve mbetet tërësisht
pa mjete për të jetuar. I shtyrë nga rrethana të këtilla, Piloja si
kryefamiljar përsëri detyrohet të mbështetet te beu. Vitën e dorëzon në sarajet
e tij.
Në romanin “Lumi i vdekur”, krahas rrjedhave spontane të veprimeve të
personazheve, të përcaktuara nga shtysa
të jashtme apo të brendshme, ndihet ndërhyrja
e autorit, sado e fshehtë qoftë. I tillë duket edhe veprimi i arratisjes së
dy të rinjve - Vitës dhe Adilit. A është ky një veprim i paramenduar si zgjidhje
e mundshme apo veprim i çastit që s’e ka të qartë ecjen, drejtimin dhe cakun!?
Sikur ky vendim të ishte vendosur në një kontekst kohor tjetër, për shembull në
fillim të viteve '30 të shekullit XX, do të dukej pa rrugëdalje, do të dukej si
një ikje drejt një horizonti të mbyllur. Arratisjen nga kurthi autori e bën
duke u bazuar në një alibi të fortë: Arratisja në fund të viteve '30 të
shekullit XX përputhet me fillimin e një përmbysjeje të madhe historike që e
solli Lufta e Dytë Botërore. Me vetëdije apo jo, dy të rinjtë do të gjenden në
krahët e kësaj lëvizjeje për ndryshime të mëdha.
Arratisja e Vitës me
Adilin shpreh mohimin e një bote e cila nuk u kishte ofruar dy të rinjve
mundësi për të jetuar.
Një parim tjetër në praktikën krijuese
të Jakov Xoxës është edhe synimi për të
rrëfyer bindshëm. Ai që rrëfen në emër të autorit dëshiron ta bindë
lexuesin në atë shkallë vërtetësie që nuk është e mundur pa qenë njëherë i
bindur vetë. Ky parim tregimtar e kultivon praktikisht sqarimin, arsyetimin dhe
mbështetjen e çdo detaji dhe të çdo veprimi.
Një dimension që romanin e Jakov Xoxës e
bën tërheqës është ndjenja se tërësinë e fabulës e rrëfen një dëshmitar i
vërtetë i ngjarjeve dhe se ky tregimtar e thotë të vërtetën, di të zgjedhë
fjalë dhe shprehje të vërteta, t'i shqiptojë qetë ato, të nxisë kërshërinë për
të dëgjuar e për të ditur ç’ndodh më vonë si dhe të zgjojë interesim për
personazhet.
Jakov Xoxa, në mbështetje të përvojës
krijuese realiste dhe të filozofisë
jetësore të shpirtit kolektiv ka artikuluar stilin dhe shkollën e vet në zhanrin e romanit shqiptar në
përgjithësi.
* * *
Krahas odiseadës
së familjes së Pilo Shpiragut, në romanin “Lumi i vdekur” autori e paraqet edhe dashurinë midis dy të rinjve, Vitës dhe Adilit.
Dashuria e Adilit me Vitën dhe pengesat
e shumta në realizimin e saj na e kujtojnë
heroin e dikurshëm të epikës sonë
legjendare. Figura e Adilit ngjan me heroin e këngëve kreshnike shqiptare. Edhe për nga madhështia
shpirtërore, edhe për nga bukuria mbase ngjan me figurën e Halilit. Dashuria e madhe që e lidh me Vitën sapo e takon, t’i
përkujton ngjarjet dhe qëndrimin e heroit epik - Halilit. Premtimi që duhet të
realizohet me çdo kusht, madje edhe me sakrifica të jashtëzakonshme, na e
përkujton figurën e rrallë të heroit epik shqiptar. Pengesat për realizimin e
dashurisë së dy të rinjve, Vitës dhe Adilit, u shtuan tej mase. Përkundër
kësaj, djaloshi kosovar ishte i gatshëm dhe i vendosur për t’u ballafaquar me
sfidat. Ai nuk tërhiqet, përkundrazi mendon se si ta rrëmbejë grizaraken e
bukur dhe fisnike. Kësisoj, Xoxa na rikthen në kohët e shkuara të heronjve të
epikës legjendare shqiptare.
* * *
Eposi i kreshnikëve është një prej trashëgimive folklorike shqiptare më të
hershme. Muji dhe Halili me çetën e tyre i mbrojnë të
vetët prej një rreziku që vjen nga veriu, nga brendësia e Gadishullit
Ballkanik. Studiuesit thonë se koha e krijimit të eposit duhet të jetë pikërisht
ajo e dyndjeve sllave në Ballkan në shekujt VI dhe VII.
Muji (Gjeto Basho Muji)
dhe Halili janë vëllezër, kryeheronj
të këngëve të eposit shqiptar të kreshnikëve, shokë armësh në të gjitha bëmat. Muji është luftëtar i cili vepron në
malësitë shqiptare. Tek ai janë mishëruar vlera të larta shpirtërore të
popullit shqiptar, si: besa, burrëria, trimëria, qëndresa përballë armiqve,
krenaria, dashuria për lirinë dhe vendin. Vëllai më i vogël i tij – Halili, shquhet për vrullin rinor.
Bëmat heroike i japin figurës së tij një madhështi legjendare.
* * *
Ballafaqimi me rrethin e ri, me forcat e
errëta kundërshtare, rënia në burg, dalja prej andej në çastet vendimtare për
fatin e vajzës që dashuron, ardhja në ndihmë Vitës në situata të vështira, të
përkujton gatishmërinë e heroit kreshnik për t’i ardhur në ndihmë dhe për ta
shpëtuar vajzën që e dashuron - Tanushën.
Kundër realitetit të hidhur dhe të egër
Adili vepron i vetmuar dhe trimërisht. Edhe ky tipar i tij na përkujton vetminë
dhe vendosmërinë e heroit të epikës sonë legjendare. Adili sillet, vepron,
qëndron dhe formohet në rrethana konkrete dhe të rënda të jetës. Djaloshi
kosovar është simbol i guximit dhe i bukurisë fizike, i shpirtit të dëlirë dhe
i frymës luftarake që buron nga tradita shqiptare e kultivuar ndër breza.
Figurën e Adilit kosovar e plotëson ajo
e vajzës myzeqare, Vitës së ndershme. Sidoqoftë, në ndërtimin e këtyre dy
figurave ekziston një dallim i dukshëm. Derisa i riu kosovar është krijuar si
karakter në rrethana dhe në situata reale,
të rënda dhe bindëse, në anën tjetër, figura e myzeqares shpeshherë shfaqet në
rrethana apo në situata joreale që
ndërlidhen me iluzionin artistik.
Sipas kritikëve të caktuar, ka raste kur
figura e saj nuk del aq bindëse. Figura e bukur, e dashur dhe e realizuar e
Vitës, qoftë në vetvete, qoftë në raport me të tjerët, përmban disa elemente që
e kanë dëmtuar natyrën realiste të veprës.
Vita, kjo myzeqare e thjeshtë të cilën e
përfytyrojmë si të gjallë apo si një qenie që hyn edhe në jetën tonë, të
përkujton heroinën e rrëfimeve
popullore rreth së cilës sillen të gjithë, të mirë e të ligj. Ndërtimin e
karakterit të saj e karakterizon elementi i tregimit tonë popullor, veçanërisht
kur kemi të bëjmë me jetësimin e së mirës dhe të drejtësisë që e preokupon
njeriun.
Në kontekstin e ngjarjeve të romanit
Vita jepet me ngjyra romantike.
Besimin e saj nuk e luhat dhe nuk mposht asgjë. As dashurinë e saj nuk mund ta
pengojë kush. Ajo ka një bukuri të rrallë dhe specifike, por edhe një sjellje
karakteristike femërore. Ajo duket sikur mbetet përtej kundërthënieve të
realitetit, si një hije.
Në moshë të njomë asaj i vdes e ëma.
Pikërisht tani e takon Adilin, ndaj të cilit i lind dashuria. Që në rini të hershme ajo jeton dhe është e përshkuar nga
dy ndjenja shqetësuese: nga ndjenja e vdekjes së të amës si dhe nga ajo e
dashurisë. Janë ndjenja që e trazojnë dhe që e nxisin shtigjeve të jetës.
Varfëria jetësore drithëruese dhe e skajshme nuk e ka penguar të rritet, të
zhvillohet, të zbukurohet dhe të zgjojë lakminë apo xhelozinë e njerëzve.
Si të gjitha vajzat e fshatarëve
myzeqarë, edhe ajo ishte rritur në mes të pocaqisë dhe varfërisë. Megjithëkëtë,
jeta e ka rrugën e vet që e ka filluar kushedi se ku dhe kushedi se si. Grizarakja ishte zhvilluar aq harmonishëm
saqë të kujtonte lakonin e bukur të kënetës që del si për mrekulli mbi ujin e
pocaqisur të moçalit.
Jetën e saj e ndërlikojnë dhe
vështirësojnë dy rrethana relevante: përkatësia
klasore si dhe dashuria e ndaluar
me një djalë kosovar që i përkiste
një
besimi tjetër. Ajo i përkiste shtresës së ulët të shoqërisë.
Karakteristikat apo rrethanat e
sipërthëna i kanë dhënë përmasa apo dimensione dramatike, jo vetëm figurës së
saj, por edhe gjithë veprimit, konfliktit dhe shtrirjes së subjektit ku shquhet
prania e saj si femër, vajzë fshatare dhe personazh që e ka pasur edhe
mbështetjen e autorit të romanit. Ishte vështirë të qëndrojë dhe të ndryshohet
fati i saj. Ishte vështirë të realizohet dashuria, jo vetëm për arsye të
rrethanave sociale, por edhe për shkak të traditave, paragjykimeve, pikëpamjeve
konservatore dhe moralit të kohës. Në çdo hap ngatërrohet nga paragjykimet, nga
thashethemet, xhelozia apo mëria. Por zhvillimi i ngjarjeve në roman dhe
perspektiva e tyre e forcojnë besimin e myzeqares, e mbushin me jetë, e
trimërojnë dhe e motivojnë të ecë, të shtegtojë dhe të ngadhënjejë mbi gjithë
atë botë të vjetër që duhej të përmbysej për t’u zhbërë edhe pasojat e saj.
Mendësia provinciale dhe fshatarake e një bote obskurantiste duhet të merrte
fund.
Mbi Vitën rëndon shumëfish pesha
drithëruese e jetës: Është e një familjeje të dëbuar nga beu, ka
mbetur jetime, e përcjell mëria e vëllait, Llazit, e lakmon beu i cili e ka në
dorë ekzistencën e tyre, e dënon fshati duke e akuzuar si shkaktare të shumë të
këqijave që ndodhin në jetën e tyre.
Myzeqarja mbase është simboli i një
rinie që duhej të vinte. Ajo shtegton drejt një kohe tjetër, drejt së ardhmes.
Duket si një heroinë romantike e cila nuk zmbrapset, përplaset me sfidat dhe
stuhitë, noton në vorbullën e jetës dhe ballafaqohet me shakullinën, bashkë me
të riun kosovar arratisen, duke mohuar
çdo gjë të botës së vjetër. Për një jetë që nuk e përjetuan etërit e tyre,
Vita dhe Adili luftojnë dhe sakrifikojnë për një botë më të mirë, më të drejtë
dhe më të denjë. Gjakimi i tillë jetësor në romanin “Lumi i vdekur” realizohet vetëm pjesërisht, Jakov Xoxa synon ta
sendërtojë në veprat e tjera të tij.
Motivi i dashurisë në romanin “Lumi i vdekur” është forcë shtytëse dhe
motivuese për t’i bërë ballë një jete plot peripeci dhe për ta ndryshuar
realitetin dhe botën. Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash. Për këtë
arsye ajo pasqyrohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale. Ajo më tepër e përjeton dashurinë sesa jeton
me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet fuqishëm në krejt
romanin, kurse bëmat, veprimet dhe sjelljet e saj vërehen më pak. Zgjimi i
ndjenjave dashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, saqë
duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron pareshtur. Përshkrimet për
zgjimin e saj dashuror dhe për zhvillimin e femërores në të, janë ndër më
emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Marrëdhëniet e saj me të tjerët
janë raporte ndjenjash. Si bijë, vuan dhimbjen e madhe të shkaktuar nga vdekja
e parakohshme e së ëmës. Si motër, e provon herët dhembshurinë për vëllain dhe
motrën e vogël jetime. Si një vashë e re, e sinqertë dhe pa paragjykime, e
përjeton dhe e ndjen thellë dashurinë ndaj Adilit.
Dashuria për Adilin njëjtësohet me jetën
e saj, me kënaqësitë sublime, me bukurinë dhe me lumturinë e jetës. Ajo është
simbol i pasioneve rinore, të vrullshme dhe të pandalshme. Është simbol i
dashurisë që çel dhe jep shtat edhe në kënetën e jetës, edhe në folenë e
fanatizmit. Është simbol i gëzimit, i haresë dhe i përtëritjes së jetës,
simboli i femrës që i ngacmon në pikëpamje erotike njerëzit rreth e rrotull. Me
personalitetin dhe shpirtdëlirësinë e saj, Vita
grizarake e poetizon mjedisin, shndërrohet në frymëzim dhe inspirim për
kultivuesit e shprehjes artistike, bëhet muzë e poetit.
Figura e Adilit është dhënë në disa
momente dramatike dhe të rëndësishme për strukturën e romanit. Mbi fëmijërinë e
tij shkrimtari nuk hedh dritë fare. Figura e tij shpaloset në raport me rrethin
e ri jetësor dhe në raport me dashurinë ndaj Vitës. Ai provon mallin ndaj
vendit - Kosovës që e shpreh nëpërmjet këngës, provon dashurinë ndaj Vitës dhe
flijohet në çdo hap për hir të dashurisë, jo vetëm ndaj Vitës, por edhe ndaj vendit dhe jetës që e gjakonte.
* * *
“Lumi i vdekur” u
vlerësua si roman social, psikologjik dhe etik. Nëpërmjet subjektit që shtrihet në vitet 1938-1939 pasqyrohet kalvari
jetësor i familjeve myzeqare dhe atyre kosovare - të shpërngulura. Me një
realizëm tronditës, vepra ndriçon dramën e fshatarësisë shqiptare të asaj kohe.
Poetika e rikrijimit tipik
social-psikologjik të realitetit në romanin “Lumi
i vdekur”, ia lë vendin poetikës së trajtimit
objektiv dhe kritik të tij në romanin “Juga
e Bardhë” (1969) që flet për jetën e
fshatit shqiptar në periudhën e
reformimit të sistemit kooperativist,
për t’u përforcuar me elemente të një simbolike sugjestive te “Lulja e kripës” (1979). Në këtë vepër,
i rikthyer në kohën historike të
romanit të parë, autori u qaset mjediseve punëtore.
Duke u përqendruar në mjedisin konkret,
Jakov Xoxa synoi ta paraqesë artistikisht të tërën e shoqërisë shqiptare.
Autor i disa prej veprave më të
vëllimshme në letërsinë shqiptare, Jakov Xoxa e plotësoi tipologjinë e saj me romanin
realist me një shtrirje të gjerë epike. Në qenësinë e vet proza e
Jakov Xoxës, përtej elementeve shoqëruese të natyralizmit, të sentimentalizmit
dhe të folklorizmit paraqet një sintezë të shquar të tipareve më të
dallueshme të realizmit kritik me një varg veçorish të prozës së gjatë
moderne të shekullit XX.
Kufizimet normative të realizmit socialist që lënë gjurmë
aty-këtu (si për shembull në paraqitjen statike ose me evoluimin e
personazheve, jo kurdoherë në pajtim me psikologjinë e tyre), Jakov Xoxa ia ka dalë t’i kapërcejë
nëpërmjet njohjes së thellë të jetës dhe të botës së brendshme të njeriut në
përgjithësi dhe të veçantive historike, shpirtërore dhe psikologjike të
realitetit myzeqar.
I pajisur me një forcë të madhe
tregimtare, Jakov Xoxa ka aftësinë të rrëmbejë dhe të mbajë gjallë vëmendjen e
lexuesit dhe të sigurojë bindjen e tij në vërtetësinë e asaj që kumton. Me
aftësi të veçanta në modelimin e karaktereve, ai ka
mundur të krijojë një galeri të tërë personazhesh të spikatura. Vita e romanit
“Lumi vdekur” çmohet si realizimi më i shquar i figurës së femrës në letërsinë
shqiptare.
Në karakterizimin dallues të
personazheve, një rol të madh luan gjuha dhe e folmja e tyre. Si fjalori që përdorin, ashtu edhe mënyra e të
folurit përputhen me botëkuptimin dhe gjendjen e tyre shoqërore, me
veprimtarinë jetësore, me ndjenjat, me mendësitë, me karakterin dhe me pasionet
e tyre.
Pasuria e jashtëzakonshme leksikore
dhe e spektrit kuptimor të fjalëve, meditimet dhe sentencat filozofike që
përcjellin jehonën e mençurisë popullore, tablotë e gjera epike dhënë nëpërmjet
ndërthurjes së shumë linjave narrative të ndërprera nga përshkrime të një lirizmi të ndier të tablove të natyrës dhe të skenave të dashurisë, i japin stilit të Jakov
Xoxës vulën e një karakteri të theksuar individual.
Pjesën më të madhe të jetës krijuese
Jakov Xoxa e kaloi në Pojan, një fshat myzeqar afër Fierit, ku, krijoi
romanet “Lumi i vdekur” (1965) dhe “Juga e bardhë” (1971),
ndërsa romanin “Lulja e kripës” (1978) e
shkroi gjatë viteve të qëndrimit në Ballsh, ku po ndiqte nga afër ndërtimin e
Uzinës së Pasurimit të Naftës, e cila do të ishte në epiqendër të romanit të
ardhshëm “Ari i Zi”. Tre romanet e përfunduara dhe të botuara bëjnë
pjesë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësore të
letërsisë shqiptare.
Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në
mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore,
si “Lumi i vdekur”, periudhën gjatë luftës, si romani “Lulja
e kripës”, apo edhe periudhën e kolektivizimit të bujqësisë (vitet
’60 të shekullit XX) si “Juga e Bardhë”. Në këto vepra gjejmë një
shtrirje të pakufishme të rrëfimit që e mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe
të ekzistencës së mjedisit shqiptar.
Jakov Xoxa është nga romancierët më në
zë të gjysmës së shekullit XX. Në krijimtarinë e tij letrare ai
individualizohet me parimin krijues realist: fati individual do të jetë
ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së
fokusuar në rrëfime. Me romanet e shquara realiste Jakov Xoxa do ta vendosë
dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti,
të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike.
Parashenja më karakteristike e prozës së
Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e
një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare:
nga njëra anë është e pranishme fryma e
urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv; nga ana tjetër,
kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të
shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.
* * *
Jakov Xoxa ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe
të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. E ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës
së Parë dhe urdhrin “Nderi i Kombit”.
Veprat
1. "Novela",
përmbledhje shkrimesh, 1949;
2. "Buçet
Osumi", dramë, 1956;
3. "Zemra",
dramë, 1958;
4. "Novela",
përmbledhje shkrimesh, 1958;
5. "Lumi
i vdekur", roman, 1964;
6. "Juga
e bardhë", roman, 1971;
7. "Lulja
e kripës", roman, 1980/81.
8. “Hyrje në letërsi”;
9.
“Teoria e letërsisë”;
10.
“Metrika”;
11.
“Bazat e teorisë së letërsisë” (në formë dispense), 1972.