Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Zanafillësi realist i romanit modern - Dostojevski
E hene, 19.05.2025, 06:56 PM
ZANAFILLËSI REALIST I ROMANIT MODERN – DOSTOJEVSKI
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Fjodor Mihajloviç Dostojevski është shkrimtar rus me
prejardhje ukrainase. Ka lindur në Moskë më 11 nëntor të vitit 1821. Si
romancier, novelist dhe publicist, disa kritikë letrarë e kanë vlerësuar si
shkrimtarin më të rëndësishëm të historisë.
Në vitin 1867 u
martua me Ana Grigoryevna Dostojevskaja (Shën-Peterburg,
1846 – Jaltë/Yalta, 1918). Ishte gruaja e dytë e Dostojevskit. Ishte autore
memoaresh, stenografe dhe asistente.
Për prejardhjen
e Dostojevskit flet vajza e tij Ljubov
Fyodorovna Dostojevskaja (Dresden, Gjermani, 1869 – Bolzano, Itali, 1926) në
librin “Babai im Fjodor Dostojevski”.
Libri është botuar në gjuhën frënge në vitin 1921, me rastin e shënimit të
100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.
Midis tjerash
ajo shkruan: “Duke lexuar biografinë e
babait tim, gjithmonë më ka habitur fakti se si biografët e kanë paraqitur atë
vetëm si rus, madje edhe rus shkuar rusit. Dostojevski ka qenë rus vetëm nga nëna, kurse paraardhësit e tij nga
babai kanë qenë lituanë; Kur Rusia në
shekullin e 18-të e anekson Lituaninë, Dostojevskët nuk kanë jetuar më atje.
Ata kanë kaluar në Ukrainë; Shpesh kam mundur të dëgjoj babanë dhe xhaxhallarët
të thonë: ‘Ne Dostojevskët kemi lituanë dhe jo polakë’. Dostojevskët kanë qenë
katolikë...; Si katolikë të bindur, bijtë e tyre i kanë dërguar në shkollat
latine të vendit. Të parët e babait tim kanë pasur arsimim latin të
jashtëzakonshëm të cilin katolikët e kanë propaganduar kudo ku kanë qenë.”
* * *
Dostojevski
ndoqi në Shën-Peterburg studimet ushtarake të inxhinierisë dhe i kreu. Herët
vendosi t’i përkushtohet vokacionit të shkrimtarit. E përktheu romanin “Evgjeni Grande” (Eugénie Grandet, 1883) të shkrimtarit francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac,
1799-1850). Nën ndikimin e tregimtarit dhe komediografit rus me prejardhje ukrainase Nikolaj Vasileviç Gogol (1809-1852) e
shkroi veprën e vet të parë, tregimin “Njerëz
të mjerë” (1846). Është vepër epistolarë, d.m.th. e shkruar në formë
letrash. Tregimi i sipërthënë e entuziazmoi kritikun rus më të rëndësishëm Visarion Grigorjeviç Bjelinskin (1811-1848),
ndërsa Dostojevskit i mundësoi të depërtojë në qarqet letrare ruse. Në atë kohë
ai hyri në qerthullin e socialistëve-utopistëve të cilët i udhëhiqte teoricieni
utopist rus Mikhail
Batusheviç-Petrashevski (Mikhail Batusheviç-Petrashevsky, 1821-1866).
Veprimtaria revolucionare e tij përbëhej prej debateve private për të ardhmen e
Rusisë, për reformën e sistemit shoqëror, për demokratizimin dhe çlirimin nga
bujkrobëria.
Socializmi
utopist i tij nuk i ndoqi doktrinat materialiste siç ishin ato të antropologut
dhe filozofit gjerman Ludvig Fojerbah
(Ludwig Feuerbach, 1804-1872), por mbiu prej
koncepteve idealiste të filozofit francez Sharl
Furie (Charles Fourier, 1772-1837) dhe të dramaturgut, poetit dhe eseistit
gjerman Fridrih Shiler (Friedrich
Schiller, 1759-1805). Më vonë ato pikëpamje i përqeshi, por ato nuk pushuan të
jenë qendër e opsesioneve të tij.
Pasi u kthye në Shën-Peterburg,
Dostojevski botoi romanin“Shënime nga
shtëpia e të vdekurve” (1860-1862). Është një përshkrim i fiksionalizuar i
robërisë së vet ku i pasqyron në mënyrë realiste bashkudhëtarët – robër. Romani
korri sukses të madh dhe i solli autorit rehabilitim të pjesshëm nga Perandori.
Periudha e madhe e
kreativitetit -
Prej vitit
1864 filloi periudha më frytdhënëse e krijimtarisë letrare të tij. Atëherë e
botoi romanin “Shënime nga nëntoka” (1864).
Ky është një prej romaneve të shkurtra narrative më intensive. Është paraardhës
i veprave të ngjashme të romancierit, eseistit dhe dramaturgut francez Alber
Kamy (Alebrt Camus, 1913-1960), të shkrimtarit dhe enciklopedistit kroat Miroslav
Kërlezha (1893-1981) dhe të prozatorit francez Luis-Fernand Selin (Louis-Fernand
Céline, mbiemri i vërtetë Destouches, 1894-1961).
Në këtë vepër
Dostojevski zbatoi një sërë procedimesh në të cilat e përtëriu prozën
dhe caktoi modelin e romaneve të tij të mëdha të ardhshme: qërimin ideologjik
të hesapeve me stereotipat utopistë dhe “humanistë”
në përgjithësi; një sërë kapitujsh eseistikë që janë dialogë sokratianë të
dramatizuar në thelb, të zhvilluar në një atmosferë të ngjeshur me pasione dhe
skandale; stili zhurnalist qëllimi i vetëm i të cilit ishte kumtimi funksional
i vizionit të autorit dhe jo përjetimi estetik, tipologjia psikologjike që i
përfshin më së shpeshti të krishterët e përvuajtur dhe të përulur, siç janë
Sonja Marmeladova, Aljosha Karamazov, princi Mishkin; cinikët nihilistë siç janë Svidrigajlov dhe Nikolaj Stavrogin; intelektualët
radikalë në luftë kundër vlerave të njohura nga të gjithë apo “ateistët religjiozë” siç janë Rodion
Raskolnikovi, Ivan Karamazovi, Kirilovi;
fëmijët “e familjeve të rastësishme” dhe njerëzit të
cilëve u është cenuar dinjiteti siç është heroi i romanit “I riu” (1875); romani “Shënime
nga nëntoka” (1864).
“Shënime nga nëntoka” është një prej romaneve ekzistencialiste të para në
historinë e letërsisë botërore. “Shënimet
nga nëntoka” janë shënime të një rrëfyesi të hidhur, të izoluar dhe të
pabesueshëm. I bazuar në unitetin e dy komplekseve kundërshtare, kompleksit të
inferioritetit dhe kompleksit të superioritetit, njeriu i nëntokës në pikëpamje
sociale është i papranueshëm, i parealizuar dhe i varfër, por në pikëpamje shpirtërore dhe
intelektuale është superior ndaj të tjerrësve. Në të njëjtën kohë labil dhe
arrogant, ai bën pjesë në radhët e antiheronjve
më të admiruar të të gjithë personazheve të Dostojevski.
Shënim: Shumë kritikë letrarë Miroslav Kërlezhën e
konsiderojnë si më të madhin shkrimtar kroat të shekullit XX.
*
* *
Teknika e përroit të ndërgjegjes – Teknikën e përroit të ndërgjegjes Dostojevski
e zhvilloi në veprat e veta shumë më herët se që u popullarizua në romanin
angloamerikan të shekullit XX. Për këtë arsye e konsiderojnë zanafillës të romanit modern dhe psikologjik.
Edhe pse realizmi letrar është
periudha në të cilën krijoi ky autor, në veprat e tij ai shihet vetëm si shtresë e jashtme. Ai nuk mund të
depërtojë në psiken e njeriut, në gjendjet, në mendimet e përshkuara nga
simbolika filozofike shumëkuptimore, të formësuar nga fantastika. Këtë e arrin
me një varg elementesh moderniste me të cilat, në mënyrë unike shmanget nga poetika e realizmit.
Ngjarjet e
shumë romaneve të Dostojevskit zhvillohen në një atmosferë të zymtë të nëntokës
metropolitane, d.m.th. të botës së krimit. Në qendër ndodhen ngjarjet
shqetësuese të trashëguara nga romani
trivial dhe nga kronikat e zeza, siç janë: vrasjet, atëvrasjet, krimi,
vjedhja dhe llojet e ndryshme të skandaleve. Ato sillen rreth pyetjeve të mallkuara për
njerëzimin, siç janë: natyra e së keqes, vuajtjet njerëzore, vdekshmëria dhe
pavdekësia, ekzistimi dhe mosekzistimi i Zotit, lira e përgjegjësia, si dhe fati
i Rusisë dhe i Perëndimit.
Roman i madh i Dostojevskit rëndom
konsiderohet “Krim dhe ndëshkim” (1866).
Është vepra teknikisht më e përkryer e tij. Flet për një vrasje të motivuar ideologjikisht
me personazhin kryesor Rodion Romanovi? Raskoljnikov, i cili është prototip
i mbinjeriut të filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzsche, 1844-1900).
Në figurën e tij shfaqen edhe kontraste
të caktuara nëpërmjet të cilëve vërehet ndikimi i romanit modern në një
vepre letrare realiste. Këto kontraste shfaqen ndërmjet arsyes dhe ndjenjës
përmes ëndrrës së Raskolnikovit përmes së cilës shfaqet dhe nënvetëdijes
njerëzore e cila assesi s’mund të jetë element i asaj që është realiste. Pastaj midis Zotit dhe djallit i cili i mbisundoi ligjet hyjnore kur
vendosi për ta vrarë Aljona Ivanovnën.
Kontraste paraqiten edhe në relacionin midis shoqërisë dhe individit i
cili assesi nuk donte t’i respektonte normat shoqërore. Për këtë i shërbeu si
shembull edhe perandori francez Napoleon
Bonaparti (Napoléon Bonaparte, 1769-1821). Përveç kësaj, në rrafshin midis vuajtjes dhe protestës nuk lejoi t’i
dorëzohet vuajtjes si të ishte një
romantik, por e shikoi atë drejt në sy dhe e mposhti, edhe pse pak a shumë
ishte i vetëdijshëm se për këtë do të paguante çmim të caktuar.
Ndërthurja e
filozofisë, e fantastikës dhe e publicistikës – Romani përmban edhe elemente të filozofisë që vërehet
qartë nëpërmjet mendjes së Raskolnikovit dhe një sërë ndryshimeve nëpër të
cilat ka kaluar në roman. Kaloi nëpër ëndrra, halucinacione, çrregullime dhe
situata të pasqaruara. Kaloi nëpër rrymimin
e ndërgjegjes rrjedha e së cilës pak është e trazuar dhe pak e qetë, pastaj
përsëri e trazuar dhe përsëri e qetë. Kështu, derisa nuk i njohu vlerat e
vërteta të jetës.
Aty hasim edhe elemente të
fantastikës që vërehet më së miri në
vrasjen që e ka kryer. Penalisht, vepra mund të të ndjekë në mënyrë aq
intensive saqë të bëhet diçka si këmbët dhe duart pa të cilat nuk mund ta
paramendosh ditën. Të përcjell në ëndrra, të fanitet, e vëren te njerëzit që i
takon e që i ndjek intuita e parandjenjës dhe racionalja e mekanizmit psikik.
Ata zbulojnë se me ty diçka nuk është në rregull.
Romani ka edhe diçka publicistike që po ashtu është një
karakteristikë e pazakonshme e letërsisë
së realizmit. Kjo vërehet gjatë synimit të Raskolnikovit për të vrarë. Me
anë të artikullit gazetaresk të tij të pabotuar, njerëzit i kishte ndarë në të zakonshëm dhe në të pazakonshëm. Me këtë akt synonte të arrijë fuqinë e njerëzve të pazakonshëm që janë në gjendje ta
përcaktojnë fatin e botës dhe ligjet e saj.
Megjithëkëtë, nëpërmjet përshkrimeve të
hollësishme dhe autentike të njerëzve, të hapësirave dhe të natyrës, disa
personazheve tipike, shprehjes gjuhësore
të rëndomtë, fabulës së bazuar në ngjarje të vërteta si dhe do elementeve dhe situatave të tjera - hasim
edhe në elemente realiste.
Romani edhe më i njohur “Vëllezërit Karamazov” (1879-1880) është
libri i fundit i këtij kolosi rus. Për ta shkruar këtë vepër autorit i duheshin
gati dy vjet. Për herë të parë u botua në vazhdime në revistën “??????? ??????”. Botimi përfundoi në
nëntor të vitit 1880.
Është roman filozofik drame ku flitet
për tema të ndryshme, siç janë Zoti, vullneti i lirë, morali, njeriu i
papërsosur dhe shpagimi. Sipas këtij romani janë xhiruar disa përshtatje
televizive dhe filmi. Një prej më të njohurve është filmi me të njëjtin emër i
aktorit dhe regjisorit amerikan Riçërd
Bruks (Richard L. Brooks, 1962-
) i vitit 1958.
Vepra përbëhet prej dymbëdhjetë
kapitujve: Historia e një familjeje të vogël, Tubimi i pahijshëm, Prostituta,
Thyerja, Për dhe kundër, Monarku rus, Aljosha, Mitja, Hetimi paraprak, Çunat,
Vëllai Ivan Fjodoroviç, Gabimi i gjykatës dhe Epilogu.
Në vitin 2003 gazeta Observer romanin “Vëllezërit Karamazov” e renditi në
vendin e 29-të të listës së romaneve më të mira të të gjitha kohërave, ndërsa
aktorja amerikane Merilin Monro (Marilyn
Monroe, emri i plotë Norma Jean Mortenson, 1926-1962) dikur shprehu dëshirën
për të luajtur njërën nga personazhet e romanit, Grushenkën.
Pothuajse në çdo roman të realizmit rus
e kemi edhe epilogun.
Dy burrat e moshuar në këtë rrëfim,
Fjodor Karamazovi dhe Zosima përballen me njëri-tjetrin si model mimetikë negativë
dhe pozitivë për brezin e ri, ndërsa autori i kritikon edhe idetë perëndimore
që janë në modë, e që sipas tij, e prishin kulturën ruse.
Ishte planifikuar edhe pjesa e dytë e
librit me titull “Jeta e mëkatarit të
madh”, por Dostojevski vdiq para se ta shkruante atë.
* * *
Personazhet e veprave të caktuara të
Dostojevskit enden në hapësirat e qytetit: në rrugët e errëta, në banesat e
marra me qira, në mansarda dhe në sallat e gjykatave. Kryesisht janë njerëz të
cilëve u është cenuar dinjiteti, ndaj për fyerjet dhe nënçmimet e përjetuara i
hakmerren shoqërisë. Fati i tyre zgjidhet me kriza psikologjike, me vrasje dhe
me vdekje. Ka edhe që pendohen.
Në romanet e tij kemi tre lloj
karakteresh:
- rebelët në shoqëri ku
bëjnë pjesë Raskolnikovi dhe Ivan Karamazovi;
- të krishterët
e qetë, të urtë dhe modestë siç
janë princi Mishkin, Sonja Marmeladova dhe Aljosha Karamazovi; dhe
- njerëzit e ligë cinikë dhe të
shfrenuar siç janë princi Valkovski, Svidrigajlovi, Fjodor Karamazovi.
* * *
Monologët e brendshëm të personazheve shpeshherë kanë të bëjnë me botën
shpirtërore të tyre.