Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Ajvanho - Uolltër Skot
E marte, 06.05.2025, 06:54 PM
“AJVANHO” – UOLLTËR SKOT
-
roman historik -
-
konflikti midis saksonëve dhe normanëve në shekullin XII –
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
„Ajvanho“ (anglisht:
Ivanhoe)
është roman historik i romancierit dhe poetit skocez Uolltër
Skot (Walter Scott, 1771-1832). Për herë të parë u botua në dhjetor të
vitit 1819 në tre vëllime. „Ajvanho“ shënoi shmangie nga praktika
paraprake e Skotit për ta vendosur rrëfimin në Skoci dhe në një të kaluar të
afërt. U bë një prej romaneve më të njohura dhe më me ndikim të Skotit.
Ngjarja
zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar. Vepra është shkruar në gjuhën angleze. I takon
zhanrit apo llojit të romanit historik. Ngjarja është vendosur në
Anglinë e shekullit XII. U botua më 20 dhjetor 1819 dhe ka 623 faqe.
Autori
i përshkruan në mënyrë piktoreske turnetë, rebelët, gjykimin e magjistareve dhe
ndarjen midis hebrenjve dhe krishterëve, normanëve dhe saksonëve.
Eseisti
dhe historiani anglez me prejardhje skoceze Tomas Karlajl (Thomas
Carlyle, 1795-1881), prozatori, kritiku dhe historiani i artit, anglezi Xhon Raskin (John Ruskin, 1819-1900) dhe
shumë të tjerë, këtij romani ia kanë veshur meritat për rritjen e interesimit
të lexuesve për romanet kalorësiake dhe medievalizmin
(mesjetën). Kardinali anglez Xhon Henri Njuman (John Henry Newnan,
1801-1890 thotë: “Skoti është
i pari i cili i ka kthyer mendjet e njerëzve kah mesjeta”.
“Ajvanho” ka merita edhe për
ndikimin në perceptimin bashkëkohor të popullarizuar të personaliteteve
historike siç janë mbreti i Anglisë Rikardi I Zemërluani (1157-1199), princi
Xhon (Prince John, Mbret i Anglisë, 1166-1216) dhe Robin Hudi (Robin Hood).
Veprimi i veprës – Vilfredit të Ajvanhos, babai Sedrik nga Rotervudi ia mori të drejtën e
trashëgimisë për arsye se e mbështeti mbretin e normanëve Rikardin dhe ishte
dashuruar te zonja Rovena, e mbrojtura e Sedrikut dhe pasardhëse e mbretërve
saksonë të Anglisë. Sedriku planifikonte që Rovena të martohet me lordin e
fuqishëm Atelstan, pretendues i kurorës angleze për nga prejardhja nga mbreti i
fundit sakson, Harold Godvinsonit.
Ajvanho është në shërbim të mbretit Rikard në Luftën e
Tretë të Kryqëzatave, prej ku vijnë lajme se ka luajtur rol të rëndësishëm në
rrethimin e Akrës.
Libri fillon me skenën e kalorësve dhe të prelatëve
normanë të cilët e kërkojnë mikpritjen e Sedrikut. Atje i shpie pelegrini, i
njohur vetëm si ithtar. Po atë natë Isaku prej Jorku, fajdexhi hebre, kërkon
strehim në Rotervud në rrugën për të ardhur në turne në Ashbi. Pas darke,
ithtari e vështron njërin prej normanëve, templarin
Brijan de Boa Zhilber i cili u jep urdhër ushtarëve të vet saracenë që ta zënë rob Isakun. Pastaj ithtari i ndihmon Isakut që
të ikë prej Rotervudit. Me këtë rast i ndihmon bariu i derrave - Gurt.
Isaku prej Jorku dëshiron t’ia paguajë borxhin
ithtarit me mburojën dhe kalin e luftës me të cilët do të mund të merrte pjesë
në turne në kështjellën Ashibi de la
Zush, në bazë të përfundimit të tij se ithtari në të vërtetë është kalorës.
Ithtari habitet. Megjithëkëtë e pranon ofertën.
Turneu - Rovena (Rowena) e kurorëzon
Ajvanhonë si ngadhënjyes të turneut. Turneun e udhëheq princi Xhon, vëllai i
mbretit Rikard Zemërluani. Marrin pjesë edhe Sedriku, Atelstani, zonja Rovena,
Isaku i Jorkut, Rebeka e tij, Robini i Lokslit dhe njerëzit e tij, këshilltari
i princit Valdemar Ficurze dhe shumë kalorës normanë.
Ditën e parë të turneut, në garat individuale,
kalorësi misterioz i cili prezantohet si “Desdichado”
që në gjuhën spanjolle do të thotë “i
përjashtuar nga trashëgimia”, e mund Boa Zhilberin. Kalorësi i maskuar
refuzon ta zbulojë identitetin e vet, përkundër kërkesës së princit Xhon.
Megjithëkëtë, ai shpallet kampion i ditës dhe i lejohet ta zgjedhë mbretëreshën
e turneut. Këtë nder ai ia jep zonjës Rovenë.
Ditën e dytë, në betejë, kalorësi misterioz është
udhëheqës i njërës palë të cilës i kundërvihen kundërshtarët e dikurshëm të
tij. Pala e tij sakaq vihet në pozitë të vështirë. Edhe atë e rrethojnë armiq të shumtë derisa nuk e
shpëton kalorësi që mbante ofiqin “Le
Noir Faineant” (Përtaci i Zi) i cili pastaj largohet fshehurazi. Kur i
duhet të zbulohet për ta pranuar koronetën
e vet (çmimin për kampionin), kalorësi misterioz identifikohet si Vilfredi
i Ajvanhosë i cili është kthyer nga lufta
e kryqëzatës. Kjo shkakton befasi të madhe te princi Xhon (John) dhe oborri
i tij të cilët tani frikohen nga kthimi i pashmangshëm i mbretit Rikard.
Ajvanho u plagos rëndë në turne por babai i tij nuk
dëshiron t’i ndihmojë. Në vend të kësaj, për atë kujdeset mjekja e zgjuar Rebeka. Ajo e bind babanë e vet që ta marrin
Ajvanhonë në shtëpinë e tyre në Jork kur të jetë i përgatitur për një udhëtim
të tillë. Ditën e fundit të turneut Loksli korr rezultate në qitje. Përveç
tjerash, ia del ta qëllojë me shigjetë edhe degëzën e shelgut. Darka që e
kishte organizuar princi Xhon për saksonët vendorë përfundon me fyerje.
Zënia rob dhe shpëtimi – Në pyjet midis Ashbit dhe Jorkut, Isaku, Rebeka dhe Ajvanhou i plagosur
braktisen prej rojtarëve të cilët kishin frikë prej rebelëve. Ia marrin Isakut
kuajt. Sedriku, Atelstani dhe zonja Rovena i takojnë dhe vendosin të udhëtojnë
bashkë. De Brasi dhe përcjellësit e tij e zënë rob krejt grupin dhe i çojnë në
Torkuilston, kështjellë e Fron de Bef-it. Bariu i derrave (derrari) Gurt dhe bufoni
i pallatit (palaçoja i oborrit), Bamba, arrijnë të ikin. Pas kësaj e takojnë
Lokslin i cili e planifikon aksionin e shpëtimit.
Kalorësi i zi me të shpejtë u fsheh në kasollen e
fratit lokal, priftit të shenjtë nga Kopmanhersti. Paraqitet vullnetarisht që
t’u ndihmojë të zënëve rob në Torkuilston. Njerëzit e Robinit, midis tyre frati
dhe jomanët e saksonëve e fillojnë
rrethimin e kështjellës. Brenda Torkuilstnit, De Brasi e shpreh dashurinë e vet
ndaj zonjës Rovena, por ajo e refuzon. Brijan de Boa Zhilber tenton ta
përdhunojë Rebekën por nuk ia del. Pastaj tenton ta mashtrojë por ajo sërish e
refuzon. Fron de Bef tenton të nxjerrë një shumë të madhe parash nga Isaku i
Jorkut, por Isaku refuzon të paguajë, përveç nëse e bija nuk lirohet.
Kur rrethuesit dërgojnë porosi se i lirojnë të zënët
rob, rrëmbyesit normanë kërkojnë prej klerikut që t’ia lexojë Sedrikut ceremoninë
mortore. Pas kësaj, Sedrika Bamba i marrë, i maskuar në klerik hyn në
kështjellë dhe e zë vendin e Sedrikut i cili ikën dhe u sjell informata të
rëndësishme rrethuesve për forcën e garnizonit dhe sistemimin e tij. Pas
vajtjes, Sedriku takon plakën saksone Ulrikën e cila betohet se do t’i
hakmerret Fron de Befit dhe e këshillon Sedrikun që t’ua thotë këtë rrethuesve.
Rrethuesit e fillojnë sulmin ndaj kështjellës. Ulrika, e bija e zotëruesit të
parë të kështjellës, lordit Torkuilston, e djeg kështjellën në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e babait të vet. Fron
de Befi humb jetën në zjarr kurse De Brasi i dorëzohet Kalorësit të Zi i cili
prezantohet si mbreti Rikard dhe e liron. Boa Zhilberi ikën me Rebekën kurse
Isakun e zë frati i Kopmanherstit. Zonja Rovenën e shpëton Sedri, ndërsa
Ajvanhonë e plagosur e shpëton nga kështjella e djegur mbreti Rikard. Atelstani
është plagosur në luftë dhe është shpallur i vdekur derisa tentonte ta shpëtojë
Rebekën të cilën e kishte zëvendësuar me Rovenën.
Gjykimi i Rebekës – Pas luftës, Loksli është nikoqir i mbretit Rikard. De Brasi i çon
informata princit Xhon për kthimin e mbretit dhe rënien e Torkuilstonit.
Ndërkohë, Boa Zhilberi rend me robëreshën e vet për në tempullin më të afërt të
templarëve ku mjeshtri i madh i templarëve Lukas de Boamanoar i zemërohet
dashurisë së Boa Zhilbertit dhe Rebekën e “gjykon” si magjistare.
Me kërkesën e fshehtë të Boa Zhilbertit ajo e zgjedh gjykimin me luftë, kurse Boa Zhilberi i
cili shpresonte se do të luftonte me një fitues të Rebekës, mposhtet kur
mjeshtri i madh i urdhëron të luftojë në emër të Tempelstit. Rebeka i shkruan
babait të vet që t’i gjejë një fitues. Sedriku e organizon varrimin e
Atelstanit në Këningsburg. Mbërrin Kalorësi i Zi me Ajvanhonë. Sedriku i cili
nuk ishte i pranishëm në ahengun e Lokslit, nuk e admiron aq kalorësin kur
mëson për identitetin e tij të vërtetë, por Rikardi e qetëson Sedrikun dhe e
pajton me të birin. Gjatë kësaj bisede del në shesh se Atelstani nuk ka vdekur
por murgjit e etshëm për të nxjerrë lekë varrimi, e futën të gjallë në arkivol.
Për shkak të protestave të përsëritura të Sedrikut,
Atelstani angazhohet për respektimin e mbretit norman Rikardit dhe i kërkon
Sedrikut t’i lejojë Rovenës të martohet me Ajvanhonë. Më në fund Sedriku
pajtohet.
Pas pajtimit Ajvanho merr lajme nga Isaku i cili i
lutet të luftojë në emër të Rebekës. Ajvanho duke shaluar ditë e natë mbërrin
në kohë në gjykimin me dyluftim. Edhe kali edhe njeriu ishin lodhur ndaj gjasat
për fitore ishin të pakta.
Dy kalorësit i sulen njëri-tjetrit me shtiza. Duket
sikur Boa Zhilberi është në epërsi. Boa Zhilberi dhe Ajvanho gjatë ballafaqimit
të parë e rrëzojnë njëri-tjetrin nga kali. Ajvanho çohet shpejt për ta sosur
dyluftimin me shpatë, por Boa Zhilberi i cili vuan nga konflikti i brendshëm
midis dashurisë ndaj Rebekës dhe nderit të kalorësit, vdes prej shqetësimit
emocional. Ajvanho dhe Rovena martohen dhe të lumtur, jetojnë bashkë. Nga frika
e përndjekjes së mëtejme, Rebeka dhe babai i saj planifikojnë ta lënë Anglinë
dhe të shkojnë në Granadë. Para se të shkojnë, Rebeka i shkon Rovenës menjëherë
pas martesës që të përshëndete me të në mënyrë solemne. Shërbimi ushtarak i
Ajvanhosë përfundon me vdekjen e mbretit Rikard pesë vjet më vonë.
Personazhet – Emrat e shkruar me shkronja të zeza janë personazhe kryesore.
• Sedriku –
sakson prej Rotervudi,
• Vilfredi prej
Ajvanhosë, i biri i Sedrkut,
• Rovena,
princeshë e Saksonisë, e mbrojtura e Sedrikut,
• Atelstani,
fisnik Saksonie, kushëri i Sedrikut,
• Gurti,
derrari (bariu i derrave) i Sedrikut,
• Bamba,
bufoni i pallatit (palaçoja i oborrit) i Sedrikut,
• Osfaldi, shqytari i Sedrikut,
• Elgita, dama e Rovenës në pallat,
• Alber Malvoazeni, preceptori i Tempelstit,
• Filip Malvoazeni, vëllai i tij, fqinji i Sedrikut,
• Huberti, pylltari i Filipit,
• Abati Emer, abati nga Zhorvoa,
• Ambrozi, murgu që e shoqëron,
• Brijan de Boa Zhilber, templar,
• Boldvini,
shqytari i tij,
• Isaku i Jorkut, fajdexhiu hebre,
• Rebeka, nga Jorku, e bija e Isakut, mjeke dhe bamirëse,
• Natani, rabin dhe mjek,
• Mbreti Rikard (“Kalorësi i Zi”),
• Princi Xhon, vëllai i Rikardit,
• Loksli, Robin Hud, rebel,
• Rexhinald Fron de Bef prej Torkuilstoni, zotërues norman
i kështjellës se vjetër të saksone, fqinji i Sedrikut,
• Moris de Brasi, qiradhënës,
• Valdemar Ficurze, këshilltar i princit Xhon, bir i
shpikur i Rexhinald Ficurzit, vrasësit të Tomas Beketit,
• Frati Tak, prej Kopmanhersti,
• Ulrika, prej Torkuilstoni, i mbiquajtur Urfrise,
• Lukas de Bomanuar, mjeshtër i madh i templarëve,
• Konrad Montfiçet, kalorës shoqërues i tij,
• Hig-u, një fshatar,
• Kirjat Jairam prej
Lesteri, një hebre i pasur,
Stili – Kritikët e romanit e kanë trajtuar si një roman i destinuar kryesisht për
fëmijët. „Ajvanho“ përmban shumë
elemente të zhanrit të romanit kalorësiak,
duke përfshirë gjurmimet, rrethimin kalorësiak dhe shembjen e rendit shoqëror
të korruptuar për të mbërritur në kohën e mirëqenies. Kritikë të tjerë thonë se
romani krijon një rrëfim realist dhe të gjallë, pa e idealizuar as të kaluarën,
as heroin kryesor të vet.
Temat – Skoti merret me temat që janë të
ngjashme me disa prej romaneve të tij më të
hershme siç janë „Rob Roi“ (Rob Roy, 1817) dhe “Zemra e Midlotianit“ (The Heart of Midlothian, 1818), duke trajtuar konfliktin ndërmjet idealeve heroike dhe shoqërisë moderne.
Në romanet e mëvonshme, shoqëria industriale bëhet qendër
e këtij konflikti për arsye se nacionalistët skocezë të prapambetur dhe
anglezët „përparimtarë“ duhet të dalin nga kaosi për të krijuar unitet.
Ngjashëm me këtë, normanët te „Ajvanho“ të cilët paraqesin kulturë të sofistikuar dhe saksonët të cilët janë të varfër, të shkelur dhe plot urrejtje ndaj
sundimit norman, bashkohen dhe fillojnë
të duken si një popull.
Konflikti ndërmjet saksonëve
dhe normanëve fokusohet te humbjet që duhet t’i përballojnë dy popujt para se
të arrijnë pajtim, duke e formuar kësisoj Anglinë e bashkuar.
Humbje e veçantë janë vlerat
kulturore të tyre prej të cilave duhet të heqin dorë për të funksionuar
shoqëria.
Për saksonët, kjo vlerë nënkupton pranimin
përfundimtar se fronin nuk do të mundë ta marrin përsëri. Normanët
duhet të mësojnë ta kapërcejnë materializmin dhe dhunën në kodet e veta
kalorësiake.
Ajvanho dhe Rikardi
paraqesin shpresë për arritjen e pajtimit dhe të ardhmes së bashkuar. Ajvanho,
edhe pse me prejardhje më fisnike se disa personazhe të tjera, është
protagonist mesatar në sistemin klasor mesjetar i cili nuk shquhet për aftësi
të jashtëzakonshme sikundër pritet nga personazhet e tjera fiktive
kuazi-historike, siç janë heronjtë grekë.
Teoricieni i letërsisë,
historiani i letërsisë, kritiku letrar dhe filozofi hungarez – hegelian dhe
marksist, Gjergj Llukáç Gyögy Lukacs, 1885-1971) flet për personazhet
kryesore mesatare siç është Ajvanho, në romanet e tjera të Skotit si një prej
arsyeve parësore përse romanet historike të tij shmangen prej veprave historike
më të hershme dhe më mirë e studiojnë historinë e shoqërisë dhe të kulturës.
Aluzionet historike dhe gjeografike – Veprimi i romanit zhvillohet në Jorkshirin jugor, në veriperëndim të
Lestershirit dhe në Notingamshirin verior në Angli. Kështjellat që përmenden në
rrëfim përfshijnë kështjellën Ashbi de la Zush (tani rrënojë), Jork (edhe pse
përmendja e Kullës së Klifordit është anakronike; më vonë është quajtur ashtu
pas rikonstruktimeve të ndryshme) dhe “Këninsburgu” që bazohet në kështjellën
Konisbro, në qytetin e vjetër me të njëjtin emër afër Donkasterit. Në roman,
Emeri është abat i Zhorvosë, abacisë së madhe në Jorkshir. Në rrëfim përmendet
edhe Jork Minsteri ku zhvillohet kurorëzimi si dhe ipeshkvi i Shefildit, edhe
pse peshkopata e Shefildit nuk ka ekzistuar as në kohën e zhvillimit të romanit,
as në kohën kur Skoti e ka shkruar veprën dhe nuk është themeluar deri në vitin
1914. Shumë rrugë, shkolla dhe ndërtesa publike të Konisbrosë janë emërtuar
sipas personazheve të romanit.
Sër Uolltër Skoti titullin e
romanit të vet dhe emrin e heroit të tij e ka marrë nga fshati Ajvingho në
Bakingemshir. Ajvanho është emër alternativ për Ajvingho i shënuar për herë të
parë në vitin 1665. Supozohet se Skoti ka pasur njohuri të drejtpërdrejta për
Ajvinghoun dhe se ka kryer hulumtime para se ta përdorte si titull për romanin
e vet, si dhe për vendet e tjera që përmenden në roman.
Skoti ka qenë në Berkamsted
që është vetëm tetë milje larg Ajvinghosë. Në roman flet edhe për “feudin e
pasur të Ajvanhosë”. Prona Ajvanho është cekur në 20% të vendbanimeve më të
mëdha të përmendura në “Librin e gjykimit
të fundit”.
Ndikimi në legjendën mbi Robin Hudit – Koncepti modern i Robin Hudit si një rebel i gëzuar, i mirë dhe
patriot i detyrohet shumë “Ajvanhosë”.
Në romanin e Skotit “Loksli” bëhet
emër i Robin Hudit dhe prej atëherë është përdorur për këtë rebel legjendar. Si
duket, Skoti e ka marrë emrin nga një dorëshkrim anonim - të shkruar në vitin
1600 – që e ka përdorur “Lokslin” si epitet për Robin Hudin. Në saje të
vendimit të Skotit për ta përdorur dorëshkrimin, Robin Hudi nga Loksli për të
gjitha kohët është shndërruar në “Robini nga Loksli”, alias Robin Hud.
Temë kryesore e romanit “Ajvanho”
është konflikti midis saksonëve* dhe normanëve* në shekullin XII.
Tregimet burimore mesjetare për Robin Hudin nuk kanë përfshirë kurrfarë
konflikti midis saksonëve dhe normanëve. Këtë temë Skoti e ka futur në
legjendë. Personazhet në “Ajvanho”, princin
Xhon dhe mbretin Rikard i quajnë “normanë”. Dokumentet bashkëkohore të mesjetës
nga kjo periudhë asnjërin prej këtyre sundimtarëve nuk e përmendin si norman.
Skoti po ashtu i është shmangur paraqitjes së Robinit
të shekullit XVI të vonshëm (shtrembak nga Huntingdoni) si fisnik të privuar
nga të drejtat e veta. Por kjo nuk i ka penguar Skotit t’i japë një ndihmesë të
çmuar edhe pjesës heroike fisnike të legjendës për arsye se disa përshtatje
filmike të mëvonshme të aventurave të Robin Hudit i japin atij veti që janë karakteristike
edhe për Ajvanhonë.
Filmat më të rëndësishëm për Robin Hudin janë: filmi
pa zë i artistit dhe regjisorit amerikan Dagllas
Ferbanks (Douglas Fairbanks, emri i vërtetë D. Elton Thomas Ulman, 1883-1939) i vitit 1922; “Aventurat e Robin
Hudit” i vitit 1938 ku rolin kryesor e luan artisti amerikan me prejardhje australiane Erol Flin (Errol
Leslie Thomson Flynn, 1909-1959), të cilin
recensuesi Frenk Nuxhent e ndërlidh
posaçërisht me “Ajvanhonë”; dhe “Robin Hudi: Mbret i hajdutëve” me aktorin
amerikan Kevin Kostner (Kevin
Costner, 1955- ).
Në shumë versione të Robin Hudit, edhe Ajvanho edhe
Robini janë persona që kthehen prej luftërave
të kryqëzatave. Kanë qenë në konflikt me etërit e vet, janë krenarë se janë
saksonë, kanë ndjenjë për drejtësi,
mbështesin mbretin legjitim edhe pse ai është me prejardhje normane-frënge, armët i përdorin me
shkathtësi dhe që të dy e dashurojnë “shërbëtoren e ndershme” (Rovena dhe
Mariana).
Këtë kornizë kohore Skoti e popullarizoi. E huazoi nga
shkrimi i kronistit, filozofit dhe historianit skocez Xhon Mer (John Mair, 1467–1550) të shekullit
XVI apo nga balada* e shekullit XVII, mbase për ta bërë më tërheqës veprimin
e romanit të vet. Autorët mesjetarë të baladave Robinin e vendosnin kryesisht
rreth dy shekuj më vonë, në kohën e sundimit të Eduardit I, II apo III.
(Edward I of England, 1239-1307).
Robini e copëton në dyluftim shigjetën e kundërshtarit
të vet. Ky akt i tij për herë të parë përmendet te romani “Ajvanho”.
Shënim: Baladë-a është term që përdoret në letërsi.
Balada është vjershë lirike popullore
a me frymë popullore në të cilën tregohen ngjarje legjendare, heroike a
historike. Për shembull: baladë popullore, baladë për Gjergj Kastriotin, balada
e murimit. Ky term përdoret edhe në muzikë
– është pjesë muzikore me karakter tregimtar dhe heroik.
Shënim: Sasët (lat. Saxones, gjermanisht: Sachsen, nga gjermanishtja e
vjetër: sahsonotas: njerëz të shpatës) janë lidhje
gjermane fisi. Vendlindja e parë e tyre ka qenë në rajonin Schleswig-Holstein,
më vonë në Danimarkë. Midis shekujve III dhe V, nën trysninë e frankëve,
prej Danimarke sasët shtrihen kah Evropa perëndimore. Një pjesë e sasëve (në
gjuhën angleze quhen Saxons) në shekujt V e VI, me anglët dhe jutët, nga
Gjermania veriore, Danimarka dhe Holanda kaluan në ishullin britanik ku u
shkrinë në anglezë të mëvonshëm. Sot atje emri i tyre është ruajtur në
emërtimet Wessex, Essex dhe Sussex. Një pjesë e sasëve mbeti të jetojë
në Gjermani ku në rajonin e Saskës dallohen prej grupeve të tjera gjermane - shvabëve,
bavarezëve dhe frankëve.
Norman – është njësoj si nordik (nordmann – verior); Në
shekujt IX, X dhe XI të erës së re normanët shquheshin si detarë të shkathët
dhe pushtues.
* * *
Saktësia historike – Ngjarjet e përgjithshme politike të paraqitura në roman relativisht janë
të sakta. Romani flet për periudhën pas internimit të mbretit Rikard në Austri
pas luftës së kryqëzatës dhe për kthimin e tij në Angli, pasi iu pagua shuma e
parave. Megjithëkëtë, rrëfimi në masë të madhe është i fiksionuar. Vetë Skoti
ka pranuar se i ka marrë liritë historike në përkushtimin e tij „Ajvanhosë“. Lexuesit bashkëkohorë duhet
të kuptojnë se qëllimi i Skotit ka qenë të krijojë roman bindës të vendosur në
një periudhë historike dhe jo të shkruajë libra historikë.
Armiqësinë midis saksonëve dhe normanëve Skoti e ka
paraqitur në shkallë të lartë. Kjo është paraqitur sikur ka qenë aktual edhe në
kohën e Rikardit. Kjo nuk bazohet në provat e shkrimeve historike që e përbëjnë
bazën e rrëfimit. Për këtë Skoti është kritikuar prej historianëve. Historiani anglez
Eduard August Friman (Edward Augustus Freeman, 1823-1892)
e ka kritikuar romanin e Skotit duke thënë se paraqitja e konfliktit midis
saksonëve dhe normanëve në Angli në fund të shekullit XII është johistorike.
Frimani citon shkrimtarin mesjetar Uolltër
Map (Walter Map, latinisht:
Gualterius Mappus; 1130 – 1209/1210) i cili thotë se
tensionet midis saksonëve dhe normanëve gjatë sundimit të Henrit I (Henry I of England, 1068-1135) - janë zvogëluar.
Frimani citonte edhe librin “Dialogus de Scaccario” të Rikard
Ficnil (Richard FitzNeal, 1130-1198) nga shekulli XII i vonshëm. Ky libër
pohonte se saksonët dhe normanët aq shumë
janë lidhur me martesa të përziera dhe asimilim kulturologjik, saqë (me
përjashtim të aristokracisë) ka qenë e pamundur të dallosh njërin prej tjetrit.
Frimani e përfundoi kritikën e vet të Skotit duke
thënë se deri në fund të shekullit XII pasardhësit e saksonëve dhe të normanëve
në Angli i kanë quajtur “anglezë” dhe jo “saksonë” apo “normanë”.
Ndoshta Skoti ka pasur ndërmend të tërheqë paralele
midis pushtimit të Anglisë nga normanët rreth 130 vjet para ngjarjeve në roman
dhe situatës që mbizotëronte në Skocinë ku lindi ai. Bashkimi i Skocisë me
Anglinë ndodh në vitin 1707. Aq kohë kanë kaluar para se Skoti ta shkruante
veprën dhe rigjallërimit të nacionalizmit skocez.
Disa
ekspertë sugjerojnë se Skoti qëllimisht e ka shfrytëzuar „Ajvanhonë“për ta ilustruar kombinimin e vet të patriotizmit skocez dhe unionizmit probritanik.
Romani krijoi emër të ri në anglisht –
Sedrik. Në fillim, emri saksonik ka qenë Serdik,
por Skoti e kishte shkruar gabim. Në
Anglinë e vitit 1194 do të ishte vështirë që Rebeka të ballafaqohet me kanosjen
se do ta djegin në stivën e drurëve me akuzën se është magjistare.
Thuhet se pas kësaj, nga viti 1250 e
këndej, Kisha filloi të merret me gjetjen dhe dënimin e magjistareve, ndërsa
vdekja nuk u bë dënim i rëndomtë deri në shekullin XV. Edhe atëherë, mënyra e
vrasjes që zbatohej për magjistaret në Angli ka qenë varja, kurse djegia ka
qenë e rezervuar për ata të cilët po ashtu kanë qenë të dënuar për tradhti të
lartë. Në anën tjetër, dirigjenti i gjykimit, mjeshtri i madh i templarëve, u
quajt Llukas de Bomanuar, kurse mjeshtri i madh i vërtetë në atë kohë quhej
Zhilber Oral. Ka edhe do gabime të tjera të vogla, p. sh. përshkrimi i turneut në
Ashbi më shumë i detyrohet shekullit XIV, shumica e monedhave që i përmend
Skoti janë ekzotikë, për Uilliamin e
Murrmë thuhet se ka qenë gjysh i princit Xhon (John), por në të vërtetë ai
ka qenë vëlla i stërgjyshit të tij, kurse Bamba (i maskuar në murg) thotë: “Unë jam vëllai i varfër i Urdhrit të Shën
Franit”, por Fran Asishki e filloi rrëfimin e vet dhjetë vjet pas vdekjes
së Rikardit I. Në një rast Boa Zhilberi e fillon luftën mbi kalin e vet. Thotë
për të se e ka marrë prej “sulltan trapezuntskit”. Kjo është anakronike për
arsye se kominët e kanë themeluar
Mbretërinë e Trapezuntëve në vitin 1204, para fundit të Luftës së Katërt të Kryqëzatave.
Në kapitullin e fundit të romanit, Rebeka, pyetjes së Rovenës nëse do të mbetej
në Angli me familjen e vet ose jo, ajo thotë se do ta shoqëronte babanë e vet
Isakun në rrugën e tij për ta kaluar pjesën e mbetur të jetës nën Muhamed
Boabdilin, mbret i Granadës. Në të vërtetë, Muhamedi XII i vërtetë, i njohur në
botën perëndimore si Boabdil, as që ka lindur para vitit 1460, kurse emirati i
Granadës (me siguri ekuivalent i mbretërisë së përmendur) është themeluar në
vitin 1230.
Si u prit vepra nga
kritika – Pas botimit, “Ajvanho”
hasi në reagimet pozitive të recensentëve. Si zakonisht, Aftësitë deskriptive
të Skotit dhe zotësia e tij për t’i afruar gjërat e së kaluarës, përgjithësisht
janë lëvduar. Shumë recensentë konsideronin se vepra është tejet poetike. Disa
prej tyre e kthyen imagjinatën e tyre në periudhën e largët të romanit, edhe
pse janë vërejtur probleme të caktuara. kombinimi i karakteristikave të
shoqërisë së lartë dhe mesjetës së vonshme, gjuha e dialogut i krijuar jo si
duhet dhe ngarkimi i tepërt me gjëra antikuariati. Marrë në përgjithësi, vepra
e parë e autorit e vendosur në Angli është vlerësuar si e suksesshme, kurse
cubat e malit dhe krijimi i “Anglisë së gëzuar” kanë marrë lëvdata të posaçme.
Figura e Rebekës hasi në mbështetje pothuajse universale, sidomos në skenën lamtumire
të saj. Veprimi ose është kritikuar për dobësitë e saj ose është konsideruar më
pak i rëndësishëm se skena dhe personazhet. Skenat në Torkuilston disa kritikë
i kanë vlerësuar di të tmerrshme, duke u fokusuar te Ulrike. As ringjallja e
Atelstanit nuk është parë mirë, ndërsa përgjigje më e mirë ka qenë ajo e gjyqtarit
dhe kritikut letrar skocez Frensis
Xhefri (Francis Jeffrey, Lord Jeffrey, 1773 -1850) në
revistën “Edinburgh Review” i cili
sugjeronte (duke shkruar në mënyrë anonime, si të gjithë recensentët) se “është futur nga ana e paskrupullt e
ahengut”.
Turneu në Eglinton që e organizoi në
vitin 1839 Konti i 13-të i Eglintonit në kështjellën Eglinton në Ershir
(Ayrshire), u frymëzua nga “Ajvanho”
(Ivanhoe).
Më 5 nëntor 2019 BBC News e përfshiu „Ajvanhonë“
nëlistën e vet të 100 romaneve më me ndikim.
Trashëgimia – Vija hekurudhore që kalon
nëpër Ashbi de la Zush, midis viteve 1993 dhe 2005, njihet si vija Ajvanho, për arsye se libri
zhvillohet në atë lokacion. Një pjesë e qendrës së banuar Silver Lejk në Los
Anxhelos në fillim njihej si Ajvanho, sipas emrit që ia dha imigranti skocez Hugo
Reid (Hugo Reed, 1811-1852) të cilit kodrat e rrudhura të asaj zone ia
përkujtonin shtëpinë në Skoci.
Rezervuari i epërm dhe shkolla fillore ende quhen Ajvanho, ndërsa shumë rrugë
në atë zonë na i përkujtojnë veprat e tjera të Skotit dhe personazhet siç janë
Herkimeri, Rovena, Kenilvorti, Ben Lemondi, Haviku dhe Sen Xhorxhi.
* * *
Skoti e përsosi romanin historik dhe me këtë ushtroi
ndikim vendimtar në formën dhe lëndën e romanit botëror, sidomos te shkrimtari
italian Alesandro Manxoni (Alessandro Manzoni, 1785-1873), te prozatori
dhe dramaturgu francez Prosper Merime (Prosper Merimée, 1803-1870), te
shkrimtari francez Alfred dë Vinji (Alfred Victor de Vigny, 1797-1863),
te poeti, romancieri dhe dramaturgu francez Viktor Ygo (Viktor Marie Hugo,
1802-1885), te romancieri amerikan Xhejmz Fenimor Kupër (James Fenimore
Cooper, 1789-1851) etj.