Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Krim dhe ndëshkim
E shtune, 17.05.2025, 02:56 PM
KRIM DHE NDËSHKIM
Dostojevski – pasqyrues i Rusisë së sëmurë, i
shoqërisë ruse të sëmurë.
Në veprat e veta i paraqiti kryesisht tipat
patologjikë dhe të pamoralshëm.
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
“Krim dhe ndëshkim” është roman i romancierit dhe
novelistit rus Fjodor Mihajloviç
Dostojevski (1821-1881). U botua në vitin 1866 në revistën . Konsiderohet si një
prej veprave më të mëdha të letërsisë ruse. Veprimi është vendosur në Shën-Peterburg
dhe zhvillohet në mesin e viteve ’60 të shekullit XIX. Personazhi kryesor, Rodion Romanoviç Raskolnikov,
student i dështuar i
drejtësisë, i shtyrë nga një mjerim i skajshëm dhe një e ardhme e pasigurt,
vendos të vrasë dhe të plaçkitë plakën e urryer Aljona Ivanovna, e cila duke
dhënë para me fajde, i shfrytëzon njerëzit. Me këtë vrasje planifikon të
zgjidhë problemet e veta financiare dhe
të familjes së vet. Sipas tij, kjo vrasje në pikëpamje etike është e arsyeshme
ngase “jetët e njerëzve të rëndomtë që i takon
çdo ditë, nuk vlejnë asgjë përballë idealeve fisnike të tij”. Raskolnikovi,
si një individ i veçantë, i ngjashëm
me Napoleonin, ndodhet mbi rregullat etike
që i obligojnë të tjerët. Planin e
vrasjes e përpunoi me kujdes. Megjithëkëtë, bëri do gabime që ngjallën dilemat
e policisë. Fillon të dyshojë në qëllimin e vet për krimin. Dëshpërohet dhe
dëshiron të heqë dorë nga plani. Në krizën psikike nëpër të cilën po kalon, i
ndihmon prostituta Sonja Marmeladova, një vajzë që vuan dhe që ndaj të
keqes dhe vështirësive jetësore ka një qëndrim përulës dhe pasiv, duke gjetur
ngushëllim në krishterim.
Personazhet e romanit:
Rodion Romanoviç Raskolnikov – Ish student i varfër i drejtësisë i cili
vendos ta plaçkitë dhe ta vrasë plakën fajdexhi për shkaqet që i arsyeton ai;
Aljona Ivanovna – Plakë
fajdexhi e cila e shfrytëzon motrën e vet Lizavetën dhe të tjerët rreth saj. Raskolnikovi
e vret për ta plaçkitur;
Lizaveta
Ivanovna – Motër e
Aljonës të cilën Raskolnikovi po ashtu e vrau për arsye se qëlloi në vendin e
krimit;
Avdotja Romanovna (Dunja) Raskolnikova – Motër e Rodionit; donte të
martohej me Luzhinin për të siguruar para për shkollimin e vëllait të vet - Rodionit,
por ai nuk pajtohej me një akt të tillë. Në fund, martohet me dashuri me shokun
e Rodionit, Razumihinin.
Petar Petroviç Luzhin – Zotëri i pasur i cili
kërkon një vashë të varfër që t'i rijë e nënshtruar dhe t'i jetë mirënjohëse; i
fejuari i pari i Avdota Romanovnës;
Semjon
Zahariç Marmeladov –
Ish nëpunës i varfëruar, alkoolist (pijanec) i cili
vjedh prej familjes. Duke pirë e përballon pikëllimin; e shkel koçia; vdes në
duart e së bijës Sonjës;
Katerina
Ivanovna Marmeladova – Gruaja e Marmeladovit
me të cilën u martua si vejushë me tre fëmijë;
Sofja
Semjonovna (Sonja) Marmeladova – E
bija e Marmeladovit; fiton para për familjen duke u marrë me prostitucion;
Porfirij
Petroviç – Hetues në
polici; dyshon te Raskolnikovi; me lojëra psikologjike tenton të nxjerrë prej
tij të vërtetën për krimin e kryer;
Arkadij
Ivanoviç Svidrigajlov – Fisnik i vjetër i dashuruar
te Advotja Romanovna për shkak të së cilës helmon gruan e vet, në fund edhe
veten;
Dmitrij
Prokofjiç Vrazumihin (Razumihin) – Shok i Rodion Romanoviçit,
gjithashtu ish-student i drejtësisë i cili do të martohet me Avdotja
Romanovnën;
Zosimov – Shok i Razumihinit, mjek i
ri të cilin e sjell që t'i ndihmojë Raskolnikovit.
* * *
Fabula e romanit
Pjesa e parë – Është muaji korrik. Rodion Romanoviç Raskolnikov është student i
pambaruar i drejtësisë në Shën-Peterburg. Në fillim të romanit e hasim se si në
moshën 22-vjeçare u ikën takimeve me qiradhënësen për arsye se me muaj nuk e kishte
paguar qiranë e banesës. Shkon te fajdexhesha plakë Aljona Ivanovna për t’ia
lënë peng orën e xhepit. Ajo i jep vetëm 1 rubël e 15 kopejka ngase para kësaj nuk
e kishte blerë ku duhej unazën, kështu që kishte mbetur borxhli. Raskolnikovi
kthehet i zemëruar. Në kokë i lind një plan grabitës. Më vonë, prej meditimeve
dhe kujtimeve të tij mësojmë se njëherë në një tavernë e kishte dëgjuar bisedën
e një të riu i cili i ankohej shokut të vet për plakën fajdexhi e cila
pasurohej duke blerë me dinakëri prej të varfërve sende të vlefshme, për pak
para. Përpos kësaj, ajo ishte tejet e ashpër ndaj simotrës shpirtmirë – Lizavetës
e cila punonte për të. I riu hartoi një plan sipas të cilit do të ishte mirë të
vritej plaka ngase ishte si një çimërr (tartabiqe) që thithte gjak dhe ishte tejet
e pasur. Kjo bisedë i shërbeu Raskolnikovit për të filluar kurdisjen e planit
për vrasje dhe vjedhje. E përcillte dhe e përgjonte fajdexheshën për të parë se
ç’ruante ajo nën çelës. Pasi i bëri një vizitë, vajti në tavernë. Aty e takoi
nëpunësin e rrënuar Marmeladov i cili ia hapi shpirtin me rrëfimin pikëllues
për familjen të cilën e kishte shkatërruar duke e pirë krejt pasurinë që kishte.
E bija Sonja ishte bërë prostitutë për t’i ushqyer dy vajzat e tjera dhe
djalin. Raskolnikovi e përcolli në shtëpi ku s’kishte qenë pesë ditë, kurse
gruaja nisi ta tërheqë për flokësh dhe ta rrahë. Raskolnikovi i dha 50 kopejka dhe kur ajo nisi t’i bërtasë, iku me
të katra.
Në dhomën e papastër shërbëtorja
Nastasja ia dha letrën e nënës plot dashuri. Kjo e emocionoi dhe e pikëlloi.
Nëna e njoftonte për jetën e rëndë të Dunjës, motrës së tij. Ajo shërbente në
shtëpinë e një zotërie i cili ishte dashuruar në të dhe synonte ta shtinte në
dorë. Kjo i kishte rënë në sy gruas së tij e cila e fajësonte Dunjën. Në fshat
plasi turpi. Pas një kohe, ajo mësoi për të vërtetën, kështu që e shkarkoi
Dunjën nga përgjegjësia. Nëna dhe motra me shumë vështirësi i dërgonin djalit
para në qytet. Kishin shpresa të mëdha tek ai. Nëna i shkruante edhe për dasmën
e Dunjës e cila së shpejti do të martohej me këshilltarin e oborrit Petar
Petroviç Luzhinin. Midis tjerash i shkruante:
“Është njeri i kamur, që të jep siguri. Vërtet i ka 45
vjet, por ende mund ta pëlqejnë femrat”.
Raskolnikovi nuk dinte ç’të thotë. E kishin sjellë para aktit të kryer. Nuk e kishin
pyetur për njeriun i cili u dukej i mirë.
Ky njeri i kamur, arkën në Shën-Peterburg e dërgonte me shpenzimet e veta, por shpenzimet
e udhëtimit të nënës dhe të Dunjës nuk i mbulonte. Raskolnikovi habitej me
Dunjën dhe i zemërohej. Ai vazhdimisht e analizon veten, veprimet e veta,
moralin e njerëzve dhe kohën.
ËNDRRA – I lodhur, e zuri gjumi. Kishte parë një ëndërr të tmerrshme. Një
pele i binin me shufra hekuri për arsye se nuk kishte mundur ta tërheqë qerren
duke vrapuar. Në ëndërr, Raskolnikovi ishte një djalosh i cili duke qarë dhe me
duart e vogla i binte pronarit të pelës, ndërsa babai s’kishte fuqi për ta ndalur.
Zgjohet dhe betohet se s’ka për të bërë një punë të tillë. Pas kësaj mendon për
ngjarjen që do ta përcaktojë fatin e tij. Duke ecur, dëgjoi bisedën e tregtarit
me Lizavetën e cila të nesërmen, në orën shtatë të mbrëmjes do të shkonte tek
ai. Me fjalë të tjera, e kuptoi se në atë kohë plaka fajdexhi do të jetë vetë dhe
ky ishte rast i volitshëm për ta vrarë atë. Në kapotë e qepi një shirit në të
cilin do ta varte sëpatën. Nuk mundi ta merrte sëpatën prej kuzhine për arsye
se aty ndodhej Nastsja, gjë që s’e kishte parashikuar. I hodhi një sy shtëpizës
së rojtarit. Ai nuk ndodhej aty. Trokiti në derën e plakës fajdexhi. Asaj i
lindi një dyshim ndaj s’e hapi menjëherë. Gjatë tërë kohës Raskolnikovi
mendonte për sjelljen e vet dhe arsyen e shëndoshë që ende s’e kishte humbur. I
dha plakës një pako të lidhur fort. Si duket ishte një kuti cigaresh argjendi.
Tri herë i ra me sëpatë në maje të kresë. Mori nga arka sende të ndryshme ari
dhe i futi nëpër xhepa. Në dhomën tjetër dëgjoi do hapa. Mbeti pa mend kur e pa
Lizavetën të cilën po ashtu e vrau. Gjithnjë më tepër e kaplonte frika, sidomos
pas vrasjes së dytë që s’e kishte planifikuar.
Kur mori të ikë, dëgjoi do hapa. E
mbylli derën me shul. Dy vetë i binin derës. Ata sikur e ndjenin se po ndodhte
diçka e pazakontë. Njëri prej tyre u largua për të kërkuar ndihmë. Kur u largua
edhe tjetri, Raskolnikovi u lëshua një kat më poshtë dhe u fsheh në një banesë
që e kishin lyer dhe i kishin lënë dyert hapur. Askush s’e pa. Djersët i
shkonin curril, kurse qafa i ishte bërë qullë. Kalimtarët mendonin se është i
dehur. Krejt i përçartë, e la sëpatën aty ku e kishte marrë. Në kokë i vinin
vërdallë mendime të ndryshme. Më kot u përpoq, asnjë prej tyre nuk mund ta
rrokte.
Pjesa e dytë – Rinte shtrirë. I vinin ndërmend lloj-lloj mendimesh.
Ku s’i shkonte mendja. Sendet që i vodhi te plaka i fshehu në vrimën e një muri.
Nastasja i dha një ftesë që ia dërgonte policia. U shtang. Aty u zu me togerin
Ilja Petroviç. I treguan se e kishte kërkuar pronarja e banesës ngase nuk e
kishte paguar qiranë. Mori frymë thellë dhe i erdhi shpirti. Por kur inspektori
e nisi bisedën për vrasjen e plakës fajdexhi, i ra të fikët.
Nga frika, thesarin e fshehu në qytet, nën një gur të rëndë. Sillej çuditshëm.
Hyri te Razumihini dhe doli menjëherë. Fliste gjepura. Kishte parë ëndërr se
Ila e kishte rrahur pronaren e shtëpisë. E kishin zënë ethet. Razumihini me mjekun
Zosimov të cilin e kishte shok, sa mundej kujdesej për të. Ato ditë të gjithë flisnin
për vrasjen. Në fillim ata i akuzonin piktorët të cilët punonin një kat më
poshtë.
Derisa ndodhej në krevat, e vizitoi
Luzhini. Sapo e dëgjoi komentin për letrën e së ëmës, Raskolnikovi e përzuri.
Ndonëse i dobësuar, doli prej dhome dhe nisi të endet nëpër qytet. Hyri në një
pijetore dhe me paratë e së ëmës, pa kurrfarë preteksti e qerasi një lavire. I
ulur pranë banakut, me arrogancë e provokonte Zamjotovin. I fliste për krimin
dhe e shikonte në sy në mënyrë provokuese. Në maje të gjuhës i kishte fjalët: duhet pranuar krimin. “Po qe se plakën dhe Lizavetën i kam vrarë
unë, ç’bëjmë atëherë?!” Njëfarë djalli nuk e lente të qetë. U kthye në
shtëpi dhe hyri në dhomën ku kishte ndodhur vrasja. I provokonte punëtorët të
cilët e rregullonin banesën. “Dyshemeja
është larë. A thua do ta lyejnë?! Gjak nuk ka!” E përzunë. Në rrugë dëgjoi zëra ndaj u afrua.
Karroca me kuaj e kishte shkelur Marmeladovin e dehur. Raskolnikovi ndërhyri
dhe ndihmoi që ta çojnë viktimën në shtëpi. Gruaja Katarina Ivanova e kishte
humbur toruan. Prifti e rrëfeu të përgjakurin. Një skenë prekëse ku gruaja i
ndihmon burrit të vet, kurse prifti e lut që t’ia falte punët e këqija. “Ky pijanec piu krejt çka kishte. Ma ka
shkatërruar jetën! Shyqyr Zotit që po vdes. Do të kemi më pak dëme!” Duke i
folur këto fjalë ajo bënte çmos për t’i ndihmuar me qëllim që t’ia lehtësonte
çastet e fundit. Te dera dha krye Sonja. Asaj iu mbushën sytë me lot.
Raskolnikovi mahnitej me shtatin e hollë të saj dhe me sytë e bukur blu. Ia dha
Katarinës të gjitha rublat që kishte. I tha njëherazi se shpenzimet e varrimit
do t’i mbulonte ai. Kur doli, një çupë iu afrua me vrap për t’i treguar se
Sonja pyeste për adresën e tij.
Mbërriti në shtëpi. Aty e pritnin nëna
dhe motra të cilat çirreshin nga ajo që kishte ndodhur. Raskolnikovi rinte i qetë. As duart nuk i
ngriti për t’i përqafuar. S’i kishte mbetur forcë. E humbi vetëdijen dhe u rrëzua.
Razumihini i qetësonte. Mundohej t’i bindë se çdo gjë do të bëhet mirë.
Pjesa e tretë – Razumihini
e sugjeronte
Dunjën dhe nënën që të shkonin në shtëpi ngase për Raskolnikovin do të kujdesej
ai. Raskolnikovi mezi mundi të thotë se Luzhini është një burrë i ligë dhe se
ai nuk pajtohej që Dunja të martohej me të. “O
ai, o unë!” Razumihini i përcolli deri në banesë duke i qetësuar. Ishte i
dehur për arsye se sapo ishte kthyer nga një aheng. U dashurua te Dunja në
shikim të parë. Ishte shtathedhur, krenare dhe e hijshme. Premtoi se do të
vinte me Zosimovin dhe e mbajti premtimin.
Luzhini u dërgoi
letër. Kishte caktuar takim me Dunjën dhe nënën, me kusht që Raskolnikovi të
mos ishte i pranishëm. Dunja dhe nëna nuk u pajtuan. Të nesërmen Raskolnikovi i
takoi. Biseda haste në pengesa. Nëna nuk mund ta njihte të birin. Ai e kundërshtonte
dasmën e motrës. Për këtë Dunja dëshironte të vendosë vetë. Në dhomë hyri Sonja
për ta thirrur Raskolnikovin në varrim. Të gjithëve kjo u shkaktoi huti.
Raskolnikovi e ftoi dhe e njoftoi me të gjithë. Krejt kjo te nëna ngjalli
dyshime.
Raskolnikovi i
tregoi Razumihinit se edhe ai kishte lënë peng do sende te plaka fajdexhi.
Razumihini e udhëzoi të shkonte te inspektori Porfirij Petroviç. Ai u tregua
dinak. E provokonte Raskolnikovin me shakara dhe pyetje. Vetëm atë e pritnin ngase
në pakot te plaka e gjetën të shkruar edhe emrin e tij. Ai e pyeti edhe për
vdekjen e Marmeladovit. Pastaj inspektori u interesua për artikullin e Raskolnikovit
që ishte botuar në “Fjalën periodike”.
Aty Raskolnikovi e kishte shtruar idenë për njerëzit e rëndomtë dhe jo të
rëndomtë të cilët e lëvizin botën. Atyre duhet t’u falet edhe krimi, po qe se puna
e tyre e çon para njerëzimin. Porfirij këtë e ndërlidhi me gjendjen psikike të
kriminelëve në momentin e kryerjes së krimit. Raskolnikovit iu duk sikur
Porfirij ia shkeli syrin. Në fund e pyeti në i kishte parë atë natë piktorët e
dhomës, por Raskolnikovi nuk u mashtrua. Razumihini iu zemërua Porfirit.
Raskolnikovi
vazhdimisht mendon dhe e analizon aktin e kryer. Mendon rrëmbyeshëm dhe me
pezmatim.
“Shumë punë e madhe se qenka
vrarë një plakushë. Mbase edhe mund të kem gabuar, por kjo tani
çon peshë. Kjo s’ishte veçse një sëmundje. Kam dashur që sa më parë ta kapërcej
kufirin. Nuk e kam vrarë njeriun por parimin! Parimin vërtet e kam vrarë, por kufirin
nuk e kam kapërcyer. Mbeta në këtë anë. Nëna, motra, sa i kam dashur! Përse
tani i urrej, s’i duroj dot t’i kem pranë.
Të përqafosh do të thotë
edhe të mendosh: Po ta dinte ajo. Më mirë t’ia them. Sa e urrej tani atë
plakushë! Po të ringjallej, mendoj se do ta kisha vrarë për së dyti! E shkreta
Lizavetë! Si qëlloi mu atë çast aty? Është për t’u habitur, përse fare nuk
mendoj për të. Thua ti se nuk e kam vrarë! Lizavetë! Sonjë! Fatzinjtë e mi me
sy të përvuajtur. Dashamiret e mia!”
Kjo përsiatje
e Raskolnikovit është përcaktues i rëndësishëm i romanit, shpjegim i aktit të
tij. Kemi shfaqjen e monologut të
brendshëm që është kategori e
romanit modern.
E zuri gjumi në kllapi. Pa ëndërr se si
i bie plakës me sëpatë në dhomën plot njerëz. Kur u zgjua, vërejti se pranë
krevatit ndodhej Svidrigajlov.
Pjesa e katërt – Svidrigajlovi është burri i së ndjerës Marfa
Petrovna i cili kishte tentuar ta ngacmonte Dunjën kur punonte tek ai.
Raskolnikovi donte ta dëbojë por ky i kishte ofruar 10.000 rubla për Dunjeçkën
pa kurrfarë shpërblimi. Raskolnikovi nuk ishte në vete, kurse Svidrigajlovi, i
ftohtë dhe i qetë. Mësoi se Marfa i kishte lënë Dunjës me testament 3.000
rubla. I tha të mos martohej me Luzhinin ngase ai nuk ishte tjetër, pos një
horr. Në të dalë, e takoi Razumihini.
Në bujtinën ku ndodheshin nëna dhe Dunja,
takohen Luzhini, Razumihini dhe Raskolnikovi. Gjatë një debati të nxehtë
Luzhini e sulmoi Raskolnikovin. Nuk mbeti pa e përmendur zemërgjerësinë e vet
ndaj vajzës për të cilën nuk flitej mirë dhe nënës së saj të varfër që donte
t’i nxjerrë nga skamja. Dunja u tërbua dhe bashkë me vëllain e dëbuan Luzhinin
e habitur. Luzhini kërkoi t’i ktheheshin shpenzimet e rrugës.
Pas kësaj Raskolnikovi u përshëndet me
të amën dhe motrën. Kjo përshëndetje lamtumirëse duket se ishte e fundit.
Razumihini tentoi ta ndalte por Raskolnikovi e shikoi pa bërë zë. Shikimi i
depërtoi në shpirt. Përnjëherë Razumihini u trishtua. Midis tyre sikur ndodhi
diçka e çuditshme. U shkrepi në mendje një parandjenjë, diçka e keqe që e
kuptuan të dytë. Razumihini u zbeh si leckë.
“A kupton tani?” – pyeti
Raskolnikovi me fytyrën të shtrembëruar nga dhimbja. “Ktheu atje dhe kujdesu për to!” Papritmas u kthye dhe iku. Prej
asaj nate, Razumihini iu bë atyre bir dhe vëlla.
Raskolnikovi vajti te Sonja e cila kur e
pa, u entuziazmua. Ai e pyeti për jetën e saj. Ishte i emocionuar nga pamja e
saj. Ishte i mallëngjyer nga fati i rëndë i saj dhe viktimizimi për ta mbajtur familjen. E pyeti në besonte në
Zot dhe si mund të lejonte Ai një mjerim të tillë. Iu lut t’ia lexonte Biblën,
ringjalljen e Lazrit. Gjatë gjithë kohës ndjente se si i kthehej dëshira për
jetë, ndjenja se tek ai diçka po zgjohej. I tregoi se atë ditë i kishte mbyllur
llogaritë me nënën dhe motrën. “Tani të
kam vetëm ty. Të jetojmë bashkë. Të dy jemi të mallkuar, ndaj është mirë të
vazhdojmë bashkë”. Nëse vjen nesër, do t’i tregonte se kush e vrau Lizavetën.
Me t’i dëgjuar fjalët që kishin të bënin krimin, Sonja e humbi mendjen.
Raskolnikovi u nis për te Porfirij i
cili i kishte thënë se dëshironte ta marrë në pyetje. Porfirij gjoja duke bërë
shaka, e bëri të çmendet. Raskolnikovi ia ktheu me zë të lartë se nuk do ta
lejonte një gjë të tillë. “Nëse doni, mund
të më burgosni, por nuk mund të talleni me mua”. Porfirij e dinte se
Raskolnikovi shkonte te plaka, se kishte pyetur për gjakun. Porfirij i kishte premtuar
një befasi, por në atë çast hyn Nikolaj, piktori që tha se vetë ai ishte
vrasësi i plakës fajdexhi. Kjo e habiti Porfirin. Raskolnikovi erdhi në vete
dhe ia ktheu: “A s’ma thoni befasinë tonë të vockël?”
Në çastin kur donte të dilte, u hap dera
e banesës. U shfaq njeriu i cili në rrugë i kishte thënë me zë të ulët se
vrasësi ishte ai. Sikur të ishte mbirë nga toka, Raskolnikovi u shtang. Por ky
i kërkoi falje se e kishte akuzuar pa të drejtë. Këtë ia kishte thënë edhe
Porfirit ngase atë natë e kishte parë Raskolnikovin duke biseduar me
qiraxhinjtë dhe me kujdestarin. Ky njeri ishte gëzoftar nga e njëjta lagje dhe
nuk donte që Raskolnikovi të kalojë pa u dënuar. Kjo ishte befasia për të cilën
kishte folur Porfirij. Kishte ndenjur pas dere dhe e kishte dëgjuar bisedën,
por kur u shfaq Nikolaj, u pendua dhe i erdhi Raskolnikovit në banesë për t’i
kërkuar falje. “Më falni për shpifjen dhe
sjelljen e pahijshme.” Raskolnikovi doli prej dhome më i trimëruar se kurrë.
“Tani e tutje do të shihemi më shpesh”,
tha duke qeshur dhe krejt vrer.
Pjesa e pestë – Luzhini nuk dorëzohej. Në kokë planifikonte
hakmarrje. Jetonte në dhomë me studentin Lebezjatinkov i cili kishte parime
moderne – jetë në bashkësi, gruaja mund ta tradhtojë burrin ngase nuk është
rob...E çoi te Sonja të cilës me zemërgjerësi i dha 10 rubla për t’u treguar
zemërmirë, por fshehurazi i futi në xhep 100 rubla të palosura. Me këtë synonte
ta fajësojë para të tjerëve se Sonja i kishte vjedhur paratë për ta njollosur
atë dhe Raskolnikovin para syve të Dunjës dhe të nënës dhe për ta rikthyer
besimin e humbur.
Për fat të mirë, në ceremoninë fetare për
nder të të ndjerit, përpara turmës së pakontrolluar e cila nuk kishte ardhur
për ta vajtuar Marmeladovin, por t’u palluar me bukë, Lebezjatnikovi i habitur
nga veprimi i Luzhinit, e tha të vërtetën, pa i ditur as vetë shtytjet e tij.
E gjithë kjo nuk i pengoi njerkës së
Sonjës, Katarina Ivanovës të grindej me pronaren gjermane e cila hiqej se është
zonjë, ndërsa rusishten e fliste në mënyrë qesharake. Raskolnikovi vendosi t’ia
tregonte Sonjës të vërtetën mbi vrasjen e plakës. Me fjalë të tjera, t’ia bënte
me dija se vrasësi ishte ai vetë. Ai mezi fliste, kurse ajo e pafuqishme ia
përkujtonte Lizavetën.
Ajo psherëtiu llahtarshëm: “O Zot!” Menjëherë ia rroku duart dhe iu
varr për qafe. “Nuk do të më braktisësh,
apo jo Sonjë?” – e pyeti ai duke e vështruar me pak shpresë. “Jo kurrë dhe askund”- ia ktheu Sonja me zë të lartë. “Kudo do të vijë pas teje. Ku do të jesh ti, aty do të jem dhe unë! O
Zot! E mjera unë! Përse kështu, si s’të njoha më herët!”
Raskolnikovi e hante veten përse ia
tregoi atë që kishte ndodhur. Ajo s’ka mundur ta kuptojë motivin e krimit.
Madje ai edhe nuk ishte penduar. Këtë
nuk arrinte ta kuptojë. “Nuk e vrava për
t’i ndihmuar nënës – gjepura! Nuk vrava as për të grabitur gjëra të çmueshme dhe
për të rrëmbyer pushtet, që pastaj të bëhem bamirës i njerëzimit. Thjesht
vrava. Vrava për vete, vetëm për vete! Më duhej të kuptoja diçka tjetër. Desha
të di në jam morracak si gjithë të tjerët apo jam njeri? A do të mund ta kapërcej pengesën apo s’do
të mund. A jam krijesë kacavjerrëse dhe puthador apo jam ndryshe?!”
Sonja nuk pajtohej me mendimet e tij. Ai
e pyeti se ç’duhej të bënte. Ajo i shkreptiu sytë dhe i tha të shkonte në
kryqëzim. “Ndalu dhe përkulu, puthe tokën
që e ke përlyer. Pastaj përulu gjithë
botës, në të katër anët e saj dhe me zë të lartë u trego të gjithëve: ‘Kam
vrarë!’ Zoti përsëri do të ta kthejë jetën. Dakord?”
E dinte se ajo mendonte për dënimin. Ajo
donte që ai ta pranonte dënimin. I dha një kryq druri që ta varte në qafë. Raskolnikovi
vendosi në vete.
Katarina Ivanova kishte sulm histerik. E
la vajzën në rrugë ngase pronarja e kishte përzënë prej banese. Këndonte, i
çonte të vallëzojnë dhe lypte para. Madje kishte vajtur te një gjeneral. Hoqi
shumë dhe vdiq në rrugë, e rrethuar nga turma kureshtare. Raskolnikovit iu
afrua Svidrigajlovi për t’i treguar se kujdesej për të vegjlit dhe për Sonjën.
Ashtu do t’i harxhonte edhe 10.000 rublat që ishin të destinuara për Dunjën.
Për habi të Raskolnikovit, ia tha po ato fjalë që ai ia kishte thënë Sonjës.
Svidrigajlovi i tha se banesën e kishte mu pranë banesës së Sonjës dhe se e
kishte përgjuar bisedën e tyre. “E po ju
thashë se ne të dy do të afrohemi akoma më shumë!” Tani e kishte në dorë.
Pjesa e gjashtë – Për Raskolnikovin filluan ditë të çuditshme: sikur
përnjëherë e mbështolli një mjegull. Ra në një vetmi të rëndë, hyri në një
rrugë pa krye. Këto ditë do t’i kujtoheshin pas shumë kohe. Do t’i kujtohej se me
disa ndërprerje, i ishte turbulluar mendja, deri në katastrofën përfundimtare.
Herë pas herë e përshkonte një shqetësim rrëqethës dhe i mundimshëm që i shndërrohej
në frikë të lemerishme. Më së shumti e mundonte Svidrigajlovi.
Me Razumihinin u përshëndet duke ia
përsëritur se Dunja e donte. I kërkoi të kujdesej për të ëmën dhe motrën.
Razumihini i tha se çdo gjë e ka të qartë. E dinte se Raskolnikovi ishte i
pafajshëm ngase Porfirij ia kishte sqaruar krejt. Raskolnikovi ishte në dilemë:
ç’ishte duke përgatitur Porfirij? Inspektori i erdhi te dera. Që në krye të
herës i tha se kishte ardhur t’i kërkonte ndjesë për shqetësimet që ia kishte
shkaktuar, por pas pak, sipas mënyrës së tij dinake filloi ta rindërtonte krimin dhe portretin
psikologjik të kryerësit. Nikolaj i përket sektit rus të Raskolnikëve të cilët me dëshirë e pranojnë mbi vete vuajtjen. “Jo, i dashur Rodion Romanoviç, Nikolaj
aspak s’është fajtor! Këtu kemi të bëjmë me një krim të tmerrshëm, bashkëkohor,
rast i kohës sonë kur është ngatërruar zemra njerëzore, ka vrarë, kurse veten e
konsideron njeri të ndershëm; urren njerëzit, hiqet engjëll. Jo mik, jo,
Nikolaj nuk është fajtor!” Raskolnikovi u dridh. U bë sikur ta kishte prerë
diçka. “Po atëherë kush mund ta ketë
vrarë?”, s’e la pa e pyetur, ndonëse mezi merrte frymë. “Si, kush mund ta ketë vrarë?” –
përsëriti sikur nuk u besonte veshëve të vet – “Po ju i keni vrarë, Rodion Romanoviç! Ju i keni vrarë”, shtoi me
zë të ulët, por thellësisht bindës.
Raskolnikovit iu mpinë këmbët. U përpoq
të reagojë, por ky e parandaloi. I propozoi të paraqitet vetë, gjë që do t’ia
ulte dënimin ngase edhe jetën e ka para. “Do
të ma ulin dënimin” – qeshi. Porfirij i dha një afat prej disa ditësh, duke
shtuar se deri atëherë nuk do ta paraqiste.
Raskolnikovi u nis për te Svidrigajlovi.
E takoi në tavernën ku mblidheshin të mjerët. Ai qëlloi të jetë i disponuar. I
foli për ndodhitë nga jeta, për mashtrimin e vajzave të varfra dhe të mitura, për
dobësinë e vet, etjen e pashuar për femra. U tregua në dritën e njeriut të
shfrenuar dhe pervers. Raskolnikovi iu kanos: “Po e ngacmove Dunjën, do të të vras”. Svidrigajlovi mezi iu shqit
dhe u nis për në takim që e kishte caktuar me Dunjën. Paraprakisht i kishte
shkruar një letër në të cilën ia përmendte edhe krimin e vëllait. Ajo erdhi në
vendtakim, e turbulluar. Ai e çoi në një banesë të izoluar, kurse derën e
mbylli me çelës. E dinte se fati i familjes së saj është në duart e tij. I tha
se do ta ruante sekretin kurse si shpërblim, deri në fund të jetës, do të bëhej
rob i saj. Dunja u distancua dhe e nxori revolen. Krisi jo më shumë se një
herë. Vetëm e kishte gërvishtur. Ai iu afrua ngadalë. I tha të tentonte edhe
njëherë, por ajo e hodhi armën. Ai tentoi ta puthë, ndërsa Dunja iu lut ta
lëshonte.
“Domethënë, nuk më do?” – e pyeti me zë të ulët.
„Jo.“
„Dhe s’do të kishe mundur? Kurrë?“
“Kurrë.” – ia
ktheu Dunnja. I dërmuar, Svidrigajlovi i lëshoi krahët dhe e la të largohet.
Svidrigajlovi u përshëndet me Sonjën. I la
asaj dhe Dunjës një shumë të konsiderueshme parash. Hyri në një tavernë dhe u
përpoq të flinte, por s’e zinte gjumi. Pa, s’pa, doli. U lëshua deri te ura. Duke
belbëzuar, rojtari donte ta dëbojë, por Svidrigajlovi e mori pistoletën dhe ia
drejtoi. “Nuk keni ç’të kërkoni këtu”.
“Po mirë atëherë, vëlla. Krejt njësoj është. Është
vend i mirë, e nëse të pyesin diçka, u thuaj se kam vajtur në Amerikë.” Dhe vret veten.
Raskolnikovi u përshëndet me të ëmën, pa
thënë gjë. U përshëndet edhe me motrën e cila vuante tej mase. Ia fali dhe e
përqafoi. Iku prej Dunjës dhe bëri në rrugë atë që ia kishte sugjeruar Sonja: U
ul në mes të sheshit, u përkul dhe e puthi tokën e papastër, i tëri i përshkuar
nga gëzimi dhe lumturia. Kalimtarët qeshnin duke menduar se është i dehur. Pak më
larg ndodhej Sonja. Tani e kuptoi se ajo do të qëndronte me të, deri në fund.
Hyri në stacionin e policisë dhe iu
afrua Ila Petroviçit i cili e priti mirë. Nuk mundi ta pranonte krimin ndaj
doli jashtë. E pa Sonjën. Në fytyrën e saj vërejti një të qeshur të hollë. U
kthye dhe tha: “Unë e vrava me sëpatë
nëpunësen plakë dhe motrën e saj Lizavetën.” Petroviçi mbeti gojëhapur. Nga
të katër anët vërshuan njerëz.
Epilogu – Për shkak të rrethanave lehtësuese, Raskolnikovi u
dënua vetëm me tetë vjet burg. Burgun e vuajti në Siberi. Si rrethanë
lehtësuese u konsiderua fakti se vetë e pranoi krimin për të cilin tanimë ishte
akuzuar dikush tjetër; deri atëherë nuk kishte qenë i dënuar; i kishte ndihmuar
një studenti të sëmurë prej tuberkulozit; i kishte mbuluar shpenzimet e
varrimit të Marmeladovit të ndjerë.
Porfirij e
mbajti premtimin. Nëna iu sëmurë dhe vdiq. Me siguri kishte kuptuar për të
vërtetën e tmerrshme, për krimin që kishte kryer i biri. Dunja u martua me
Razumihinin, ndërsa Sonja shkoi pas Raskolnikovit në Siberi, ku ai do ta vuante
dënimin. Raskolnikovi punonte pa bëzajtur. Të dënuarit e tjerë e urrenin. U
sëmurë rëndë. Sonja i shkroi letër Dunjës për ta njoftuar se Raskolnikovi ishte
vendosur në spitalin e burgut. Nuk ishte sëmurë nga puna e rëndë, as nga
ushqimi i keq. Ishte sëmurë nga krenaria e cenuar. I vinte rëndë që ai,
Raskolnikovi, kishte qenë aq naiv dhe i verbër. Tani detyrohej të përulej dhe
t’i nënshtrohej absurditetit.
Të paktën fati
t’i ndihmonte që të pendohej. Por nuk u pendua për krimin që kishte kryer. Krim
të vetin e konsideronte atë që s’kishte
mundur ta arrijë dhe se fajin e
kishte pranuar vetë. Nuk e kuptonte se të gjithë të dënuarit e donin
Sonjën. Ajo ndërmjetësonte për të dërguar letra si dhe në vizitat e të
dënuarve. Qeshte me të gjithë.
Kur ishte i
sëmurë ai ëndërronte në kllapi për fundin e botës dhe për ca të zgjedhur që
kishin mbijetuar. Dhimbshëm i kujtohej ëndrra. Kaloi një vit. E pa Sonjën te dera
e spitalit. Dukej sikur diçka ia kishte lënduar zemrën. U largua nga dritarja.
Sonja ishte sëmurë dhe nuk kishte ardhur një kohë. Raskolnikovi u shqetësua dhe
vazhdimisht pyeste për të. Ajo i kishte dërguar letër që e kishte shkruar me
laps. Gjatë leximit të letrës zemra i rrihte aq fort saqë dukej se do të
pësonte sulm kardiak. Rinte ulur pranë lumit. Ajo i rinte pranë. Rojtari nuk i
kishte hetuar. As vetë s’e kuptoi se si ndodhi. Përnjëherë, sikur e kishte
rrëmbyer diçka, e pa veten te këmbët e saj. Dëneste dhe ia puthte gjunjët. Në
fillim ajo u trishtua tej mase dhe u zbeh si leckë. U çua dhe e shikoi duke u
dridhur. Kuptoi gjithçka. Në sytë e saj shkëlqeu një rreze drite. E ndjeu se ai
e donte. Tashmë s’dyshonte dot. Më në fund erdhi ky moment. Që të dy i
ringjalli dashuria. Zemra e njërit ngërthente brenda vetes, për zemrën e
tjetrit - burime të pashtershme jete. Kurrë deri atëherë ai s’e kishte prekur
ungjillin që ia kishte dhënë Sonja. Ajo kurrë s’e kishte preokupuar me punët e fesë.
Tani e hapi librin. Shtatë vjet iu dukën si shtatë ditë. Ishin të lumtur.
Raskolnikovi
nuk e dinte se nuk e kishte fituar jetën si dhuratë. Jeta ende ka për t’i kushtuar
shumë shtrenjtë. Për jetën, në të ardhmen, do të duhet të bëjë përpjekje të
mëdha. Tashmë ky do të jetë një rrëfim i
ri.