Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Pasqyruesi i situatave surrealiste - Kafka
E diele, 01.06.2025, 06:57 PM
PASQYRUESI I SITUATAVE SURREALISTE - KAFKA
E
gjithë jeta ime është një histori e mbylljes së syve!
– Kafka
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Alber Kamy (Albert
Camus) dhe Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul
Sartre) i prijnë listës së
shkrimtarëve mbi të cilët ka ndikuar vepra e Kafkës. Nën ndikimi e autorit të “Procesit” legjendar kanë shkruar shumë
laureatë të çmimit “Nobel”.
Termi kafkian
ose kafkiane ka hyrë në teorinë e letërsisë për t’i përshkruar situatat
surrealiste - mu si në veprat e tij. P.sh.: mjedis kafkian, atmosferë kafkiane...
* * *
Franc Kafka (Pragë,
3 korrik 1883 – sanatoriumi Kierling afër Vjenës, më 3 qershor 1924) është një
prej figurave më të pazakonshme të letërsisë së shekullit XX. Lindi në Pragë në
familjen e një tregtari hebraik. Në atë kohë Çekia ishte pjesë e
Austro-Hungarisë. Kafka ishte më i madhi i gjashtë fëmijëve. Dy vëllezër i
vdiqën të rinj. Franci u rrit me tri motrat. Babai i tyre ishte një afarist i
suksesshëm. Nëna punonte në tregtizën familjare. Fëmijët u rritën kryesisht
vetë, nën kujdesin e dadove dhe të shërbëtorëve të ndryshëm. Pas mbarimit të
shkollës fillore, Kafka ndoqi gjimnazin klasik. Pasi kreu maturën në vitin
1901, u regjistrua në studimin e kimisë. Pas dy jave kaloi në drejtësi. Gjatë
studimeve u njoh me Maks Brodin (Max
Brod, Pragë, 27.05.1884 – Tel Aviv-Yafo, Izrael, 20.12.1968) i cili deri në
fund të jetës do të mbetet shoku më i afërt i tij. Kafka iu bashkua klubit
letrar të studentëve gjermanë. Lexonte me pasion. Klasikët i lexonte në gjuhën
greke dhe latine. Lexonte shkrimtarin gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann
Wolfgang Goethe, 1749-1832), tregimtarin
dhe komediografin rus Nikolaj Vasileviç
Gogol (1809-1852), romancierin
dhe novelistin rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881), romancierin francez Gystav Flober (Gustave Flaubert,
1821-1880) dhe shkrimtarët
bashkëkohorë çekë. Studimet i kreu në vitin 1906. Pas punës së detyruar si
praktikant, u punësua në shtëpinë e sigurimit “Generali”. Por, orari i punës që
zgjaste dhjetë orë, prej 8 deri në orën 18, e ngarkonte së tepërmi, ia merrte
kohën e të shkruarit gjë që e konsideronte si çështje më të rëndësishme. Nuk
shkoi shumë dhe e la atë punë. Gjeti punë tjetër në Institutin e Sigurimit të
Punëtorëve për Çekinë. Orari i punës këtu ishte më i shkurtër, ndaj i mbetej
kohë për t’iu përkushtuar shkrimit. Në vitin 1912 u njoh me kushërirën e Maks
Brodit – Felice Bauer (Prudnik,
Poloni, 18.11.1887 – Rye, Nju-Jork, 15.10.1960). Maks Brodi ishte çifut
i Çekisë, kurse Felice Bauer ishte çifute e Polonisë. Lidhja e Kafkës
me të zgjati pesë vjet. Pjesa më e madhe e lidhjes së tyre u mbajt nëpërmjet
letrave. Dy herë shpallën edhe fejesën, ndonëse kurrë nuk u kurorëzuan. Thuhet
se Kafka njëherazi ka mbajtur lidhje edhe me një mike të tij. I dhënë pas
femrave dhe seksit, Kafka shpesh i vizitonte bordelet. Pajisej edhe me revistat
erotike të kohës së vet. Sipas pohimeve të miqve të tij, ka qenë edhe mjaft i
turpshëm. Gjatë lidhjes me Felicen, Kafka ka shkruar disa tregime të shkurtra.
Midis tyre edhe “Metamorfozën”.
Lidhja midis Kafkës dhe Felices është ndërprerë në vitin 1917. Po atë vit Kafka
është diagnostifikuar me tuberkulozë. Pas kësaj është fejuar
edhe për së treti. E fejuara e radhës ka qenë Julie Voriçek (Julie Wohryzek, Pragë, 28.02.1891 - O?wi?cim, Auschwitz, Poloni, 26.08.1944). Një kohë jetuan bashkë. Megjithëkëtë, as kjo martesë e
Kafkës nuk u realizua. Ka që thonë se martesën e tyre mund ta ketë parandaluar
babai i Kafkës i cili nuk është pajtuar që i biri t’i martohej me vajzë e cila
nuk ka qenë çifute.
Shënim: Në vitin 1921 Julie
Wohryzek ishte martuar me një menaxher banke të quajtur Josef Werner. Jetuan
bashkë disa vjet. Në fillim në Bukuresht e pastaj përsëri në Pragë. Në mars të
vitit 1939 Republika Çeke u pushtua nga gjermanët. Forcat pushtuese gjermane e
deportuan në Aushvic ku edhe e vranë më 26 gusht 1944.
* * *
Në atë kohë, d.m.th. në vitin 1919
Kafka filloi të shkruante prozën autobiografike “Letër babait”. Versioni përfundimtar i këtij shkrimi arrin mbi
njëqind faqe.
Në “Letër
babait“, midis tjerash shkruan:
“Shumë i dashur baba,
para do kohe më ke pyetur përse them se kam frikë prej teje?
Si zakonisht, nuk kam ditur t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për dy arsye: e para,
për shkak të frikës që ndjej prej teje; e dyta, për ta arsyetuar këtë frikë do
të më duhej të paraqitja hollësi të shumta. Gojarisht nuk do të mund të
përfshija as gjysmën e tyre. Edhe tani kur po të shkruaj, përgjigjja nuk do të
jetë e plotë ngase edhe në të shkruar më pengojnë frika dhe pasojat e saj që
kanë të bëjnë me ty. Pastaj edhe madhësia e çështjes e tejkalon kujtesën dhe
aftësinë time për të gjykuar”.
"Letër babait" (1919) është një rrëfim tronditës dhe thellësisht njerëzor
i mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve tragjike midis një babai të fortë e
arrogant dhe djalit të dobët dhe të pavendosur, në të cilën djali e hap
shpirtin e vet, i pasqyron të gjitha mëkatet e babait dhe tërë pafuqinë e vet
për t’iu kundërvënë. I frustruar dhimbshëm nga kjo mosmarrëveshje gjatë gjithë
jetës së tij, shkrimin “Letër babait”
Kafka e shkroi kur ishte 36 vjeç, por edhe në atë moshë nuk pati guxim t’ia
dorëzonte botuesit.
* * *
Me burrin e motrës ai themeloi një
kompani për prodhimin e azbestit. Në fillim merrte pjesë aktive, por me kalimin
e kohës nuk iu duk e arsyeshme ta harxhonte kohën aty. Ky konflikt midis
nevojës për një punë për të siguruar jetesën dhe nevojës për të shkruar, për të
cilën jetonte, e përndoqi Kafkën deri në vitin 1918, kur prej institutit mori
një pension invaliditeti. Kjo i
mundësoi të kalonte ca kohë në fshat, në fermën ku punonte një nga motrat e
tij. Këtë periudhë Kafka e përshkruan "ndoshta
si më të lumturën" e jetës së tij. Atje shkroi një seri skicash që u
botuan më vonë si “Aforizma nga Zürau”.
Në vitin 1920 e filloi një lidhje me
gazetaren, shkrimtaren, botuesen dhe përkthyesen çeke Milena
Jasenska (Pragë, 10.08.1896 – Kampi i përqendrimit Ravensbrück, Gjermani,
17.05.1944) të cilës i shkroi një mori letrash që më vonë u botuan me titullin
e përbashkët “Letra Milenës” (Briefe an
Milena, 1952). Letrat flasin për
dramën personale njerëzore por edhe për përmasat e thella shoqërore dhe
metafizike të shpirtit të autorit. Është një dëshmi tronditëse për përjetimet
shpirtërore të Kafkës në kohën kur shoqërohej me Milena Jasenskën në vitet
1920-1923.
Milena vdiq në kamp më 17 maj 1944 prej
pasojave të operacionit të veshkës “të
kryer në mënyrë kriminale”. Mendimet e fundit i kishte tek e bija. Në vitin
1955, Institucioni zyrtar përkujtimor i Izraelit për viktimat e holokaustit Jad Vashem (Yad Vashem) ia dha medaljen
“Të drejtët midis popujve”. Ky
institucion ruan kujtimin për hebrenjtë e vrarë në kampet naziste të
përqendrimit gjatë Luftës II Botërore.
Në vitin 1923 Kafka u lidh me Dora Diamant (Dwojra Diament apo
Dymant; Pabianice, Poloni, 1900 – Londër, 15.08.1952), me të cilën një kohë
kishte jetuar në Berlin. Lidhja midis tyre zgjati në vitet 1923-1924. Ajo
posedonte disa nga shkrimet e fundit të Kafkës. Në vitin 1933 ato u konfiskuan
nga Gestapoja gjermane. Ka që thonë se ajo i ka mbajtur ato shkrime kundër
dëshirës së Kafkës i cili pak para vdekjes kishte kërkuar që shkrimet e tij të
digjeshin.
*
* *
Motra të
Kafkës ishin Gabriele
("Ellie") Hermannova (Kafka), (Pragë,
22.09.1889 – Kampi i shfarosjes Chelmno, Poloni, 1942), Valerie ("Valli") Kafka, (Pragë, 25.09.1890 - Kampi i
shfarosjes Chelmno, Poloni, 1944) dhe Ottilie
("Ottla") Kafka, (Pragë, 29.10.1892 – Kampi i përqendrimit, Aushvic,
07.10.1943). Që të tria u vranë në kampet naziste të përqendrimit.
* * *
Pjesën e mbetur të jetës Kafka e kaloi
kryesisht nëpër sanatoriumet për mjekimin e tuberkulozit. Vdiq në
vitin 1924. U varros në Varrezat e reja hebraike në Pragë. Vlerësohet se 90% të
shkrimeve të veta, para se të vdiste i asgjësoi, kryesisht i dogji.
Krijimin letrar e ka konsideruar si një
çështje tejet të rëndësishme. Megjithëkëtë, botimit të veprave apo famës nuk i
ka kushtuar rëndësi të veçantë. Në të gjallë, ka botuar shumë pak. Maks Brodit
i ka lënë porosi me shkrim që krijimet letrare, ditarin dhe letrat - t’ia djeg,
madje pa i lexuar fare. Maks Brodi nuk ia ka përmbushur porosinë. fatmirësisht,
i ka shpëtuar zjarrit “Procesi”
legjendar. Në vitet 1925-1935 Brodi boton përmbledhjen e veprave të Kafkës.
Duke pasur parasysh mënyrën e
parregullt të punës të Kafkës, Brodit i është dashur të ndërhyjë: Për shembull
romani “Procesi” ka pasur disa
kapituj të papërfunduar, ndërkaq faqet nuk kanë qenë të paginuara (të
numërtuara). Romani tjetër i famshëm “Kështjella”
(Das Schloß, 1922, i botuar në vitin 1926) ka pasur fjali të papërfunduara. Me fjalë të tjera, botimet që
panë dritën kanë qenë produkt i punës redaktuese dhe plotësuese.
Shumë më vonë, një grup ndërkombëtar
ekspertësh, duke u bazuar në dorëshkrimet e ruajtura, i rikonstruktoi tekstet
burimore të romaneve të Kafkës.
* * *
Ndikimi i
Kafkës mbi krijuesit tjerë - Për
shkak të kombinimit të stilit të thjeshtë, në dukje objektiv dhe motiveve
absurde të përshkuar nga makthi, Kafka ushtroi ndikim mbi shumë shkrimtarë të
tjerë. Prej tij u ndikuan edhe bashkëkohësit e tij. Për nga përshtypja e
lebetisë dhe pafuqia e protagonistëve shpesh i afrohej ekspresivitetit të ekspresionizmit,
kurse për nga motivet, nuk ka qenë larg surrealistëve. Ka qenë edhe
pararendës i shumë lëvizjeve që do të pasonin.
Trashëgimisë së Kafkës i janë referuar
sidomos ekzistencialistët si: romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) dhe romancieri, filozofi,
dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol
Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980).
Trashëgimisë
së Kafkës iu referuan edhe shkrimtarët e absurdit si: dramaturgu dhe
romancieri irlandez, kryesisht i shprehjes granceze Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989) dhe dramaturgu francez me
prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugène
Ionesco, 1912-1994).
Gjurmët
e Kafkës i hasim edhe te realizmi magjik i tregimtarit,
poetit dhe eseistit argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986) dhe te prozatori kolumbian,
autor i romanit legjendar “Njëqind vjet
vetmi” (Cien años de soledad, 1967) Gabriel Garsia Markez (Gabriel José García Márquez, 1927/1928-2014).
Ndikimi
i Kafkës vërehet edhe te romanet filozofike bashkëkohore të prozatorit çek që
jeton në Francë Milan Kundera (1929-
2023).
* * *
Një prej veprave më të pazakonta të
Kafkës është “Metamorfoza” (Die
Verwandlung, 1915). Është vepër
që ka hyrë në radhët e veprave të
letërsisë klasike. Kuptimin plot makth mbi njeriun i cili papritmas
shndërrohet në insekt e ndërlidh me pasqyrimin e hollësishëm të përditshmërisë banale, duke shtruar
njëherazi pyetje të shumta për rëndësinë e
identitetit, të familje dhe të asaj që është njerëzore.
Këtë histori të tjetërsimit të plotë
disa kritikë e interpretojnë në mënyrë biografike. Në fund të fundit, Kafka si
një hebre gjerman që jetonte në Pragë në kohën e përhapjes së antisemitizmit
dhe si një shpirt krijues i tërhequr dhe artistik që kishte dalë nga hija e një
babai jotolerant të dhënë pas punëve,
kishte arsye të mjaftueshme të ndjehej i tjetërsuar.
Kritikë të tjerë e theksojnë edhe
fascinimin (magjepsjen) e Kafkës me filozofinë e filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzche,
1844-1900) ose me idetë psikanalitike të neurologut austriak me
prejardhje hebraike, themelues i psikanalizës
- Sigmund Frojd (Sigmund Freud; P?íbor, Çeki, 06.05.1856 – Londër, 23.09.1939).
Shumëkush e dinë tregimin “Metamorfoza”: Një mëngjes agjenti
tregtar Gregor Zamza zgjohet i shndërruar në insekt. Sipas origjinalit në
gjuhën gjermane, ai është shndërruar në kandër (insekt i ndyrë, krimb, parazit)
(gjermanisht Ungeziefer). Derisa përpiqet t’i gjejë zgjidhje kësaj që e ka gjetur,
i bien derës anëtarët e familjes: nëna, babai dhe e motra. Shfaqet edhe shefi i
Gregorit. Të gjithë janë të tmerruar, ndërsa situata sa vjen e bëhet më e
rëndë. Pasi tani e tutje nuk mund të kujdeset për familjen, me fjalë të tjera,
nuk ka të ardhura, Gregori sakaq e humb statusin e djalit të admiruar. Babai e
tremb nëpër shtëpi duke iu kanosur me gazeta të mbështjella. Në një moment e
godet edhe me mollë gjë që Gregorit i shkakton paralizë. E vetmja që pranon të
kujdeset për Gregorin është motra e tij Grete e cila kishte dëshirë të bëhej violiniste. Megjithëkëtë, gjendja e
pazakonshme ka edhe pasoja pozitive. Familja e Gregorit, e mbështetur vetëm te të ardhurat e djalit,
ishte bërë pasive. Pas shndërrimit të tij në insekt, dalëngadalë ajo i ndryshon
shprehitë. Babai përsëri gjen punë, nëna fillon të qepë, ndërsa Greta punësohet
në dyqan dhe fillon të mësojë stenografinë dhe gjërat themelore të gjuhës
franceze. Një natë Gregori u shfaq para qiramarrësve të rinj. Ata u tmerruan.
Tani edhe Grete erdhi në përfundim se këtë përbindësh
familja duhet ta heqë qafe. I pikëlluar dhe i uritur, Gregori kthehet në dhomën
e vet, ku edhe vdes. E liruar nga barra, familje shkon në piknik jashtë
qytetit.
* * *
Shumë kritikë sot shohin te “Metamorfoza” hulumtimin e fatit të
njeriut për të cilin puna dhe kujdesi financiar për familjen bëhen arsye e
vetme e të jetuarit, kurse çështja e vetëmohimit dhe marrëdhënies komplekse
midis familjes që varej nga Gregori dhe vetë Gregorit, pa dyshim është një nga
çështjet kryesore të kësaj vepre.
Mirëpo, vepra mund të lexohet edhe si
hulumtim i aspekteve të ndryshme të identitetit njerëzor, përkatësisht si një
ekzaminim të asaj që në radhë të parë na bën qenie njerëzore: a është vallë kjo
vetëm çështje e pamjes dhe e mundësisë për të komunikuar apo kemi
të bëjmë me diçka të lindur dhe të patjetërsueshme te vetë koncepti i asaj që
quhet njerëzore.