Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Solzhenjicin - 'Një ditë e Ivan Denisoviçit'
E hene, 09.06.2025, 06:55 PM
“NJË DITË E IVAN DENISOVIÇIT” – SOLZHENJICIN
pasqyrë tronditëse e ferrit stalinist
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Romani i shkurtër “Një ditë e Ivan Denisoviçit” bazohet në vuajtjen e dënimit me burg të Solzhenjicinit
në kampin e punës. Autori flet për një fshatar të thjeshtë të dërguar në
Siberi. Është dënuar pa të drejtë për shkaqe politike.
Autori i është shmangur censurës ngase
ka qenë në fuqi koha e shembjes së kultit të personalitetit të Stalinit. Kjo ka
bërë të mundur daljen në dritë të veprës që flet për pësimin dhe vuajtjet e të
burgosurve politikë në kampet e punës të Stalinit.
Romani u botua në nëntor të vitit 1962
në revistën “Novi mir”. Tirazhi prej 95 mijë kopjesh u shit përnjëherë. Edhe
botimi special në milion kopje u shit menjëherë. Gazeta “Pravda” dhe publikimet
ed tjera ruse për veprën shkruanin panegjeri duke theksuar dimensionin politik
të romanit. Është koha kur politikani dhe shtetari sovjetik Nikita Hrushçovi (1894-1971) kishte
investuar mjaft për t’u promovuar në Perëndim. Në saje të kësaj, romani i
sipërthënë u përkthye në shumë gjuhë, kurse Solzhenjicini fitoi famë botërore.
Por pas vdekjes së Hrushçovit, botimi i librit u ndalua.
Në vitin 1964 Hrushçovi u shkarkua nga
të gjitha funksionet.
Shënim: Në
Kongresin XX të PKBS të mbajtur në Moskë prej 14 deri më 25 shkurt të vitit
1956, në seancë të mbyllur, sekretari i parë i Partisë, Nikita Hrushçov ia nënshtroi kritikës radikale metodat dhe sistemin
e pushtetit të Josip Visarionoviç
Xhugashvili Stalinit (1879-1953). Me këtë, në politikën e brendshme dhe të
jashtme sovjetike, Hrushçovi çeli një periudhë të re.
*
* *
“Një ditë e Ivan
Denisoviçit” (Odin den' Ivana Denisovicha) është roman rus i shkruar në vitin 1957 e këndej nga
shkrimtari dhe disidenti sovjetik Aleksandër Solzhenjicin (Aleksandr
Isayevich Solzhenitsyn, 11 dhjetor 1918 - 3 gusht 2008). Romani doli në dritë
në nëntor të vitit 1962.
Ky disident
ndihmoi në rritjen e ndërgjegjësimit global për shtypjen politike në Bashkimin
Sovjetik, veçanërisht për sistemin e burgjeve Gullag. Në vitin 1970, “për forcën etike me të cilën i ka ndjekur
traditat e domosdoshme të letërsisë ruse”, u vlerësua me çmimin “Nobel”.
Vepra e tij “Arkipelagu Gullag” paraqet sfidë të drejtpërdrejtë për shtetin
sovjetik U shit në dhjetëra milionë kopje.
Është një seri në tre vëllime jo-fiktive e shkruar midis viteve 1958-1968. Për
herë të parë u botua në vitin 1973 nga botuesi parisien YMCA-Press. Në vitin
vijues u përkthye në anglisht dhe frëngjisht. Ai eksploron një vizion të jetës në
sistemin sovjetik të kampeve të punës që njihet si Gullag. Solzhenjicini e
ndërtoi kulmin e tij.
*
* *
Në romanin “Një ditë e Ivan Denisoviçit” veprimi
ndjek një ditë të jetës të heroit të
veprës. Është një i burgosur i dënuar në vitin 1951 me 10 vjet burg në
Gulag, diku në pjesën aziatike të Bashkimit Sovjetik. Veprimi bazohet në
përvojat autobiografike të vetë autorit i cili për shkak të fyerjes së Stalinit
në një letër, vuajti 8 vjet në Gulag. Ky roman me 158 faqe njihet për faktin se
ishte e para vepër letrare e cila haptas fliste për këtë temë tabu.
Sapo romani u
botua në revistën “Novi mir”, menjëherë u shitën 95.000 kopje. Nansi Metro (Nancie
Metro) në esenë e vet ka shkruar se tema e romanit është ruajtja e dinjitetit
njerëzor dhe e integritetit në rrethana të rënda. Në vitin 1970, sipas këtij
libri u xhirua filmi me të njëjtin emër. Regjinë e bëri regjisori finlandez i teatrit dhe filmit Kaspar Vrede
(Baroni Casper Gustaf
Kenneth Wrede af Elimä, i njohur si Caspar Wrede; Vyborg, Rusi, 1929 –
Helsinki, Finlandë, 1998) në bashkëprodhim
britanik-norvegjez.
Subjekti i veprës – Ivan Denisoviç Shuhovi me të dëgjuar – në orën pesë
të mëngjesit - thirrjen për t’u ngritur, u zgjua në krevatin e vet në kampin e
punës në Azi. Dimër i viti 1951. Me rastin e invadimit të Bashkimit Sovjetik
nga Gjermania, ushtarët gjermanë Shuhovin e kanë zënë rob në mal. Por ai ka
mundur të ikë me katër të tjerë. Arritën t’u bashkohen ushtarëve të vet. Nisën
të lëvdohen dhe të thonë se vijnë nga burgjet gjermane ku kishin qenë robër.
Menjëherë i akuzuan si spiunë dhe i dënuan me nga 10 vjet punë në Gullag. Tani
ai është anëtari 104 i brigadës punuese. Iu caktua detyrë që atë ditë të
punojnë në ndërtimin e punëtorive të objektit të ri “Soc-qytezë”, qendër
komunale në mes të fushës së zhveshur. Por, para se t’ia nisin punës duhet të
çelin gropa dhe të ngulin shtylla për telat me gjemba. Atë mëngjes Shuhovin e
zë dimri dhe nuk mund të çohet. Për shkak të vonesës u ndëshkua. Tani duhej të
pastronte dyshemenë në ndërtesën administrative. Në fuqi ishte rregulli se në
temperaturën -400 celsius të dënuarit e kampit lirohen nga puna. Por
përjashta ishte vetëm -250 . Shuhovi shkon te mjeku për të marrë
falje për dobësinë e tij. Atje i thonë se s’ka vend për hospitalizim ngase
kuota e të burgosurve të sëmurë është mbushur. Gjatë ngrënies së mëngjesit, për
të pasur rezerva për drekë dhe darkë, Shuhovi fsheh një copë buke në shtrat,
kurse një copë tjetër në pallto. Pas kësaj reparti 104 dhe brigadieri Tjurin
shkojnë me rojet në vendin ku do të punojnë. Në orën 6:30 të mëngjesit e
fillojnë punën që zgjatë 11 orë.
Disa duhet të sjellin suva, disa bëjnë
çimento, disa e pastrojnë borën përreth termocentralit, disa ndezin zjarrin
ndërsa Shuhovit dhe Kildigsit u janë detyrë të ndërtojnë mure në katin e parë.
Gjatë punës me të burgosurit e tjerë, Shuhovit i kujtohet se si në kampin e
dikurshëm Ust-Izhmi, kishte të drejtë çdo muaj t'i shkruante gruas së vet. Mirëpo
në këtë kamp përgjegjësit nuk i mundonin të burgosurit me punë jashtë orarit.
Intelektualit Cezar i çojnë pako dy herë në muaj për arsye se secilin që ka
njëfarë pushteti në kamp - e ka
korruptuar, kështu që punon si ndihmës në zyrë. Pas dreke ndodhi një
incident . Kontrollori Der e qortoi dhe iu kanos Thurinit ngase nëpër dritare
kishte vënë letër-zifti. Por edhe ky iu kanos nëse ai do ta paraqiste rastin.
Deri hoqi dorë nga raportimi. Kur erdhi koha e ndërprerjes së punës dhe e
vajtjes, Shuhovi dhe Senka i shurdhët u ndalën pak për ta përfunduar ndërtimin
e murit. Pasi e sosën murin rendën për te dera. Atje rojet i numëruan dhe
konstatuan se një moldav është
vonuar. Për këtë arsye e tërë brigada duhej të priste. Me t’u kthyer në kamp
Shuhovi priti në radhë për t’i ngritur pakot që ia kishin dërguar Cezarit. Si shpërblim
e mori çorbën e tij të darkës. Cezarit i kishin dërguar prej shtëpie lloj-lloj
ushqimesh. Pasi e hëngër edhe supën e Cezarit, Shuhovi shkoi në shtrat i
disponuar.
Rreshti i fundit i romanit është: “Që nga fillimi e deri në fund të vuajtjes
së dënimit, ka pasur 3.653 ditë të tilla. Tri ditët shtesë janë për shkak të
viteve të brishta.”
* * *
Solzhenjicini qëndroi në Gullag 8 vjet,
prej viti 1945 deri në vitin 1953. Romanin filloi ta shkruante në vitin 1957.
Manuskriptin (dorëshkrimin) ia dorëzoi revistës “Novy Mir” (Paqe e Re).
Redaktori Aleksandar Tvardovski u impresionua nga subjekti i veprës. Për të
marrë miratim për botim, romanin ia dërgoi Këshillit Qendror të Partisë
Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Deri atëherë shkrimtarëve sovjetikë u lejohej
vetëm t’i përmendnin kampet e përqendrimit.
Nikta Hrushçovi
e lexoi dorëshkrimin dhe përkundër kundërshtimit të disa zyrtarëve të lartë të partisë
komuniste, e lejoi botimin e romanit.
Në nëntor të vitit 1962 Tvardovski e
botoi romanin.
Kampi i punës i përshkruar në libër ka
qenë po ai ku kishte qëndruar një kohë vetë
Solzhenjicini, derisa e vuante dënimin. Kampi ndodhej në Karagandë, në
veri të Kazakistanit.