Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Ngërçi kulturor, si paralizë mendore
E diele, 29.06.2025, 01:55 PM
Ndue
Ukaj:
Ne
nuk kemi vetëm ngërç politik, ne kemi ngërç kulturor, një si lloj paralize
mendore, që është burimi i të gjitha krizave tjera, duke filluar prej më të
frikshmës dhe më seriozës: krizës identitare që manifestohet egërisisht në
krejt organizimin tonë shoqëror. Sidomos, në paaftësinë e shoqërisë sonë për të
zhvilluar dialog, që është thelbi i demokracisë.
Nëse
e bëjmë një ekskursion të shpejtë në historinë tonë, e shohim qartë se ne, si
shoqëri politike, në asnjë periudhë historike, nuk kemi qenë të aftë të bëjmë
marrëveshje politike mes vete, vetë, e as të bëjmë dialog për çështje madhore,
vetë, prandaj, në të giitha proceset e rëndësishme, prej të cilave kemi dalë
fitues, vula e ndërmjetësimit të perëndimit, është vendimtare.
Ne
kemi udhëheqës të shtetit do mjerana e tutkunë që nuk e kuptojnë asgjë në punë
të shtetit e as të lirisë perëmdimore. Ata, në krye të shtetit, janë sikur ai
nxënësi i klasës së dytë përballë kërkesës që të flasë për “Pallatin e Ëndrrva”
të Ismail Kadaresë.
Kjo
stërkeqje kaq e madhe duhet ta shqetësojë njeriun edhe sikur të ndodhte në një
cep tjetër të Tokës e jo më në vendin e vet.
Por
te ne, do të thonte Zef Pllumi, njerëzia nuk bëzajnë edhe po t’iu futësh
opingën në gojë.
Dhe
e vërteta empirike është se asnjë shoqëri kurrë nuk ka për t’u zhvilluar për sa
kohë mendimet politike u ngjajnë tribunave të tifozëve, ku vërshëllhet e
turfullohet e jo mjedisve ku merren vendime përmes instrumenteve demokratike,
etikës dhe dijës.
Mjerisht,
në vendin tonë, tash e sa kohë mbizotëron kultura e tifozërisë primitive
politike dhe kjo ka krijuar injorantë të atillë në politikë që as termin
politik nuk dinë ta shpjegojnë elementarisht.
Me
gjithë këtë injorancë që mbizotëron mes nesh dhe me githë këtë primitivizëm që
promovohet e manifestohet gjithandej lehëtësisht e egërsisht, mund të
shkatërrohet edhe një shoqëri shumë solide e me traditë; e imagjinojeni vendin
tonë, pa asnjë traditë në punë të shtetit e të lirisë dhe me dy trashëgimi
shumë negative prej të cilave ka dalë, osmane e komuniste.
Pa
një pastrim dhe kthjellje të ndërgjegjshme, gjamat e klithmat tona nuk do të
ndalen, kurse rruga e përparimit do të mbetet e panjohur për ne; kurse breznive
të ardhshme do t’iu lëmë prapambeturi e injorancë pafund.
E
në këtë atmosferë kaq negative e kaq asfiksuese, “ajo që më shqetëson është
cilësia e intelektualizmit tonë. E ndiej si diçka të lagësht, si ky ajri i
rëndë” (Juli Cortázar, te romani “Provimi”)
Kjo
fjali, tingëllon sikur të ishte shkruar sot Prishtinë, ku, përballë provimit të
rëndë në të cilon ndodhet Kosova, me ajër të rëndë, e zymtë, e bllokuar dhe
izoluar, si njëlloj çmendine, nuk më shqetëson aq çmendia e një klike
budallenjësh që e kanë bllokuar Kosovën sa më shqetëson cilësia
intelektualizmit, e mungesës së një vizioni për të dalë prej kësaj marrëzie
politike.