E shtune, 26.07.2025, 09:58 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Kosova është duke u rrudhë përditë e më shumë

E premte, 25.07.2025, 06:55 PM


Ndue Ukaj:

Çështjet e ligjeve dhe të demokracisë, janë të lidhura si mishi me thonin me edukimin dhe kulturën e një personi ose një shoqërie.

Sot, në Kosovë, mjerisht, nuk mund të flitet as për kulturë demokratike e as për kulturë juridike.

Përkundrazi, vendi ynë, përditë e më shumë, i ngjan një anarkie, ku kushtetuta interpretohet si të ishte një pikturë, i cila dikujt, mbi bazë të shijeve, mund të mos i pëlqej fare e dikush mund të mos e kuptojë fare, kurse demokracia duket si një luks i panevojshëm.

Udhëheqësit e vendit tonë, tallen me demokracinë e drejtësinë, me sjellje dhe veprime tipike joperëndimore, duke treguar, kështu, me vepra, se janë orientalë dhe destruktivë.

E orientalët shqiptarë, dihet, historikisht kanë qenë rrënimtarë, duambabistë primitivë- ose më qartë - pisllëku i historisë sonë.

Dihet, mendësia e tillë e ka penguar historikisht zhvillimin e kombit tonë dhe tani po e gërryn Kosovën e brishtë.

Prandaj, në Kosovë, sot nuk flitet për zhvillim, por ka kthim prapa; prapambetura ka gdhendë fytyrën e shëmtuar kudo, duke ia filluar prej demokracisë e vlerave që lidhen me këtë sistem.

Thjesht, problemet e Kosovës së sotme janë një lëmsh i madh, kurse duart që i kanë në duar këto çështje, janë duar që nxiten nga mendjekëqij dhe sy me shikim të turbullt, që në vend se ta kufizojnë të keqen, e trashin përditë e më shumë.

Kosova sot ka probleme prej ma absurdeve: është nën sanksione të perëndimit, është në pisllëk politik e juridik, është e demoralizuar, nuk ndodh asgjë dhe lajmet e mira janë aq të rralla, sa një koncert ia del ta dalldisë një shoqëri të tërë.

Sepse, Kosova është duke u rrudhë përditë e më shumë, kurse budallenjtë krekosen përditë e më shumë se po shtrijnë sovranitet.

Kosova është duke ecë qorras drejt së ardhmes së paqartë, me një të tashme të egër me supet e saj të buta.

Një vend i vogël dhe i varfër në vend se t’i zgjerojë kapacitetet e të menduarit e të përfitojë prej vlerave të demokracisë dhe të mirave të këtij sistemi, përditë e më shumë po rrudhet e po shfaqet imbicil, me kapacitete të shkreta, një vend ku dialogu, që është motori i demokracisë, i ngjan në një kontinent të pashkelur.

Këto sjellje politike e juridike, qartësisht nuk kanë lidhje me konceptin modern për shtetin. Ato i ngjajnë konceptit për ‘truallin”, prandaj, e përbashkëta ose ajo që njihet prej antike si res publica është rrudhë aq shumë sa mezi duket.

Kjo ngjet, sepse, koncepti për truallin e ka zëvendësuar konceptin për shtetin modern, dhe dihet, trualli sundohet e nuk qeveriset.

Shkrimtari Ismail Kadare, këtë fenomen e ka trajtuar mjeshtërisht te romani “Kamarja e turpit“ dhe nëpërmes një personazhi, thotë: “Shqipëria nuk bëhet me pasha, por me princ. Me pasha mund të bësh një pashallëk, por jo një shtet”.

Më tej, duke folë për figurën e Skënderbeut, në romanin në fjalë thuhet: “Skënderbeu vërtet kishte pak topa e ushtri, por ai kishte ide të mëdha, dhe për këtë Shqipëria i shkoi pas atij dhe jo atyre që përfaqësonin konceptin e truallit dhe të topave”.

Pra, me këtë mendësi pashallarësh, që po betonohet, shteti modern perëndimor, do të kujtohet si një ëndërr e parealizuar.

E një ditë, historia jonë e kësaj kohe, nëse do të shkruhet drejt, jam fort i bindur se do të mbushet me imbicilë dhe faqezinj, që kanë përlyer kujtimet më të bukura të Kosovës së bukur, që në shtrëngata politike, kishte udhëheqës klasi si Ibrahim Rugova, të urtë e përbashkues si Anton Çetta, guximtarë si djemtë dhe vajzat e UÇK-së.

Prandaj, duhet t’ju kujtojmë juve, se nuk duhet të jesh spiun që t’i ndihmosh armikut, mjafton të jesh injorantë.

Ju jeni të tillë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx