Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Mitet dhe të vërtetat për betejën e vitit 1389 në Fushë Kosovë
E diele, 29.06.2025, 01:59 PM
MITET DHE TË VËRTETAT PËR BETEJËN E VITIT 1389 NË FUSHË KOSOVË
Historiografia
kroate: Në Betejën e Kosovës të vitit 1389, përpos serbëve, shqiptarëve dhe
boshnjakëve ka marrë pjesë edhe ushtria kroate si dhe ushtri të popujve të tjerë të krishterë
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Fushë Kosova gjithmonë ka qenë një vend
i përshtatshëm për zhvillimin e betejave masive në mesjetë. Në atë zonë janë
zhvilluar të paktën dhjetë beteja të mëdha. Në tri beteja, ose prijësit e
luftës kanë qenë kroatë, ose pjesa më e madhe e luftëtarëve kanë qenë kroatë.
Një prej atyre betejave në bazë të së
cilës serbët e kanë krijuar mitin e vet kombëtar integrues, ka ndodhur më 15/28
qershor 1389 ndërmjet ushtrisë së koalicionit të popujve evropianë
dhe osmanlinjve me vasalët e tyre. Data 15 qershor 1389 ka të bëjë
me kalendarin e asaj kohe.
Në anën e krishterëve kanë qenë:
- Ushtria e mbretit të Rashkës, Bosnjës,
Dalmacisë, Kroacisë dhe Bregdetit - të Stjepan
Tvrëtkos I Kotromaniq (pasardhësit
të familjes kroate të rëndësishme Shubiq) nën udhëheqjen e dukës së një pjese
të Kroacisë dhe Dalmacisë Vlatko Vukoviq Kosaça (Hraniq);
- Kalorësit kroatë kryqtarë të Urdhrit
të Shën Gjonit nën udhëheqjen e priorit
(kreut) të Vranës, banit (guvernatorit) kroat-sllavon-dalmatin Ivan Palizhna,
si dhe
- ushtrive shqiptare dhe serbe, të
lidhura me to.
Kanë qenë rreth 20.000 luftëtarë kroatë
nga Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe nga zotërimet e mbretit Tvërtko (Tvrtko)
si dhe kryqtarë kroatë të Ivanish Horvatit.
Rrezikun osman për ekzistencën e
shteteve krishtere në Ballkan e kuptoi jo vetëm princi serb Lazari, por edhe miqtë dhe bashkëmendimtarët e tij:
- Mbreti i Bosnjës Stjepan Tvërtko (Stjepan Tvrtko I Kotromani?, rreth vitit 1338 – 10 mars
1391), bani (guvernatori) i fundit i Bosnjës prej vitit 1353 deri në vitin
1377, pastaj i pari mbret i Bosnjës prej vitit 1377 deri në vitin 1391;
- Duka Vlatko Vukoviq Kosaça (? – 1392); ka
qenë bujar nga fisi Kosaçë, zotërues i Humit dhe një prej prijësve ushtarakë më
të mirë të mbretit Tvërtko I. Në kohën e depërtimit të osmanlinjve në Ballkan,
i theu osmanlinjtë në betejën e Bileqes në vitin 1388 si dhe në betejën e Fushë
Kosovës të vitit 1389;
- Ivanish Horvati (kroatisht: Ivan
Horvat; hungarisht: János Horváti; ? - 15 gusht 1394), bujar, me
prejardhje nga Kroacia. Në vitet 1375-1383 ka qenë ban (guvernator) i Maçvës.
Deri atëherë princ Lazari i siguronte Ivanish Horvatit mbështetje të sigurt dhe
- Ivan Palizhna (? - 1391), i cili si prior i
madh kryqtar i Urdhrit të Shën Gjonit në Hungari dhe në Kroaci, sipas pozitës
së vet patjetër t’u kundërvihej jobesimtarëve të rrezikshëm që u afroheshin
kufijve të shtetit të tij. Ky ka qenë prior kroat, ban (guvernator) hungarez i
Dalmacisë dhe i Kroacisë (prej vitit 1385) dhe ban boshnjak në Dalmaci dhe në
Kroaci (prej vitit 1388). Në historinë serbe konsiderohej se ka qenë një prej
pjesëmarrësve të Betejës së Kosovës, ku ka mbërritur me aradhen kroate të
Urdhrit të Shën Gjonit në kuadër të ushtrisë serbo-boshnjake të mbretit Tvërtko
I. Sot konsiderohet se ky supozim nuk ka bazë të duhur.
Duka
(vojvoda) Vlatko Vukoviq Kosaça (? –
1392) ka qenë bujar nga fisi Kosaçë, zotërues i Humit, prijës lufte dhe
mbrojtës i atdheut, vasal i devotshëm i mbretit Tvërtko I, një prej prijësve
ushtarakë më të mirë të tij dhe bashkëpunëtor i besueshëm i tij. Bir i Vuk
Kosaçit, një prej të parëve të gjinisë të familjes fisnike Kosaç që sundonte në
viset jugore të Mbretërisë së Bosnjës, në radhë të parë në Humë dhe në Zahumle
(në Hercegovinë). Vetë Vlatkoja sundonte në Humë në gjysmën e dytë të shekullit
XIV, duke trashëguar babanë e vet, dukën e madh – Vukun. I priu ushtrisë së
krishterë në fitoren e madhe në Bileqe, kur më 27.08.1388 mundi rreth 18.000
osmanlinj, të cilët në krye me pashain Llalla Shahin (i cili i kishte udhëhequr
turqit edhe në Betejën e Maricës më 1871), kishin hyrë në vendin e tij.
I dërguar prej Tvërtkos
I, Vlatko Vukoviq Kosaça u ka prirë njësiteve të Hercegovinës në Fushë Kosovë.
Duke sulmuar nga krahu i majtë i ushtrisë krishtere të bashkuar që ka qenë nën
goditjen e Bajazitit I* (I. Bayezid,
1306 – 08.03.1403), është i vetmi që korri sukses të plotë.
Shënim: Bajaziti I ishte
sulltani i katërt i Perandorisë Osmane. Sundoi në vitet 1389-1402. Ishte djalë
i sulltan Muratit I (1326 ? – 1389)
dhe Gylçiçek Hatun-it (? – 1389), e
cila ishte me prejardhje greke.
*
* *
Vlatkoja solli në betejë
edhe një top që e kishte marrrë prej princit të Dubrovnikut me të cilin kishte
raporte të mira. Ky top ka qenë e vetmja armë artilerie e krishterëve në
Betejën e Kosovës. Kur është kthyer nga beteja e ka njoftuar mbretin Tvërtko
për fitoren e të krishterëve. Pas kthimit nga Kosova, ka luftuar kundër ushtrisë
hungareze e cila i ka sulmuar bujarët e Kishës boshnjake. Ushtrinë hungareze e ka mundur në dy beteja. Pas
kësaj është nisur në drejtim të Vranës ku u është bashkuar forcave të Ivanish Palizhnës.
Beteja fatale e Kosovës e
cila do të vendosë për fatin shumëshekullor të mëtejmë të shteteve të
Ballkanit, është zhvilluar më 15 qershor 1389.
Palë ndërluftuese kanë
qenë:
- ushtria osmane, dhe
- forcat e bashkuara të
princ Lazarit*, ushtria boshnjake e
udhëhequr nga Vlatko Hraniqi, ushtria
hercegovase e udhëhequr nga Vlatko Vukotiq Kosaça dhe ushtria kroate, e
udhëhequr nga ban Ivani.
Shënim: Princi Lazar Hrebelanoviq (1329-1389.) njihet edhe si car Lazari i
shenjtë. Ka qenë sundimtar serb. Kryeqendrën e ka pasur në Krushevc. Është
vrarë në vitin 1389 në Betejën e Fushë Kosovës. Serbët e kanë shpallur
shenjtor.
*
* *
Është vështirë të dihet
saktë se për cilin Ivan bëhet fjalë. Për Ivan Horvatin apo për Ivan Palizhnën.
Që të dy e kanë pasur titullin e banit (guvernatorit). Horvati ka qenë ban i
Maçvës, kurse Plazhna ka qenë ban kroato-dalmatin. Që të dy kanë qenë aleatë të
princ Lazarit, siç ka qenë edhe ai aleat i të dyve. Supozohet se Betejën e
Kosovës ka marrë pjesë Ivan Plazhna ngase ai si prior i urdhrit të krishterë ka
qenë i thirrur për nga detyra të luftojë kundër armiqve të emrit të krishterë,
siç thuhej në atë kohë. Përveç kësaj, ai jo vetëm që kishte qenë ban si Ivanish
Horvati, por pushtetin e tillë e ka ushtruar në atë territor që ka mundur ta
kontrollonte me ndihmën e Tvërtkos. Me fjalë të tjera, përpos qyteteve, aty
bënte pjesë pothuajse tërë Kroacia kontinentale dhe Dalmacia. Rrjedhimisht, si
aleat dhe bashkëmendimtar i Tvërtkos, me siguri ka qenë edhe nismëtar i
angazhimit boshnjako-hercegovas në Betejën e Kosovës. Në favor të pohimit se
Ivan Plazhna ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës shkon edhe fakti se pikërisht
në atë kohë ban Ladislavi ka ardhur
nga Luçenca në Dalmaci dhe e ka sulmuar Klisin të cilin arrin ta pushtojë. Në
atë muaj nuk ka informata për ndonjë kundërveprim të Palizhnës, gjë që e shton
gjasën e mungesës së tij në këto vise.
Beteja e Kosovës
përfundoi me humbjen e ushtrisë së Lazarit dhe vrasjen e tij, por çetat kroate
(boshnjake-hercegovase) nuk janë mundur. Ato në krahun e majtë i kanë mundur
osmanlinjtë. Rrjedhimisht, sipas raportimit të Tvërtkos, në Perëndim ka mbizotëruar bindja se të krishterët e kanë
mundur ushtrinë osmane (Letra e Tvërtkos dërguar trogirasve më 01.08.1389 me të
cilën i njofton se ushtria e tij i ka mundur turqit dhe letra Firencës,
përkatësisht përgjigjja e Firencës ndaj letrës së tij e cila e përshëndet për
fitoren e shkëlqyer. Është e pamundur që një kokë me kurorë t’i ketë njoftuar
trogirasit rrejshëm, dy muaj e gjysmë pas betejës. Përveç kësaj, trogirasit
kanë mundur të njoftohen për këtë betejë edhe në qendrat ballkanike dhe në ato
evropian. Në fund të fundit, përse Tvërtkoja të lëvdohej rrejshëm? Ai fare s’ka
pasur nevojë për diçka të tillë. Urimi i fiorentinëve mban datën 20.10.1389,
d.m.th. katër muaj pas betejës, e atëherë është ditur saktë epilogu i tërë
betejës në të gjitha vendet e Evropës. Nuk mund të besohet që një sundimtar i
njohur, i fuqishëm dhe i kurorëzuar ta gënjejë Evropën.
Ushtrinë osmane e udhëhiqte sulltan Murati I dhe djemtë e tij – Bajaziti dhe Jakubi. Sullatani dhe i biri Jakubi vriten gjatë betejës. Pas Betejës së Maricës (1371), një
pjesë e bujarëve serbë kanë qenë vasalë të osmanlinjve, ndaj kanë luftuar në anën
e tyre.
Rrjedha e betejës dhe epilogu
përfundimtar edhe sot është i paqartë. Sipas burimeve të dorës së parë që vijnë
nga oborri boshnjak i mbretit Tvërtko I,
krishterët kanë korrur fitore. Mirëpo dihet se serbët, shpejt pas betejës i
kanë paguar sulltanit tatim. Nga kjo mund të konstatohet se kemi të bëjmë me
një “fitore të Piros”. Në betejë ka
humbur jetën sulltani osman Murati I.
Deri atëherë, kjo ka qenë vrasja e parë e një sulltani të Perandorisë Osmane.
Humbjet e osmanlinjve kanë qenë më të
mëdha dhe më të rëndësishme me vdekjen e sulltanit dhe djalit të tij – Jakubit.
Edhe osmanlinjtë edhe pjesë të ushtrisë krishtere që u kanë ardhur në ndihmë
serbëve, janë tërhequr duke menduar se beteja është fituar.
Pas marrjes së lajmit për fitoren mbi
osmanlinjtë në Fushë Kosovë që ia ka përcjellë Evropës së krishterë me letër
mbreti i Bosnjës Tvërtko, në Paris, për nder të kësaj fitoreje, kanë rënë
kambanat e kishës Notre Dame.
Aleati i Tvërtkos, princi serb Lazari,
për arsye të panjohura apo për shkak të udhëheqjes së dobët të betejës në
pjesën e vet të frontit, është tërhequr nga fushëbeteja i plagosur, ndërsa fisnikët e tij shpejt janë bërë vasalë dhe
aleatë të rëndësishëm të osmanlinjve në betejat vendimtare kundër Evropës së
krishterë.
Pavarësisht nga fakti në ka qenë dhe sa
ka qenë i saktë lajmi që ia ka përcjellë Perëndimit Tvërtkoja i njoftuar gabimisht, s’ka dyshim se kjo
ia ka rritur autoritetin dhe pushtetin, sidomos ndaj qyteteve dalmatine, të
cilave tanimë u kishte kaluar afati i përcaktimit për Sigismundin apo për
Tvërtkon.
Rreth datës 15 shkurt 1391 mbreti
Stjepan Tvërtko vdes. Më 23 mars vdes edhe Ivani i Plazhnës. Me vdekjen e
këtyre dy burrave të mëdhenj, shembet ideja që në Ballkanin Perëndimor të
krijohet shteti i pavarur i cili në anën perëndimore do të shtrihej deri në
detin Adriatik, kurse në atë veriore – deri në lumenjtë Danub dhe Savë. Si i
tillë, ndoshta do të mund të mbrohej nga rreziku i inkursioneve osmane.
*
* *
MË 15 / 28 QERSHOR 1389, NË FUSHËN E MËLLENJAVE,
SHQIPTARËT KANË QENË PJESË E KOALICIONIT TË KRISHTERË KUNDËR USHTRIVE OSMANE
Në veprën e historianit otoman Mevlana
Mehmet Neshri “Treguesi i botës” (Cihan
Numaa) të analizuar dhe të botuar nga orientalisti gjerman Franc Gustav Teçner (Franz Gustav
Taeschner; i lindur në Reichenhall, më 08.09.1888 – vdes në Kipfenberg, më
11.11.1967), “Die altosmanischen Hroniken des Mevlana Mehmet Neschri”, Lajpcig 1951, bëhet fjalë
edhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës. Në faqen 71 thuhet: “Lazarit
i shkuan në ndihmë hungarezët, vllahët, çekët dhe shqiptarët...”. Në
faqen 79 ai shkruan: “Midis tyre ishte
një i pafe me emrin Jorgji (Gjergji II Balsha) i cili kishte 30 mijë ushtarë”.
* * *
Në Fushën e Mëllenjave, pak kilometra
në veri të Prishtinës, më 28 qershor 1389 u ndeshën ballë për
ballë dy palë ushtrish.
Nga njëra anë ushtritë osmane të cilat së bashku me vasalët e tyre joturq, të
udhëhequra nga sulltan Murati I,
kërkonin të pastronin rrugën për pushtimin e plotë të Gadishullit Ballkanik, në
drejtim të Evropës Qendrore.
Nga ana tjetër, forcat e armatosura të koalicionit ballkanik dhe joballkanik me në
krye princin serb Lazar, të cilat rendën për të ndaluar
marshimin e ushtrive osmane. Ushtarakisht, forcat ballkanike e humbën luftën.
Udhëheqësi i koalicionit ballkanik princ Lazari, u zu rob dhe u vra. Në
fushëbetejë e humbi jetën edhe kreu i ushtrive osmane, sulltan Murati I, me gjithë të birin Jakupin (Jakub Çelebi, Bursë, 1359 –
Fushë Kosovë, 1389). Me gjithë fitoren që korri, sulltani i ri Bajaziti I (rreth 1360 – Akshehir, 08.03.1403) e ndërpreu marshimin e
mëtejshëm. Ai u kthye në kryeqytetin e vet, në Edrene. Bajaziti I ka qenë
sulltani i katërt i Perandorisë Osmane.
Beteja e Kosovës nuk kishte karakterin e një kryqëzate
fetare, as të një ballafaqimi etnik, siç pretendojnë disa historianë serbë, të cilët, për më tepër, disfatën e kanë shndërruar në
një mit sikur të ishte një fitore e tyre.
Në Fushën e Mëllenjave nuk u ballafaquan
vetëm serbët e krishterë me turqit myslimanë por edhe kombësitë e tjera. Kundër
ushtrive osmane luftuan në radhë të parë serbët, shqiptarët, boshnjakët. Krahas
tyre morën pjesë reparte vllahe, hungareze, kroate, bullgare, çeke
dhe polake. Disa qenë ortodoksë
e disa katolikë. Po ashtu, nga pala
osmane, krahas ushtrive myslimane, kishte edhe vasalë të krishterë. Ndër vasalët serbë të sulltanit ishin edhe
princat serbë Kraleviq Marko (emri i
vërtetë Marko Mërnjavçeviq, rreth 1335 – Rovine, Vllahi/Wallachia, 17.05.1395)
dhe Konstantin Gjakoviqi.
Sipas historiografisë botërore, Beteja e
Kosovës ishte një përleshje ballkanike, një ballafaqim
qytetërimesh dhe jo fesh, më saktë një ballafaqim midis qytetërimit
evropian dhe atij aziatik.
Shqiptarët morën pjesë në Betejën e
Fushë Kosovës ashtu si edhe kombësitë e tjera të Evropës Juglindore, në kushtrimin
e shekullit, për të mbrojtur lirinë, pavarësinë, gjuhën dhe trojet e tyre, për
të mbrojtur arritjet ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore që i kishin sendërtuar
me djersë gjatë shekujve të mesjetës.
Shqiptarët e vlerësuan që në fillim rrezikun
e invadimit osman. Për këtë arsye ata morën pjesë që në përleshjet e para që u
zhvilluan në Gadishullin Ballkanik kundër ushtrive të sulltanit. Më 1371,
shqiptarët, me në krye despotin e Vlorës, qenë të pranishëm në betejën fatkeqe
që e zhvilloi koalicioni i parë ballkanik kundër tyre në Çermen, buzë lumit të
Maricës.
Më 1385, forcat shqiptare u ndeshën në
fushën e Savrës, në afërsi të Lushnjës, ku mbeti i vrarë edhe udhëheqësi i tyre
Balsha II (? – Myzeqe, Shqipëri,
08.09.1385), Balsha i Shkodrës.
Më 1387 shqiptarët, në krye me prijësin Gjergj II Balsha (? – Ulqin, prill
1403) dhanë një kontribut të madh në fitoren që korri koalicioni
serbo-shqiptaro-boshnjak kundër ushtrive osmane në Ploshnik.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në Betejën e
Kosovës në vitin 1389 nuk ishte e pa pritur. Ajo ishte në logjikën e interesave
shqiptare dhe të politikës shqiptare. Në historiografinë botërore pjesëmarrja e
tyre nuk kurrë nuk është vënë në dyshim. Atë e kanë pranuar edhe historianët
serbë të shekullit të kaluar. Por, pasi lindi shteti shqiptar në vitin 1912
dhe pasi Kosova u aneksua nga Serbia në vitin 1913, historianët serbë filluan
të mohonin pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës. Motivet
janë nacionaliste. Duan të tregojnë se Kosova në mesjetë ka qenë e huaj
për shqiptarët. Madje, dy nga flamurtarët më të flaktë të kësaj teze, akademiku
Vojislav J. Gjuriq (1912-2006) dhe
historiani / akademiku Dimitrije Bogdanoviq
(1930-1986) pohojnë pa asnjë argument se në betejën e vitit 1389 shqiptarët
kanë qenë vasalë të sulltanit.
Por burimet historike lindore e
perëndimore, osmane e bizantine, shqiptare e serbe, flasin të kundërtën. Për
pjesëmarrjen e shqiptarëve në betejën e vitit 1389, në anën e koalicionit të
krishterë kundër ushtrive osmane flasin kronikat e vjetra osmane. Kronisti i
parë osman që e përmend pjesëmarrjen e shqiptarëve në betejën e Kosovës është Shukrullahu (1386-1459). Ai shkruan se
thirrjes që e lëshoi princi serb Lazar për të luftuar kundër pushtuesve osmanë
iu përgjigjën shumë kombe. Midis tyre i përmend edhe shqiptarët. Pohimin e
Shukrullahut e mbështet bashkëkohësi i tij Enveriu.
Një tjetër bashkëkohës i tij, Oruç ben
Adil, thotë se shumë luftëtarë erdhën edhe nga “vendi i shqiptarëve”
(Arnavud ilinden). Për pjesëmarrjen e shqiptarëve në betejë dëshmon edhe kronisti
apo historiani otoman i shekullit XV Mevlana
Mehmet Neshri (1450 – Bursa, 1520) në
veprën e tij “Treguesi i botës” (Cihan Numaa).
Neshri thotë se princi shqiptar Gjergj II Balsha kishte ardhur në front me 30
mijë ushtarë. Mehmet Neshri përmend edhe një udhëheqësi tjetër shqiptar të
cilin e quan “Birin e Jundit” (Jund-ogllu). Ky është Dhimitër Jonima (? – 1409), zot i Pedhanës, krahinë midis Lezhës e
Milotit, të cilin princ Lazari e vendosi bashku me mbretin e Bosnjës, në krahun
e majtë të frontit. Nga njoftimet e Mehmet Neshrit del se në koalicionin
ballkanik merrnin pjesë edhe luftëtarë të tjerë shqiptarë, pa i dhënë emrat e
krerëve të tyre. Por, emrat e tyre dalin nga burime të tjera mesjetare.
* * *
Vepra e Mevlana Mehmet Neshrit “Treguesi i botës” (Cihan Numaa) është
analizuar dhe është botuar nga orientalisti gjerman Franc Gustav Teçner (Franz Gustav Taechner, 08.09.1888
– 11.11.1967), “Die altosmanischen Hroniken des Mevlana Mehmet Neschri”, Lajpcig 1951. Në faqen 71
të veprës flet për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës: “Lazarit i shkuan në ndihmë hungarezët,
vllahët, çekët dhe shqiptarët...”. Në faqen 79 ai shkruan: “Midis tyre ishte një i pafe me emrin Jorgji
(Gjergji II Balsha) i cili kishte 30 mijë ushtarë”.