E enjte, 24.07.2025, 09:37 PM (GMT+1)

Editorial

Ndue Dedaj: Thethi, humbësi ynë i madh

E hene, 14.07.2025, 06:58 PM


THETHI, HUMBËSI YNË I MADH

NGA NDUE DEDAJ

Nuk e kemi fituar Thethin, me ndërhyrjen e fadromave për shembjen e ndërtimeve të quajtura pa leje, e kemi humbur atë. Të paktën përkohësisht. Do të ishte ndryshe, nëse policia dhe inspektoriati përkatës do të ishin ngjitur atje për dy - tre ndërtime pa leje, bërë në vrap, kohët e fundit, kur fushata elektorale ua kishte lidhur gjuhën dhe mbyllur të dy sytë institucioneve të shtetit. Por shembjet masive të objekteve në Theth tregojnë se asgjë nuk ka qenë me leje në këtë vend, as qeveria, as bashkia, as policia, as prokuroria, as media, as shoqëria civile. Kemi dështuar të gjithë, paçka se kush më shumë e kush më pak. E vumë përpara Thethin me fadromë e përballje me uniformat blu, e ngujuam në “kullën” e tij të ekzistencës historike, ia humbëm mitin e krijuar që në vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur e zbuluan të huajtë si një kryemrekulli shqiptare, amerikanët, italianët, austriakët etj., si dhe zotnitë e Shkodrës, që venin atje për pushim e kurim. U bëmë të gjallë vetëm pas “stuhisë”. Zakoni ynë ky është, shpërthejmë pasi na ka plasur në duar “bomba” sociale. Reagimi ynë vjen gjithnjë mbasi e keqja ka ndodhur. Kurse bota moderne dallon prej nesh, për të kundërtën, ajo ka vetëdijen dhe fuqinë ta parandalojë atë që në embrion.

Thethi si pasuri e rrallë kombëtare nuk është vetëm i shtetit, bile as vetëm i shqiptarëve. Kush nuk ka qenë në Theth, gjithë këto kohë? Kemi pasur rastin ta vizitojmë që para 45 vitesh, kur ishim studentë, duke marrë udhën për atje vit pas viti, sidomos mbas rindërtimit dhe asfaltimit të rrugës nga Qafë – T’thorja në Ndërlysaj, që ishte gjëja e duhur. Duhet të ketë mbërritur në disa milionë numri i vizitorëve dhe turistëve të Thethit dhe sa të tjerë e kishin atë në axhendën e këtij viti, për atë çka ai vend ofron: peizazhin e pazakontë alipin, baritor si askund tjetër, lumin e Shalës, burimet si “sy të kaltër”, vaskat shkëmbore, pyjet e ahut, qafat e “dhenëve”, majat e larta qiellgërvishtëse, grykat e thella e honet me dëborë edhe në verë, shtigjet malore deri në Valbonë e Curraj-Epër, kullat autentike dhe njerëzit që i japin kuptim asaj natyre, që jo rastësisht ka hyrë në të gjitha guidat e botës etj.

Duhet ditur nga të gjithë dhe shqiptuar fort, asnjë qeveri nuk do të mund të ngjiste në Theth aq shumë turistë, por ishin njerëzit e paepur të atij vendi, që dhe kur shkuan jashtë vendit si emigrantë, mendjen e kishin të ktheheshin e të investonin në vendlindje, çka dhe e bënë. Ka një çerek shekulli që Thethi ka nisur t’i kthejë kullat në bujtina, duke u përpjekur të bëjë më të mirën e turizmit familjar, fillimisht dhe me mbështetjen e GIZ-it. Gjatë gjithë kësaj kohe, qeveritë nuk arritën t’i paraprinin me vizion, projekte, subvension turizmit malor. Banorët ishin gjithnjë një hap para shtetit në ushtrimin dhe promovimin e kësaj zeje të re, që dalëngadalë po shndërrohej në industri, ku doemos dhe mund të jetë tepruar aty-këtu, por shteti nuk ishte në kohën dhe në vendin e duhur për të parandaluar paligjshmërinë e dikujt, që ajo të mos bëhej paligjshmëri e disave, apo “kolektive”. Shteti nuk u ndje, diku për paaftësi të institucioneve, diku për korruptim të zyrtarëve, diku për përdorim elektoral të gjobave të vëna, kinse duke i “falur” ato me një fjalë goje të kreut të qeverisë; çka do të kishte qenë me vend të ndodhte, por në rrugë ligjore, nga Kuvendi i Shqipërisë. Nuk është rastësi ajo që ka ndodhur atje, por ka munguar për shumë vite akordi i nevojshëm ndërinstitucional, pasi Thethi deri para katër vitesh ishte në administrimin e një bashkie të djathtë, që nuk ishte e qeverisë së majtë!..

Tani që hyri fadroma, ç’vlerë kanë fjalët! Thethianët janë të shokuar. Drama e tyre ndodhi këtë korrik të nxehtë, kur nuk pritej “furtunë”, pasi të gjithë mendonin se ajo tashmë kishte kaluar. Kuptohet, turizëm me gardhe nuk ka, por gardhet që banorët patën venë gjithandej në arat e livadhet e veta, ne si shoqëri nuk arritëm t’i hiqnim me qytetari e ligj, duke u njohur atyre pronën dhe të drejtën për të ndërtuar me rregulla në tokën e të parëve.

Ama bashkë me Thethin humbëm dhe Paketën e Maleve të qeverisë, pasi kur nuk kanë “besën” e shtetit me ndërtue banorët në tokën e trashëguar gjysh mbas gjyshi, si do ta kenë këtë siguri ata që vijnë nga larg për të investuar në bjeshkët dhe alpet shqiptare? Për fat të keq deri tash përvoja ka treguar se këtë “besë” e kanë vetëm ata që quhen oligarkë e që siç dihet janë të favorizuarit e qeverisë në tendera e çdo gjë. Por, me këtë rast, nuk dimë nëse kemi humbur apo fituar dhe Lurën, Voskopojën, Dhërminë? E vërteta është që shteti nuk e ka caktuar “vijën e verdhë” as në kryeqytet, jo më në Theth! Ky është problemi ynë. Askush nuk e di se ku dhe si duhet dhe mund të ndërtojë. Në këto kushte, përfiton ai që është më i fortë. Mjafton të shohësh se si është bërë bregdeti, pa pasë akund një vijë të hedhur në hartë se ku lejohet dhe ku ndalohet ndërtimi. Si nën zë thuhet se tash që qeveritarët mbaruan punë me detin, i kanë kthyer sytë nga malet, për t’i bërë dhe ato “pjellore” si… bregdetin!?

A ka zgjidhje kjo situatë e rënduar nga Vlora në Theth? Doemos që ka, e para gjë është që shteti t‘u njohë banorëve tokën në pronësi, duke u dhënë çërtifikatat e stërpremtuara tash tridhjetë vjet. Njerëzit me tokën në tapi qysh prej Lekë Dukagjinit, nuk mund të quhen në “tokë të xanun”. Kjo është një metaforë absurde, e përdorur së prapthi. Janë ata që ua pati “xanë” (tjetërsuar) tokën reforma agrare, koolektivizimi, shteti komunist dhe nuk po arrinë t’ua kthejë as qeverisja demokratike.

Për fat të keq, bota malësore, e pashprishur në indin e vet të lashtë europian, nuk është kuptuar asnjëherë nga zyrat e larta të kryeqytetit, shtetarët dhe nëpunësit, të cilët, në vend që të silleshin me njerëzit sipas kodit të tyre të marrëveshjes, që është kuvendimi me ta sy në sy, u kanë treguar atyre herët e vonë forcën, dikur atë të grushtit e yllit të kuq, sot të fadromës. Përtej rastit “Thethi”, shteti nuk ka dëshmuar devotshmëri, përkushtim dhe përgjegjshmëri ndaj trashëgimisë historike kombëtare dhe sidomos ndaj pasurive natyrore: male, lumenj, minerale etj.

Veçanërisht zona alpine është ende një areal për t’u zbuluar e vlerësuar. Ka aq shumë rapsodi, histori e rrëfime, vjersha e poema të autorëve të njohur, nga Fishta e Koliqi te Camaj e Pllumi, që dëshmojnë vitalitetin e pashoq të malësorëve të Dukagjinit, aq më tepër, bijtë e nipat tyre, që kanë dhe kulturën e vendeve perëndimore…



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx