| E diele, 03.08.2025, 06:59 PM |
Populli shqiptar nxiton të heqë qafe mbeturinat e fundit të Lirisë
Nga
Agron Tufa
Në
thelb, Shallvarja me dyzet kut pëlhurë, po përpiqet të ligjërojë Qesëndinë si
krim politik, - një praktikë që njihet mirë në federatën autokratike ruse, në
regjimin represiv të Bjellorusisë apo në Turqinë e Erdoganit, ku mijëra
qytetarë janë ndëshkuar për “fyerje ndaj presidentit”. Dhe sot, Shqipëria e Shallvares — në një moment kur i ka
asfiksuar de facto liritë, nxiton ta konsakrojë dhe de jure — po përkthen
mekanizmin e censurës në gjuhën e saj zyrtare.
Shallvarja
ka ndërmend të njëjtësohet ligjërisht si simbol kombëtar (“mbrojtje e simboleve
kombëtare”). Në thelb ai përbën një hap
të drejtpërdrejtë drejt shpartallimit të lirisë së shprehjes, një nga shtyllat
themelore të çdo demokracie funksionale. Nëse ky ndryshim miratohet, ai nuk do
të shërbejë për të mbrojtur autoritetin e institucioneve, por për të shtypur
çdo opozitë politike e civile dhe zërin e qytetarit kritik, për të ngrirë
ironinë, satirën, protestën, për të ngritur një mur ligjor midis pushtetit dhe
popullit.
Shallvares
me dyzet kut pëlhurë pushtet, nuk i intersen mbrojtja e simboleve. Një
përdhosësi të gjithçkaje, nuk i plas për simbole, përpos se për t'i tallur. Dhe
këtë po bën dhe jua them: do ta arrijë. Ngjashëm me sivëllezërit e tij Putin,
Llukashenko e Erdogan.
Shallvarja
po ndjek hapat e diktatorëve paraardhës ku u miratuan këto lloj ligjesh:
Rusia
Në
vitin 2012, Rusia riktheu kriminalizimin e shpifjes në Kodin e saj Penal, pas
një periudhe dekriminalizimi. Ligji ndalon shpifjen dhe fyerjen e figurave
shtetërore, duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo ka çuar në ndjekje
penale të individëve që kritikojnë autoritetet, duke shkelur lirinë e
shprehjes.
Bjellorusia
Në
Bjellorusi, ligjet për shpifjen dhe fyerjen janë përdorur për të ndëshkuar
kritikët e qeverisë. Për shembull, neni 368 i Kodit Penal ndalon fyerjen e
Presidentit, me dënime që mund të arrijnë deri në pesë vjet burg. Këto ligje
janë përdorur për të persekutuar gazetarët dhe aktivistët politikë.
Turqia
Në
Turqi, neni 299 i Kodit Penal kriminalizon fyerjen e Presidentit, me dënime që
variojnë nga një deri në katër vjet burg. Ky nen është përdorur për të ndjekur
penalisht individë që kritikojnë Presidentin, përfshirë gazetarë dhe qytetarë
të zakonshëm. Një shembull i njohur është rasti i Merve Buyüksaraç, ish-Miss
Turqia, e cila u dënua për një poezi satirike që ajo postoi në Instagram.
Shqipëria
Në
Shqipëri, për shembull, neni 55 i Kodit Penal gjatë periudhës komuniste
kriminalizonte shkanë ose dhe aludimin si të tillë ndaj ndonjë teme tabu, një
praktikë terroriste, shtypëse. Hierarkët e saj ishin parardhësit e PS dhe të
Shallvares. Por të jemi të qartë, Shallvares nuk ia ndjen për ideologjinë, për
për mekanizmin e kontrollit dhe shtypjes. Prandaj po e rikthenin nenin
"55" të etërve të tij.
Populli
shqiptar, masa, është zhgënjyer me lirinë, e urren në kockë atë dhe nxiton të
heqë qafe sa më parë mbeturinat e fundit të saj. Njerëz si puna ime, dmth., si
ju, janë tejet të urryer. Andaj do të jenë grushtbashkuar rreth Shallvares.
Populli pret sa më parë t'ia stampojë kafkën dhe profilin në një monedhë. Thonë
se po bëhen provat e para për emetimin e monedhës së ardhshme me tullën e
Shallvares...