E premte, 01.08.2025, 04:35 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Ujmani dhe mendjet e mykta patriotike

E enjte, 31.07.2025, 07:10 PM


Ujmani dhe mendjet e mykta patriotike

Nga Ndue Ukaj

Mendje të mykta politike, çdo tragjedi njerëzore e shfrytëzojnë si aset patriotik për ta fshehur pisllëkun e tyre politik.

Kosova sot është zhytë në pisllëk të madh dhe kundërmon.

Sepse, mendjet e mykta e kanë vërshuar Kosovën, prandaj, vendin tonë e ka mbuluar smogu i tmerrshëm patriotik, një pështjelli e madhe, që njerëzve iu ka humbë shikimin, dhe, siç dihet, në mjegull e smog nuk shquan asgjë qartë.

Ndërkaq, emëruesi i përbashkët i krejt kësaj atmosfere negative shoqërore sot është pasiguria që është mbjellë në secilën pore të jetës sonë shoqërore.

E dëgjon prej politikës.

E dëgjon prej profesionistëve.

E dëgjon prej afaristëve.

E dëgjon prej të rinjve.

E dëgjon prej adoleshentëve.

E dëgjon kudo.

Në kafe.

Në vende pune.

Në ahengje.

Sepse, frika prej pasigurisë politike është një gjendje e tmerrshme njerëzore, që prodhon ankth, shqetësim, njerëz të frustruar, shëmti, dhe për pasojë, vyshkje të jetës.

Në Kosovë, sot, nuk flitet për zhvillim, për demokraci, për cilësi arkitektonike, runa Zot për cilësi demokratike - ky togfjalësh është abortuar prej nesh dhe iket prej tij si prej djallit - nuk flitet për integrime shqiptare, siç fliste dikur Rugova, kurse integrimet euro-atlantike, janë një kamuflazh e madhe, nën pëlhuren e të cilës, punohet përditë, për ta larguar Kosovën prej orbitës së perëndimit.

Këtu, flitet për Ujmanin, veriun, ushtrinë...sepse, këto tema janë asete për të fshehë pisllëkun politik, abuzimet e përditshme me pushtetin dhe për të fshehë diktaturën e tmerrshme të injorancës politike.

E vërteta është se në Kosovë sot ka bllokadë dhe përballë saj, po ta përdorim alegorinë e Orwellit, ka derra të kënaqur, që kanë veshë teshat e pushtetit dhe flenë rehat në shtrate të buta, pa çarë kokën për goditjet e përditshme që ia bëjnë vendit.

Po, Kosova sot është një vend ku kryefjalë është bllokada: një vend nën sanksione, ku asnjë urë komunikimi njerëzor nuk është lënë pa u rrënuar.

Në fakt, po, një urë mirëmbahet kujdesshëm dhe përditë: ura e marrëzisë dhe diktaturës së injorancës, që ka lëshuar rrënjë kaq thellë.

Vendi ynë ndodhet në një ngërç të tmerrshëm politik, për rrjedhojë edhe ekonomik, me çmime që i konkurrojnë krejt Europës dhe me standarde të këqija politike që po ashtu i konkurrojnë krejt botës.

Kjo gjendje në të vërtetë nuk ka lidhje me krizën, se kriza supozon njëlloj vetëdije për një gjendje shoqërore.

Kjo gjendje ka tiparet e një çrregullimi shoqëror, për mua, kjo është një sëmundje e rrezikshme, përballë së cilës duket se nuk ka as farmaci e as dëshirë për kurë.

Natyrisht, vulën e fajit për këtë tragjizëm shoqëror e kanë udhëheqësit e këtij vendi, ato mendje imbicile e të droguara me ideologji, por, siç na dëshmon historia, një e keqe bëhet e madhe, vetëm atëherë kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë.

Prandaj, ndodh që një ngjarje tragjike, siç ishte mbytja e një njeriu në Ujman të shfrytëzohet për interesa tribale politike. Ama që operacioni i FSK-së nuk ka lidhje me patriotizëm, këtë e di secila mendje që di i di shkronjat dhe di të numëroj deri në 10 ama kjo nuk vlen për mendjet e droguara politike.

Imagjinojeni: kufijtë e Kosovës i siguron NATO-ja dhe këtu, ka parehati për këtë realitet, në vend se të kishte lumturi, po, ka plot idiotë, të marrë e të çmendur, që nuk janë të kënaqur me këtë.

A ndërkohë, këto ditë, Gjermania është tejet e shqetësuar se prej vendit të saj mund të largohen trupat amerikanë.

Nejse, fundërrinat tona politike nuk njohin asnjë parim e nuk ushqehen prej asnjë vlere humane.

Dihet, njerëzit më keqbërës dhe më të neveritshëm në historinë njerëzore, nuk janë kriminelët ordinerë, ata që për hesape të caktuara, kryejnë krime, njerëzit më keqbërës dhe më të neveritshëm në historinë njerëzore janë ato që promovojnë e propagandojnë ide të këqija, ata njerëz që vishen me petka politik, pa vlera, dhe pushteti i stërkeq aq shumë sa i shpërfytyrohen.

Historia njerëzore njeh përplot fundërrina të tilla.

Por, edhe historia jonë ka plot fundërrina të tilla.

Një e vërtetë bërtet dhe ka të nevojë të dëgjohet si kambanë paralajmërimi: problemi i vendit tonë nuk është veriu, nuk është Serbia, nuk janë serbët, por mendjet imbicile të Prishtinës, që nuk kanë as ide, as vizion e as vullnet t’i zgjedhin çështjet politike përmes dialogut, janë mendjet që përshtaten me të keqen lehtësisht, janë ata që i mbyllin porta e vetme që njeh demokracia: portat e dialogut.

Pushteti në Kosovë, i ka mbyllë portat e dialogut, dialogut të brendshëm dhe të jashtëm, prandaj, këtij pushteti i duhet smogu patriotik, por, njerëz, krijoni kamp kundër kësaj dergje, krijoni antiturpa kundër këtij virusi helmues.

Për të dalë prej këtij smogu, me urgjencë duhet një refuzim estetik. Përndryshe, vendi ynë po asfiksohet.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx