E premte, 01.08.2025, 04:35 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Ideja e Serbisë së Madhe shkaktare e tragjedive në rajon

E enjte, 31.07.2025, 06:59 PM


IDEJA E SERBISË SË MADHE SHKAKTARE E TRAGJEDIVE NË RAJON

Nga Xhelal Zejneli

Ideja e krijimit të Serbisë së Madhe zgjatë gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, që nga Dositej Obradoviqi (1739/1742 – 1811) dhe Vuk Karaxhiqi (1787-1864) deri në ditët tona. Rreth 250 vjet. Me Serbinë e Madhe, me këtë murtajë të zezë të Ballkanit, janë marrë intelektualët serbë, shkrimtarë, poetë, historianë, gjeografë, dijetarë, profesorë universiteti, themelues akademish, anëtarë akademie, politikanë dhe shtetarë të nivelit më të lartë, kryetarë qeverie, kryeministra, kryetarë shteti, princër, mbretër, dinasti serbe. Një pjesë e inteligjencies serbomadhe është shkolluar jashtë Serbisë, në Vjenë, në Paris, në Gjermani dhe në Rusi. Serbia e Madhe nënkupton pushtimin e territoreve të Kroacisë, të Bosnjës dhe Hercegovinës, të Malit të Zi, të Maqedonisë. Nënkupton pushtimin e trojeve shqiptare, Kosovën, viset shqiptare jashtë Shqipërisë, një pjesë të Shqipërisë, sidomos atë veriore. Serbia e Madhe nënkupton Vojvodinën nën Serbi. Nuk lë pa prekur edhe pjesë nga Bullgaria, nga Rumania. Pas krijimit të saj, serbomëdhenjtë parashikojnë pastrimin etnik të territoreve, dëbimin e popujve joserbë. Serbia e Madhe është lëndë mësimore, madje jo vetëm në orën e historisë, në sistemin serb të arsimit: në arsimin fillor, në arsimin e mesëm dhe në atë universitar. Është në plan-programet mësimore të të gjitha cikleve të arsimit. Serbia e Madhe ka qenë kriter i pseudo-intelektualëve serbë që të tregohen atdhetarë dhe patriotë. Si të tillë, ata kanë fituar vizë për t’u bërë edhe anëtarë të Akademisë Serbe. Edhe sot, në dhjetëvjeçarin e tretë të qindvjeçarit XXI, në Evropë, kriter për t’u bërë anëtar i Akademisë është të jesh antikroat dhe antishqiptar. Raportet e mira ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve u pengojnë serbëve. Ata thonë: “Vraje kroatin që shqiptari të mos ketë vëlla” (Ubij Hrvata da Shiptar nëma brata). Serbët vuajnë pse s’kanë det. Ëndërr e madhe e projektuesve të Serbisë së Madhe është dalja në det. Daljen në Adriatik e kanë paramenduar duke aneksuar Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinë, duke pushtuar një pjesë të Kroacisë dhe të Shqipërisë. Serbia kurrë s’ka për të dalë në Adriatik. S’e kanë lejuar dhe kurrë s’kanë ç[r ta lejuar Fuqitë e Mëdha historike të Evropës – Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Austria, Franca. Sot një gjë të tillë kurrë s’ka për ta lejuar ShBA-ja. Serbia është e vogël për të parë ëndrra të mëdha. Serbia është e vogël për të krijuar Serbi të Madhe. Sipas serbomëdhenjve, “s’ka luftë ku s’kanë marrë pjesë serbët. Gjithmonë në anën e drejtë të historisë, gjithmonë në anën e fitimtarëve. Askush s’ka dhënë viktima sa serbët”. Po qe se në një luftë kanë humbur dhjetë mijë ushtarë apo civilë, këtë shifër serbët ia propagandojnë botës si njëqind mijë të vrarë.

Pjesëmarrjen në luftë, vuajtjet dhe pretendimin për dalje në det serbët e këndojnë në këngë:  “Atje larg, larg mu pranë detit, atje është fshati im, atje është dashuria ime, atje është Serbia.” Është këngë nga koha e Luftës I Botërore. Këngën e këndon ushtari serb në Korfuz, pas kalimit të mundimshëm nëpër Shqipëri. Kënga këndohet në disa variante. Më 25 korrik 2025 e këndoi edhe kryetari i Serbisë Vuçiqi.

Ideologjinë e Serbisë së Madhe duhej ta kishin parandaluar Fuqitë e Mëdha historike të Evropës. Në momente historike të caktuara ato e kanë toleruar Serbinë, madje edhe e kanë shpërblyer. Serbia është shpërblyer prej Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Serbia është mbështetur nga Rusia, nga Franca dhe nga Britani e Madhe. Parisi e ka mbështetur Jugosllavinë e Versajës të themeluar në vitin 1918. Kjo krijesë artificiale me dominim total serb, është quajtur burg i popujve. Gjermania nuk ka mundur ta ndalë Serbinë e Madhe ngase ka qenë humbëse e dy luftërave botërore. Ideja e Serbisë së Madhe ka shkaktuar tragjedi në Ballkan. Edhe sot paralajmëron gjakderdhje. Serbomëdhenjtë nuk duan ta pranojnë realitetin e ri në rajon. Serbia e Madhe sot shfaqet si Botë Serbe. Kjo shprehje është sinonim i Serbisë së Madhe. Idenë e Serbisë së Madhe gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re e ka mbështetur Rusia. E mbështet edhe sot.

Serbia e Madhe nuk është tjetër pos ekspansion, pushtim, hegjemoni, shfrytëzim, kolonializëm, shtypje dhunë, dëbim, shpërngulje, depërtim, arrestim, procese gjyqësore, dënime drakonike, vrasje, tortura, milicë, policë, xhandarë, gjyqtarë, hetues, hetuesi, dëshmitarë të rrejshëm, procese të montuara, burgje, qeli burgu, birucë, gardianë, izolime, sharje, fyerje, shantazhe. S’bëhet demokratik një vend që të keqen e ka të përfshirë në plan-programet mësimore, në njësitë mësimore me të cilat i ushqen nxënësit dhe studentët. Është turp për cilindo shtetar të botës t’ia shtrëngojë dorën kryetarit të Serbisë Vuçiqit, i cili, tok me bashkëpunëtorët e vet e ka vendin në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë që të përgjigjet për krime kundër njerëzimit.

Sot e kësaj dite Beogradi ushtron gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Brukseli hesht.

Kalon shqiptari nëpër Serbi, në rrugën për në Gjermani, xhandarët serbë e arrestojnë dhe e akuzojnë si ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Brukseli përsëri hesht.

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, Uashingtoni, Londra, Berlini dhe Parisi duhet t’u japin fund investimeve ekonomike në Serbi. Me investime të tilla e ushqejnë të keqen.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx