Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Bombardimi bërthamor i Hiroshimës dhe i Nagasakit
E diele, 10.08.2025, 01:56 PM
BOMBARDIMI BËRTHAMOR I HIROSHIMËS DHE I NAGASAKIT
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Bombardimi bërthamor i
qyteteve japoneze Hiroshimës dhe Nagasakit ndodhi më 6 dhe 9 gusht 1945.
Bombardimin e miratoi presidenti i ShBA-së Hari S. Truman (Harry S.
Truman; Lamar, Missoury, ShBA, 08.05.1884 - 26.12.1972, Research Medical Cenetr,
Kansas City, Misssouri). Bombardimin e kreu Flota Ajrore Luftarake e ShBA-së.
Me këtë rast, për herë të parë në histori u përdor në luftë arma bërthamore.
Vetë akti i bombardimit edhe sot është i diskutueshëm, edhe pse me aktin e
sipërthënë Lufta e Dytë Botërore përfundoi.
* * *
Pas kapitullimit
të Gjermanisë dhe të Italisë, Japonia mbeti i vetmi shtet i Boshtit (Romë-Berlin-Tokio)
e cila vazhdoi të luftonte dhe të planifikonte pushtime të mëtejme
imperialiste, edhe pse pothuajse 60% e qyteteve të saj të mëdha ishin shkatërruar.
Në qershor të
vitit 1945, Interim Committee i ShBA-së propozoi përdorimin e armës bërthamore të
përkryer kundër industrisë ushtarake të
Japonisë. Përveç kësaj, vetëm me rastin e pushtimit të ishullit japonez Okinava (Okinawa) u vranë rreth 12.500 ushtarë të Forcave Aleate, kurse në tërë
zonën e Oqeanit të Qetë, qenë vrarë mbi 70.000 ushtarë.
Këto shifra gjithnjë më tepër e shqetësonin publikun
amerikan i cili nuk dinte edhe sa do të zgjaste lufta dhe sa do të jenë humbjet
e Fuqive Aleate, po qe se ShBA-ja vendos të kryejë invadimin në Japoni.
Më 16 korrik 1945 u krye prova e parë e suksesshme e
bombës atomike në shkretëtirën Nju-Meksiko (New Mexico). ShBA-ja i propozoi
qeverisë japoneze të kapitullojë, por ajo nuk u pajtua. Si rrjedhojë, presidenti
Truman urdhëroi përdorimin e bombës atomike. Zgjedhjen e objektivave që do të
goditeshin ia la në dorë gjeneralit Karl
Spac (Carl Andrew Spaatz, i njohur me nofkën “Tooey”; lindi në Boyertown,
Pensilvani, ShBA, më 28.06.1891 – vdiq në Uashington D.C., më 14.07.1974).
Ndonëse disa eprorë i sugjeronin Trumanit që bombën
atomike ta hedhë në ndonjë zonë të pabanuar, për t’ia bërë me dije Japonisë se
sa vdekjeprurëse është kjo armë e re, të tjerët kërkonin prej tij që bomba të
hedhet pa paralajmërim në ndonjë qytet.
*
* *
Bombardimet – Hiroshima
ishte një prej pak qyteteve që nuk qenë bombarduar me armë konvencionale. Por,
ishin propozuar edhe objektiva të tjerë., si Kyoto, Yokohama, Niigata, madje
edhe pallati perandorak në Tokio.
Në atë kohë
Hiroshima ka pasur 255.000 banorë. Ka qenë shtatmadhori kryesore e gjeneralit Shunroku
Hata (Fukushima, Japoni, 26.07.1879 – Tokio, 10.05.1962) i cili ka qenë i
ngarkuar për mbrojtjen e pjesës jugore të shtetit, por shumica e popullsisë së
Hiroshimës kanë qenë civilë.
Më 31 korrik
1945, ShBA-ja e përgatiti bombën me
uranium “Little Boy” (“Vogëlushi”), të rëndë 4 tonë dhe të
gjatë 3 metra.
Prej ishullit
të vogël Tinian që ndodhet në
perëndim të Paqësorit, më 6 gusht 1945, në orën 2:45 të mëngjesit, i shoqëruar
edhe prej dy bombarduesve B-29 që ishin të pajisur me pajisje për shënim, me
fotoaparate dhe kamera, fluturoi bombarduesi i quajtur Enola Gay. Në vend të ngarkesës së zakonshme të bombave dhe të
armëve konvencionale, në depon e vet mbante vetëm një bombë që peshonte 4090 kilogramë.
Destinacion i këtyre aeroplanëve ishte Hiroshima e cila ndodhej gjashtë orë larg vendit prej ku u nis
bombarduesi dhe përcjellësit e tij.
Në orën shtatë
sipas kohës lokale, radarët japonezë
kanë zbuluar tre aeroplanë dhe kanë ngritur alarm, por e kanë ndërprerë alarmin
duke menduar se aeroplani fluturon aq lartë ngase nuk është veçse një fluturake
vëzhguese.
Nga një
lartësi prej 9.450 metrash Enola Gay, në orën 8:15 të mëngjesit
(tetë e pesëmbëdhjetë minuta) e hodhi bombën atomike e cila eksplodoi në lartësi prej 580 metrave
Nga eksplodimi
dhe nga stuhia e zjarrtë e krijuar humbën
jetën midis 70.000 dhe 80.000 vetave, apo rreth 30% e njerëzve. Prej
pasojave të bombardimit vdiqën edhe 70.000 të tjerë. Temperatura e tokës
pranë qendrës së eksplodimit apo të shpërthimit arrinte deri në 5000 °C. Vala goditëse e fuqishme, me shpejtësi
800 km/h si dhe stuhitë e flakës, në një hapësirë prej 12 kilometrave katrorë, asgjësuan pothuajse çdo gjë. Shpërthimi shkaktoi edhe re
të nxehtë në formë kërpudhe pluhuri dhe grimcash, të lartë 15.250 metra. Tymi në formën e kërpudhës shihej nga një largësi
prej 560 metrave. As vetë ekuipazhi i
mjetit ajror nuk i dinte përmasat e pasojave të eksplozionit.
*
* *
Në fillim,
qeveria dhe strukturat ushtarake të Japonisë nuk dinin se ç’kishte ndodhur. Më
vonë, pas paralajmërimit të ShBA-së, u menduan dhe treguan gatishmëri për të
kapitulluar, por me kushte të caktuara.
Si përgjigje,
ShBA-ja më 9 korrik 1945 e hodhi bombën tjetër atomike, tani në qytetin Nagasaki. Në fillim, objektiv duhej
të ishte qyteti Kokura, por për shkak të motit të ligë, u vendos që shënjestër
e re të jetë Nagasaki. Në orën 11:02 bomba “Fat Man” (“Trashamani”)
u hodh. Shënjestër kryesore ishte koncerni Mitsubishi, por bomba e dështoi për
më tepër se 2 km. Goditja shkatërroi gjysmën e qytetit. Bomba eksplodoi në lartësi prej 470 metrash dhe vrau 22.000 veta, kurse prej pasojave të rrezatimit vdiqën edhe
39.000 të tjerë. Janë bërë fotografime të Nagasakit, para bombardimit dhe
pas tij.
Për të parandaluar edhe bombardimin eventual të tretë,
Japonia vendosi të kapitullojë pa kusht.
Me këtë, Lufta e Dytë Botërore mbaroi. Vlerësohet se prej shpërthimit dhe valës
goditëse kanë humbur jetën të paktën
78.000 veta. Rigat e zeza të shiut që binin më vonë dhe përhapnin rrezatim,
morën edhe jetë të tjera njerëzish. Sipas vlerësimeve të Japonisë të vitit
1968, në Hiroshimë, menjëherë pas shpërthimit apo brenda pesë viteve, prej
sëmundjeve të shkaktuara nga rrezatimi kanë
vdekur 250.000 banorë. Shumë prej të mbijetuarve vdiqën më vonë prej
pasojave të bombardimit, siç janë kanceri
dhe leukemia. Me fjalë të tjera.
askush s’e di saktë se sa viktima ka marrë hedhja e bombës atomike.
* * *
Bombardimit të Nagasakit
i mbijetoi mjeku katolik japonez Takashi
Nagai (Matsue, Shimane, Japoni, 03.02.1908 – vdiq në Nagasaki University
Hospital, Nagasaki, më 01.05.1951). Në përvjetorin e parë të rënies së bombës
atomike shkroi librin “Kambanat e
Nagasakit”. Libri u popullarizua në shumë vende të botës. Sipas tij u
xhirua filmi japonez me të njëjtin emërtim.
* * *
Debati lidhur me justifikimin e
bombardimit – Qëndrimi zyrtar amerikan ishte: “Patjetër të ndërmerrej bombardimi atomik i Japonisë për arsye se
pushtimi i saj nga forcat tona do të merrte numër të madh viktimash.”
Mbështetësit e sulmit atomik po ashtu rikujtonin
urdhrin që e kishte lëshuar më 1 gusht 1944 Ministria e Mbrojtjes e Japonisë në
të cilën kanosej se do të pushkatonte mbi 100.000 ushtarë të aleatëve të zënë rob,
në rast zbarkimi të forcave ushtarake amerikane në tokën japoneze.
Disa historian thonë se ShBA-ja ka dashur përfundimin
e shpejtë të luftës për t’iu shmangur në këtë mënyrë depërtimin sovjetik në Lindje.
* * *
Kundërshtarët e
përdorimit të bombës atomike ndaj Japonisë – Disa kritikë thonë po ashtu se as nga pikëpamja
strategjike ushtarake nuk ka pasur arsye për përdorimin e bombave atomike. Bombardimet
dhe shkatërrimet e mëdha të qyteteve japoneze tashmë e kishin shkatërruar
industrinë ushtarake dhe prodhimin ushqimor deri në atë masë saqë kishin ardhur
në gjendje kritike. Kësaj duhet t’i shtohet edhe shpallja e luftës Japonisë nga
Bashkimi Sovjetik. Tanimë s’bëhej fjalë në ishin japonezët të aftë për ta
vazhduar luftën. Ata nuk mund të luftonin më për shkak të mungesës së armëve
dhe të ushqimit.
Kritikët e bombardimit atomik pohojnë
se Japonia përpiqej t’i fillonte bisedimet për kapitullim, por amerikanët i
patën injoruar.
Në vend të kësaj, e përdorën armatimin
atomik, më së shumti për t’i trembur armiqtë e ardhshëm - Bashkimin Sovjetik.
Po ashtu vlerësohet se ShBA-ja nuk ka dashur që sasi të mëdha financiare të
investuara në projektin Manhattan të shkojnë kot pa u përdorur arma e re.
Një prej kritikuesve të armës atomike ka qenë edhe fizikani
gjerman, zviceran dhe amerikan me prejardhje hebraike Albert Ajnshtajn (Albert Einstein; lindi në Ulm, Gjermani, më
14.03.1879 – vdiq në Princeton, New Jersey, ShBA, më 18.04.1955). Ai më herët,
nga frika se nazistët do të mund të
bënin bombë atomike, bashkë me fizikanët e tjerë të shquar nënshkroi letrën me
të cilën i kërkohet presidentit të ShBA-së Delano
Franklin Ruzvelt (Delano Franclin Roosevelt, ) që ta përkryejë armatimin
atomik Kur më vonë e ka parë shkretinë
dhe shkatërrimet në vendin e bombardimeve atomike, ka ndërruar mendje. Kritikues
të përdorimit të armës atomike ndaj Japonisë kanë qenë edhe gjeneralët
amerikanë Daglas MekArtur dhe Dvajt David Ajsenhauer.
Shënim: Daglas
MekArtur (Douglas MacArthur, lindi në Little Rock, Arkansas, më 26.01.1880
– vdiq në Walter Reed Army Medical Center, më 05.04.1964);
Dvajt D. Ajsenhauer (Dwight David Eisenhower; lindi në
Denison, Teksas, ShBA, më 14.10.1890 –
vdiq në Uashington D.C. më 28.03.1969) kanë qenë gjeneral dhe politikan
amerikan. Në vitet 1952 dhe 1956 u zgjodh president i shtetit. Është autor i
kujtimeve “Lufta për çlirimin e Evropës” (Kryqëzata
në Evropë / Crusade in Europe, 1948) dhe “Prej
invadimit deri në fitore” (From invasion to victory).
* * *
Komisioni i viktimave të bombës
atomike – Komisioni i viktimave të bombës atomike (Atomic Bomb Casualty Commission – ABCC) u themelua në vitin 1946 në përputhje me
direktivën e presidentit Hari S. Truman (Harry S. Truman). Qëllimi i vetëm i
Komisionit ishte hulumtimi i të
mbijetuarve pas bombës atomike, ngase besonin se nuk do të kenë më një
mundësi të tillë deri në një luftë të ardhshme botërore. Për këtë arsye, ky
komision hulumtonte shëndetin e hibakushëve
(personave që e kishin mbijetuar
bombardimin atomik të Hiroshimës dhe / ose të Nagasakit), por nuk i mjekonte.
Liderët amerikanë konsideronin se mjekimi i hiberkushëve do të paraqiste
pranim të përgjegjësisë për lëndimet e tyre. Si rezultat i kësaj, hibakushët
trajtoheshin si lepuj eksperimentalë të komisionit. Komisioni u përqendrua edhe
në lagjen Nishiyama të Nagasakit. Midis hipoqendrës dhe Nishiyamës
ngriheshin malet që e kanë penguar ardhjen e rrezatimit dhe të nxehtësisë së
shpërthimit deri në Nishiyamë dhe nuk janë shkaktuar dëme. Mirëpo, si pasojë e rënies së
hirit dhe të shiut, u konstatua se megjithëkëtë ka pasur rrezatim. Për këtë
arsye, pas luftës janë kryer kontrolle shëndetësore, pa e njoftuar popullsinë
për qëllimin e tyre. Në fillim, kërkimet në Nishiyamë i kryente ushtria
amerikane, por më vonë iu lanë komisionit. Disa muaj pas bombardimit atomik, te
njerëzit e Nishiyamës u konstatua rritje e konsiderueshme e numrit të qelizave të bardha të gjakut. Te
kafshët, leukemia mund të zhvillohet
pas ekspozimit të tërë trupit, prandaj donin të hulumtojnë se ç’ndodh te
njerëzit. Pas marrjes gojore të materialit
radioaktiv, te njerëzit u zbulua edhe osteosarkomi.
Sipas raportit
të hartuar nga Komisioni, banorët e lagjes së Nishiyamës të cilët nuk kanë qenë
të goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bombardimi atomik, kanë qenë
popullatë ideale për t’i parë efektet e rrezatimit të mbetur.
ShBA-ja e
vazhdoi analizën e rrezatimit të mbetur pasi Japonia u bë e pavarur, por banorët e Nishiyamës kurrë
nuk njoftuan me rezultatet. Si rezultat i kësaj, pas Luftës së Dytë Botërore
banorët vazhduan të merren me bujqësi, kurse numri i pacientëve me leukemi u
shtua dhe shumë njerëz vdiqën.
Pas
bombardimeve atomike, shkencëtarët japonezë donin të kryejnë hulumtime për
mundësinë e mjekimit të hibakushëve,
por kryekomandanti i forcave aleate
nuk i lejonte japonezët të bëjnë kërkime për të zbuluar dëmin e shkaktuar nga
bomba atomike. Rregullat kanë qenë rigoroze, sidomos deri në vitin 1946, gjë që
shkaktoi rritjen e numrit të vdekjeve nga rrezatimi.
Po qe se hibakushët refuzonin t’u nënshtrohen kontrolleve
mjekësore rutinore, komisioni u kanosej
me gjykatën ushtarake për krime lufte. Përveç kësaj, në rast vdekjeje
të hibakushit,
komisioni shkonte në shtëpinë e të ndjerit për t’ia arrë trupin dhe për t’ia
dërguar në obduksion. Komisioni
përpiqej t’i merrte edhe trupat e binjakëve që
kishin lindur të vdekur. Supozohet se të paktën 1500 organe janë dërguar
në Institutin e Patologjisë të Forcave të
Armatosura (Armed Forces Institute of Pathologyju) në Uashington.