Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Bombardimi bërthamor i Hiroshimës dhe i Nagasakit

| E diele, 10.08.2025, 01:56 PM |


BOMBARDIMI BËRTHAMOR I HIROSHIMËS DHE I NAGASAKIT

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Bombardimi bërthamor i qyteteve japoneze Hiroshimës dhe Nagasakit ndodhi më 6 dhe 9 gusht 1945. Bombardimin e miratoi presidenti i ShBA-së Hari S. Truman (Harry S. Truman; Lamar, Missoury, ShBA, 08.05.1884 - 26.12.1972, Research Medical Cenetr, Kansas City, Misssouri). Bombardimin e kreu Flota Ajrore Luftarake e ShBA-së. Me këtë rast, për herë të parë në histori u përdor në luftë arma bërthamore. Vetë akti i bombardimit edhe sot është i diskutueshëm, edhe pse me aktin e sipërthënë Lufta e Dytë Botërore përfundoi.

*  *   *

Pas kapitullimit të Gjermanisë dhe të Italisë, Japonia mbeti i vetmi shtet i Boshtit (Romë-Berlin-Tokio) e cila vazhdoi të luftonte dhe të planifikonte pushtime të mëtejme imperialiste, edhe pse pothuajse 60% e qyteteve të saj të mëdha ishin shkatërruar.

Në qershor të vitit 1945, Interim Committee i ShBA-së propozoi përdorimin e armës bërthamore të përkryer kundër industrisë ushtarake të Japonisë. Përveç kësaj, vetëm me rastin e pushtimit të ishullit japonez Okinava (Okinawa) u vranë rreth 12.500 ushtarë të Forcave Aleate, kurse në tërë zonën e Oqeanit të Qetë, qenë vrarë mbi 70.000 ushtarë.

Këto shifra gjithnjë më tepër e shqetësonin publikun amerikan i cili nuk dinte edhe sa do të zgjaste lufta dhe sa do të jenë humbjet e Fuqive Aleate, po qe se ShBA-ja vendos të kryejë invadimin në Japoni.

Më 16 korrik 1945 u krye prova e parë e suksesshme e bombës atomike në shkretëtirën Nju-Meksiko (New Mexico). ShBA-ja i propozoi qeverisë japoneze të kapitullojë, por ajo nuk u pajtua. Si rrjedhojë, presidenti Truman urdhëroi përdorimin e bombës atomike. Zgjedhjen e objektivave që do të goditeshin ia la në dorë gjeneralit Karl Spac (Carl Andrew Spaatz, i njohur me nofkën “Tooey”; lindi në Boyertown, Pensilvani, ShBA, më 28.06.1891 – vdiq në Uashington D.C., më 14.07.1974).

Ndonëse disa eprorë i sugjeronin Trumanit që bombën atomike ta hedhë në ndonjë zonë të pabanuar, për t’ia bërë me dije Japonisë se sa vdekjeprurëse është kjo armë e re, të tjerët kërkonin prej tij që bomba të hedhet pa paralajmërim në ndonjë qytet.

*   *   *

Bombardimet Hiroshima ishte një prej pak qyteteve që nuk qenë bombarduar me armë konvencionale. Por, ishin propozuar edhe objektiva të tjerë., si Kyoto, Yokohama, Niigata, madje edhe pallati perandorak në Tokio.

Në atë kohë Hiroshima ka pasur 255.000 banorë. Ka qenë shtatmadhori kryesore e gjeneralit Shunroku Hata (Fukushima, Japoni, 26.07.1879 – Tokio, 10.05.1962) i cili ka qenë i ngarkuar për mbrojtjen e pjesës jugore të shtetit, por shumica e popullsisë së Hiroshimës kanë qenë civilë.

Më 31 korrik 1945, ShBA-ja e përgatiti bombën me uranium “Little Boy” (“Vogëlushi”), të rëndë 4 tonë dhe të gjatë 3 metra.

Prej ishullit të vogël Tinian që ndodhet në perëndim të Paqësorit, më 6 gusht 1945, në orën 2:45 të mëngjesit, i shoqëruar edhe prej dy bombarduesve B-29 që ishin të pajisur me pajisje për shënim, me fotoaparate dhe kamera, fluturoi bombarduesi i quajtur Enola Gay. Në vend të ngarkesës së zakonshme të bombave dhe të armëve konvencionale, në depon e vet mbante vetëm një bombë që peshonte 4090 kilogramë. Destinacion i këtyre aeroplanëve ishte Hiroshima e cila ndodhej gjashtë orë larg vendit prej ku u nis bombarduesi dhe përcjellësit e tij.

Në orën shtatë sipas kohës lokale,  radarët japonezë kanë zbuluar tre aeroplanë dhe kanë ngritur alarm, por e kanë ndërprerë alarmin duke menduar se aeroplani fluturon aq lartë ngase nuk është veçse një fluturake vëzhguese.

Nga një lartësi prej 9.450 metrash Enola Gay, në orën 8:15 të mëngjesit (tetë e pesëmbëdhjetë minuta) e hodhi bombën atomike e cila eksplodoi në lartësi prej 580 metrave

Nga eksplodimi dhe nga stuhia e zjarrtë e krijuar humbën jetën midis 70.000 dhe 80.000 vetave, apo rreth 30% e njerëzve. Prej pasojave të bombardimit vdiqën edhe 70.000 të tjerë. Temperatura e tokës pranë qendrës së eksplodimit apo të shpërthimit arrinte deri në 5000 °C. Vala goditëse e fuqishme, me shpejtësi 800 km/h si dhe stuhitë e flakës, në një hapësirë prej 12 kilometrave katrorë, asgjësuan pothuajse çdo gjë. Shpërthimi shkaktoi edhe re të nxehtë në formë kërpudhe pluhuri dhe grimcash, të lartë 15.250 metra. Tymi në formën e kërpudhës shihej nga një largësi prej 560 metrave. As vetë ekuipazhi i mjetit ajror nuk i dinte përmasat e pasojave të eksplozionit.

*   *   *

Në fillim, qeveria dhe strukturat ushtarake të Japonisë nuk dinin se ç’kishte ndodhur. Më vonë, pas paralajmërimit të ShBA-së, u menduan dhe treguan gatishmëri për të kapitulluar, por me kushte të caktuara.

Si përgjigje, ShBA-ja më 9 korrik 1945 e hodhi bombën tjetër atomike, tani në qytetin Nagasaki. Në fillim, objektiv duhej të ishte qyteti Kokura, por për shkak të motit të ligë, u vendos që shënjestër e re të jetë Nagasaki. Në orën 11:02 bomba “Fat Man” (“Trashamani”) u hodh. Shënjestër kryesore ishte koncerni Mitsubishi, por bomba e dështoi për më tepër se 2 km. Goditja shkatërroi gjysmën e qytetit. Bomba eksplodoi në lartësi prej 470 metrash dhe vrau 22.000 veta, kurse prej pasojave të rrezatimit vdiqën edhe 39.000 të tjerë. Janë bërë fotografime të Nagasakit, para bombardimit dhe pas tij.

Për të parandaluar edhe bombardimin eventual të tretë, Japonia vendosi të kapitullojë pa kusht. Me këtë, Lufta e Dytë Botërore mbaroi. Vlerësohet se prej shpërthimit dhe valës goditëse kanë humbur jetën të paktën 78.000 veta. Rigat e zeza të shiut që binin më vonë dhe përhapnin rrezatim, morën edhe jetë të tjera njerëzish. Sipas vlerësimeve të Japonisë të vitit 1968, në Hiroshimë, menjëherë pas shpërthimit apo brenda pesë viteve, prej sëmundjeve të shkaktuara nga rrezatimi kanë vdekur 250.000 banorë. Shumë prej të mbijetuarve vdiqën më vonë prej pasojave të bombardimit, siç janë kanceri dhe leukemia. Me fjalë të tjera. askush s’e di saktë se sa viktima ka marrë hedhja e bombës atomike.

*   *   *

Bombardimit të Nagasakit i mbijetoi mjeku katolik japonez Takashi Nagai (Matsue, Shimane, Japoni, 03.02.1908 – vdiq në Nagasaki University Hospital, Nagasaki, më 01.05.1951). Në përvjetorin e parë të rënies së bombës atomike shkroi librin “Kambanat e Nagasakit”. Libri u popullarizua në shumë vende të botës. Sipas tij u xhirua filmi japonez me të njëjtin emërtim.

*   *   *

Debati lidhur me justifikimin e bombardimit – Qëndrimi zyrtar amerikan ishte: “Patjetër të ndërmerrej bombardimi atomik i Japonisë për arsye se pushtimi i saj nga forcat tona do të merrte numër të madh viktimash.”

Mbështetësit e sulmit atomik po ashtu rikujtonin urdhrin që e kishte lëshuar më 1 gusht 1944 Ministria e Mbrojtjes e Japonisë në të cilën kanosej se do të pushkatonte mbi 100.000 ushtarë të aleatëve të zënë rob, në rast zbarkimi të forcave ushtarake amerikane në tokën japoneze.

Disa historian thonë se ShBA-ja ka dashur përfundimin e shpejtë të luftës për t’iu shmangur në këtë mënyrë depërtimin sovjetik në Lindje.

*   *   *

Kundërshtarët e përdorimit të bombës atomike ndaj Japonisë – Disa kritikë thonë po ashtu se as nga pikëpamja strategjike ushtarake nuk ka pasur arsye për përdorimin e bombave atomike. Bombardimet dhe shkatërrimet e mëdha të qyteteve japoneze tashmë e kishin shkatërruar industrinë ushtarake dhe prodhimin ushqimor deri në atë masë saqë kishin ardhur në gjendje kritike. Kësaj duhet t’i shtohet edhe shpallja e luftës Japonisë nga Bashkimi Sovjetik. Tanimë s’bëhej fjalë në ishin japonezët të aftë për ta vazhduar luftën. Ata nuk mund të luftonin më për shkak të mungesës së armëve dhe të ushqimit.

Kritikët e bombardimit atomik pohojnë se Japonia përpiqej t’i fillonte bisedimet për kapitullim, por amerikanët i patën injoruar.

Në vend të kësaj, e përdorën armatimin atomik, më së shumti për t’i trembur armiqtë e ardhshëm - Bashkimin Sovjetik. Po ashtu vlerësohet se ShBA-ja nuk ka dashur që sasi të mëdha financiare të investuara në projektin Manhattan të shkojnë kot pa u përdorur arma e re.

Një prej kritikuesve të armës atomike ka qenë edhe fizikani gjerman, zviceran dhe amerikan me prejardhje hebraike Albert Ajnshtajn (Albert Einstein; lindi në Ulm, Gjermani, më 14.03.1879 – vdiq në Princeton, New Jersey, ShBA, më 18.04.1955). Ai më herët, nga frika se nazistët do të mund të bënin bombë atomike, bashkë me fizikanët e tjerë të shquar nënshkroi letrën me të cilën i kërkohet presidentit të ShBA-së Delano Franklin Ruzvelt (Delano Franclin Roosevelt, ) që ta përkryejë armatimin atomik  Kur më vonë e ka parë shkretinë dhe shkatërrimet në vendin e bombardimeve atomike, ka ndërruar mendje. Kritikues të përdorimit të armës atomike ndaj Japonisë kanë qenë edhe gjeneralët amerikanë Daglas MekArtur dhe Dvajt David Ajsenhauer.

Shënim: Daglas MekArtur (Douglas MacArthur, lindi në Little Rock, Arkansas, më 26.01.1880 – vdiq në Walter Reed Army Medical Center, më 05.04.1964);

Dvajt D. Ajsenhauer (Dwight David Eisenhower; lindi në Denison, Teksas, ShBA, më 14.10.1890 – vdiq në Uashington D.C. më 28.03.1969) kanë qenë gjeneral dhe politikan amerikan. Në vitet 1952 dhe 1956 u zgjodh president i shtetit. Është autor i kujtimeve “Lufta për çlirimin e Evropës” (Kryqëzata në Evropë / Crusade in Europe, 1948) dhe “Prej invadimit deri në fitore” (From invasion to victory).

*   *   *

Komisioni i viktimave të bombës atomike – Komisioni i viktimave të bombës atomike (Atomic Bomb Casualty Commission – ABCC) u themelua në vitin 1946 në përputhje me direktivën e presidentit Hari S. Truman (Harry S. Truman). Qëllimi i vetëm i Komisionit ishte hulumtimi i të mbijetuarve pas bombës atomike, ngase besonin se nuk do të kenë më një mundësi të tillë deri në një luftë të ardhshme botërore. Për këtë arsye, ky komision hulumtonte shëndetin e hibakushëve (personave që e kishin mbijetuar bombardimin atomik të Hiroshimës dhe / ose të Nagasakit), por nuk i mjekonte. Liderët amerikanë konsideronin se mjekimi i hiberkushëve do të paraqiste pranim të përgjegjësisë për lëndimet e tyre. Si rezultat i kësaj, hibakushët trajtoheshin si lepuj eksperimentalë të komisionit. Komisioni u përqendrua edhe në lagjen Nishiyama të Nagasakit. Midis hipoqendrës dhe Nishiyamës ngriheshin malet që e kanë penguar ardhjen e rrezatimit dhe të nxehtësisë së shpërthimit deri në Nishiyamë dhe nuk janë shkaktuar dëme. Mirëpo, si pasojë e rënies së hirit dhe të shiut, u konstatua se megjithëkëtë ka pasur rrezatim. Për këtë arsye, pas luftës janë kryer kontrolle shëndetësore, pa e njoftuar popullsinë për qëllimin e tyre. Në fillim, kërkimet në Nishiyamë i kryente ushtria amerikane, por më vonë iu lanë komisionit. Disa muaj pas bombardimit atomik, te njerëzit e Nishiyamës u konstatua rritje e konsiderueshme e numrit të qelizave të bardha të gjakut. Te kafshët, leukemia mund të zhvillohet pas ekspozimit të tërë trupit, prandaj donin të hulumtojnë se ç’ndodh te njerëzit. Pas marrjes gojore të materialit radioaktiv, te njerëzit u zbulua edhe osteosarkomi.

Sipas raportit të hartuar nga Komisioni, banorët e lagjes së Nishiyamës të cilët nuk kanë qenë të goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bombardimi atomik, kanë qenë popullatë ideale për t’i parë efektet e rrezatimit të mbetur.

ShBA-ja e vazhdoi analizën e rrezatimit të mbetur pasi Japonia u bë e pavarur, por banorët e Nishiyamës kurrë nuk njoftuan me rezultatet. Si rezultat i kësaj, pas Luftës së Dytë Botërore banorët vazhduan të merren me bujqësi, kurse numri i pacientëve me leukemi u shtua dhe shumë njerëz vdiqën.

Pas bombardimeve atomike, shkencëtarët japonezë donin të kryejnë hulumtime për mundësinë e mjekimit të hibakushëve, por kryekomandanti i forcave aleate nuk i lejonte japonezët të bëjnë kërkime për të zbuluar dëmin e shkaktuar nga bomba atomike. Rregullat kanë qenë rigoroze, sidomos deri në vitin 1946, gjë që shkaktoi rritjen e numrit të vdekjeve nga rrezatimi.

Po qe se hibakushët refuzonin t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore rutinore, komisioni u kanosej me gjykatën ushtarake për krime lufte. Përveç kësaj, në rast vdekjeje të  hibakushit, komisioni shkonte në shtëpinë e të ndjerit për t’ia arrë trupin dhe për t’ia dërguar në obduksion. Komisioni përpiqej t’i merrte edhe trupat e binjakëve që  kishin lindur të vdekur. Supozohet se të paktën 1500 organe janë dërguar në Institutin e Patologjisë të Forcave të Armatosura (Armed Forces Institute of Pathologyju) në Uashington.