E merkure, 13.08.2025, 06:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Përsiatje në një çast vetmie

E marte, 12.08.2025, 06:53 PM


Përsiatje në një çast vetmie

Tregim nga Resmi Osmani

Inxhinier Struga, vëren nga dritarja që sheh nga lindja.E bukur dita: e ndritur, e ngrohtë, e kthjellët.Fillim pranvere.

Ka pirë kafen, ka dëgjuar lajmet që si zakonisht happen me kronikën e zezë. Po më pas? Dita si gjithë ditët, e zymtë, gri, pa gëzim. Ndryshon vetëm data, hiqet një fletë nga kalendari dhe shtohet një ditë në muajin e stinës. Apartamenti i heshtur, i shurdhër, i mërzitshëm, si një qelë manastiri. I harruar, se në ‘të, qysh kur  e ndjera grua iku nga jeta, nuk shkel më askush. Eh, kush harrohet dhe për të nuk kujtohen, zere të vdekur! Vetmia e shtyp dhe e ndrydh me një mërzi të njëtrajtshme e të pambarimtë.

E si shtyhet kjo ditë,që të mos jetë e mërzitshme dhe e njëllojtë , por e tjetërllojtë me të tjerat? Pyeti veten. Mundësitë janë të pakëta.Moshatarët me të cilët mblidhej në kafe, kanë ikur nga jeta. I kositi pandemia e kovidit. Atë e kurseu, por edhe për sa?

Një shëtitje, me pak ecje, sido që me pafuqinë e tij do të jetë e   lodhëshme, por e beson  se do t’i bënte mirë. Gjelbërimi i pyllit të parkut, shplodhje për sytë dhe ajri i freskët për mushkritë e lodhura. E po, le ta bëjmë. I tha vetes. U vesh me mundim, një nga gjëat e sikletshme, mori ashensorin dhe zbriti katet.Drita e fortë i lbyri sytë, vuri syzet e diellit dhe kapelen.

Ecën përtushëm me hapa të vegjël, ngadalë,në këmbësore duke bërë kujdes për makinat. Këmbët plumb të rënda, mezi i shqit nga trualli. Lodhja therëse i mblidhet në bel dhe merimanga e dhimbjes me tentakulat e saj i qarkon shpinën e shpatullat. Trupi, sido që mundohet t’a mbajë drejt, i  pjerrësohet para dhe duket se  e merr koka zvarrë dhe do të bjerë përmbys. Shtrëngohet, qëndron të mbledhë veten. Pak çlodhje. Tashmë mund të ecë. Hap pas hapi, i afrohet shkallëve të digës së liqenit. Një kumbull që ka mbirë vetiu në ledh, është mbuluar me vellon e bardhë të luleve. Paralajmëron se  erdhi pranvera. I kujtohen vitet e rinisë dhe nuk e di pse vetiu i vijnë ndërmend vargjet: “Pranverë, pranverë, o kohëz dashurie/ Sa më trishton kjo ardhja jote” Janë të Pushkinit, përkthyer nga Lasgushi.Të të duan dhe të duash, është pjesë e jetës.Edhe ai ka dashur dhe e kanë dashur. Por ka nga ata që nuk e kanë dashur. Ai nuk i ka urryer, vetëm ka dashur të dijë përse nuk e kanë dashur.Tashmë për të ata janë të falur. Është mirësi dhe bujari të duash edhe ata që s’të duan. Shplodhet pak sa t’i qetësohet dihatja dhe rrahjet e zemrës që pulson si e çakërdisur.Dhimbja nuk i shqitet. Paçka- mendon ai-dhimbja kur është e durueshme, e bën fëmijën të qajë dhe të rriturin ta ndjejë veten gjallë- Ajri është i freskët dhe i ftohtë. Nis e  ngjit shkallët. Çdo shkallare në ngjitje, një mundim. Pesha e trupit rëndon si të ketë në shpinë gurin e  Sizifit. Vështrimi i mjegullohet. Mbahet pas  parmakëve, shtyhet për më lart. Edhe pak. Uf! Më në fund ngjitja soset. Frymon thellë.Ulet në stolin më të parë.Heq kapelen. Fshin djersën.Dhimbja e shpinës s’po i ndahet. E di se e gjitha kjo është çëmimi që i paguhet pleqërisë dhe viteve të shtyra. Eh, si kanë thënë të moçmit: vdekje të kishte, por pleqëri mos kishte. Por një i ditur ka thënë, se jeta pa vdekjen, do të ishte një tmerr i vërtetë! Mbase ka të drejtë. Se do vinte një kohë që njeriu nuk do të dinte çtë bënte me jetën e tij, kur veç të tjerash do të sfilitesh nga dhimbjet e sëmundjeve. Dhe vjen një kohë që vdekja pritet qetësisht, pa frikë, por e veshur me mister për rrugëtimin e shpirtit nëse vërtet ai ekziston, por këtë askush se di. Ikim, lemë pas gjitëçka, marrim me vete ca pengje dhe dashurinë që kemi dhënë. Mbetemi si një kujtim, gjersa koha ta shlyejë.

Pasqyra e liqenit, me valëzat e lehta përshkënditet nga dielli.  Shpendët e ujit natojnë qetësisht. Mjellmat prijnë madhërisht. Më tej pylli harliset nga gjelbërimi. Ai  sheh sesi natyra ringjallet. Stinët vijnë e ikin. Kështu pambarim. Edhe jeta ka stinët e saj- mendon ai- Kjo e tija është stina e tretë, vjeshtë e dimër bashkë. Pas saj nuk ka të katërt. Ndryshe nga stinët e vitit, stinët e jetës, në kuptimin vetjak, nuk kanë kthim e përtëritje, por fillim dhe fund, teksa njerëzia, përtërihet. Lindin fëmijët, edhe ai ka bij, nipër e mbesa. Të tjerë rriten, e të tjerë plaken dhe ikin. Nuk ka radhë. Ikën i pari burri apo gruaja. Por ku shkojnë? Këtë ai nuk di ta thojë. Ai që mbetet, jeton me kujtimet. Në pritje për të ikur edhe vetë, përjeton dhjimbjen dhe  quhet i ve. Ikën prindi, fëmijët mbeten jetimë, por ai për ‘ta mbetet një kujtim i vagullt dhe ata ndjekin jetën e tyre. Në të dy rastet, dhimbja përballohet. Kur ikën fëmija, dhimbja është dërrmuese, përjetohet si e tillë gjithë jetën. Ai nuk e pati të tillë fat. Fëmijët e tij u rritën dhe si zogjtë kur u forcohen karahët, e braktisën strehën prindërore, fluturuan përtej oqeanit. Panë jetën e tyre. E lanë në vetminë e tij. Ata nuk janë kur duhet  të jenë. Lutet që ata të jenë mirë. Për ‘ta ai është veç një kujtim, që me ikjen e viteve e kujtojnë rrall e më rrallë. Kështu edhe për shumë të tjerë të brezit të tij. Kohë vetmie. Ditë pas dite, pa asgjë të re vetjake, në pritje  të fundit, që e mendon qetësisht si një fatalitet,të pashmangsh?ëm, që shfaqet si një lajmërim , në tabelën e zezë të agjensisë funerale,   me fjalinë nismëtare  aq të njohur: “Me hidhërim të thellë njoftojmë….” për të ikur përgjithmonë,me përcjelljen aq të njohur e hipokrite-ah sa burrë i mirë ishte! E më pas për të mbetur si një kujtim në gurvarrin, deri në harresë. Kjo do të ndodhte. Kur? askush nuk mund t’a dinte apo t’a thoshte. Sa ka jetë ka dhe shpresë.Nganjëherë, në këtë jetë plot mistere, atë që sjell minuti se sjell viti!Tani le të jetojmë çastin.

Në shëtitoren e digës së liqenit gëlon jeta. Shëtisin apo vrapojnë të rinj e të reja dhe të moshës së tij. Por, eh, ai nuk mundet të bëjë si ata.Nuk i bëjnë këmbët.  I ndjek me vështrim dhe i zileps. Ai nis e mendon. Jeta e gjatë nuk është vetëm privilegj  apo dhuratë e fatit, për një rrugëtim të gjatë. Lulet e saj të vona shpesh lidhin fruta  të athëta , pse jo edhe të hidhura. Me  goditje të papritura, të mistershme, që s’i di nga vijnë, shpesh dërrmuese. Pyet veten: a është ai si gjithë të tjerët,pjesë  e kësaj njerëzie? Edhe po edhe jo.Të qënët individ i veçantë është edhe dallimi.Të qënët njësoj do të ishte shëmti. I lirë? Zot i vetes. Zor ta thuash. Në dukje po. Por sa gjëra ja kufizojnë lirinë? Të shumta. Të ekzistosh, është kushtëzim lirie. Lindim të lirë, por me të lindur, janë farkëtuar  edhe vargonjtë  që na lidhin. E di nga përvoja e tij. Ka vargonj të dukshëm e të padukshëm që prangosin dëshirat, ndrydhin vullnetin, mpijnë veprimin. Të marrin frymën, pamundësojnë arritjen e synimeve vetiake ,(gjithmonë të dëshiruara) kushtëzojnë varësinë  e lirisë së dëshiruar. I lirë? Thonë që liria është si ajri. A mund të jetohet pa ajër? Ndodh që edhe ajëri ndotet dhe të merret fryma. Edhe liria e munguar. Një lëmsh, një tollovi me të ditura e të panjohura, me pandehma, mohime dhe pohime.

E ndjen: përbrënda  tij zjarri po shuhet. Prushi po fiket e mbulohet nga hiri. Paradoksi: një i gjallë i vdekur, një i vdekur i gjallë. Një i përhënur, që kanë nisur  ti shfaqen hije, zëra dhe shpirtëra.Sheh gjëra në boshllëk që të tjerët nuk i shohin, ndjen në hapësirë tinguj, zëra dhe ushtima që të tjerët nuk i ndjejnë e dëgjojnë. Të vdekur apo të tjerë që presin të vdesin, se në fund të fundit, nuk dinë ç’të bëjnë me jetën  që u ka mbetur dhe lirinë që s’e dinë ,e kanë apo u mungon dhe zëvëndësohet me vargonjtë e paduruar, të  vetmisë dhe kotësisë, në pritje të fundit të pashmangshëm, por që s’ka as kohë, as moshë, as radhë. Mendimi për të është më i frikshëm se vetë ai.

Të jesh gjallë nuk është ndonjë mrekulli. Mrekulli është ta ndjesh veten gjall. Të jetosh çastin, me gjithë shqisat, gjithë ndijimet, me mëndje të kthiellët. Çasti! Sa hap e mbyll sytë, sekondë pas sekonde, ca pulsime zemre e frymëmarrje. Çasti, i madh sa jeta, sa përjetësia, i vogël sa hiçi, por që ka një fillim dhe një fund. Por sa mrekulli, sa bëma e gjëma, sa fatkeqësi, sa gëzime, sa hidhërime, ndodhin këtë çast, që ne si shohim, por i mendojmë, në këtë glob që rrotullon rreth vetes e rreth diellit me vërtik, këtë botë  të çmendur, të sëmurë, me zjarrmi, që i merren mendtë, pjestar i së cilës, si një thërrmijë e saj është edhe ai?

Këtë çast ndodh gjithjëçka : mes dhimbjeve lindin mijëra fëmijë që e përshëndesin botën me të qarën e parë, me qindra vdesin nga luftërat, sëmundjet,urija,bujqërit mbjellin farën, të tjerë korrin e vjelin, shpërthejnë vullkane,stuhi dhe rrebeshe, fryhen dhe vërshojnë lumenj,në plazhe u gëzohen rrezeve të diellit dhe freskisë së ujërave të detit,në klasa dhe auditore nxënës  dhe studentë përvetësojnë dijet, çiftet e rinj kurorëzohen e lidhen me martesë, të tjerë festojnë ditlindjet miliona, në mos miliarda punëtorë në ara, fabrika, prodhojnë të mira materiale, në salla dhe teatro dëgjohen dhe shikohen mrekullitë e artit,në aerodrome ngrihen mijëra aeroplanë që bashkojnë kontinentet dhe ëndërrat, në parlamente grinden deputetët, në sheshe derdhet dallga  e turmave që demonstrojnë e protestojnë për shkeljen e të drejtave dhe lirisë së tyre. Çelin dhe vyshken lule, në galaktikat e largëta linden dhe shuhen yje….. Ai mbyll sytë dhe i shfaqet rrokopuja e  ndodhive të pafundme të atij çasti në mbarë botën dhe rruzullimin. Një çast, sa një pafundësi. Dhe ai e gjen veten si pjesë e këtij çasti. Kjo e bën të ndjehet më mirë dhe të mos ndjehet i vetëm dhe i braktisur.

Kotet,përgjumet. Shkund kryet që të zbojë përgjumjen.Ngrihet. Është koha për tu kthyer.Së pari në tregtore për harxhet e ditës, pastaj në shtëpi, në vetminë e tij. Po ikën dhe një ditë e jetuar, por mbetet shpresa, sido e trishtuar, për të jetuar edhe ditët e tjera.

Maj-qershor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx