Kulturë
Meti Rexhepi: Përmbushje përkushtimesh
E premte, 08.08.2025, 06:55 PM
PËRMBUSHJE PËRKUSHTIMESH
IGBALLE
NOVOSELLA-MEHMETI: “KUJTIME: PLAGË QË KOHA NUK I SHËROI”
Nga
Mehmetali REXHEPI
Në
hyrjen e shkurtë të librit të vëllimshëm “PLAGË QË KOHA NUK I SHËROI” autorja
Agballe Novosella-Mehmeti shpreh një dozë dyshimi për mospërfshirje të ndonjë
ngjarjeje nga kujtimet e saj, persona, ndodhi, ngjarje e bëma, ngase kujtesa e
moshës vende-vende mund ta kishte lajthitur. Por, dyshimi i tillë përtrollitet
në pohimin “ndonëse jam përpjekur të tregoj gjithçka me sinqeritet dhe kujdes.”
Ndonjë lëshim të mundshëm pa dyshim ia mbulon arsyeja e sinqeritetit të saj.
“Libri
është shkruar në formë kujtimesh dhe jo domosdoshmërisht ndjek një rrjedh të
saktë kronologjike”, pohon autorja.
Konstatoj
se një sqarim i këtillë për mënyrën e shkrimit të kujtimeve dhe, mbivendosje
ngjarjesh në mënyrë të shkëputur, nuk i shpërqendron periudhat as rrjedhën
kronologjike të rrëfimit në plan të gjerë.
Në
varganin e gjatë të rrëfimit të dëshmive autorja është në rolin e dyfishtë: si
subjekt dhe si personazh i drejtpërdrejtë, që kap periudhat e fëmijërisë, të
vajzërisë dhe të pjekurisë. Përballja me ngjarjet e trishtueshme, që nga
arrestimi i parë i vëllait të madh Sabriut, veprimtar kombëtar në Organizatën
“Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, duke përfshirë rrjedhat e
mëtejme deri në rrethanat epokale të ndryshimit me Luftën Çlirimtare të
statusit dhe të pozitës politike, në një pjesë e Dardanisë të quajtur Kosovë.
T`ia shtrosh lexuesit të përmbledhur gamën e vuajtjeve, të peripecive dhe
përjetimeve, dhimbjen dhe përpjekjet mbinjerëzore, guximin dhe rrjedhojat e
pasojave, pa dyshim autores tekstshkruese i është dashur të ketë akumuluar
vullnet dhe energji të pashtershme.
Përmes
këtij vëllimi kujtimesh, asgjë e sajuar, porse gjithçka e trajtësuar me
vërtetësi, drejtpërdrejtësh, por nga një largësi, aq sa mund t`i rrokte kujtesa
e jetësuar e autores Igballe Novosella-Mehmeti. Lënda e shtruar e këtij libri
sjell të dhëna të mjaftueshme për brezat e lexuesve. Kjo gamë e gjerë llojesh
të ndryshme ndodhish, ngjarjesh, të priturash dhe të papriturash shkundi
mendësinë e vjetër e akumuluar në kokat e parakëve tanë. Mëtimet e qëllimeve po
përplaseshin në relievin e kundërthënieve, të paragjykimeve, të koncepteve të
ngulitura në dogma. E vjetra me vështirësi i lëshonte udhë së resë. Mirëpo,
autorja personazh, me një vullnet të paepur, gjeti vet udhën drejt cakut të
emancipimit.
Lënda
e dëshmive të rrëfyera të përqendruara në një familje, në familjen e gjallë të
Ismajl Maxhunit dhe Naile Shala -
Novosella e për-degëzuar me djem, vajza, nuse nipa e mbesa, pasqyrohet nga
trungu si shtrirje koncentrike valësh ngjashëm me fatin e familjeve shqiptare
të Kosovës, nën pushtimin mbi njëqind e pesëdhjetë vjetarë të Serbisë.
Me
gjithë trysnitë, padrejtësitë dhe mbylljen e shtigjeve për jetesë nga pushtuesi
i egër shekullor i politikës dhe i shtetit serb, i shpirtëzuar prej kishës
ortodokse serbe, paragjykues dhe mohues i qenësisë shqiptare, familjet, sikurse
kjo e Novosellëve, falë lidhjes së fortë për faktorin punë, unitetin familjar dhe
dashurinë për atdheun hapën shtigjet ekzistenciale. Familjarët, si dhe vetë
personazhi rrëfimtar i familjes përkatëse, trashëguan përkushtimin për çfarëdo
lloji të punës së ndershme. Këtë përkushtim ua rrënjosi të gjithë familjarëve
babai Ismajl; përderisa nëna Naile u përkushtua për vatrën familjare duke e
mbajtur kurdoherë të ndezur dashurinë përbashkuese, kultivimin e durimit në çdo
situatë të rreziqeve dhe, stoicizmin karakteristik të një nëne të mirëfilltë
shqiptare, e pagjunjëzuar në sprova të një pas njëshme që i ranë mbi kokë... Si
e tillë nëna Naile e mbajti të paepur familjen: djemtë, vajzat, nuset, nipat
mbesat. E rrallë për rrethanat e mendësisë zotëruese, Ajo ishte e hapur për
kahet e reja të qytetërimit.
Pra,
autorja përshkruan mënyrën e përballimit të skamjes, mbetjen e barrës në njërin
djalë, Bedriun, herë te ndihmesat e dhëndrit Fadilit e të vëllezërve tjerë
jashtë burgjeve; mëtimet vetjake për t`i ndihmuar në një mënyrë ose në tjera
pjesëtarët e familjes kur lypej edhe prej saj, përballimi i gjendjes pas
burgosjeve politike... Gjatë gjithë shtjellimit të kësaj lënde dëshmish, qoftë
për rrjedhën kronologjike të dramës familjare apo në përballjet politike të
zhbërjes nga pushtuesit, tri koncepte e bënë të panënshtruar familjen
Novosella: vullneti i fortë për punën për ta mbajtur të gjallë qenien
materiale, shpirti i sakrificës i përçuar te të gjithë pjesëtarët nga nëna
Naile dhe, dashuria për njëri-tjetrin pa sedrën e egos, por e brumosur në
parimin e guximit dhe të vlerave etike jetike. Mbi këto konceptime u
karakterizua parimi (j)etik i “faqe bardhësisë”, i kthimit “faqe bardhë,” që
ishin fjalët porosi të nënës Naile për të birin Sabriun kur u arrestua nga
UDB-ja! E këtillë ishte ana e dinjitetshme e të jetuarit, që ngrehu një
karakter mbresëlënës të denjë për respekt.
Duke
lexuar këto dëshmi të sinqerta, herë-herë rrëqethëse, që autorja Igballe pëlqen
t`i emërtojë si kujtime, shohim e admirojmë modelin e një karakteri vetëmohues,
i ngjizur në idealin për mbajtje të drejtpeshimit nga goditjet e burgosjeve të
herë pas hershme në vatrën e saj familjare, që nga vëlla Sabriu pastaj
Selatini, Bedriu, Iliri, bir i Sabriut, i burgosur dhe dënuar në moshën e
miturisë! Të paharrueshme si përjetime janë rropatjet e pritjeve molisëse, të
ankthshme, të vrazhda, së paku për t`i parë përciptas më të dashurit në burgjet
namkëqija të ish Federatës Jugosllave, si: në Goli Otok, Pozharevac, CZ të
Beogradit, në Nish e gjetiu në Kosovë. Nuk mund të mos i ndjesh sakrificat e
dhimbjes njerëzore, të cilat, jashtë brendisë shpirtërore të rrëfimtares së
drejtpërdrejtë, nuk i prekin dot thellësitë e ndjeshmërisë të paprovuarit.
Dëshmitë e renditura në këtë trajtë rrëfimi dalin nga vatra e të ndodhurave,
nëse ndonjëherë na paraqiten të tërthorta nga rrëfimtarja, megjithatë, autorja
nuk shpëton pa u spërkatur nga valët përvëluese të burimit përkatës.
Çka
solli në librin “KUJTIME: PLAGË QË KOHA NUK I SHËROI” Igballe
Novosella-Mehmeti? Dëshmi autentike dhimbjesh e sprovash të bartura mbi qenien
biologjike e shpirtërore të një familjeje, mbi veprimtarët e saj kombëtarë, por
dëshmitë e këtilla reflektojnë përmasa më të gjera të identitet të shqiptarëve.
Veçantia e familjes Novosella tipizon të përgjithshmen e familjeve shqiptare të
kësaj hapësire të Dardanisë.
Mendoj
se përqendrimi i autores për t`i kapur dhe renditur ngjarjet, ndodhitë dhe
përjetimet për dhe vetëm rreth familjes së vet, rrëfimin e saj nuk e vë nën
korniza të izoluara të vetvetes. Përkundrazi. Çdo lëvizje është e kushtëzuar
nga rrethana dhe marrëdhënie të përgjithshme shoqërore zotëruese të asaj
periudhe në Kosovë.
Autorja
rrëfen dhe përshkruan duke vënë në pah jo veçse, vështrimet nga këndi i saj i
dukurive dhe ngjarjeve në dukjen e jashtme të tyre. Ajo rrëfimit i vë në veprim
gjendjen shpirtërore në situata dramatike kundruall dhunës shtetërore serbe,
situatat e tendosura të personazheve të dashura, përballjet me ndjekësit e
shtetit gjakatar, gjithnjë me qartësinë e dialogëve për mbrojtje të së drejtës
legjitime të vendit të punës, deri në mundësinë shteruese të qëndresës.
Dialogët
me palën armiqësore për të drejtën dhe përkatësinë së vërtetës, pavarësisht nga
pasojat fundore, shpërfaqin logjikën e një admirimi kërkues e veprues që
pohohet si karakter dhe shpirt i papajtueshëm, madje kryengritës. Pothuajse në
të gjithë shtrirjen e rrëfimit në gjerësi dhe gjatësi, spikatet vlugu i
ngjarjeve, i dukurive dhe ndodhive dramatike i personazheve, te të cilët askund
nuk haset rënia në apati, në dëshpërime për jetën, në nënshtrimin apo dilemat e
vetë-fajësisë, zvetënimin shpirtëror, dorëzimin apo kapitullimin moral.
Një
sedër e tillë etike ngërthehet në karakteret e personazheve të zonjës Igballe,
mbase edhe te gjinia femërore, ngaqë vëllezërit dëshmonin përcaktimin e tyre të
palëkundur për vlerat e idealeve atdhetare. Të gjithë personalitetet janë real,
të dukshëm, të prekshëm, veprues, të ndjekur, të kapur e të burgosur, të
rrëzuar dhe të mëkëmbur, sipas dëshmive të radhitura në rrjedhën e gjithë
prekshme, ku duken e preken nga dramatikja e sferave të ndryshme të qenies shqiptare.
Është kjo një dramë e vazhdueshme, jo një sajesë e një jete të shpifur për
qëllime të shpifura. Mendësisë së kësaj natyre rrëfimtare e Igballe
Novosella-Mehmeti i shkon për shtati, ngjashëm personazhit konkret të romanit
“Dashuria kuantike e Filanit”të Adem Demaçit, në kontekstin e shkëputur të
pohimit se “shpirti i Maliqit kishte hyrë në mua.” Çfarë ishte ai shpirt që
kishte hyrë në formësimin e bindjeve të luhatshme të krye-personazhit? Ishte
fryma guximtare e një sypatremburi të çiltër dhe të ndershëm për betejat e
vijueshme...
Kapitull
më vete që pasqyron rropatjet dramatike, në këtë vëllim dëshmish për ecejaket
njerëzore dhe kombëtare, për ruajtjen me sakrifica të trashëgimisë atdhetare
dhe familjare, është drama tjetër e dhimbjes, e dashurisë së pakufishme të
nënës për birin e saj Kushtrimin, së cilës fare të ri ia rrëmbeu pamëshirshëm
sëmundja e pashërueshme e quajtur kancer! Këtu e më tej tërësia e shkrimit
vishet me intonacion të dhimbjes, të një dhimbjeje dërmuese, të përjetimit të
thellë që merr ngjyrë të hirtë të pikëllimit rrënimtar për rrëfimtaren.
Kushtrimi simpatik dhe i paepur, përmes një trajte pohuese të shkallës së një
eufemizmi të tejdukshëm, i shpalos gjendjen e vërtetë të jetës pashmangshëm
drejt fikjes dhe, nëna si qenia më e ndjeshme për të birin e vë në spikamë
reflektimin e trimit të saj:
“Oj,
nana ime, kanceri është aksident!”
Ky
pohim i zgjon gjëmën së ëmës për djalin,
shkuarja e të cilit asaj do t`i
ndryshojë mënyrën e të jetuarit, duke e ngarkuar me dhimbjen e pashuar të
jetës:
“-Qysh
mori nanë, na dënoi Zoti kështu?!”
Kësaj
shkalle të skajshme shpirtërore që përshkoi nënën, përgjigja e djalit jepet si
një sprovë e pashmangshme e pranimit të kushteve që i shtron jeta njeriut:
“-Nanë,
ky nuk është dënim i Zotit, kjo është sprovë e Tij!”
Nga
kjo urtësi e dhimbjes njerëzore për humbjen e më të dashurit në pranverën e
rinisë së tij, u rrumbullakua kësisoj si përkufizim për ta pranuar të
domosdoshmen që solli jeta. Ndryshe mund të nxjerrim një mori përkufizimesh për
filozofinë e jetës, për jetën si një ëndërr e bukur dhe e trishtuar.
Hise
e këtillë e mërzisë së pashuar i takoi nënë Igballes dhe, ritmin e një
pikëllimi të përhershëm asaj do t`ia ngadalësojnë dhe mëkojnë dy faktorë: koha
dhe trashëgimia te nipi i ri, me po të njëjtin emër të dashur, me emrin e të
ndjerit Kushtrimit. Megjithatë, njërin nga nëntitujt e vazhdimësisë së rrëfimit
autorja e titulloi “Në këmbë, përkundër gjithçkaje.”
Pa
dyshim në disa copa rrëfimesh të përshkuara nga doza dhimbjesh e mërzie të
theksuar, teksti rrëfimor merr ngjyrime të lirizmit të mirëfilltë poetik. Këtu
kemi edhe pasazhe poetike për dhimbjen që zgjojnë ndjeshmërinë e lexuesit.
Duke
ndjekur me kujdes rrjedhojën e rrëfimit për përjetime ngjarjesh e ndodhish,
autorja përmbush qëllimin e hedhjes në letër, si një amanet, testament për
brezat.
Rrëfimtarja
Igballe Novosella - Mehmeti pashmangshëm ndjek dhe përfillë realitetin pajtues,
dialektikën e lidhjes mes brezash. Prandaj, e dhimbshmja e pakthyeshme njomet
me dhuratat nga jeta: nipër e mbesa.
Përgëzime
për autoren dhe për mbështetësit e saj!
Gjilan, mes maji 2025