E premte, 08.08.2025, 10:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Shëngjin, me Anton Nikë Berishën dhe miq të tjerë

E enjte, 07.08.2025, 06:52 PM


SHËNGJIN, ME ANTON NIKË BERISHËN DHE MIQ TË TJERË

Nga Ndue Dedaj

Nuk jemi në ndonjë dasmë këtu, por në njëfarë mënyre dasmë e kemi sa herë takohemi me vllaznit tanë tanë nga Kosova. Dikur, dekada më parë, na dukej diçka e veçantë po të kishim takuar përkthyesin e “Epit të Gilgameshit”, profesor Anton Nikë Berishën, kurse sot kemi fatin të kemi në tryezë (dhe nuk është hera e parë), bashkë me djalin e tij, Labinotin, gjithashtu profesor letërsie dhe dekan në Universitetin e Gjakovës, si dhe mjekun e mirënjohur Ukë Berisha, që ka qenë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Për takime të tilla duhet me iu falënderue mikut tonë Gjon Krasniqi, tashmë i njohur dhe për publikun e rajonit të Lezhës, si një humanitar i dëshmuar për ndihmat e dhëna për shkollat, spitalet etj., nga Zvicra ku jeton dhe punon, por dhe për shkrimet në formë kujtimesh që ka nisur të publikojë.

Pardje, të Dielën, ia dolëm me trafikun “mbytës” dhe u gjendëm në shtëpinë verore të Gjonit në Shëngjin, ku dita-ditës shtohen librat, kësaj here vepra e plotë me studime për Letërsinë, prej 10 vëllimesh e profesor Anton Nikë Berishës, kolanë të cilën pati mirësinë të na e dhuronte dhe neve. Ai është më së pari shkrimtar, poet dhe prozator në zë, autor i romanit të shquar “Gjin Bardhela i arbëresh. Etja e gurëzuar” dhe i rreth njëqind titujve letrarë dhe studimorë, profesor Letërsie për më shumë se njëzet vjet në Universitetin e Kozencës në Kalabri. Profesor Antoni na rrëfen episode të bukura nga koha kur ka punuar me profesor Anton Çetën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, apo kur bashkë me poetin e mirënjohur Azem Shkreli ishin në drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës etj.

I bëj me dije se gjatë viteve të shkuara në Mirditë, Lezhë e Kurbin kanë ardhur të ftuar për takime dhe shkrimtarët Ali Podrimja e Mark Krasniqi, që nuk rrojnë më, krahas shumë autorëve të tjerë nga Prishtina, Gjakova, Klina, Stublla etj., që ka vite që këtu janë si në shtëpinë e tyre.

Pavarësisht dominimit të letërsisë në bisedë, sigurisht që nuk ishte një drekë “akademike, por me humorin e këndshëm të Labinotit dhe doktor Ukës, batudat e profesor Antonit me ta dhe seriozitetin e mikpritësit, që herë pas here shkrihej me hokat gazmore të drekës mondane, aty te “Rozafa” e Gjergj Lucës, me portretin e një zonje të lartë italiane në sfond...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx