| E enjte, 07.08.2025, 06:52 PM |
SHËNGJIN, ME ANTON NIKË BERISHËN DHE MIQ TË TJERË
Nga
Ndue Dedaj
Nuk
jemi në ndonjë dasmë këtu, por në njëfarë mënyre dasmë e kemi sa herë takohemi
me vllaznit tanë tanë nga Kosova. Dikur, dekada më parë, na dukej diçka e
veçantë po të kishim takuar përkthyesin e “Epit të Gilgameshit”, profesor Anton
Nikë Berishën, kurse sot kemi fatin të kemi në tryezë (dhe nuk është hera e
parë), bashkë me djalin e tij, Labinotin, gjithashtu profesor letërsie dhe
dekan në Universitetin e Gjakovës, si dhe mjekun e mirënjohur Ukë Berisha, që
ka qenë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Për
takime të tilla duhet me iu falënderue mikut tonë Gjon Krasniqi, tashmë i
njohur dhe për publikun e rajonit të Lezhës, si një humanitar i dëshmuar për
ndihmat e dhëna për shkollat, spitalet etj., nga Zvicra ku jeton dhe punon, por
dhe për shkrimet në formë kujtimesh që ka nisur të publikojë.
Pardje,
të Dielën, ia dolëm me trafikun “mbytës” dhe u gjendëm në shtëpinë verore të
Gjonit në Shëngjin, ku dita-ditës shtohen librat, kësaj here vepra e plotë me
studime për Letërsinë, prej 10 vëllimesh e profesor Anton Nikë Berishës, kolanë
të cilën pati mirësinë të na e dhuronte dhe neve. Ai është më së pari
shkrimtar, poet dhe prozator në zë, autor i romanit të shquar “Gjin Bardhela i
arbëresh. Etja e gurëzuar” dhe i rreth njëqind titujve letrarë dhe studimorë,
profesor Letërsie për më shumë se njëzet vjet në Universitetin e Kozencës në
Kalabri. Profesor Antoni na rrëfen episode të bukura nga koha kur ka punuar me
profesor Anton Çetën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, apo kur bashkë
me poetin e mirënjohur Azem Shkreli ishin në drejtimin e Lidhjes së
Shkrimtarëve të Kosovës etj.
I
bëj me dije se gjatë viteve të shkuara në Mirditë, Lezhë e Kurbin kanë ardhur
të ftuar për takime dhe shkrimtarët Ali Podrimja e Mark Krasniqi, që nuk rrojnë
më, krahas shumë autorëve të tjerë nga Prishtina, Gjakova, Klina, Stublla etj.,
që ka vite që këtu janë si në shtëpinë e tyre.
Pavarësisht
dominimit të letërsisë në bisedë, sigurisht që nuk ishte një drekë “akademike,
por me humorin e këndshëm të Labinotit dhe doktor Ukës, batudat e profesor
Antonit me ta dhe seriozitetin e mikpritësit, që herë pas here shkrihej me
hokat gazmore të drekës mondane, aty te “Rozafa” e Gjergj Lucës, me portretin e
një zonje të lartë italiane në sfond...