Kulturë
Hysen Ibrahimi: Xhevrije Kurteshi–Nimani – 'Në sytë e Ardit'
E marte, 05.08.2025, 06:50 PM
Sapo doli nga shtypi libri i titulluar “NË SYTË E ARDIT” (Përmbledhje me poezi për fëmijë) i autores Xhevrije Kurteshi – Nimani.
Fjala
e redaktorit të libri z. Hysen Ibrahimi[1]
POEZI ME BURIME QË PREKUN THELLË SHPIRTIN E
POETES
Çështja e kritikës në
fushën e krijimtarisë poetike nuk mund ta marrë formën e duhur të kritikës në
çdo rast dhe për çfarëdo poezie qoftë ajo, përveç atëher kur kemi të bëjmë me
poezi të bukura artistike dhe me poetë të talentuar dhe dijetarë të fushës poetike,
sikurse në këtë rast, që kemi të bëjmë me poeten e mirënjohur, znj. Xhevrije
Kurteshi Nimani. Në krijimtarinë e saj, pa dyshim, hasim poezi që kanë vlera të
mirëfillta poetike letrare, poezi që ngjallin kërshërinë me një ndjenjë
dashurie për fëmijët. Megjithatë, si mendim rreth poezisë, kritika është më se
e domosdoshme dhe në interes të vetë krijuesit, në këtë rast edhe të vetë
poetes. Si redaktor i librit të saj të parë dhe të dytë, mund të them se dallon
rrënjësisht të shkruarit e poezisë nga e kaluara në librin e parë të saj. Tani
poetja në këtë libër ka poezi të një standardi më të lartë, që sheshojnë
kuptimin dhe qëllimin e poetes në secilën poezi. Këtu vërejmë se kritika ka
shënuar rezultate të dukshme te poetja Kurteshi, rezultate këto, që sa vijnë e
më shumë po rriten. Do të thotë se kemi të bëjmë me një poete e cila është në
rrugën e duhur, duke e rritur numrin e veprave të botuara dhe që nuk ka të
ndalur.
Në planin poetik, në këtë
libër, te poetja Kurteshi shohim synimin e saj, synim ky që do ta kapë
realitetin letrar poetik si të tillë dhe ta përshkruajë realitetin kohor të
kësaj kohe që jemi duke e jetuar. Ajo është duke arritur sukses dhe duke
nxjerrë vargje poetike për fëmijë në këtë libër e po ashtu kemi disa poezi edhe
për të rritur, që përshkruajnë jetën e saj në mërgim, pra që lidhen me burime
shpirtërore të jetës nga vendlindja.
Këto burime, që prekin
thellë shpirtin e poetes, kryesisht janë:
vendi
i lindjes;
rinia
shkollore;
të
afërmit;
nipat
dhe mbesat;
fëmijët;
natyra;
simbolet
kombëtare.
Libri i titulluar ”NË SYTË E ARDIT” i autores
Xhevrije Kurteshi Nimani ka afri me shumë poetë tanë si Lasgushi, Asdreni etj.,
thënë me fjalë të tjera, vargjet poetike për të rritur të poetes kanë lidhje të përbashkëta me atdheun dhe
gjithçka që ka të bëjë me origjinën arbërore. Kurse poezitë për fëmijë ngjajnë me
poezitë e poetit tonë të madh, Rifat Kukaj.
Autorja këtë libër e ka titulluar duke ia
kushtuar syve të birit të saj më të vogël, Ardianit, që shkurt e quan Ardi. Jo
vetëm që e titullon, por poetja ia kushton edhe një poezi titulluar ”NË SYTË E
ARDIT”. Po shkëpusim dy strofa nga kjo poezi:
Në sytë e Ardit
Është një botë e tërë
Sa herë nëna e shikon
Zemra e saj gëzon
Në sytë e Ardit nëna
E sheh lumturinë
Hënën që shndrit
Dhe yjet në gjithësi.
Poezia e dashurisë së nënës ndaj fëmijës ka të bëjë me
një nga momentet më karakteristike të njeriut, sepse atë e ndien thellë në shpirt.
Vargu poetik ndaj fëmijës burimin e ka nga thellësia e zemrës, që është një përjetim që veçohet
në mënyrën e përjetimit. Ndaj jo rastësisht, poetja shkruan për Ardin dhe e
titullon librin në emrin e tij.
Autorja përmes vargut poetik arrin ta krijojë një botë për dy të moshat: për të vegjlit dhe
për të rriturit, në të cilat poezi lexuesi mund të gjejë diçka të veten, diçka që e
ka jetuar dhe e ndien në shpirt.
Do ta kisha veçuar një poezi, e cila
titullohet ”ABETARJA JONË”, me dy strofat e para:
Shkronjat tona janë të arta
Për fëmijët janë si mjalta
Në abetare janë shkëlqim
Për fëmijët shumë gëzim
Shkronja A si më e para
Pastaj të tjerave u vjen radha
Tridhjetë e gjashtë të gjitha sa janë
Krijojnë më të bukurin gjerdan.
Autorja kësaj poezie i qaset mëvetësishëm, duke e shndërruar këtë
poezi në vargje të cilat depërtojnë në thellësi të jetës së vërtetë të fëmijëve
në mërgim.
Motivet poetike kushtuar për fëmijë, autorja
Xhevrije Kurteshi Nimani i trajton me një ngrohtësi të madhe, me ndjeshmëri
atdhetare me një ndjenjë bindëse.
Mendimet e poetes, që rrjedhin në vargun
poetik letrar, përkojnë me realitetin e jetës në mërgim, por edhe me vizionin
për ardhmërinë.
Libri ka gjithsej 120 poezi.
[1]Kryetar i Shoqatës së
Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi për 12 vjetë
(2011-2023). Autor dhe bashkautor i 27 veprave letrare, publicistike dhe shkencore.
Jeton dhe vepron në Suedi.