E premte, 01.08.2025, 04:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Jahja Drançolli: Historia e heshtur që rikthehet pas 40 vjetës

E enjte, 31.07.2025, 06:55 PM


Historia e heshtur që rikthehet pas 40 vjetësh

Libri që sfidon narrativën serbe gjatë mesjetës për Kosovën – Raguzanët në Kosovë në qendër të vëmendjes!

Nga Jahja Drançolli

Me rastin e 40-vjetorit të botimit të parë, në vitin 2025 doli nga shtypi botimi i dytë i monografisë "Raguzanët në Kosovë (prej fundit të shekullit XIII deri në vitin 1455)", botuar nga Instituti i Historisë "Ali Hadri", Prishtinë, f. 350. Ky ribotim përbën jo vetëm një rikthim të një studimi me rëndësi të veçantë për historiografinë shqiptare dhe ballkanike, por edhe një dëshmi për interesimin e vazhdueshëm që lexuesi i sotëm ka për temat e historisë mesjetare dhe praninë ndërkombëtare në hapësirat e Kosovës së sotme.

Botimi i parë i kësaj vepre pati jehonë të ndjeshme në qarqet shkencore dhe lexuese në rajon e më gjerë, duke tërhequr vëmendjen për qasjen e tij të guximshme, të mbështetur mbi burime autentike, kryesisht nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut, si dhe nga arkiva të tjera të Kroacisë dhe Italisë. Ky interesim, bashkë me rëndësinë aktuale të çështjeve të trajtuara në libër, ka shërbyer si shtysë për një botim të dytë, me synimin për t’i ofruar lexuesit një panoramë sa më të qartë dhe të argumentuar shkencërisht mbi një periudhë të rëndësishme të së kaluarës sonë.

Qëllimi themelor i këtij ribotimi është, ashtu si në edicionin e parë, që të ndriçojë aspekte të rëndësishme të jetës demografike, politike, socio-ekonomike, kulturore dhe fetare në territorin e Kosovës së sotme gjatë mesjetës. Vepra i kushton vëmendje të veçantë pranisë dhe ndikimit të raguzanëve (qytetarëve të Republikës së Raguzës) në këto hapësira, të cilët, përmes rrjeteve tregtare, marrëdhënieve politike dhe ndërveprimeve kulturore, lanë gjurmë të thella në zhvillimet e kohës.

Përfundimet e arritura në këtë libër janë, në shumë aspekte, në kontrast të thellë me narrativat historike të prodhuara nga historiografia politike e Beogradit, veçanërisht ajo e periudhës komuniste, që shpesh ka qenë e instrumentalizuar për të përforcuar mitin e Kosovës si “djepi i kombit serb”. Ky mit, i ndërtuar mbi injorimin e realiteteve historike shumë më komplekse dhe shumetnike, nuk gjen mbështetje në dokumentacionin që ofrohet në këtë monografi. Në vend të kësaj, libri nxjerr në pah një mozaik të pasur të popullsisë dhe ndikimeve të ndryshme në Kosovë gjatë shekujve XIII-XV – ku ndër të pranishmit aktivë janë arbërit, raguzanët, bizantinët dhe faktorë të tjerë rajonalë e ndërkombëtarë.

Shpresa është që botimi i dytë i kësaj vepre të gjejë po aq – në mos më shumë – jehonë dhe lexueshmëri, si ndër studiuesit, ashtu edhe te publiku i gjerë i interesuar për të kaluarën historike të kësaj zone me rëndësi të veçantë në Ballkan.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx