E diele, 27.07.2025, 10:40 PM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Gjërat e përkohshme dhe kujtesa e ajrit

E diele, 27.07.2025, 06:55 PM


GJËRAT E PËRKOHSHME

&

KUJTESA E AJRIT

- për Bujarin -

Nga Visar Zhiti

Po flasim për Bujarin, poetin e njohur herët, me miq aq sa dhe poezia e tij, me shqetëmet njerëzore, të kuptueshme, me urimet për shendet e të mira plot…

Kam një jetë që e njoh, që në rininë e parë në Lushnjën tonë, në të mirë dhe në të keq, nga afër dhe larg, me të qeshura dhe heshtja, bisedat me të gjithmonë janë të veçanta, me mençuri dhe humor, filozofi e tallje, të bukura, mbi të gjitha na bashkon poezia që ashtu si të qenit mik apo dashuria, bën që njerëzit të njihen më mirë, ashtu si poeti edhe lexuesi, po edhe kritiku…

Librin e fundit Bujari e nxori në kohën e ndryshimeve të mëdha, në vitin 1990, kur ai dhe printe, “Gjërat e përkohshme” e titulloi, ndryshe nga rutina e botimeve të tjera, - e përkohshme është dhe diktatura, - sikur donte të thoshte dhe natyrisht që vazhdon të shkruajë, unë do të isha i vetmi që botova një ese të vogël për atë libër të veçantë, e botova ku na takonte, në shtypin opozitar, në “RD” e atëhershme ku dhe punonim, “Që diktatorët të mos vdesin të fundit” - e titullova, ishte kohë ndryshimesh, - thashë, - protestash dhe britmash, dhune dhe mposhtje të frikës dhe poezinë po e doja më shumë, edhe pse dukej sikur s’ishte dhe aq koha e saj. Po kur ishte, kur mua më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia?

Unë librin tim të parë do ta nxirrja 3 vjet më pas, s’kishte letër, kohë krize, pranga kishte… dhe do ta titulloja “Kujtesa e ajrit”. Recensionet i shkruajtën me dashuri poetët Bujar Xhaferri dhe Rudolf Marku, botuesi shkrimtari Zija Çela vuri nga një citat të tyre në kopertinën e pasme.

Për kopertinën e librit tim mora një pikturë të Maestro Ibrahim Kodrës, ishim bërë miq në Milano, kurse kopertinën e librit të Bujarit e punoi një mik i tij atëhere, piktori dhe pedagogu Edi Rama, kryeministri i tanishëm.

KRYEMINISTRIT

do të doja t’i thosha fare thjeshtë, por s’e di se sa arrijnë fjalët e mia aq larg, që Shqipëri është dhe një njeri i vetëm dhe nuk bëhet vetëm me shëmbje të asaj që mund të jetë pa leje a e vjetër, por me ç’leje është varfëria e njerëzve, pasiguria, ikja, mosshëndeti, braktisja, etj, etj? Kujdes dhe për mikun Bujar Xhaferri, edhe ai është Shqipëri dhe “Gjërat e përkohshme” janë vërtet , por është dhe “Kujtesa e ajrit” ashtu si kujtesa e kujtdo, e kohës dhe e ndërgjegjes njerëzore…

Sidoqoftë librat tanë janë poezi dashurie. Ja, njëra, e Bujarit, e shkruar nën diktaturë, por mbetet poezi universale:

E VETMJA PËRSËRITJE,

QË S'ËSHTË MONOTONE

- nga Bujar Xhaferri -

Gjithmonë kam përsëritur dashurinë

                                                             për ty;

çdo vit, çdo stinë, çdo minutë,

çdo sekondë.

Ka shkuar kaq kohë dhe ti megjithatë

Ende s'e ke humbur delikatesën

                                                         e duarve,

As ngjyrën e gojës,

as kthjelltësinë e syve,

As hirin e shtatit, as dritën

                                                  nëpër flokë.

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë       

                                                             për ty,

Refrenin më të lashtë e më njerëzor në botë,

Simfoninë më të gjatë, më të gëzuar

e më të trishtë,

(Të pakufizuar kurrë në kohë

                                                    muzikore,)

Unike si dielli në sistemin tonë,

Origjinale si ëndrra,

E pafund si hapësira,

E pezmatuar si plaga,

Euforike si drita.

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë

                                                              për ty,

Me sigurinë që përsëriten vetë javët dhe ditët.

Dhe s'kam besuar në zemra të lehta, çamarroke,

Që gjurmojnë të hutuara dashuri

të reja

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë

                                                            për ty,

Të vetmen përsëritje që s'është monotone.

Dhe unë kam shkruar nën diktaturë

një poezi për nënën e mirë të Bujarit, që më priste në shtëpinë e saj me aq përdëllim, kur kisha dalë nga burgu dhe shumë dyer më ishin mbyllur…ashtu siç më kishte pritur dhe nëna-ikonë e Rudolfit para se të bija në burg dhe lotët e saj, - ka qarë shumë, do të më thoshte Rudolfi, - do t’i ndjeja brenda telave me gjemba si një shi timin. Por ata lotë s’do kenë qenë vetëm për mua…

NËNA E POETIT

- nga Visar Zhiti -

Kur troket në derën e saj,

kushdo që të jesh,

          i tëri i dielltë

          apo rrebesh qofsh,

          hije nate,

          ëngjëll

                         apo ushtar,

          grua rruge, jetim,

          pyll lëvizës

          apo lumi Stiks,

Ajo asnjëherë s’pyet:

“Kush është?”

Se si è hap derën

                   çiltërsisht,

                   menjëherë,

sa të duket se s’ka ekzistuar

                                       ajo derë.

(Nga libri “Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993)

*  *  *

Lutem për një kohë me përsëritje të dashurisë, me zemër nënash, me bekimet e tyre dhe dritën e shpirtit të tyre. Na jepni nëna të mira që të bëhemi fëmijë të mirë, - thoshin latinët. Dhe Shenjtja Nënë Tereza do të thoshte: “Mësomë të dua!”.

Sidomos ne, bijve të saj…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx