Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Ajo ditë që s'ikën - Pushkatimi i dy poetëve, Vilsonit dhe Gencit
E enjte, 17.07.2025, 07:05 PM
AJO DITË QË S’IKËN:
PUSHKATIMI I DY POETËVE,
VILSONIT DHE GENCIT
Nga Visar Zhiti
I pushkatuan si sot, në 17 korrik... para sa vjetësh?.. nuk ka rëndësi, çdo ditë i pushkatojnë dhe ata ngrihen çdo
ditë, gjaku i tyre dhe pluhuri i tyre bie mbi ditët tona, bisedat, poezitë…
Dy të rinj nga një fshat i Librazhdit, dy poetë, Vilson Blloshmi dhe
Genc Leka, - shih, dhe emrat i kanë si në balada, familjarë të dashur, i
shkulën nga gjiri i familjes, Vilsoni 29 vjeç, la gruan dhe vajzën, Genci 36
vjeç, la djalin dhe vajzën... edhe sot do të ishin... me libra shumë... por
janë, më të dashur se kurrë, martirë, - kështu kam shkruar dhe e përsëris.
Na lanë poezinë e tyre si testament dhe heroizmin.
Në burgologjinë time tregohet ai pushkatim, një madhështi rrëqethëse,
një flakë e pashuar që fërgëllon dritë…
FERRI I ÇARË:
Pas mesnate, se ashtu bëhen pushkatimet, pa nisur zbardhëllimi, ndalën
te vendi sekret, i caktuar më parë, një rrëpirë e shkretë në humbëtirë. Zbritën
nga karroceria e makinës ushtarake ata të skuadrës së pushkatimit. Nga “xhipat”
dolën shefat, komandanti i skuadrës së pushkatimit, kryetari i Degës, prokurori
i rrethit, mjeku… Dhe i sollën ata të dy, Vilsonin me Gencin, të sfilitur, të
torturuar. Të qethur, me nxirje në fytyrë e copërlime në gjymtyrë, as rrobat e
shqyera nuk ua mbulonin. Mezi rrinin në këmbë. Gati me të shtyra shkuan tek ai
pak shesh i gjymtë mes shkurreve e gurishtave. Terr dhe hije malesh më keq se
terri. Heshtje, që prishej nga hapat e çizmeve ushtarake a nga ndonjë guriçkë
që merrte të tatëpjetën. Groooopaaa… Përroi i Firarit, tamam vend djajsh.
Fenerët e dorës bënin dritë të frikshme a u ndezën dhe dritat e njërës nga
makinat. Ata të dy më këmbë, të zymtë përbuzshëm, të tronditur deri në
moskuptim dhe në një si panik të shtypur, të drunjëzuar. A kështu u dukej atyre
që ishin përballë,
- Zjarr! - Genci ra e po përpëlitej mbi barin e lagur me gjakun e tij.
Rënkonte. Rrëketë e gjakut vërshonin nga plagët që sapo hapën plumbat në trupin
e tij.
Vilsoni, me sytë gjysmë të mbyllur i shtangur më këmbë.
- E shikon shokun tënd? - u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua
kufomës ende më këmbë të Vilsonit. - Kështu do të biesh edhe ti, por prano.
Duam bashkëpunimin… Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së madhe
të…
- Kam thënë jo, mbaroni shpejt, - foli dënesshëm Vilsoni.
- Mendohu, por shpejt, s’ke kohë shumë, balta të pret.
- Më mirë baltë sesa me ju, - u duk sikur u përgjigj vetë balta.
- Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat…
- Ashtu guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër!
- Jooo, - ndërpreu gjithçka ulërima e Vilsonit, - me shokun tim e nisa,
me të ta mbaroj! - dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa
më parë kjo tragjedi, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, në
hetuesi, në gjyq, kur hodhën sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim. Më herët
akoma, ai endej në mbretërinë e vdekjes, që kur shkroi poezinë parë, që kur po
përkthente fshehurazi njërin nga ata poetët e mallkuar, që, kur u dashurua me
atë aktoren, por tani s’kishte kohë më për asgjë, veç për të nxjerrë dufin e
fundit, para se të nxirrte frymën e fundit.
- Vrasës… më vrisni… se edhe ju… kriminelë…
- Zjarr! - u përsërit urdhri, më me rreptësi e më me mllef, dhe batareja
e plumbave e griu të gjithin. Ra përsipër shokut të tij. Gjaku që sapo i
vërshoi, iu përzie me të atij dhe, siç bëhen vëllamë duke pirë nga gjaku i
njëri-tjetrit, ata u bënë vëllezër në pafundësinë e territ, ashtu siç është
vetë vdekja.
* * *
Dy kokë të bronzta mbi siprinën e ujit, të mëdha, të rënda, si dy
planete. Buzë rrugës në të hyrë të qytetit të Librazhdit. Grup skulpturor në
nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Uji është kujtesa a vetë koha, a
kthjellimi i kujtesës. Sytë të mbyllur në një gjumë bronzi. U dola nga pas.
Ndërrova prapë vend. Kërkoja vrimat e plumbave në kafkë. Më dukeshin të sapovrarë
dhe uji më bëhej gjak. Se dhe pasqyronte perëndimin e diellit. ...
Dy kokët e bronzta më dukeshin si mbi lot. Zgjata duart t’i ledhatoj.