E enjte, 24.07.2025, 12:19 PM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Biseda bashkëvuajtësish dhe kartela tronditëse

E marte, 22.07.2025, 06:59 PM


Dorëshkrimet - Shkrimtari Arshi Pipa dhe Visar Zhiti, Washington 1994

ARSHI PIPA: “SHOKUT TË BURGUT”

TË TREGOSH SËRISH VIZITËN,

BISEDA BASHKËVUAJTËSISH

DHE KARTELA TRONDITËSE…

Nga Visar Zhiti

…Po ndieja dëshirën të shfletoja “Librin e Burgut” të Arshi Pipës… të shihja dhe autografët e tij, edhe shkrimi flet, është si rrugëtimi i poetit… kêshtu më ndodh në ditët e tij, kur duhet të përkujtohet… më shumë nga ata që e duan, lexues, të tjerë që kanë qenë burgjeve si ai, të ikurit në SHBA që e kanë njohur, studiues, etj, se sa institucionet shtetërore, ato që duhen ta kujtojnë e t’i kushtojnë veprimtari kulturore, konferenca e përurime ribotimesh të veprës së tij, por ai ishte rebel, i panënshtruar, filozof kundër  politikave totalitariste, kritik i furishëm arti, sidomos ndaj korifejve të socrealizmit, por ai ishte poet, me sonetet e kanalit të burgut të kënetës

se Vloçishtit ai solli ferrin dantesk në letrat shqipe, - kam thënë.

…kumtin që na vjen nga ai, qëndrestari i rreptë i burgjeve komuniste, i arratisuri guximtar dhe emigranti politik, shkrimtari dhe përkthyesi, filozofi, që shkruante jo vetëm në shqip, por dhe në anglisht e në frëngjisht, emblematiku sipëran Arshi Pipa, është urdhër.

* *  *

Po shfletoj shënimet e mia nga takimi i paharruar me profesorin.

NË SHTËPINË E ARSHI PIPËS

NË WASHINGTON

- librat dhe hiri -

…telefonoi në shtëpinë e znj. Flutura dhe z. Ilia Therecka, miqtë tanë, se na priste në shtëpinë e tij aty afër, atë paradite në Washington, ora 10:00.

Meqenëse kishim dhe ca kohë, vendosëm të futeshim në librarinë pranë dhe pastaj të vazhdonim një shëtitje të shkurtër. Uashingtoni, po mendoja, është qytet me fizionomi klasike europiane: s’ka qiellgërvishtëse, siç ishte përfytyrimi i shqiptarëve të padalë për Amerikën, por sheh blerim kudo, rrugë të pastra e qetësi të bardhë. Mbase këtë ndjesi ta japin Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, Bibliotekat e famshme të Kongresit, të gjitha të bardha. Një kryeqytet që ka shumë e shumë më tepër pemë, se… policë. Dhe sa shumë ketra! - kisha shkruar. Ketra qytetarë!…

Ndalnin, na shikonin në sy, s’kishin frikë nga njerëzit, madje prisnin t’u jepje diçka për të ngrënë; biskota, shiteshin enkas dyqaneve, afroheshin, tundnin bishtin e madh e të bukur si të argjendtë, dilnin dhe në rrugë, vraponin poshtë veturave të ndalura, endeshin, ktheheshin pas, u ngjiteshin me vrull pemëve, se ç’kërkonin.

Edhe ne tani po nxitonim si ketrat. S’donim të bëheshim vonë për në shtëpinë e profesor Arshi Pipës, nën një diell që po më dukej i bardhë dhe ai. Mbas trokitjeve tona të buta, portën na e hapi motra e moshuar e Profesorit, ndërsa në krye të shkallëve të drunjta lart, në katin e dytë, na priste vetë Profesori, në këmbë, i gjatë dhe i hollë, i drejtë, me flokët e bardha, “të uashingtonta”, por dhe si borë e largët e atdheut, që nuk shkrin kurrë. Vetullat çuditërisht të zeza, siç dukej një shenjë e përzishme që nuk shkëputej për jetë nga fytyra fisnikërisht gjatoshe e tij. S’dita ta përcaktoj në e theksonin apo e zbusnin disi pamjen disi skeptike të asaj fytyre, a i jepnin rini më shumë, bashkë me një pesimizëm të mençur, por gjithsesi me një përzemërsi të palodhur.

– E di emrin tënd, – më tha, kur u ulëm në kolltukët e thjeshtë, – je poet i ri dhe ke qenë në burg. Kësaj së dytës unë i jap rëndësi… për shkrimtarin, – shtoi.

Menjëherë i tregova ç’dija për “Librin e burgut” të tij, të botuar në vitin 1959 në Romë, ç’kisha dëgjuar dhe si e kisha lexuar më në fund. Kur autori qe arratisur, pikërisht ato sonete skëterrore kishin bërë rrugë të kundërt me autorin, po aq të rrezikshme, në mos më shumë, qenë futur fshehurazi në atdhe, përmes telave me gjemba. Kisha bërë përpjekje për të botuar një cikël prej tyre në shtypin e ri opozitar tonin. Ende i druheshin atij. Kujtova sonetin për një të shtrirë në vig, që vdekja e shndërroi në arkivol lecke…

– Më ka ndodhur… me tim atë, – shpjegoi profesori, – vdiq udhës në burg. – Edhe zëri i tij sikur zbardhte, thinjst e fjalës, i njëllojtë, me pak ngjirje që ai ia vinte fajin çimentos së qelive të akullta, torturave, – prandaj më del i tillë. Me ftohje. Në fisin tonë, – po tregonte Profesori – s’kemi kënd me zë të tillë. Pastaj ne e çuam në spital, – qesh me ironi, por zëri iu prish. Kë kishin çuar në spital, babain e vdekur apo zërin? S’ka zë të tillë në fis…

– Ne e njohim këtë zë, – ndërhyra, – që s’e prishi dot vuajtja, mirëqenia e suksesi. Zë lirie… - dhe tregova librat e tij mbi tryezë, te të cilët po hidhte autografe, po m’i dhuronte mua. Eda ime, ne ishim të fejuar, shkrepi befas aparatin fotografik, hodhi një blic si vetëtimë mbi ne. Nën shiun e kujtesës sigurisht do t’i jetë fanitur gjyshi i saj, të cilin dhe atë e burgosën në kënetën e Maliqit, ja, atje, ku ishte dhe Profesori, me siguri do të jenë njohur… mbi baltë, ku shpesh, policia të rrëzuarit, ata që binin nga mundimi i madh dhe uria e madhe, i shkelte me këmbë. Hipnin me çizme mbi shpinën e njeriut të dënuar derisa e zhysnin thellë e më thellë, në llumin e pafund, në kënetën e vdekjes. Po gjyshi i saj mbeti gjallë, edhe atëherë kur i hodhën një bombë policët e një njeri tjetër kërceu, se e dinte copë buke e donte ta priste, por u bë copë-copë vetë. Dhe prapë do ta arrestonin Dane Zdravën, gjithmonë, sepse kishte qenë biznesmeni i parë, ai kishte ngritur kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, po ja, që ishte dhe me akademi në Itali, ndërtonte kishte sjellë centrale elektrike, autokombajna në tokat e tij dhe falte peliçe apo bënte pajën e të gjitha vajzave të miqve të tij dhe..  teksa e nxirrnin nga shtëpia të lidhur me pranga, përqafon për herë fundit mbesën e vogël, të sapokthyer nga shkolla, Edën, e ajo tani fotografon bashkëvuajtësin e gjyshit.

Me siguri do të jenë njohur bashkë, kanë folur, edhe pa e ditur se cilët janë, atje, në kënetën e vdekjes, kanë shpresuar.

- Po, po… - tundi kryet Profesori. Autori i soneteve të baltës së burgut pati fat pastaj, e kërkoi fatin, e bëri vetë dhe ja, tani po bisedon me atë që është i shoqi i saj, edhe ai me plot poezi burgu gjithë errësirë ferri.

– Jam familje borgjeze, – vazhdonte të rrëfente profesor Pipa, – jo në kuptimin që e përdorin komunistët. Në familjen time janë marrë me gjyqësi të gjithë: gjykatës e avokatë ishin e mua m’u desh të bëja punë proletari, më të rëndë se proletarët. Po burgut i jap rëndësi, e quaj universitet…

– … të zi, – shtova unë. Pastaj Profesori nisi të flasë për Fransua Vinjonin, poetin rebel, vagabondin, të burgosurin, të dënuarin me varje, por që i shpëtoi litarit… (Ah, Avzi Nela yni, nuk i shpëtoi dot… diktatura komuniste ishte më keq se mesjeta.) E dua Vijonin, – m’u duk sikur u rrëmbye profesori, por gjithsesi i qetë, me qetësinë e mistershme që gjen në një tempull. Me Vijonin shihet se jeta është tjetër gjë dhe tjetër poezia. Edhe krijimtaria e Kadaresë është kështu… Madje, edhe “Dasma” është roman disident,.. – tha dhe heshti gjatë. S’doja t’i ndërhyja. Vetëm doja ta dëgjoja. Ashtu siç thuhej, Arshi Pipa shihej që ishte autoritar, i prerë, “madhërisht i pamëshirshëm” me gjithçka diktatoriale, ai e sfidoi diktaturën, jo vetëm pse u arratis, por si kundërshtar dhe si mendimtar, mbi të gjitha si shkrimtar. Profesori do të më pohonte pa mëdyshje që Atdheu ynë tani është më mirë se dikur, me gjithë rezervat e mëdha që mund të kihen. (“Xhonturqit” do t’i quante ata që dolën në krye…). Diktatura e bunkertë u ça nga brishtësia e demokracisë. Në fund të fundit, demokracia është edhe kritikë për të përmirësuar veten.

Dhe deshi të më tregojë përkthimet e tij nga klasikët e mëdhenj, Dante e Petrarka, Gëte… francezë, rusë e rumunë. – I kam përkthyer, – po thoshte profesor Pipa – ca me toskërisht e ca me gegërisht. Po t’i jap, por mos i boto. I përgëzoj botimet kosovare që arritën të shkruhen në gjuhën letrare, megjithëse ata ishin për përdorimin e dy dialekteve, edhe unë. Janë pasuri, – këmbënguli.

– Edhe gjuha e përbashkët letrare

duhet të jetë! – iu përgjigja.

– Erdhi shpejt, – tha sërish.

Ndërsa pinim kafetë, unë mora leje dhe u ngrita të shoh raftet e çuditshme të librave. Të gjatë dhe bosh! Bo-o(h)-osh… Vetëm ca fjalorë, dorëshkrimet e fundit në një qoshe, ksomblat e pak librave të tjerë, vepra të mikut të tij të madh, arratiakut tjetër, poetit Martin Camaj. Kaq! Dhe dhembje si e drunjtë. E arkëmortëshme… Ja, ca fletë aty si testament, fotokopje të zmadhuara të fletëve të cigareve, të holla e të vogla, i kisha parë te im atë kur u vinte duhan dhe i dridhte, në fleta kësisoj Arshi Pipa kishte shkruar dikur poezitë e burgut. Të gjitha bëheshin sa një kuti shkrepseje. Me ato ishte arratisur…

Se si po më dukeshin ashtu raftet, dramatikisht bosh, si arkivole. Sërë-sërë. Ku janë librat, desha të bërtas së brendshmi. Kërkova se mos shoh nga dritarja ngrehinën e mrekullueshme të Librarisë së Kongresit Amerikan, që të lehtësoja frymëmarrjen disi. Të gjithë bibliotekën e tij, librat e të gjithë jetës, Profesori ia kishte dhuruar bibliotekës së qytetit të Shkodrës. Ndihej dhe qytetar shkodran, edhe pse ishte libohovit me origjinë. Një gjest i lartë ky i dhurimit të librave, i dha qysh në gjallje, pa ia lënë si detyrë testamentit. Pse? Mendoja rrugës së kthimit. Ku e gjeti fuqinë të ndahet me librat e vetë, qëllimin e jetës së tij? Të tjerët, e ardhmja, atdheu…

– Po merrem me filozofi tani, – më tha, kur e pyeta se ç’po shkruante. Pra, ai po guxonte të bashkëjetonte me vdekjen e vet, me ikjen e pashmangshme në jetë të tjera, qiejve, - do të shkruaja. Mos ishte sfidë filozofike e të ngritur mbi të zakonshmen, mposhtje e vetë vdekjes, triumf i gjithëkohësisë? Dhe pikërisht, kur unë i tronditur kundroja atë boshësi të drunjtë, bibliotekën e librave të padukshëm, të mërguarën, dëgjoja zërin e tij që kritikonte një seminar ortodoks në Amerikë të lobit grek. Pastaj folëm për eposin ballkanik.

- Ka një trill dhe turp,- tha ai, - për të vjedhur histori të të tjerëve. Zhvatim tokat dhe legjendat dhe trazojmë të vdekurit. Politizojmë miqësitë, por dhe sëmundjet. Eposi ynë… - heshti. Dhe tha befas, - Jo se nuk është i bukur, përkundrazi, është i bukur, madhështor, por sepse karakteristikë për vargjet tona tradicionalisht është përdorimi i tetërrokëshit, kurse eposin e kemi njëmbëdhjetë rrokësh. Që e kanë sllavët e jugut. Atëherë ç’mund të themi?

- Shkrimtari jugosllav, Ivo Andriq, - shfrytëzova rastin dhe ndërhyra, - thotë se Kënga e Gjergj Elez Alisë është shqiptare.

- Po, shqiptare është, - pohoi me një kërshëri si të ftohtë Arshi Pipa. Ku do të dilja? - Po a është njëmbëdhjetë rrokësh “Gjergj Elez Alia?”, - gati hova me ëndje.

- Po, - më miratoi dhe heshti. Në sy pashë vezullueshëm rafte librash, kujtesa e tyre në parakohë dhe në ardhëri. U përqendrova në diçka më konkrete, në ato që po shkruante në veprat që po më dhuroi: “… poetit të ri dhe shokut të burgut…”, tjetër: “…këtë libër të shkruar dhe plotësuar në mërgim”, prapë: “për kujtim të takimit në Washington, më 23 gusht 1994, përzemërsisht…” dhe firma poshtë emrit të shtypur në frontespic dhe titullit të librit “Rusha”: “Arshi Pipa”, me shkronja të vogla. Seç m’u bë brenda në kraharor një si brengë dhe boshësi e mirë si ajo e rafteve.

Firma tronditëse. Desha të kujtoja patjetër ketrat dhe zgjata dorën në ajër, sikur po i ndillja.

Arshi Pipën do ta takoja dhe një herë tjetër në Tiranë, mbajti një leksion të shkëlqyer për poezinë e Martin Camajt. Me poezinë e tij fillon paqja në poezinë shqipe, tha Profesori. Më vonë erdhi lajmi mortor se Arshi Pipa kishte ndërruar jetë dhe kishte kërkuar që hiri i tij të shpërndahej… mbi atdhe. Në detin Adriatik. Hiri ka brenda ripërtëritjen, ai nuk është harrim, së pari është purifikues dhe ushqen tokën dhe kohën. Uji… kujtesa e botës…

Vepra e hirshme e Arshi Pipës është pasuri tashmë e jetës sonë, e fjalës dhe e letrave, e qëndresës dhe e kulturës në tërësi, me fosfor ndriçues në një urnë në tempull, vlerë e pazëvendësueshme, veç me veten.

Ai hi le të ndjehet si i hedhur mbi fushat ku ishte Këneta e Maliqit-burg, mbi Burrel e Spaç e Qafë Bari, mbi Tepelenë e Lushnjë… po dhe mbi Lidhjen e Shkrimtarëve, mbi universitetett tona, mbi ngrehinat e Kryeministrisë dhe të Presidencës, mbi ndërgjegje  kombëtare!

RETROSPEKTIVË NË LIBRA

BISEDË TË BURGOSURISH

PËR ARSHI PIPËN

- Nga burgologjia ime

“Rrugët e ferrit” -

…po më tregonte Maks Velo me mllef e art se një ditë, kur qe ndodhur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, vjen një pako me një libër gri, me kapakë të fortë. “Arshi Pipa. Libri i Burgut. Poezi”. Botuar në Romë. Shqip. Desha ta shfletoj, të lexoja vetëm një poezi. Vetëm një. Një varg. Aty më këmbë. S’ma lanë as ta hapja. S’lejohej. Kishte ardhur posaçërisht për kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqin, maskarai, shau, por do të futej në fondin e zi të Bibliotekës. Arshi Pipa është i arratisur. Ka qenë në burg, në kënetën e Vloçishtit. Mbeti gjallë. Doli nga burgu i Burrelit. Tani është profesor universiteti në Amerikë.

Të burgosurit thonë se ai ka shkruar një skenar filmi “Qershiza”. Jo roman? Dhe është realizuar nga Hollivudi. Duket si e pabesueshme. Rrëfehen tmerret e burgjeve tona, sidomos atij të Burrelit. Se si i vrisnin të burgosurit në ditën e fundit, në atë të lirimit të tyre dhe i varrosnin tek ajo qershiza. Kishte nga ata që u binte të fikët, teksa shihnin filmin në Perëndim, vazhdonin të tregonin të burgosurit, ulërinin në kinema, vinte ndihma e shpejtë ambulanca, njëri kishte nxjerrë revolverin dhe kishte qëlluar mbi ekran për të prapsur një oficer shqiptar, që po copëtonte të burgosurin e vet. Nuk dimë gjë, thoshin ata që kishin ardhur nga jashtë si suedezët, Agron amerikani, francezët e Veriut, gjermani, grekërit… Sidoqoftë, thoshim, edhe po të mos jetë e vërtetë, ne, të burgosurit, e ndiejmë nevojën e një mbrojtjeje, të një apeli të madh kundër shtypjes që na bëhet, indiferencës së tmerrshme dhe harresës më të tmerrshme. Na duhet një vepër arti. Dikush po e bën a duhet ta bëjë. Ne kemi zgjedhur tani emrin e një bashkëvuajtësi, profesor Arshi Pipës, ai e mbart këtë nder, po ia besojmë. Të tjerët brenda, sa më shumë lavdi marrin, aq më shumë kanë mashtruar. Ka shumë mundësi që e tëra ajo të jetë krijim i yni, kolektiv. Qershiza është vërtet, por s’e dimë a është futur në letërsi? Ne ngushëllojmë vetveten. E ndihmojmë të qëndrojë. Dhe kështu ky art që s’është, ndërkohë është më magjepsësi dhe krijon artin tjetër anonim, tragjikun. Të cilit do t’i gjejmë një emër. Ndonjëherë gjërat me mungesën e tyre janë më të fuqishme.

KARTELA

TË REALIZMIT TË DËNUAR

(Në librin tjetër timin)

Arshi Pipa

1920-1997)

Poeti, eseisti, filozofi, gjuhëtari, përkthyesi, pedagogu Arshi Pipa do të ishte ai që do të realizonte atë ëndërr të të gjithë të burgosurve politikë: ikjen.

Të ikje, jo vetëm nga burgu, por dhe nga Shqipëria “e diktaturës së kuqe” dhe të tregoje nëpër botë dënimet e tmerrshme, mbylljen e rëndë, vuajtjen e një populli pa liri, të përçarë me luftë klasash, kur klasa s’kishe më, pa të drejtat e njeriut, pa besim... pa...

Se dalin shkrimtarë jashtë shtetit, ata të partisë, por s’e hapin gojën. Turp! 1000 herë turp! – thoshin në burg

Libohoviti që lindi në Shkodër në 1920, me babanë jurist, të diplomuar në Stamboll. Arshiu mësimet e para i mori në Kolegjin Severian pastaj në gjimnazin klasik të Shkodrës dhe pastaj studioi Letërsi dhe Filozofi në Universitetin e Firences, laureoi me tezën “Morali dhe feja tek Bergson” U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe jepte mësim lëndën e filozofisë në licetë shtetërore në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.

Në 1944 boton librin e parë poetik “Lundertarët”.

Pas luftës, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në këshillin drejtues, teksa nisi të dalë revista “Bota e re”, vetëm Pipa dhe Kuteli nuk ishin komunistë. Por do t’i arrestonin shpejt ata të dy e të tjerë.

Më 1947 Pipa u akuzua se “kishte drejtuar revista me ideologji fashiste dhe se tani u thoshte studentëve që pushtetit komunist është terroist” dhe e dënuan me 20 vjet burg. Vuajta nisi në burgun e Durrësit për të vazhduar në Kalanë e Gjirokastrës, në Burrel e Korçë, në kampet e shfarosjes në kënetën e Vloçishtit, Gjatë dënimit e donin për të dhënë mësime filozofie dhe të gjuhëve të huaja ashtu siç përdornin skllevërit.

Lirohet në vitin 1956  dhe një vit më pas, në verë, arratiset bashkë me të motrën. Por me vete kishte dhe “Librin e burgut”, poezitë e shkruara fshehurazi mbi letra të holla cigaresh. Gati sa një kuti shkrepësesh bëhej madhësia e tyre dhe do t’i botonte në Romë në vitin 1959,  Një gri e zymtë vdekjeje që vërshonte dhe te kopertinat, një hata e vërtetë, ku Sonetet e Kanalit të asaj kënete të tmerrshme burgu do të ishin, sipas meje, “Ferri” i poezisë shqipe.

Por eja tash e shifi ndaj kanalit:

Njimijetreqind vetë, nji mizërí.

Lopata e bela tunden me furí

e qerrkat mbarin plisat e moçalit.

Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.

Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,

a qofsh i smundë sa dalun

prej spitalit,

bani ja vdis: ankimi s’ban dobí.

Shef të gjymtuem

e pleq ngarkue mbi shpina

dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,

qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.

U mshon polici me dajak sa mundet.

Por ndodhë sa herë qi njeni sish

nuk tundet.

Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut.

Në burg kishte shkruar dhe poemën “Rusha”, që e boton në Munih në 1968. Arshi Pipa do të mërgonte në SHBA e do të bënte pedagogun dhe profesorin e asociuar, ligjërues i filozofisë, letërsisë dhe i italishtes në disa universitete amerikane, do të drejtonte seminare të kritikës letrare, etj, për shkrimtarët e mëdhenj Dante, Bokaçio, Leopardi, Manzoni, Ungareti e Montale, etj, hermetizmi italian dhe simbolizmi francez, etj, temat krahasuese Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë, etj, Pasi la ligjërimet, do të vendosej përfundimisht në Washington D.C. e do të forconte lidhjet me “Vatrën” e shqiptarëve dhe gazetën “Dielli” të tyre duke treguar me artikuj se si të mund të organizoheshin më mirë.

Në vitin 1991 Pipa zgjidhet Kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj. Punoi një vit me qëllim që “Vatra” të vihej përseri në shërbim të çështjeve me rëndësi të Kombit, demokracia në Shqipëri  dhe çlirimi i Kosovës...

[…]

Studimet e tij janë të shumta e të rëndësishme dhe e vendosin Arshi Pipen në rang botëror. Profesori kishte botuar në anglisht dhe një studim “Montale dhe Dante”, me lejen e vetë Montales, që do të ishte, në një farë mënyre, paraprirës i çmimit “Nobel”, që do t’i jepej poetit gjenovez. Vepra eshtë përkthyer dhe në italisht dhe në shqip.

Dua të veçoj dhe studimin për letërsinë e realizmit socialist, një ndihmesë për një rend të ri në letërsi, sipas studiuesve të tjerë. Po kështu dhe ai për gjuhën e njësuar. Gjuha. Zëri i tij. E kam të ngjirur, më tha, që nga burgu, m’u sëmur laringu... Më kapi një tmerr kur mendova të sëmururit e gjuhës.

Vdes në 20 korrik 1997 në Washington D.C. Në atë vit në Shqipëri kishin rrëmbyer armët, të gjithë kundër të gjithëve, luftë pa luftë, por me të vrarë dhe ikje.

Ishte shëmbur demokracia që ende s’ishtë bërë…

Profesor Arshi Pipa dhe Eda Zhiti - Gjatë vizitës tonë në shtëpinë e tij, Washington 1994



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx