E enjte, 31.07.2025, 03:11 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Hallati 176

E merkure, 30.07.2025, 06:50 PM


Hallati 176

Nga Edison Ypi

S'ka parë bota llahtari estetike, ruse, kineze, koreane, kubane, komuniste, staliniste, maoiste, më të ndyrë dhe më kriminale se "Hallati 176".

"Më lehtë j'a nxjerr sytë vetes me pirun, se të vete të shoh këtë fëlliqësirë të pashoqe, këtë turp të paparë, këtë gjoja çfaqje teatrale të quajtur "Hallati 176"."

"Të ma presin mishin me gërshërë e duroj duke qeshur, vetëm të mos shoh dy minuta nga ky Hallat i fëlliqur."

"Preferoj më mirë të më hedhin të gjallë në një gropë gëlqereje të pashuar, ose të më zvarrisin prapa Malit të Dajtit lidhur me tel pas një traktori, se sa ta shoh këtë fundërrinë estetike, këtë trutharje, këtë llum propagandistik pa asnjë frymëzim autentik."

Deklaratat e mësipërme u bënë një mbrëmje me shi në shtëpinë e Ilir Strazimirit nga, respektivisht, Iliri, unë dhe Tim Beja, tek flisnim mbarë e prapë për kurvin, kurvizmin, kurvistat.

Nexhi, tezja e Ilirit, për të evituar çdo të papritur, pasi kishte siguruar dritaren e dhomës me batanije na kishte përgatitur qofte me mish kali që e sillte Tok Xhokaxhiu nga Instituti i Veterinarisë.

Tim Beja ndërhynte me ndonjë batutë. Toku mundohej të na bindëte se mishi i qofteve që po hanim nuk ishte mish prej kali të sëmurë apo të ngordhur. Unë bërtisja me sa kisha në kokë çfarë kishte thënë tek RAI një natë më parë Jash Gavronski ose Demetrio Volcic.

Iliri kërkonte mes të çarave të dërrasave të dyshemesë një tranzistor BF 272 që i kishte rënë nga dora duke përgatitur një kanoçe-konvertitor UHF-VHF pllakat e antimonit të së cilës i sillte Ben Rexha nga Poligrafiku.

Në fakt, para nesh, një tjetër miku ynë i këtyre muhabeteve, një ishullar i dorës së parë edhe ai, i quajtur Gon Nallboni, pat' deklaruar se si një ditë i ishte dashur ta pastronte ekranin e televizorit me acid nga shtresa e trashë e pështymave hedhur me gjithë bullçinj mbi ekran prej vëllait dhe babait të tij të cilët pështynin televizorin sa herë që dikush nga familiarët gabimisht ose rastësisht e çonte televizorin "tek Tirana". Goni,  pastrimin me acid të ekranit, e bëri pikërisht ditën kur familiarët e tij panë aksidentalisht disa sekuenca nga "Hallati 176", dhe u tmerruan aq tepër sa nisën ta pështyjnë e ta pështyjnë pa u ndalur ekranin derisa shtresa e pështymave u bë aq e trashë sa mbi atë ekran nuk mund të shihej më asgjë.

Për mënxyrën teatrale "Hallati 176" qarkullonin edhe plot mesele të tjera.

U muar vesh, për shembull, se një Zonjë e sofistikuar nga Tafajt, një pianiste me kulturë të gjerë mbaruar universitet në Paris, akademi muzikore në Romë, konservator në Vjenë, kur po luante në piano Nocturne Nr. 21 në C minor nga Shopen, në një moment i vajtën sytë tek ekrani i televizorit, dhe pa pak sekonda nga i neveritshmi "Hallati 176". Zonjës i kishte rënë të fikët në vend duke j'u përplasur koka mbi tastierë. Dhanë e muar, j'a lagën fytyrën me ujë, e shkundur që ta sillnin në vete, por s'mundën. Zonja foli përçart tre ditë e tre netë rresht duke shqiptuar në mënyrë të përsëritur një fjalë të vetme turp-turp-turp, derisa dha shpirt. Natyrisht që të afërmit e Zonjës nuk mund të thoshin se Zonja vdiq ngaqë pa Hallatin kurvit kur luante Shopenin. Ata thanë formulën standarde për kësi rastesh; "Kishte ca kohë që vuante nga zemra", që, në fakt, s'ishte plotësisht gënjeshtër.

Një tjetër episod kurioz lidhur me "Hallatin 176" ishte ky;

Na erdhi haberi se një anti-kurvist i tërbuar që nuk i përkiste ishullit tonë por një ishulli tjetër, kishte bërë diçka të padëgjuar nga askush, të pa lexuar në asnjë libër, të paparë në asnjë film. Një i njohuri i tij, një nga të shumtët oportunista, kishte rënë në dashuri me "Hallatin 176". Gjesti poshtërues vuri në siklet ishullarin. Dhe ç'bëri ? Gjatë netëve të bardha mendoi një plan të zi. Hapi fjalë sikur i njohuri i tij nuk shprehte simpati për "Hallatin 176" sepse e pëlqente, por përkundrazi, sepse e urrente.

Aq u desh. Një ta marrë budallanë e Hallatit një ta rrasur brenda 7 vite burg për Agjitacion e Propagandë. Kjo dromcë kaq e lezeçme fryt i nja fantazie paksa perverse por me plot humor brenda, na bëri të ndjeheshim sikur kishim pirë nga një fuçi me verë. Muhabetet për këtë dromcë me humor të zi brenda, na mbajtën gjallë disa muaj. Desh luajtëm mendsh nga qefi kur morëm vesh se denoncuesi ishullar, të cilin gjithsesi e mundonte pakëz krimbi i dyshimit nëse bëri mirë a keq që e vuri në zbatim planin pervers, kishte nisur të thoshte lart-e-poshtë; "I luftova me armët e tyre. I përçava nga brenda".

Pas ca kohësh u muar vesh diçka tronditëse. Autori i vërtetë i kësaj manovre madhështore që rrasi në burg budallanë e Hallatit, ideatori apo frymëzuesi i saj, nuk kishte qënë antikurvisti ishullor në fjalë, por një tjetër. Zbatuesi i planit të denoncimit të tërthortë, para se të vinte në zbatim planin, ishte konsultuar paraprakisht me të madhin S. Gj., një burrë i moçëm fort' i squt që e kishte njohur kurvin në fëmijëri, por që, më vonë, për shkak të distancimit me kurvin, kishte bërë edhe disa vite çmendinë në formë burgu. Pas atij konsultimi, realizimi i planit kishte qënë një intepretim i lirë i këshillave të S.Gj. Kur më vonë realizuesin e këtij plani të çuditshëm  arritëm ta kontaktojmë, nga rrëfimet e tij mbetëm të shtangur. S.Gj., që tani nuk jeton më, përveçse një antikurvist i tërbuar, paskish qënë një largpamës i madh që kishte profetizuar shumë gjëra; Se pas pak vitesh shtatoren e kurvit do ta heqin zvarrë dhe do ta pshurrin; se partitë politike donishin të gjitha bijëza të Partisë së Punës  në Shqipëri do formohen parti politike nga më të ndryshmet; se kur burgjet e Burrelit, Spaçit, Ballshit do hapen, mes të liruarve do ketë jo pak simpatizuesa të hallatit të kurvit, se këta simpatizuesa budallenj që do mbahen për të përsekutuar politikë më vonë do pretendojnë diçka sa të pabesueshme, të padenjë dhe poshtëruese për ishullarët; ekuivalentimin e vuajtjes më lekë; se ndonjëri apo disa prej tyre në emër të kësaj çmendurie të paimagjinueshme do vetflijohet, për shembull duke i vënë flakën vetes etj.

Tek dëgjonte këto profeci që dolën të gjitha të vërteta, një ndër miqtë ishullarë të profetizuesit gjenial, u mahnit aq tepër sa j'u hap goja dhe nuk j'u mbyll më, i mbeti hapur. Sot askush nuk e di ku është ai ishullar. Ca thonë në Kanada, ca të tjerë në Afrikën e Jugut. Nëpër botë nga njëra tek tjetra klinikë e specializuar për mbyllje goje.

Ndërkohë që flitej me mllef të pafundëm për "Hallatin 176", Iliri s'kishte të ndalur. Thoshte papushim; Kurvi nuk la sipër varrit litar por Hallat që populli shqiptar do vazhdojë ta mbajë brenda edhe për një kohë të gjatë. S'qe e vështirë për kurvin t'ja rraste Hallatin popullit. E vështirë është për qeveritë e ardhëshme t'ja nxjerrin popullit hallatin e kurvit që popullit i pëlqen ta mbajë brenda.

Ja prisja unë; Mburren bota me vepra madhore. Mburren për shembull, francezët me "Hiroshima, mon amour", italianët me "La dolce vita", amerikanët me "Gone with the wind". Po ne me çfarë të mburremi ? Me Hallatin e kurvit brenda popullit ? Apo me popullin e Hallatit brenda teatrit ? Pika që s'na bie. Brezat që do vinë do mendojnë se të parët e tyre ishin kafshë që quanin Art zgjyrat verbale.

Nga Shkodra, Laçi, Erseka, vinin habere mbi baste ishullarësh; Sa kohë vallë populli shqiptar do ta mbajë brenda Hallatin e kurvit ? Sa do vazhdojë qefi i popullit. A do ta heqi vetë populli Hallatin sepse do t'i mërzitet, apo do thërresi dikend tjetër t'ja heqi, ndonjë Doktor për shembull, i cili, hallatin e kurvit, do ja rrasi edhe më thellë popullit ?

Në një nga ato ditë të paharruara i madhi Shaban Kallçiu shqiptoi sentencën e pavdekëshme; Shqiptarët nuk kanë për të gjetur rehat po s'nxorrën "Hallatin 176" që ua futi kurvi.

Kafshëria teatrale "Hallati 176" na habiste më së tepërmi me diçka që na ka mbetur mister edhe sot e kësaj dite; Një nga mjetet më efikase që kurvi përdorte për zbrazjen e truve të popullit ishte teatri. Për këtë fakt, jo vetëm nuk thuhet asgjë, por arteficierët e këtij makabriteti plus protagonistët e kësaj zezone me efekte shkatërruese kolosale kombëtare, mbahen ende për artistë të mëdhenj, kollosë, legjenda të skenës dhe ekranit, titanë të Artit, etj. etj.

Asgjë për tu çuditur sot përderisa atëhere Shqipëria ishte plaga, teatri ishte qelbi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx