Kulturë
Kur sulmohet Skënderbeu, sulmohet vetë kombi – Keka, i ashpër ndaj vandalizmit në Prizren
E shtune, 02.08.2025, 06:19 PM
Kur sulmohet Skënderbeu, sulmohet vetë kombi –
Keka, i ashpër ndaj vandalizmit në Prizren - ka një mesazh për institucionet
Nga: M.L. Më: 31 korrik 2025 Në ora: 17:43 Bota Sot
Shtatorja e vandalizuar e Skënderbeut në
PrizrenKeka: Deri sa të mos kemi një ligj të tillë, haxhiqamilët, ballaban
baderat dhe esat pashat e sotëm do të vazhdojnë të na sulmojnë figurat tona sepse
ata janë dora e armikut për ta rrënuar kombin tonë nga brenda dhe për të
shkaktuar vëllavrasje.
Ditëve të fundit në Kosovë janë shtuar aktet
vandale ndaj simboleve kombëtare. Fillimisht, ishim dëshmitarë të një akti të
turpshëm ku disa të rinj vandalizuan me flamurin kombëtar kuq e zi, duke e
shkelur të njëjtin me veturë.
Kjo ngjarje që ndodhi në qytetin e Therandës
ngjalli reagime të ashpra në publik.
Nuk shkoi edhe shumë kohë, kur pas këtij akti të
tmerrshëm, në shënjestër të keqbërësve ishte edhe simboli më i rëndësishëm
kombëtar shqiptar.
Në Prizren, shtatorja e Gjergj Kastriotit –
Skënderbeut është vandalizuar, pasi përkrenarja dhe shpata e heroit kombëtar
janë ngjyrosur me ngjyrë ari.
E vendosur më 28 nëntor 2020 në rrethrrotullimin e
rrugës "Hasan Prishtina" në Prizren, shtatorja e Gjergj Kastriotit
konsiderohet si një nga monumentet më të rëndësishme historike.
Policia Rajonale e Prizrenit ka bërë të ditur se po
verifikon gjendjen në terren dhe do të veprojë në përputhje me udhëzimet e
Prokurorisë. Sipas tyre, zona ku ndodhet shtatorja është e pajisur me kamera
sigurie, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Gjon Keka, studiues i historisë, në një prononcim
për gazetën "Bota sot", ka deklaruar se sulmet e tilla ndaj figurave
si Skënderbeu janë sulme mbi themelet e kombit shqiptar.
"Sulmet ndaj figurave mbikohore dhe themeltare
të kombit tonë sikur është kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të
thotë sulme në themelet e kombit tonë.
Kjo vjen si rezultat i mungesës së vetëdijes
kombëtare, helmit ideologjik fetar që disa injorant i predikojnë para masës së
tyre një urrejtje të madhe kundër figurave si ajo e Gjergj Kastriotit-
Skënderbeut, Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës, Idriz Seferit etj.
Po ashtu një grup apo kategori që nuk njeh të
kaluarën dhe as historinë e vërtetë të kombit tonë, por duke i shërbyer qarqeve
armiqësore të kombit tonë bëhen vegël dhe renegat të tyre, më mirë të thuhet
bëhen Haxhiqamila, Ballabana Badera dhe Esat Pasha që luajnë lojërat e armiqve
për ta shkatërruar nga brenda kombin tonë dhe prish imazhin përballë botës së
civilizuar", thotë Keka për gazetën "Bota sot".
Ai shton se këto sulme nuk duhet të tolerohen pasi
po preken themelete e shentja shqiptare.
"Është e dhimbshme, madje rrëqethëse kur
dëgjon për sulme të tilla poshtëruese nga një popull sikur është populli i
Kosovës që deri dje ka kërkuar lirinë, demokracinë, dhe ndihmën e botës
demokratike të civilizuar me flamurin e Gjergj Kastriotit kudo në botë për t'i
dalë në ndihmë dhe 25 pas çlirimit vendit dita kur ne dëgjojmë sulme të tilla
ndaj figurave të shenjta kombëtare sikur është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kjo
vërtetë është e turpshme dhe një vetmallkim për shoqërinë, popullin dhe shtetin
e Kosovës dhe të ardhmes së tij. Këto sulme nuk duhet të tolerohen, nuk duhet
të sillemi sikur nuk po shohim asgjë, sepse po preken themelet tona të shenjta
pa të cilat ne nuk jemi asgjë, nuk kemi të ardhme dhe as dyer të hapura në
botën e civilizuar dhe familjen europiane", nënvizon Keka.
Sipas tij, që nga çlirimi i vendit janë sulmuar
simbolet e shenjta kombëtare, derisa institucionet nuk kanë reaguar aq sa është
dashur.
"Sulmet e tilla nuk po ndodhin sot, ka një
vazhdimësi që pas çlirimit janë sulmuar figurat të ndryshme tona të shenjta
kombëtare dhe asnjë nga institucionet e vendit nuk ka reaguar me forcë për t'i
ndëshkuar përgjegjësit dhe për t'i treguar atyre injorantëve apo antikombëtarëve
se një prekje e tillë ë figurave është e dënueshme forcërisht me çekanin e
ligjit pa asnjë mëshirë ndaj tyre", potencon Keka.
Ai shton se heronjtë kombëtar përkujtohen sa për
"sy e faqe", në vend se të nxirret një ligj që dënon ashpër sulmet
ndaj tyre.
"Kështu është kur pushtetarëve dhe
institucioneve nuk i interesojnë figurat e shenjta kombëtare për t'i mbrojtur
ato, por për t'i shfrytëzuar ato e përkujtuar sa për sy e faqe, në vend se t'i
përvjelin krahët dhe të fillojnë punën e nxjerrjes së një ligji që dënon ashpër
sulmet e tilla ndaj të gjithë figurave kombëtare të shenjta të kombit tonë në
përgjithësi.
Deri sa të mos kemi një ligj të tillë,
haxhiqamilët, ballaban baderat dhe esat pashat e sotëm do të vazhdojnë të na
sulmojnë figurat tona sepse ata janë dora e armikut për ta rrënuar kombin tonë
nga brenda dhe për të shkaktuar vëllavrasje.
Mendoj se është koha për reflektim të vetë shtetit,
institucioneve dhe Kuvendit që ta nxjerrin një ligj që dënon ashpër këtë
dukuri, dhe ky ligj duhet të bëhet sa më parë, përndryshe kombi ynë do të vuaj
plagët e tij që ia shkaktojnë jo armiqtë e jashtëm, por armiqtë e brendshëm
sikur janë këta që njollosin dhe sulmojnë figurat tonë sikur është kjo e Gjergj
Kastriotit", përfundoi Keka për "Bota sot".