Kulturë
Kadri Tarelli: Kuvendim me autorin Doranin Agalliu
E diele, 03.08.2025, 06:56 PM
Para se të diskutoni, merrni frymë!
Para
se të flisni, dëgjoni!
Para
se të kritikoni, shikoni veten!
Para
se të shkruani, mendoni!
Para
se të lëndoni, ndjejeni atë!
Para
se të hiqni dorë, provoni!
Para
se të vdisni, jetoni!
Adriano Çelentano
Më mirë merresh vesh me të vdekurin se me të
gjallin!
“KUR
VDIQA”
Kuvendim
me autorin Doranin Agalliu
Nga
Kadri Tarelli
Para
pak kohësh, fund qershori, 2025, në Durrës u përurua novela “Kur vdiqa”, e
autorit durrsak Doranin Agalliu. Një libër i vogël që lexohet shpejt, por që
mendimet, të qeshurat, dhimbjet dhe trishtimet, nuk të shqiten nga mendja për
një kohë të gjatë.
Unë
kisha lexuar më parë romanin “E nesërmja, ishte dje”, një libër me një titull
të gjetur dhe vendosur çuditshëm, qëllimisht për të kuptuar fillimin dhe
fundin, lidhur si mendim filozofik, ngjizur në kundërshti fjale. Një dashuri
adoleshentësh gjimnazi, mbetur në letër, e pa thënë e pa shprehur, si peng i moshës,
por që nuk u shua. Çudi si u kujtua edhe pas tridhjetë vjetësh. Është lexuesi
që vendos notën e vlerave që ka libri, por edhe notën që merr autori, jo vetëm
për fjalën letrare dhe ujdisjen e ndërthurjen e ngjarjeve, por më shumë për
kumtin që përcjell, se dashuria është e shenjtë, se “Dashuria burgoset, por nuk varroset”, - thotë shkrimtarja Vlonjate
Vilhelme Vrana Haxhiraj.
Sa
për librin “Kur vdiqa”, isha i pranishëm në përurim, por nuk kam ndërmend të
bëj analizë të përmbajtjes, (një lloj zakoni, besoj i mirë), sepse edhe lexuesi
e kupton shpejt se bëhet fjalë për një monolog me vetveten, për ç’ka ngjarë,
kur, dhe si ka ndodhur, për të qeshur, mbase për të qarë. Një qasje filozofike
mbi kuptimin e jetës, me të mirat dhe të këqijat, fitoret dhe humbjet, gëzimet,
dështimet dhe hidhërimet, si dy të kundërta që s’ndahen, por plotësojnë
njëra-tjetrën.
Nuk
habitem se si u futa edhe unë në kuvendim me të vdekurin, duke u bërë vazhdues
i atyre që mësova nga fjalët që u thanë në atë takim intelektualësh, njëkohësisht
duke qeshur edhe pasi e lexova librin.
Nuk
besoj se durrsaku ynë Dori, (për
shkurt), me librin “Kur vdiqa”, e kishte menduar veten se do të ndodhej mes
krijuesve durrsak, shkrimtarë, poetë, kritikë, gazetarë, piktorë e skulptorë,
me një fjalë mes njerëzve të librit dhe artit. E them këtë se në ato pak faqe
libri në novelën “Kur vdiqa”, nuk ka asnjë fjalë për kolegët në shkrimtari.
Aty,
sipas zakonit do të ndodheshin, si në çdo vdekje, njerëzit e shtëpisë,
komshinjtë, farefisi i vet dhe i gruas, nxënës shkollash, përcjellës të
arkmortit etj, etj, personazhe që vinin për ngushëllim, por që bisedat dhe
muhabetet “dëgjoheshin” nga i “Vdekuri”, që nuk mund të jepte përgjigje.
I
them autorit, se, si pa dashje por me qëllim pyes: pse vdiqe të dielën në
mbrëmje vonë? Besoj, dëshiroje që kolegët dhe shkrimtarët, artistët, me një
fjalë krijuesit durrsak të vinin të hënën në mbrëmje, dhe të mbeteshin vetëm,
kur siç e do zakon i vjetër, të hënave nuk shkohet për ngushëllim. U tregove i
zgjuar, që mos përzihej muhabeti, ku vetiu lindin e përhapen thashetheme. Një
lloj gjyqi që të mbyll derën e Parajsës.
Që
thua ti Dori, siç e pe edhe vetë,..... erdhën shumë njerëz. Mungonin kolegët e
punës, pasi ishin të zënë me detyra të vështira për të bërë një dorë lek, se
duhen ato të “bekuara”, si për ditë të mira dhe të vështira. Më mirë që nuk
erdhën pasi do mërziteshe shumë, kur të të shanin në sy, (me që ti nuk i ktheje
dot përgjigje), duke të thënë: Ike dhe nuk vure mend. Po një drejtor mbete,
s’bëre më lart, s’bëre hile, s’e shkele ligjin, me demek burrë i ndershëm, që i
shërben shtetit. Sa mbrapa ke mbetur, o i ziu ti....! Dole në pension, shkove
një jetë dhe s’e more vesh se shteti është i Partisë, të cilës i shërbejmë ne.
Mirë t’u bë që nuk more asnjë lek pensioni. Ç’i do atje nuk duhen as lek e as
Euro. Më kot na thoshe: “Bytha është e jotja, karrige është e shëtit”. Pika që s’të ra më parë....! Po a e di si
thonë për ne që i qepemi lekut si zagari lepurit? - Është burrë i zoti, i
shkathët, s’e zë vendi, jo si ti qullash i ndershëm. Mirë bëre që ike shpejt,
se do të të kapte reforma, ku të detyrojnë të japësh dorëheqje duke qeshur. Ti
vetë na e përsërisje shpesh, se drejtori e ka emrin të shënuar me laps, sepse
të fshihet shpejt me gomë.
Sa
për ata që erdhën në ngushëllim, që ti bëje sikur nuk i shikoje, por i dalloje
nga zëri. Ishin shumë. Unë po t’i ndaj në grupe:
Burrat
grupe-grupe, veshur thjesht, me këmisha me mëngë të shkurtra, pasi ishte shumë
vapë. Ti e di vetë si është vapa në mes behari.....! Ata flisnin me zë të ulët
që mos të prishnin qetësinë. Ndërsa gratë, si gratë: veshur si në paradë mode.
Ç’ti shikoje....! Njëra më bukur se tjetra. Fustanet ngjyra-ngjyra, të bardhë
deshe, të zi me trëndafil, apo të kuq e ku di unë, që s’para i dalloj dot
ngjyrat. Edhe ato flisnin me zë të ulët, por fytyra u ndriste si në dasmë, jo
si ditë ngushëllimi.
Takimi
u zhvillua si një lloj bashkëbisedimi, u ngritën dhe folën me radhë. Ti, bëre -
ç’bëre, the ca llafe që edhe unë s’i mora vesh, më shumë si për t’i falënderuar
për fjalët e bukura që kishin zgjedhur. Bëre mirë që nuk ndërhyre se desh plasi
sherri mes dy skulptorëve, që filluan të grinden se kush do të bënte portretin
tënd. Mbase të erdhi mirë..... Ai i frymës klasike mendonte se i takonte atij
më shumë, pasi edhe shkrimet tuaja me shumë nga klasikja anojnë. Po ku dëgjonte
skulptori modernist, i cili sa nuk bërtiste: - E ke gabim koleg i nderuar....!
Nuk e ke studiuar komplet krijimtarinë e tij. Ka shumë poezi që quhen moderne,
ndërsa sa për prozën, të lutem këndoje me vëmendje romanin “E nesërmja ......
ishte dje” dhe do të bindesh. Moderne dhe kaluar modernes.
Nuk
e di si do të kishte përfunduar kjo zënkë, sikur të mos ndërhynte një gazetar i
vjetër, tashmë edhe botues librash, i cili hyri në mes dhe i ndau, duke u
thënë: - Ç’bëni kështu....? Edhe në ditë zie do bëni sherr.....!?
Qetësohuni...! Para se të filloni portretin, më parë interesohuni të gjeni
vendin ku do ta vendosni. Ju jeni durrsakë të hershëm, po a mund të gjeni dot
vend, kur të gjitha sheshet janë “të mbushur” me shtatore e portrete heronjsh,
dijetarësh, artistësh, poetësh, shkrimtarësh e sportistësh të Durrësi.....! Aq
sa edhe një artist si Moisiu që kemi, me të cilin mburret Durrësi, kombi e
bota, e mbajmë mbyllur në hollin e Pallatit të Kulturës dhe nuk e lemë të dalë
jashtë, se nuk ka vend.....!?
E
shoh se të ndryshon çehrja e fytyrës, herë e qeshur herë e vranët si deti me
stuhi. Ti nuk do ta thuash, por unë e ndjej pëshpërimën tënde nën zë: - Nuk e
dija se kisha kaq vlera, megjithëse më kanë dhënë ca çmime, por nga fjalët që
dëgjova qenkam goxha i madh. Do ta peshoj mirë veten, por me kandarin tim, jo
me “Kandarin” e prishur të Çajupit. Ta dija se isha kaq i madh, kisha vdekur ca
vjet më parë. Kështu shtatorja apo busti im do të ishte vendosur aty te hyrja e
Portit, ku sot është ngritur “Velerja”, që veç veljerë nuk është, pasi ngjason
me rrjetat e peshkimit që përdorin banorët e fshatit Jubë, kur peshkojnë në
grykë të lumit Erzen.
Të
them të drejtën, më të gëzuara, më të qeshura ishin punonjëset e Bibliotekës
publike të qytetit tonë. Nuk e di nga i buronte ky ngazëllim...! Po kam
përshtypjen se diku kanë dëgjuar, se Durrësi do të bëhet me bibliotekë të re.
Se kur dhe ku do të ndërtohet, asnjëra nuk e di. Veç do vijë dita e do t’i
thonë Korçës, ku jemi parë.....!!!. Ti vërtet moj Korça lule, që brenda një
shekulli ke ndërruar tri biblioteka, njëra dhuratë e familjes “Turtulli”, që në
kohën e Monarkisë, tjetra e ndërtuar rreth viteve 1970, me projekt të zgjedhur,
ndërsa para dy-tre vitesh u ndërtua bibliotekë e re, besoj moderne, me projekt
të kohës. Por ne nuk do të lëmë që të na bëjë karshillëk as Elbasani, i cili
sot po na mburret me Bibliotekën e ndërtuar herët, që po mbush gati një
shekull, si dhuratë e familjes Baholli, për qytetarët e Elbasanit. Ndërsa nuk
do na hyjnë në sy, as biblioteka e qytetit të Lezhës, as e Beratit, etj, etj,
që i lëvdojnë si mjaft të bukura dhe me hapësira të bollshme.
Eh
more Doranin.......! Edhe ti e di mirë, po aq sa unë, se, sa herë janë bërë e
po bëhen zgjedhje partish dhe kryetarë për Bashkinë e Durrësit, premtojnë se do
ngrihet Biblioteka e bukur dhe madhështore. Vitet shkuan dhe asgjë nuk duket.
Madje kohët e fundit nuk e zënë me gojë fare. Pyet atje në botën tjetër mbase
dinë ata më shumë, ku ka humbur e shkreta.......? Ndoshta projekti ka vdekur e
s’e kanë varrosur....!? Ku i dihet.......!?
Të
vura re se me bisht të syrit i hodhe një shikim sallës të mbushur plot e
përplot, si për t’u siguruar se a kanë ardhur shkrimtarë të dy grupimeve të
krijuesve durrsak. E di që ishe në merak, se the ti e nuk the asgjë, që Klubi i
shkrimtarëve dhe artistëve durrsak u përça, u bë kashtë e koqe, (bëhet fjalë
për kokrrat e grurit) dhe nuk shkojnë në takimet e njëri-tjetrit, si armiq të
betuar, kur më parë gëzonin dhe festonin së bashku. Por ti Dori nuk u bëre
anëtar i asnjë shoqate, klubi apo lidhjeje, kështu je i qetë se asnjëra palë
nuk do të të shajë edhe tani që vdiqe. Kështu vetëm në sy, se pas krahëve nuk
do të lënë gjë pa thënë. Prit-prit sa të kalojnë disa dit, apo ca muaj dhe do
të shohësh artikuj nëpër gazeta, facebook e portale, duke të thënë të pathënat,
me shkak e pa shkak. Jo se kanë gjë me ty, por siç thonë disa mendjengritur:
”Poetët nuk e duan njëri tjetrin”.
U
mërzite nga këto fjalë dhe ktheve kokën mënjanë: - E di e di, më the, se ende
nuk po i lënë të qetë as Kadarenë e Driteroin, si më të mëdhenjtë e kombit, e
jo më për mua që as i afrohem gjëkundi. Ke të drejtë, sepse më shtyve të kujtoj
dy-tre vargje të Driteroit: “Këta që
vdekjen ma ndjellin, janë poetët./Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë,/Kur
gripi më zë i ngrenë veshët,/dhe bëjnë sikur u vjen keq, “vërtet sëmurë!?”. Poezia
“Dalëngadalë”.
Është
një temë që do ta rrahim gjatë këtu në botën tjetër. – Kështu më the. - Me
shpesë se do jenë të dy në Parajsë, ku do të shkoj edhe unë. Madje do të mësoj
edhe emrat e atyre delenxhinjve që ndryshe sillen përballë kur pinë raki me
qofte e gjizë. e ndryshe pas shpine.
Këto
dy fjalë më duket i shtove kot nga zemërimi, se atyre s’duhet t’u kujtohet
emri, si pjesë e shëmtuar e karakterit të tyre. Po duhen pranuar si pjesë e
jetës sonë. Mbase nuk bëjmë edhe pa ata........!!!!!
Mos
u mërzit Dori.....! Ti nuk jetove kot. Botove ca libra, kështu që emri yt u fut
në arkën e kujtesës, në bibliotekë, për t’u kujtuar në çdo përvjetor të
lindjes. Se, që thua ti..... Poetët e shkrimtarët kanë vetëm ditëlindje.
Me
mirëkuptim....... dhe mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 22, të Korrikut, 2025.