Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Kuvendim me autorin Doranin Agalliu

| E diele, 03.08.2025, 06:56 PM |


Para se të diskutoni, merrni frymë!

Para se të flisni, dëgjoni!

Para se të kritikoni, shikoni veten!

Para se të shkruani, mendoni!

Para se të lëndoni, ndjejeni atë!

Para se të hiqni dorë, provoni!

Para se të vdisni, jetoni!

Adriano Çelentano

Më mirë merresh vesh me të vdekurin se me të gjallin!

“KUR VDIQA”

Kuvendim me autorin Doranin Agalliu

Nga Kadri Tarelli

Para pak kohësh, fund qershori, 2025, në Durrës u përurua novela “Kur vdiqa”, e autorit durrsak Doranin Agalliu. Një libër i vogël që lexohet shpejt, por që mendimet, të qeshurat, dhimbjet dhe trishtimet, nuk të shqiten nga mendja për një kohë të gjatë.

Unë kisha lexuar më parë romanin “E nesërmja, ishte dje”, një libër me një titull të gjetur dhe vendosur çuditshëm, qëllimisht për të kuptuar fillimin dhe fundin, lidhur si mendim filozofik, ngjizur në kundërshti fjale. Një dashuri adoleshentësh gjimnazi, mbetur në letër, e pa thënë e pa shprehur, si peng i moshës, por që nuk u shua. Çudi si u kujtua edhe pas tridhjetë vjetësh. Është lexuesi që vendos notën e vlerave që ka libri, por edhe notën që merr autori, jo vetëm për fjalën letrare dhe ujdisjen e ndërthurjen e ngjarjeve, por më shumë për kumtin që përcjell, se dashuria është e shenjtë, se “Dashuria burgoset, por nuk varroset”, - thotë shkrimtarja Vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Sa për librin “Kur vdiqa”, isha i pranishëm në përurim, por nuk kam ndërmend të bëj analizë të përmbajtjes, (një lloj zakoni, besoj i mirë), sepse edhe lexuesi e kupton shpejt se bëhet fjalë për një monolog me vetveten, për ç’ka ngjarë, kur, dhe si ka ndodhur, për të qeshur, mbase për të qarë. Një qasje filozofike mbi kuptimin e jetës, me të mirat dhe të këqijat, fitoret dhe humbjet, gëzimet, dështimet dhe hidhërimet, si dy të kundërta që s’ndahen, por plotësojnë njëra-tjetrën.

Nuk habitem se si u futa edhe unë në kuvendim me të vdekurin, duke u bërë vazhdues i atyre që mësova nga fjalët që u thanë në atë takim intelektualësh, njëkohësisht duke qeshur edhe pasi e lexova librin.

Nuk besoj se durrsaku  ynë Dori, (për shkurt), me librin “Kur vdiqa”, e kishte menduar veten se do të ndodhej mes krijuesve durrsak, shkrimtarë, poetë, kritikë, gazetarë, piktorë e skulptorë, me një fjalë mes njerëzve të librit dhe artit. E them këtë se në ato pak faqe libri në novelën “Kur vdiqa”, nuk ka asnjë fjalë për kolegët në shkrimtari.

Aty, sipas zakonit do të ndodheshin, si në çdo vdekje, njerëzit e shtëpisë, komshinjtë, farefisi i vet dhe i gruas, nxënës shkollash, përcjellës të arkmortit etj, etj, personazhe që vinin për ngushëllim, por që bisedat dhe muhabetet “dëgjoheshin” nga i “Vdekuri”, që nuk mund të jepte përgjigje.

I them autorit, se, si pa dashje por me qëllim pyes: pse vdiqe të dielën në mbrëmje vonë? Besoj, dëshiroje që kolegët dhe shkrimtarët, artistët, me një fjalë krijuesit durrsak të vinin të hënën në mbrëmje, dhe të mbeteshin vetëm, kur siç e do zakon i vjetër, të hënave nuk shkohet për ngushëllim. U tregove i zgjuar, që mos përzihej muhabeti, ku vetiu lindin e përhapen thashetheme. Një lloj gjyqi që të mbyll derën e Parajsës.

Që thua ti Dori, siç e pe edhe vetë,..... erdhën shumë njerëz. Mungonin kolegët e punës, pasi ishin të zënë me detyra të vështira për të bërë një dorë lek, se duhen ato të “bekuara”, si për ditë të mira dhe të vështira. Më mirë që nuk erdhën pasi do mërziteshe shumë, kur të të shanin në sy, (me që ti nuk i ktheje dot përgjigje), duke të thënë: Ike dhe nuk vure mend. Po një drejtor mbete, s’bëre më lart, s’bëre hile, s’e shkele ligjin, me demek burrë i ndershëm, që i shërben shtetit. Sa mbrapa ke mbetur, o i ziu ti....! Dole në pension, shkove një jetë dhe s’e more vesh se shteti është i Partisë, të cilës i shërbejmë ne. Mirë t’u bë që nuk more asnjë lek pensioni. Ç’i do atje nuk duhen as lek e as Euro. Më kot na thoshe: “Bytha është e jotja, karrige është e shëtit”.  Pika që s’të ra më parë....! Po a e di si thonë për ne që i qepemi lekut si zagari lepurit? - Është burrë i zoti, i shkathët, s’e zë vendi, jo si ti qullash i ndershëm. Mirë bëre që ike shpejt, se do të të kapte reforma, ku të detyrojnë të japësh dorëheqje duke qeshur. Ti vetë na e përsërisje shpesh, se drejtori e ka emrin të shënuar me laps, sepse të fshihet shpejt me gomë.

Sa për ata që erdhën në ngushëllim, që ti bëje sikur nuk i shikoje, por i dalloje nga zëri. Ishin shumë. Unë po t’i ndaj në grupe:

Burrat grupe-grupe, veshur thjesht, me këmisha me mëngë të shkurtra, pasi ishte shumë vapë. Ti e di vetë si është vapa në mes behari.....! Ata flisnin me zë të ulët që mos të prishnin qetësinë. Ndërsa gratë, si gratë: veshur si në paradë mode. Ç’ti shikoje....! Njëra më bukur se tjetra. Fustanet ngjyra-ngjyra, të bardhë deshe, të zi me trëndafil, apo të kuq e ku di unë, që s’para i dalloj dot ngjyrat. Edhe ato flisnin me zë të ulët, por fytyra u ndriste si në dasmë, jo si ditë ngushëllimi.

Takimi u zhvillua si një lloj bashkëbisedimi, u ngritën dhe folën me radhë. Ti, bëre - ç’bëre, the ca llafe që edhe unë s’i mora vesh, më shumë si për t’i falënderuar për fjalët e bukura që kishin zgjedhur. Bëre mirë që nuk ndërhyre se desh plasi sherri mes dy skulptorëve, që filluan të grinden se kush do të bënte portretin tënd. Mbase të erdhi mirë..... Ai i frymës klasike mendonte se i takonte atij më shumë, pasi edhe shkrimet tuaja me shumë nga klasikja anojnë. Po ku dëgjonte skulptori modernist, i cili sa nuk bërtiste: - E ke gabim koleg i nderuar....! Nuk e ke studiuar komplet krijimtarinë e tij. Ka shumë poezi që quhen moderne, ndërsa sa për prozën, të lutem këndoje me vëmendje romanin “E nesërmja ...... ishte dje” dhe do të bindesh. Moderne dhe kaluar modernes.

Nuk e di si do të kishte përfunduar kjo zënkë, sikur të mos ndërhynte një gazetar i vjetër, tashmë edhe botues librash, i cili hyri në mes dhe i ndau, duke u thënë: - Ç’bëni kështu....? Edhe në ditë zie do bëni sherr.....!? Qetësohuni...! Para se të filloni portretin, më parë interesohuni të gjeni vendin ku do ta vendosni. Ju jeni durrsakë të hershëm, po a mund të gjeni dot vend, kur të gjitha sheshet janë “të mbushur” me shtatore e portrete heronjsh, dijetarësh, artistësh, poetësh, shkrimtarësh e sportistësh të Durrësi.....! Aq sa edhe një artist si Moisiu që kemi, me të cilin mburret Durrësi, kombi e bota, e mbajmë mbyllur në hollin e Pallatit të Kulturës dhe nuk e lemë të dalë jashtë, se nuk ka vend.....!?

E shoh se të ndryshon çehrja e fytyrës, herë e qeshur herë e vranët si deti me stuhi. Ti nuk do ta thuash, por unë e ndjej pëshpërimën tënde nën zë: - Nuk e dija se kisha kaq vlera, megjithëse më kanë dhënë ca çmime, por nga fjalët që dëgjova qenkam goxha i madh. Do ta peshoj mirë veten, por me kandarin tim, jo me “Kandarin” e prishur të Çajupit. Ta dija se isha kaq i madh, kisha vdekur ca vjet më parë. Kështu shtatorja apo busti im do të ishte vendosur aty te hyrja e Portit, ku sot është ngritur “Velerja”, që veç veljerë nuk është, pasi ngjason me rrjetat e peshkimit që përdorin banorët e fshatit Jubë, kur peshkojnë në grykë të lumit Erzen.

Të them të drejtën, më të gëzuara, më të qeshura ishin punonjëset e Bibliotekës publike të qytetit tonë. Nuk e di nga i buronte ky ngazëllim...! Po kam përshtypjen se diku kanë dëgjuar, se Durrësi do të bëhet me bibliotekë të re. Se kur dhe ku do të ndërtohet, asnjëra nuk e di. Veç do vijë dita e do t’i thonë Korçës, ku jemi parë.....!!!. Ti vërtet moj Korça lule, që brenda një shekulli ke ndërruar tri biblioteka, njëra dhuratë e familjes “Turtulli”, që në kohën e Monarkisë, tjetra e ndërtuar rreth viteve 1970, me projekt të zgjedhur, ndërsa para dy-tre vitesh u ndërtua bibliotekë e re, besoj moderne, me projekt të kohës. Por ne nuk do të lëmë që të na bëjë karshillëk as Elbasani, i cili sot po na mburret me Bibliotekën e ndërtuar herët, që po mbush gati një shekull, si dhuratë e familjes Baholli, për qytetarët e Elbasanit. Ndërsa nuk do na hyjnë në sy, as biblioteka e qytetit të Lezhës, as e Beratit, etj, etj, që i lëvdojnë si mjaft të bukura dhe me hapësira të bollshme.

Eh more Doranin.......! Edhe ti e di mirë, po aq sa unë, se, sa herë janë bërë e po bëhen zgjedhje partish dhe kryetarë për Bashkinë e Durrësit, premtojnë se do ngrihet Biblioteka e bukur dhe madhështore. Vitet shkuan dhe asgjë nuk duket. Madje kohët e fundit nuk e zënë me gojë fare. Pyet atje në botën tjetër mbase dinë ata më shumë, ku ka humbur e shkreta.......? Ndoshta projekti ka vdekur e s’e kanë varrosur....!? Ku i dihet.......!?

Të vura re se me bisht të syrit i hodhe një shikim sallës të mbushur plot e përplot, si për t’u siguruar se a kanë ardhur shkrimtarë të dy grupimeve të krijuesve durrsak. E di që ishe në merak, se the ti e nuk the asgjë, që Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve durrsak u përça, u bë kashtë e koqe, (bëhet fjalë për kokrrat e grurit) dhe nuk shkojnë në takimet e njëri-tjetrit, si armiq të betuar, kur më parë gëzonin dhe festonin së bashku. Por ti Dori nuk u bëre anëtar i asnjë shoqate, klubi apo lidhjeje, kështu je i qetë se asnjëra palë nuk do të të shajë edhe tani që vdiqe. Kështu vetëm në sy, se pas krahëve nuk do të lënë gjë pa thënë. Prit-prit sa të kalojnë disa dit, apo ca muaj dhe do të shohësh artikuj nëpër gazeta, facebook e portale, duke të thënë të pathënat, me shkak e pa shkak. Jo se kanë gjë me ty, por siç thonë disa mendjengritur: ”Poetët nuk e duan njëri tjetrin”.

U mërzite nga këto fjalë dhe ktheve kokën mënjanë: - E di e di, më the, se ende nuk po i lënë të qetë as Kadarenë e Driteroin, si më të mëdhenjtë e kombit, e jo më për mua që as i afrohem gjëkundi. Ke të drejtë, sepse më shtyve të kujtoj dy-tre vargje të Driteroit: “Këta që vdekjen ma ndjellin, janë poetët./Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë,/Kur gripi më zë i ngrenë veshët,/dhe bëjnë sikur u vjen keq, “vërtet sëmurë!?”. Poezia “Dalëngadalë”.

Është një temë që do ta rrahim gjatë këtu në botën tjetër. – Kështu më the. - Me shpesë se do jenë të dy në Parajsë, ku do të shkoj edhe unë. Madje do të mësoj edhe emrat e atyre delenxhinjve që ndryshe sillen përballë kur pinë raki me qofte e gjizë. e ndryshe pas shpine.

Këto dy fjalë më duket i shtove kot nga zemërimi, se atyre s’duhet t’u kujtohet emri, si pjesë e shëmtuar e karakterit të tyre. Po duhen pranuar si pjesë e jetës sonë. Mbase nuk bëjmë edhe pa ata........!!!!!

Mos u mërzit Dori.....! Ti nuk jetove kot. Botove ca libra, kështu që emri yt u fut në arkën e kujtesës, në bibliotekë, për t’u kujtuar në çdo përvjetor të lindjes. Se, që thua ti..... Poetët e shkrimtarët kanë vetëm ditëlindje.

Me mirëkuptim....... dhe mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës, më: 22, të Korrikut, 2025.