Kulturë
Viron Kona: Bashkim Saliasi dhe libri i tij 'Udhëtim në vite me shokët e mi shkrimtarë'
E hene, 04.08.2025, 06:55 PM
Bashkim Saliasi dhe libri i tij
“Udhëtim në vite me
shokët e mi shkrimtarë”
Nga
Viron KONA
Bashkim Saliasi ka disa dekada që i është futur me pasion
e përkushtim punës së shkrimeve, madje ai me vullnet e këmbëngulje ka arritur
që jo vetëm të shkruajë artikuj të shumtë dhe shumëplanësh publicistikë, por
edhe të zhytet me seriozitet në krijimtarinë letrare artistike, duke lëvruar
kryesisht poezinë, prozën e shkurtër, skicat, sikurse përpjekjet e tij janë
pasqyruar edhe në një prozë të gjatë e pretenduese, siç është romani. Ndërkohë,
ai ka botuar edhe librat: “Dobrusha 1700-2010” (2010), “Katër krisma të
mallkuara” (2011), “Ne ishim pesë shokë” (2017), “Po gjyshi përse i lexon
librat e mi?” (2018), “Historiku i shkollës
“Vëllazërimi” (2019), “Historiku i shkollës “Niko Hoxha” (2019), “Parnasi sheh
me bisht të syrit” (2019), “Zylfo Saliasi, jeta ime në rrjedhën e viteve” (
2020), “Kur librin e shkruan zemra” (2021), “Një buqetë me poezi” (2022), “Pylli
me lisa” (2022), “Tomori, mal i shenjtë” (2024), “Udhëtim në vite”( 2025).
Në të gjithë këtë punë publicistike e krijuese z. Saliasi
ka shkruar edhe artikuj kritikë e studimorë rreth librave të disa shkrimtarëve
dhe poetëve shqiptarë, që ai ka arritur
t`i njohë në vlerat dhe krijimtarinë e tyre, por edhe të krijojë miqësi e
shoqëri të sinqertë me ta. Këtij qëllimi i shërben edhe ky libër i titulluar
”Udhëtim në vite me shokët e mi shkrimtarë” e ku, autori boton një përmbledhje
të të gjithë artikujve të shkruar dhe të botuar në organe shtypi dhe në media.
Në këtë vëllim shkruhet për 30 poetë e shkrimtarë, emrat
e të cilëve autori i ka vendosur sipas alfabetit. Do ta vlerësoja këtë libër
edhe si shprehje të respektit për kolegët krijues, por edhe respekt e
konsideratë për vlerat e krijimtarisë së tyre, të cilat z. Saliasi ka arritur
t`i analizojë me përgjegjësi, por edhe t`i tregojë lexuesit bukuritë, mesazhet
dhe arritjet letrare të secilit prej krijuesve që merr përsipër të analizojë.
Thuajse të gjithë artikujt janë të shkruar me një penë të ngrohtë dhe të
sinqertë, ku mendimi kritik ndaj librit, harmonizohet me respektin ndaj
shkrimtarit, një veçori kjo e spikatur e
Bashkim Saliasit, i cili kur shkruan e mban pareshtur në përfytyrim portretin e
shkrimtarit, bashkëbisedat dhe kujtimet me të dhe krijimtarinë e tij. Në libër
parakalojnë bukur një numër i konsiderueshëm autorë librash me tregime, novela,
romane, vëllime poetike, por dhe vepra të zhanrit të publicistikës.
Lexuesi i këtij libri njihet nga afër me emra krijuesish si Andon Andoni, tregimtar i shkëlqyer, që trajton me art, mjeshtëri dhe talent të dukshëm e realist tema dhe subjekte jetësore të marra shpeshherë direkt nga jeta, por dhe të shkruara me një gjuhë të pasur, plot kolor e figuracion, sikurse dhe me mesazhe kuptimplota e të drejtpërdrejta. Bashkim Saliasi i kushton Andonit artikullin “Gurra popullore në penën e Andon Andonit”, e ku, midis të tjerash, shkruan: ”Andoni është një shkrimtar këmbëngulës, i thellë ..., ai përdor me mjeshtëri prozën moderne, që mbi bazën e fabulës dhe gjetjes së tematikave në gurrën popullore, arrin të portretizojë tipa dhe karaktere bashkëkohore”. Duke pasur një njohje nga afër me z. Andoni, autori rrëfen herë pas here marrëdhëniet e ngrohta, miqësore dhe të punës me të, rrëfen kulturën dhe artin e tij, sidomos kur Andon Andoni, ky njeri me përvojë të gjatë dhe të spikatur në arsim, drejtoi për një kohë, së bashku me redaktorët Vjollca Spaho dhe Viron Kona, gazetën e mirënjohur “Mësuesi”, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (Sportit).
Libri vijon me studiuesin Agim Qoku, i cili shkruan një
prozë të menduar dhe të ngjeshur, kushtuar vendlindjes së tij, Çermenikës dhe rrethit të Elbasanit, ku ai ka kohë që kryen detyrën e
nderuar të mësuesit dhe më së shumti të drejtuesit të disa shkollave. Agim
Qokut, autori i kushton artikujt: “Një vepër me vlerë studimore” dhe “Visaret e
Çermenikës”, duke shprehur në të dy këta artikuj, jo vetëm vlera njohëse ndaj
publicistikës së z. Qoku, por dhe mendimin e tij vlerësues e realist ndaj prozës
së këtij intelektuali elbasanas. Duke shkruar për librin “Krahina e Labinotit”, z. Saliasi shfaq mendimin se ky libër është
një vlerë e shtuar e historiografisë, jo vetëm për krahinën e Labinotit dhe
zonën e Çermenikës, por me vlerë për gjithë studiuesit, gjuhëtarët, historianët
dhe të gjithë lexuesit e pasionuar pas traditave dhe kulturës shqiptare”.
Në vijim, Bashkim Saliasi i kushton vëmendje të veçantë
krijimtarisë së mësuesit dhe mikut të tij të afërt Çaush Kullafi, duke i
dedikuar atij dy artikuj mbresëlënës të titulluar: “Përjetime pas leximit të librit ‘’Një dorë e ngrohtë’’ dhe “Përjetime
nga leximi i librit “Dashuri e gdhendur”. Në të dy artikujt, krahas analizave të veprave në fjalë,
autori ndalet dhe përshkruan me dashuri vëllazërore dhe respekt të thellë
këmbënguljen dhe vullnetin e z. Çaush Kullafi për të qëmtuar në shoqërinë tonë
vlera të rralla dhe humane, siç është rasti i z. Rexhep Xhota nga Kosova, i
cili kur dëgjoi që një ish-luftëtari të UÇK-së në zonën e Hasit iu dogj shtëpia, z. Xhota me nismën
e tij dhe të familjes ndërmori një akt
të lartë human, duke i ndërtuar një shtëpi të
re dhe të mobiluar bashkëluftëtarit të UÇK-së... Duke shkruar për këtë
libër, Bashkim Saliasi nënvizon: “Personalisht do të doja që ky libër të vendosej
në radhën e librave të vyer që i kanë shërbyer një dritësimi të madh në njohjen
e figurave të ndryshme, qoftë dhe bamirëse si personazhi kryesor i këtij libri,
Rexhep Xhota”.
Bashkim
Saliasi dhe Viron Kona
Një artikull të shkruar
me respekt dhe dashuri i kushton Bashkim Saliasi ish-pilotit të avionëve
supersonikë luftarakë, avokatit të njohur dhe poetit të talentuar Delo Isufi.
Me nota të thella lirike, me bukuri fraze dhe evidentim vlerash, ai përshkruan
tipin dhe karakterin human të poetit, si dhe krijimtarinë e tij, të cilën e
vlerëson si një arritje letrare dhe moderne, teksa, duke lexuar artikullin,
duket se autori na thotë se shoqëria dhe institucionet letrare duhet të jenë më
të vëmendshëm ndaj një poeti me talent të spikatur si Delo Isufi. “Krijimet
e bukura të poetit Delo Isufi,- shkruan ndër të tjera z. Saliasi, - kanë një
përmbajtje dhe lirizëm të ngrohtë, të ngjallin shpresë dhe të bëjnë ta
dashurosh jetën... Poezia e tij dallohet për bukurinë e formës dhe të
përmbajtjes, e shkruar me një gjuhë të pasur letraro-artistike. Por nga ana
tjetër ajo që të bie në sy dhe të mbetet në mendje është gjerësia e tematikave,
që poeti trajton në vargun e tij të lirë. Autori i këtij libri e quan Delo Isufin
“gojëmbël dhe
zemërflori”.
Një artikull
interesant Bashkim Saliasi i
kushton krijimtarisë së poetes, publicistes dhe stilistes shqiptaro-norvegjeze
Emine S. Hoti, me artikullin “Poezi që shigjetojnë të keqen dhe afirmojnë
përvoja dhe vlera”. “Nga këto poezi, - shkruan z. Saliasi, - buron një lumë i qetë e
plot jetë i ndjenjave dhe emocioneve që të bën të mendosh për të ardhmen, duke
e hedhur pas krahëve urrejtjen dhe mllefet. Vend të rëndësishëm në librat e
kësaj poeteje zë dashuria për vendlindjen. Autorja është e drejtpërdrejtë
në përshkrimin e vuajtjeve dhe fatkeqësive që ka kaluar, por ajo tamam si një
“feniks”, ka ditur të ngrihet dhe t`i bëjë ballë jetës me stuhi dhe
furtuna të dhimbshme, duke mos e kthyer kokën pas, por duke parë ngaherë
progresin e jetës. Së fundi dua të them se ia vlen që të marrësh
në dorë veprat poetike të z Hoti dhe t`i lexosh me ëndje, sepse ke se çfarë të
mësosh nga kjo poete e talentuar, që ka ditur t`i bëjë ballë jetës, duke u
përballur me stuhitë dhe furtunat, por dhe duke çarë gjithnjë përpara me forcën
e shpirtit dhe të dashurisë.”
Duke qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të gazetës së
mirënjohur “Mësuesi”, Bashkim
Saliasit i ka tërhequr vëmendjen aktivizimi i përhershëm dhe i
përjavshëm i gazetarit të mirënjohur lezhjan Fran Gjoka, i cili ka qenë i
dashuruar fort me gazetën “Mësuesi”. Saliasi shkruan me shumë dashuri
për Franin dhe për artikujt e tij, një shprehje respekti kjo për një koleg të
rrallë, i cili pa i thënë askush,
përkushtohej shumë për problematikat që e shoqëronin arsimin dhe mësuesit në
misionin për edukimin e brezit të ri, që po rritej në dallgët e
demokracisë shqiptare. Ndër të tjera, z. Saliasi shkruan: “Fran Gjoka është dhe do jetë një nga gazetarët më prodhimtarë në
median e shkruar. Edhe pse ka dalë në pension, ai vazhdon po me të njëjtin
ritëm të shkruajë dhe të botojë kohë pas kohe në shumë gazeta të vendit dhe,
gjithnjë tërheq vëmendjen e lexuesve, por dhe të mësuesve, drejtuesve të
shkollave, që e ndjekin si atëherë kur ai shkruante me aq vrull në gazetën e
përjavshme dhe të dashur “Mësuesi”.
Autori vlerëson me entuziazëm z. Gjergj Qafoku në
artikullin e tij “Mendimtarët e heshtur mbeten të pavdekshëm”. “Nuk më shkonte mendja, - shprehet z. Saliasi, - që
autori Gjergj Qafoku me profesion ekonomist të na dhuronte një vepër historike
me kaq vlera për klerikun Dervish Iljazi. Teksa
vijon: “libri është i mbushur me plot
episode që të tërheqin si me magnet, ku spikat një gjuhë e pastër dhe e shkruar
me mjaft mjeshtëri...”.
Është tërheqës dhe i shkruar me dashuri artikulli “Magjia
e vendlindjes”, kushtuar poetit në mërgim Hyda Ismaili. Ndien respekt të
veçantë Bashkim Saliasi për poetin Ismaili, ndaj dhe e portretizon bukur tipin
dhe karakterin e tij, teksa vlerëson në mënyrë të veçantë poezitë e tij, ku
ndihen dukshëm aromat e dashurisë për vendlindjen. “Meritë e Hydait,-shkruan z. Saliasi,- është
se frymëzimin në këtë vëllim poetik e gjen në vendlindje, atje në Treblën e
bukur, ku u lind dhe u rrit me ujin kristal dhe të ftohtë të burimeve të malit
Tomor... Frymëzimi i autorit derdh në vargje dashuri njerëzore, emocione e
ndjenja, që e bëjnë lexuesin të mendohet, të emocionohet, të dëshpërohet dhe përsëri
të gjejë forca për t'u bërë më i fuqishëm, më njerëzor”.
Është interesante se brenda një kohe të shkurtër, Bashkim
Saliasi ka krijuar njohje të gjera, jo vetëm me shkrimtarë shqiptarë, që ai i
ka takuar dhe i ka njohur në Tiranë dhe në shërbimet e tij në Shqipëri, por ai ka arritur të njihet edhe me
shkrimtarë, studiues e publicistë shqiptaro-suedezë dhe suedezë. Kështu ai na
sjell në këtë libër një analizë të plotë dhe me shumë bukuri për veprën 2
“Arsimi shqip në Suedi”, vepër e shkruar nga intelektuali dhe personaliteti
kulturor e atdhetar z. Hysen Ibrahimi, aso kohe kryetar i Shoqatës së
mirënjohur të Shkrimtarëve dhe Artistëve
Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë.
Artikulli i z. Saliasi është shkruar me respekt dhe dashuri, por edhe me
konsiderata të larta për përpjekjet e shqiptarëve në Suedi, me qëllim që ata të
ruajnë të pacënuar mësimin e gjuhës
shqipe te fëmijët e tyre, por edhe për të bërë të njohur vlerat e kësaj gjuhe
te suedezët. Natyrisht që arritjet e punës së shqiptarëve në Suedi shfaqen në
shumë plane, përfshi edhe kulturën, folklorin, traditat e popullit tonë, artin
dhe letërsinë, por atje spikat veçanërisht atdhetarizmi dhe puna me devotshmëri
për lartësimin e atdheut, duke përcjellë njëherazi respektin
dhe dëshirën e madhe që Dardania të ecë
me ritëm, me sukses të plotë dhe e bashkuar në vlera për të qenë sa më shpejt anëtare e Bashkimit Evropian, ashtu sikurse po bën
përpjekje të admirueshme edhe Republika e Shqipërisë. Ndër të tjera, Bashkim
Saliasi shkruan: ”Në cilësinë e një
ambasadori, zoti Hysen Ibrahimi arrin të shpërndajë mesazhe paqeje, mirëkuptimi
dhe tolerance, duke përcjellë te lexuesi rreze drite dhe besimin se një ditë,
kombi shqiptar do bëhet ashtu sikundër e ëndërronin rilindësit, siç e ëndërrojmë
ne dhe ata që do të vijnë pas nesh”.
Po ndalem paksa edhe tek dy artikuj që Bashkim Saliasi i
kushton poetit, leksikografit dhe atdhetarit të shquar shqiptar në Suedi,
Sadulla Zendeli–Daja. Artikulli i parë “Përjetime nga takimi me Sadulla
Zendelin–Daja” dhe, i dyti, “Promete` i kauzës shqiptare”. Sadulla
Zendeli, duke qenë një nga shqiptarët më të njohur në Skandinavi, atdhetar i
flaktë i çështjes kombëtare, “qytetar nderi” i vendlindjes së tij, Gostivarit,
autor i sa e sa fjalorëve shqip-suedisht dhe suedisht– shqip, ka kontribute të
gjithanshme si për leksikologjinë dhe poezinë atdhetare, ashtu dhe si njëri
ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe në Suedi. Bashkim Saliasi shkruan me
shumë dashuri për Sadulla Zendeli-Dajën, ndaj unë shkëputa këto radhë për këtë
artikull: “Porsa merr në dorë librin dhe fillon ta lexosh, ai të
tërheq si ajo bleta që kur bie në kullotë të mirë, lajmëron shoqet e saj për
ushqimin e shijshëm dhe kthehet në zgjua me një ushqim të bollshëm dhe gjithë
lezet. Edhe nga leximi i librit të S. Z. Dajës ke se çfarë të mësosh nga jeta e
mërgatës shqiptare në Suedi dhe të duket vetja se edhe ti je pjesë e tregimeve
të autorit. Të jetosh me hallin e tjetrit, duke harruar hallet e tua, jo kushdo
e bën, por, Daja, veçanërisht në librin e tij “Shekulli i pajtimit” na tregon
se njeriu duhet të vrasë mendjen se si t`i shërbejë kombit të vet dhe
bashkëqytetarëve të tij...
Një zgalem atdhetar në
Suedi, njëherazi edhe mik i Bashkim Saliasit është z. Sokol Demaku, poet,
atdhetar, drejtues i QKSH “Migjeni” Boras, Suedi, i cili ka lënë gjurmë të
dukshme në çështjen e atdhetarisë shqiptare, veçanërisht të Kosovës, ndërkohë
që ai është një organizator i aftë dhe i talentuar, një drejtues veprimtarish
kulturore, artistike dhe tradicionale që rrallë e gjen në mërgim. Ka vite që z.
Demaku njihet edhe si një përkthyes i gjuhës suedeze në shqip dhe anasjelltas
dhe, sasia e librave të përkthyer prej tij dhe cilësia e përkthimit janë shumë
mbresëlënëse. Bashkim Saliasi ka botuar
në këtë libër një ese për librin e Sokol Demakut “Një pyll i çuditshëm”, ku pas
një analize mbresëlënëse dhe realiste, plot vlera letrare dhe mendime
origjinale, ai midis të tjerash shkruan: “Edhe pse shkrimtari, poeti, përkthyesi, gazetari Sokol
Demaku ka kohë që ka dalë në pension, ai përsëri vazhdon me një vullnet të
çeliktë të punojë pa u lodhur çdo ditë në fushën e krijimtarisë, duke i sjellë
lexuesit krijimtari me vlera artistike dhe letrare...”.
Këtë buqetë atdhetarësh
në Suedi, Bashkim Saliasi e vijon me një artikull kushtuar mikut të madh të
shqiptarëve, suedezit Ullmar Kvik (Qvick), duke analizuar veprën e tij madhore
“Më shumë heroizma, sesa grurë”, që
është një analizë dokumentare e shekullit të kaluar për Shqipërinë, ndërkohë që
z. Saliasi boton edhe një korrespondencë mesazhesh dhe letërkëmbimesh të
ngrohta me albanologun, mendimtarin dhe përkthyesin e shquar Ullmar Kvik. Duhet
të themi se shumica e përkthimeve mjaft cilësore të letërsisë dhe të letrave
shqipe në gjuhën suedeze dhe anasjelltas, përbëjnë një vepër të ndritur, që
meriton mirënjohje nga ne shqiptarët për Ullmar Kvikun, i cili nga dashuria për
kombin shqiptar shprehet: “Unë edhe një herë po të jetoja, do të punoja me shqiptarët dhe për
shqiptarët.” Bashkim Saliasi i drejtohet
kështu albanologut Ullmar Kvik: “Ju, z. Ullmar, jeni zëri
i së vërtetës, jeni zëri i Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë. Nga leximi
i librit arrita të kuptoj se ju jeni
një misionar i popullit shqiptar dhe suedez, ku me mundin dhe sakrificën tuaj
për të mësuar gjuhën e vendit tim keni krijuar ura miqësie midis dy popujve.
Nuk ka gjë më të mirë kur flet gjuhën e mikut dhe merresh vesh mirë për
rregullat e mikpritjes, të cilat hedhin rrënjë të thella në trurin e njeriut
dhe ruhen për gjithë jetën. Kujtimet e mira apo të këqija qofshin ruhen dhe
tregohen gojarisht dhe shkruhen në letër, ato janë mesazhe që përcillen ndër
popuj brez pas brezi”.
Në artikullin “Një libër me vlera historike iu shtua
bibliotekës sonë”, z. Saliasi shprehet
për librin “Hijezim i bukur” me autorë Bashkim Balani dhe Hana Hoti. Ky libër
pasqyron arsimimin dhe arritjet e ish-nxënësve maturantë të shkollës
pedagogjike të Fierit në vitet 1973-1978. Bashkim
Saliasi, ish-nxënës i asaj shkolle e përshkruan këtë takim maturantësh
me shumë mall dhe dashuri, duke nënvizuar faktin se ata ish-nxënës hodhën në
atë shkollë bazat e dijes dhe të profesionit të mësuesit dhe, në vazhdim
shërbyen me devotshmëri dhe pa u lodhur
në shkolla të ndryshme të vendit apo në sektorë të tjerë të jetës. Në këtë
shkrim informativ, z. Saliasi falënderon autorët Balani dhe Hoti, që përgatitën
një libër të veçantë për atë veprimtari përkujtimore, teksa ne lexuesve na
mbetet në mendje edhe vlerësimi se
“nxënësit e kësaj shkolle, sipas studimit të profesor Bektash Mema, erdhën nga
18 rrethe të vendit tonë. Atje në çerdhen e diturisë, ata mësuan, u edukuan dhe
morën formimin e përgjithshëm në degën e mësuesisë, duke dhënë kontributin e
tyre për mbi 40 vjet në sektorë të ndryshëm të zhvillimit të vendit në të
gjithë Shqipërinë”. Teksa është emocionuese porosia që autori i këtij libri, z.
Bashkim Saliasi përcjell tek ish-nxënësit, sot kolegët e tij mësues: “Nxitni
tek nipërit dhe mbesat tuaja dashurinë për librin!" Respekt dhe lumturi në
familjet tuaja! Ish-nxënësi i pedagogjikes, i maturës 1974, Bashkim Saliasi”.
Është shumë interesant
dhe vjen me natyrshmëri artikulli ”Pushimet kalohen bukur në plazhin e Golemit
në shoqërinë e veprave letrare të shkrimtarit të njohur durrsak, Shpend Hulësi
Topollaj”. Në këtë artikull Bashkim Saliasi e vlerëson lart krijimtarinë
letrare të z. Topollaj, jo sepse kaloi një kohë mes librave të tij gjatë
pushimeve në plazhin e Golemit, por edhe sepse nga leximi i veprave të këtij
autori, ai përfitoi mjaft, madje u emocionua dhe në shpirt iu ngjall respekt e
konsideratë e veçantë për këtë autor me prodhimtari të gjerë, njëherazi të
thjeshtë dhe punëtor të palodhur, që me shpirtin e tij krijues sjell vazhdimisht pranverë
mendimesh të bukura, mesazhe dhe një art që na emocionon dhe na vë në mendime.
Duke vlerësuar krijimtarinë e Shpend Topollajt, z. Saliasi ndër të tjera
shkruan: “Mendoj se, shkrimtari, poeti, romancieri dhe eseisti durrsak, Shpend
Hulësi Topollaj, duke qenë një vëzhgues i hollë dhe me një kujtesë perfekte në
të gjithë krijimtarinë e tij, krijon skica, tregime, poezi etj. duke u
mbështetur në subjekte të thjeshta, por që bartin mesazhe me vlerë dhe
shërbejnë si mësime për përditshmërinë e jetës, veçanërisht për brezin e ri”.
Në artikullin “Shënime
rreth librit “Një monument për dashurinë” të shkrimtarit Veledin Durmishi, Bashkim
Saliasi vlerëson talentin krijues të këtij autori, i cili sjell në krijimtarinë
e tij përvoja të shumta jetësore, si nga jeta e tij si mësues në shkolla të
ndryshme të vendit, përvojën si mërgimtar në Greqi, por edhe përvoja të vyera
në fushën e botimeve dhe të gazetarisë, ku spikatin veçanërisht poezitë e
bukura të këtij autori, tema e dashurisë dhe, sidomos jeta reale e njerëzve në
fshat dhe qytet. Duke analizuar këtë libër mes të tjerash z. Saliasi shkruan:
“Poezia e Veledinit është rezultat i një ngacmimi të fuqishëm që e bën poetin
të derdhë në vargje dashurinë për nënën, vendlindjen, gruan dhe gjithçka që e
rrethon dhe lë mbresa në kujtesën e tij. Në poezitë e këtij autori gjen edhe
humor, satirë fshikulluese dhe mesazhe atdhedashurie... Tregimet e tij bëhen të
besueshme, sepse sjellin vrullin e jetës së përditshme, që lë gjurmë te
lexuesi, teksa figurat letrare që përdor Veledini gjatë tregimit, të mbërthejnë
dhe nuk të lëshojnë...”.
Në libër z. Saliasi
shkruan me shumë ngrohtësi, respekt dhe dashuri vëllazërore për veprën e
mësuesit të talentuar Isa Ferizaj, të cilit i ka kushtuar artikujt “Mësuesi dhe
drejtuesi model” dhe “Dy kontraste që pasqyrojnë dy kohë”. Janë shumë
interesante përmbajtjet e këtyre dy artikujve kushtuar z. Ferizaj, artikuj që
na nxitin ne lexuesve të kërkojmë të dimë edhe më shumë për jetën dhe veprën e
këtij atdhetari dhe shqiptari trim e të guximshëm, ndërkohë që ai e shkruan
publicistikën dhe krijimtarinë e tij me standard të lartë. Duke shkruar për librin
e z. Ferizaj “Shqipëria në sytë e mi”, Bashkim Saliasi nënvizon: “Mesazhi
që përcjell autori Isa Ferizaj në këtë vepër është më se i qartë e i bazuar në
pasqyrimin e realiteteve dykohore politiko-shoqërore e historiko-ekonomike,
realitete me plot fakte e arsyetime bindëse e kokëforta”.
Z. Kadri Tarelli është në
radhën e autorëve të pasqyruar në këtë libër, jo pak, por 7 artikuj të shkruar
me përgjegjësi dhe me prirjen për të zbuluar sa më shumë vlera letrare,
publicistike dhe njohëse në krijimtarinë e z. Tarelli, të cilin e njohim si një
publicist të rrallë, si një poet plot kolor, vlera dhe mesazhe mbresëlënëse,
por kohët e fundit edhe si një tregimtar
të respektuar nga lexuesi. Bashkim Saliasi ia vlerëson publicistikën dhe
krijimtarinë këtij autori me sinqeritet dhe me dëshirën për të evidentuar
vlerat e tij, por edhe duke e portretizuar karakterin e tij si një mik, koleg
dhe atdhetar. Ndërkaq, z. Saliasi shfaq respekt të dukshëm dhe plotësisht të
merituar edhe për skulptorin Ytbi Tarelli, vëllai i z. Kadri Tarelli, i cili
vitet e fundit të jetës i jetoi në Kanada, ku edhe krijoi vepra të rralla në
artin e skulpturës, por edhe u shqua atje për dashurinë dhe atdhetarinë e tij.
Mendimet shprehëse të z. Saliasi për Kadri dhe Ytbi Tarellin shfaqen veçanërisht
në artikujt e botuar në këtë libër e që titullohen: “Kush
fal një libër, fal pjesë nga trupi tij”, “Një përmendore kushtuar mjeshtrit
Hytbi Tarelli”, “I përjetshëm qoftë vepra dhe kujtimi i Ytbi Tarellit!”,
“Zjarri ngroh trupin, libri ngroh shpirtin”, “Poeti që sfidon moshën”, “Vjeshta
në vargje”, “Filxhani me buzë të kafshuar”. Ndër vlerësimet e shumta që z.
Saliasi bën për Kadri Tarellin veçova: “Suksesi i krijimtarisë së shkrimtarit
Kadri Tarelli në shumë zhanre, si në tregime, poezi, reportazhe i dedikohet
talentit dhe kulturës artistike, si dhe punës së palodhur dhe plot dashuri që
ai kryen. Edhe pse në moshën e pensionit, përsëri vlaga e krijimtarisë së tij
vazhdon pandërprerë. Tregimet e Kadriut i sjellin lexuesit jetën e përditshme,
ato kanë limfë që vë në lëvizje jetën dhe, pasi mbaron së lexuari tregimin, të
lind pyetja: Mos vallë edhe unë jam pjesë e këtyre rrëfenjave të shkrimtarit që
tregon kaq bukur me një gjuhë të pastër dhe pa devijime të fjalëve shqipe?”
Në vazhdim është publicisti i njohur dhe i paharruar
prof. Murat Gecaj, të cilit z. Saliasi i kushton artikujt: “Fjala
jote-xhevahir”, “Mjeshtër i madh” i
letërsisë shqipe për fëmijë” -libër i prof. Murat Gecajt kushtuar akademikut
dhe shkrimtarit të njohur të letërsisë për fëmijë prof. dr. Bedri Dedjes, si
dhe artikullin kushtuar librit të prof. Muratit “Ti Dorela, je njeriu më me fat
në botë!”. Artikujt e z. Saliasi për prof. Murat Gecaj janë njëherazi shprehje
nderimi për penën e publicistit të paharruar dhe mikut të shumë autorëve, që
përshkruhen në këtë libër, kjo sepse z. Gecaj ishte një publicist plot mendim,
një atdhetar i shquar dhe një “mik për kokë”.
Ai shkroi shumë dhe vlerat e shkrimeve të tij kanë rrezatuar dhe do të
vijojnë të rrezatojnë, veçanërisht në
botën publicistike. Me vargje të ngrohtë, z. Saliasi e portretizon bukur
karakterin dhe veprimtarinë e tij krijuese: Hijerëndë si Korabi,/I qeshur si
Valbona/Xhevahir fjala jote,/I pavdekshëm në zemrat tona!”
Interesant është edhe artikulli “Visaret e Gollobordës”,
kushtuar librit të mësuesit dhe drejtuesit të disa shkollave, z. Mehmet Hasani,
të cilin autori e përshkruan me shumë dashuri, duke shprehur respekt për
krijimtarinë e tij dhe për vlerat intelektuale dhe humane. “E veçanta e Mehmetit,-shkruan Bashkim Saliasi,-mendoj se nuk
qëndron vetëm në faktin se ai i përjeton disi ndryshe ngjarjet dhe ndodhitë e
jetës, por arrin të depërtojë thellë në botën shpirtërore të gollobordasve.
Ai portretizon dhe tipizon, duke sjellë përpara lexuesit episode
dhe dukuri, që zakonisht kalojnë natyrshëm dhe pa u vënë re, përcjell ide
dhe mesazhe që burojnë prej vizioneve, dijeve dhe kulturës që ai zotëron”.
Me shumë dashuri shkruan z. Saliasi për mësuesin Mina
Bardhi, në artikullin e tij të titulluar “Stafetë brezash”. Duke qenë edhe vetë
mësues, Bashkim Saliasi njeh dhe veçon te
kolegët e tij vlera të shumanshme, përkushtimin e tyre për t`i dhënë
dije dhe kulturë brezit të ri, por edhe duke qenë vetë ata shembull në punë dhe
në jetë, ndërkohë që vlerat e tyre intelektuale dhe qytetare rrezatojnë përherë
dhe kudo. Respekti për mësuesin, si një figurë qendrore e shoqërisë dhe e
qytetarisë nuk ndalet, por është i përhershëm, sepse e tillë është vepra e tij.
Ndaj, duke folur për mësuesin progresist dhe shembullor në jetë, autori i
artikullit e portretizon kështu kolegun e nderuar: “Minai do të mbetet në zemrat tona
një baba shembullor dhe mësues i dashur, që edukoi breza të tërë djemsh e
vajzash në shkollën e mesme bujqësore të Libofshës”.
Ndërkaq, Bashkim Saliasi i kushton një artikull të
veçantë z. Muhamet Cenko, publicist dhe njëherazi njohës shumë i mirë i gjuhës
shqipe, veçanërisht i drejtshkrimit, i cili doli përpara pak kohësh me librin
e tij të rrallë dhe të vlerësuar
“Këshilluesi gjuhësor”. Saliasi e merr shembull këtë gjuhëtar dhe mbrojtës të
drejtpërdrejt të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, duke nënvizuar ide dhe mesazhe
të librit, por edhe duke e rekomanduar leximin dhe studimin e tij, jo vetëm te
lexuesit e zakonshëm, por edhe te nxënësit e shkollave e studentët,
sikurse edhe te punonjësit e
institucioneve shtetërore, shoqërore dhe të mediave. Saliasi nënvizon: “Një meritë të veçantë në hartimin e këtij
libri, Cenkoja ka edhe sepse në ilustrimin e shembujve që përdor është bazuar
në jetën e përditshme dhe në studimin e thelluar të gjuhës shqipe për të
ndihmuar sadopak në kulturën drejtshkrimore të gjuhës shqipe, sidomos në
rrjetet sociale të përdorura, jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga moshat
madhore që shkruajnë me gabime drejtshkrimore dhe nuk tregojnë kujdes, madje
edhe në portalet e postuara, sidomos në faqen e facebookut... Botimi i këtij
libri i bën nder çdo biblioteke dhe dashamirësve të gjuhës shqipe...”.
I paharruar është për Bashkim Saliasin, si dhe për qindra
kolegë të tjerë, z. Nuri Dragoj, njeri me vlera të mëdha intelektuale, autor
librash të gjithëvlerësuar, atdhetar i shquar, i dalluar veçanërisht për
historikun e arsimit të vendlindjes së tij Përmetit, teksa nderohen vlerat e
tij si ish-kryeredaktor i gazetës së mirënjohur të kohës “Republika”. Autori i
kushton z. Dragoj artikujt “Libër me
vlerë historike” dhe “Një jetë kushtuar gazetarisë, studimeve e letërsisë”. Për autorin Saliasi dhe për të gjithë ne
lexuesit e këtij libri, z. Nuri Dragoj do të mbetet jo vetëm një koleg dhe shok
i paharruar, por edhe një njeri plot vlera atdhetarie, një intelektual e
studiues nga më të spikaturit,
veçanërisht në fushën e historisë dhe të arsimit, sikurse dhe një njeri me
karakter të lartë, miqësor dhe human. Këto dhe të tjera cilësi të vyera të z.
Dragoj i gjejmë në shkrimet e këtij libri përmbledhës.
Duke shkruar për z. Dragoj dhe ndarjen e tij të shpejtë
nga jeta, Bashkim Saliasi shkruan me dhembje: “Humbja e dr. Nuri Dragoj, është
një fatkeqësi e madhe për fushën e studimeve historike dhe gazetarinë
shqiptare... Për kombin tonë, ndarja nga jeta e z. Dragoj është një humbje e
madhe, sepse u shua një nga penat që i dha shumë shoqërisë dhe atdheut. Nuri Dragoj do të mbetet në zemrat tona modeli i
njeriut modest, që nuk dinte të mburrej, por me thjeshtësinë dhe dashamirësinë
që e karakterizonte, i dha shoqërisë vlera me studimet e tij historike...” .
Më duket një artikull mbresëlënës e që pasqyron vlera të
rralla analiza që i bën z. Saliasi
krijimtarisë së poetit, tregimtarit dhe publicistit të mirënjohur, shumë
prodhimtar e të palodhur, z. Përparim Hysi.
Këto vlerësime shfaqen veçanërisht tek artikulli “Lëçitje në
krijimtarinë e poetit Përparim Hysi”, ku me të drejtë z. Saliasi veçon vlera të
këtij personaliteti letrar e publicistik, si dhe marrëdhëniet e ngrohta e të
gjithanshme që ai vendos me krijuesit përmes botimeve të tij, si ato
publicistike, edhe ato në krijimtarinë letrare, prozë e poezi. Ndër të tjera
Bashkim Saliasi shkruan: “Te poeti Përparim Hysi, të bien sy përvoja e akumuluar
ndër vite, të cilën ai e pasqyron mjaft mirë artistikisht dhe ndihmon për t`i
bërë mendjet njerëzore sa më të ndritura. Edhe pse poeti i ka kaluar të
tetëdhjetat, ai përsëri vazhdon të shkruajë çdo ditë, cilësi kjo që e bën atë
të veçantë ndër krijuesit, e bën shembull të mirësisë dhe të vlerave shoqërore.
Në të gjithë krijimtarinë e Përparimit, spikat shpirti luftarak dhe dashuria
për jetën...”.
Janë me vlerat të dukshme gjithashtu artikujt që i
kushton Bashkim Saliasi bashkëfshatarit
të tij, kapiten Përparim Zaimit, e që
titullohen “Mendime rreth librit “Zgjidhja e një misteri”, si dhe artikulli
“Mali Tomor”, mbartës i të vërtetave të historisë”, ku autori me dashuri dhe
atdhetarizëm bën përpjekje të mira dhe të kujdesshme për të zbuluar vlera të
rralla në historiografinë shqiptare dhe veçanërisht duke e cilësuar malin e Tomorit, si një “vend perëndish”, apo si
“fron ku rri zoti”, siç e kanë cilësuar të mëdhenjtë e Rilindjes sonë
kombëtare, Çajupi dhe Naim Frashëri. “Për malin e Tomorit,-nënvizon Bashkim Saliasi,-kanë
shkruar e vazhdojnë të shkruajnë shumë poetë. Nga gërmimet që janë zhvilluar në
vendin e quajtur “Shkëmbi i Selanit” janë gjendur sende dhe objekte prej guri,
që datojnë me periudhën e neolitit 6000 -2600 p.e.s., gjë e cila vërteton edhe
tezën që z. Përparim Zaimi shtron se gjuha shqipe është një gjuhë e “perëndive”
që rrjedh nga pellazgjishtja. Autori vjen para lexuesit si një akademik,
pavarësisht se nuk zotëron titull të tillë, kur shpalos vlera me interes për
shumë studiues në fusha si astronomia, biologjia, fizika, paleontologjia
etj...”.
Me shumë dashuri ka shkruar Bashkim Saliasi për mësuesin
Rrapi Bardhi, të cilin me të drejtë e cilëson “Pishtar i arsimit shqiptar”,
ndërkohë që ai i kushton në këtë libër madhor edhe artikullin “Krijimtaria
artistike e shkrimtarit Rrapi Bardhi”. Si njohës i mirë dhe profesional i
arsimit, pasi ai është edhe vetë mësues, z. Saliasi veçon vlera të dukshme
mësimdhënëse dhe shkencore te mësuesi Rrapi Bardhi, duke argumentuar dhe duke i
bërë të njohura me shumë respekt e dashuri mjaft nga këto vlera. Bashkim
Saliasi, duke ruajtur në kujtesë edhe vlerësime kolegësh, e portretizon kështu
mësuesin e rrallë dhe të përkushtuar të arsimit Rrapi Bardhi: “Me atë burrë, punova kaq vite, por një ditë nuk e pashë
pa kollare, të pahekurosur apo të fuste duart në xhepa edhe në ditët më të
ftohta. Mësues Rrapin, gjatë gjithë jetës që pata fatin ta njoh, pashë tek ai
njeriun e ditur dhe të edukuar, njeriun që reflektonte dije dhe kulturë të
lartë. Të zhvilloje mësim me mësues Rrapin, nuk kishe nevojë ta lexoje mësimin
në shtëpi, - tregojnë nxënësit e tij. Ishte metodist dhe shumë i përgatitur...,
por unë do të shtoja se, gjithnjë kur pata fatin të diskutonim për ndonjë vepër
së bashku me të dhe, atij i lindte nevoja për të saktësuar kuptimin e fjalës,
nuk nguronte të hapte fjalorin e gjuhës shqipe...”.
Është interesant, i ngrohtë dhe me vlera të çmuara
artikulli kushtuar studiuesit të njohur Sejdo Harka dhe analiza që z. Saliasi i
bën librit të tij “Modernët e kohës”.
Saliasi duke qenë i
sinqertë si lexues dhe shkrimtar, bën vlerësime të duhura dhe pa ekuivoke ndaj
letërsisë dhe publicistikës që lexon, ai vlerëson dhe veçon vlera dhe ia bën të
qarta dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë “me dorë në zemër” lexuesit. Duke lexuar
librin “Modernët e kohës’ të Sejdo Harkës, Saliasi shkruan:
“Leximi nuk më lëshonte
dhe pothuajse gjithë atë pasdite deri natën vonë e mbarova gjysmën e librit. Në
çdo faqe që lexoja gjeja zjarr që ruante prushin që ndizej dhe përhapte flakët
e të ndriçonte mendjen...
Me një gjuhë të
kuptueshme dhe me plot figura letrare, Sejdoja analizon me penën e tij të
mprehtë kritikën dhe vlerat që kanë veprat që ai ka lexuar.
Në nivelin shkencor të
mendimit pedagogjik dhe psikologjik, duke hulumtuar në veprat që merr në
analizë, ai jep një ndihmesë të
jashtëzakonshme në fushën e kritikës, e cila mendoj se iu shërben jo vetëm
studentëve të gjuhë-letërsisë, por edhe mësuesve që punojnë në ciklin 9- vjeçar
dhe të mesëm...”.
Disa artikuj, autori i
kushton në këtë libër shkrimtarit Viron Kona, të titulluar: “Udhëtim
në vite”, “Poezi që shigjetojnë të keqen”, vepra letrare “Marigoja
shqiptare në Norvegji”, “Kur librin e shkruan zemra, një
thesar” dhe “Dëgjoma zemrën,
Budapest!” Në këta artikuj të shkruar ngrohtë dhe me dashuri vëllazërore,
autori shpreh njëherazi respekt e konsideratë për autorin.
Me shumë dashuri shkruan z. Saliasi për një nga penat e
mprehta dhe të mençura të Dardanisë sonë, z. Xheladin Mjeku, kritik dhe
studiues i njohur i letërsisë shqipe, por njëherazi edhe një poet i çmuar.
Artikulli i z. Saliasi, i titulluar
“Nëna e lirisë’, mendoj se shpreh realisht dhe në mënyrë konstruktive
mendime të vlefshme dhe plot vizione të z. Mjeku, i cili ka fituar miqësinë e
shumë krijuesve shqiptarë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Nga
mendimet që shfaq Bashkim Saliasi, pasi ka lexuar librin “Nëna e lirisë”,
veçova: “Në të gjitha tregimet e këtij libri, secili ka diçka të re, të bukur
për të thënë, ku mbarten vlera të larmishme të shkruara me dashuri nga autori.
Ai i përcjell ato te lexuesi, në formën e mesazheve për të mos harruar kurrë të
kaluarën. Meritë tjetër e librit është
stili i shprehjes së mendimit në kohë dhe me fjali të shkurtra, të cilat e
tërheqin natyrshëm dhe pa sforco lexuesin. Xheladini me mënyrën e vet të
treguarit, përpiqet të na tërheqë dhe të na bëjë për vete me stilin e të
shkruarit të tregimeve të këndshme që na ka dhuruar, duke na rrëfyer rrugën e
atdhedashurisë për t’i ruajtur të pacënuara vlerat e të parëve tanë”.
Shkrimtares
së njohur Vilhelme Vranari Haxhiraj, z. Saliasi i kushton artikullin
“Binjakëzim vlerash”, ku autori mbështet dhe analizon artistikisht vlerat e
librit “Në botën letrare të Kadri Tarellit”. Saliasi shprehet me shumë respekt
e konsideratë për autoren Vranari, e cila spikat si një poete dhe shkrimtare e
afirmuar, por edhe një publiciste që lartëson në mënyrë të dokumentuar vlera të
kombit shqiptar, sikurse shkruan me vizion dhe largpamësi për personalitete
shqiptare të njohura në mbarë botën. Bashkim Saliasi mbështet dhe vlerëson lart
librin e shkruar nga Vilhelme Vranari për personalitetin e z. Kadri Tarelli, njëherazi poet, tregimtar
dhe publicist i njohur nga qyteti i Durrësit. Ndër të tjera Bashkim Saliasi
shkruan: ”Libri është një thesar i gjallë i një vepre letrare, ku nëpërmjet një
pene me majë të mprehtë zonja Vilhelme nxjerr në pah vlerat e krijimtarisë së
shkrimtarit, publicistit, poetit dhe gazetarit durrsak Kadri Tarelli. Mjafton
të lexosh intervistën e zonjës Vilhelme dhe të njihesh me vlerat intelektuale
që mbart personazhi i librit, Kadri Tarelli, si mësues, poet, analist,
publicist në fushën e letrave shqipe...”.
Në përfundim, z. Saliasi e mbyll librin e tij përmbledhës
me artikullin “Mendimtari i heshtur Xhevit Shtylla me vepra në seri”, ku tregon
për kolegun dhe për veprat e tij letrare, si dhe e portretizon atë me vlerësime
dhe fjalë zemre. Duke lexuar krijimtarinë e z. Shtylla, Bashkim Saliasi
shkruan: “Autori Xhevit
Shtylla rrëfen vetveten, atë
që ka jetuar dhe jeton, duke i sjellë lexuesit një krijimtari dinjitoze.
Mesazhet që jep ai nga njëri tregim në tjetrin, bëhen mjaft tërheqës... Arti i shtjellimit të ngjarjeve, nga njëri
kapitull në tjetrin, rrit tensionin dhe shton sasinë e adrenalinës. Vitet e
dashurisë sikur ringjallen dhe marrin jetë. Vërtetësia me të cilën
Shtylla e përshkruan jetën e përditshme rrezaton mesazhe paqeje dhe
krenari kombëtare...”.
Si
për të vënë qershinë mbi tortë, z. Saliasi në faqet e fundit të librit i ofron
lexuesit një album fotografish me miq, shokë e kolegë krijues, mes të cilëve
janë ata që përshkruan në këtë libër, por edhe të tjerë me të
cilët ka pasur marrëdhënie pune në
shkollat ku ka punuar, apo me kolegë të
fushës së gjerë të gazetarisë, kulturës, artit dhe krijimtarisë letrare.
Urime
dhe suksese të tjera z. Bashkim Saliasi!